Londra emëroi të dërguarin e saj për Ballkanin Sir Stuart Peach

Ish-diplomati britanik dhe profesori në Universitetin e Cambridgeit, Timothy Less, tha se pas emërimit të të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe, Sir Stuart Peach, ai nuk do të habitej nëse “kjo do të hapte rrugën për emërimin e ndërkombëtarëve të tjerë, të dërguar nga Rusia, dhe ndoshta Turqia dhe Kina”.
Siç theksoi Less, Rusia, Turqia dhe Kina “nuk do t’i lejojnë kundërshtarët e tyre t’i formësojnë ngjarjet në Ballkan në mënyra që janë në kundërshtim me interesat e tyre kombëtare”, transmeton Gazeta Express.
“Për ata që e njohin historinë e rajonit, e gjithë kjo do të jetë shumë e njohur. Ky është një zhvillim domethënës dhe sugjeron që Mbretëria e Bashkuar beson se ekziston një rrezik serioz për stabilitetin e rajonit dhe integritetin e marrëveshjes aktuale. Serbët po sfidojnë hapur status quo-në politike në Bosnjë dhe tensionet po thellohen mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa Prishtina po përpiqet ta konfirmojë sundimin e saj mbi veriun dhe Serbia po hakmerret”, ka thënë Less për “Kosovo Online”.
Sipas ish-diplomatit britanik, “ky është problem për Londrën, e cila ka interesa në Ballkan”, ndërsa i pyetur nëse Peach do të bashkëpunojë me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, por edhe me zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ai shprehet se do të përpiqet të bashkëpunojë ngushtë.
“Mbretëria e Bashkuar ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e zgjidhjes, veçanërisht në Bosnjë dhe Kosovë, dhe nuk dëshiron që puna e saj të anulohet. Londra gjithashtu nuk dëshiron një konflikt në të cilin Britania, me një nga ushtritë më të fuqishme në Evropë, do të duhet të ndërhyjë. Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për ta emëruar përfaqësuesin e saj, natyrisht, është pasojë e vendimit të saj për t’u larguar nga BE-ja, që do të thotë se ajo nuk mund të ushtrojë ndikim në Bosnjë përmes Brukselit”m shprehet ai.
Less shpjegon se ka një precedent për këtë, përkatësisht rolin e luajtur nga Paddy Ashdown, i cili ishte Përfaqësues i Lartë në Bosnjë në fillim të viteve 2000.
“Ashdown arriti të vepronte si një urë lidhëse midis Shteteve të Bashkuara, të cilat donin të shkëputeshin nga Bosnja, dhe BE-së, e cila donte të merrte vendin, duke arritur të përdorte fuqinë e të dyjave për ta shtyrë agjendën politike të Mbretërisë së Bashkuar. Unë mendosj se tani do të shohim dinamikë të ngjashme”, tha Less.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka mirëpritur caktimin e Stuart Peach si të dërguar të posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor.
“E mirëpres emërimin e Shefit të Forcave Ajrore të Britanisë së madhe, Sir Stuart Peach si Emisar Special për Ballkanin Perëndimor dhe pres të punoj ngushtë me të për të mbrojtur dhe promovuar lirinë dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë në Serbi janë shprehur të shqetësuar me emërimin e ish-komandantit të Forcave Ajrore të NATO-s si Emisar Special i Britanisë për Ballkanin Perëndimor.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here