Në publicistikën shqiptare nuk ka trajtesa të karakterit shkencor antropologjik për liderët politikë, cilësitë, tiparët, formimin e tyre.
Një studim të parë në këtë drejtim jep studjuesja shqiptaro-amerikane Znj. Iris Halili me librin “Lideri nuk lind…bëhet”, vlerësuar si botimi më i mirë i vitit 1920 në portalin on line “Bukinist.al” i vitit 1920.
Znj. Halili ka mbaruar me medalje ari studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe ka mbrojtur titullin “Master Shkencor” në studimet europiane. Ka punuar pedagoge e Letërsisë së Huaj pranë Fakultetit Histori Filologji (1995-2006) dhe ka qënë Shefe Kabineti i Presidentit të Republikës Z.Alfred Moisiu.
Nga viti 2009, jeton në Miami, Florida, SHBA. Atje ka kryer studimet në Universitetin Grand Canyon, në programin e Doktoranturës për Edukim në Lidership dhe ka mbrojtur titullin “Master”.
Më 19 shtator 2021 libri u promovua me sukses në selinë qëndrore të Federatës PanShqiptare “Vatra” në New York.
Më 7 nëntor 2021 gazeta “Dielli” njoftoi themelimin e degës më të re të “Vatrës” në Miami. Kryetare e Komisionit Nismetar ishte Znj. Halili.
Në artikullin e saj botuar me këtë rast në gazetën “Dielli”, Zonja në fjalë njoftoi bashkëatdhetarët shqiptarë në SHBA se për të realizuar me sukses këtē besim “ka mbledh rreth vetes personalitete të fushës së ekonomisë, biznesit, letërsisë, veprimtarë dhe aktivistë me integritet dhe personalitete shqiptare në Florida”.
Libri “Lideri nuk lind…bëhet” është një përmbledhje studimesh disavjeçare lidhur me cilësitë, tiparët dhe formimin e lidershipit, mbështetur në studimet e fundit të antropologëve amerikanë rreth temës së lidershipit. Në një intervistë dhënë revistës “Psikologjia”, Znj. Halili bën të ditur se i hyri këtij studimi meqënëse “mjedisit shqiptar i mungonte një temë e tillë”.
Autorja trajton në studimin e saj çështjet si : Lideri lind apo bëhet ? Gjithkush mund të bëhet një lider i mirë ! Lidershipi dhe forca e pamatë e ndjekësve ! Lidershipi etik ! Karizma në lidership ! Lideri nacionalist ! Lideri narcisist ! Lidershipi i femrës si lidership shërbëtor ! Nënë Tereza ! Lidershipi toksik (negativ)! Roli i kulturës së vendit në lidership; pak fjalë për realitetin shqiptar! Arti dhe lidershipi !
Sipas antropologëve amerikanë, lideri ka shumë cilësi, një cilësi e rëndësishme është karizma. Karizma sipas tyre është “cilësi e lindur” e liderit. Autorja mbështetet në studimin e antropologut amerikan James MacGregor Burns fitues i çmimit Pulitzer(1978) për librin e tij “Lidershipi”.
“Karizma, sipas tij, është aftësi e lidershipit për të frymëzuar ndjekësit”. Sipas sociologut gjerman Max Weber, karizma i jep individit fuqi “frymëzuese, supernjerëzore dhe supernaturore”. Sipas karizma “formohet, deri në moshën 6- vjeçare”.
Znj. Halili mbështetet në
studimet e antropologut amerikan Ann Ruth Willner për liderin karizmatik. Sipas tij “ndjeksit i atribuojnë liderit karizmatik tipare gati mbinatyrorë”.
Antropologët amerikane dallojnë “liderët karizmatikë” dhe“liderë ligjorë”; të parët janë personalite që shkaktojnë lëvizje të mëdha shoqërore si Martin Luter King, Mahatma Grandi…
Znj. Halili trajton disa cilësi të lidershipit si vizioni, komunikimi, guximi, sinqeriteti, transparenca, thjeshtësia etj cilësi këto “të fituara të lidershipit”.
Sipas antropologut amerikan Peter Drucker lidershipi është instikt i lindur i gjenit njerzor; sipas tij, “nuk ka lider të mirë me ndjekës të këqinj dhe anasjelltas”. “Që te jesh lider-shkruan znja Halili- duhet të kesh ndjekës. Lider pa ndjekës nuk ka”. Krahas liderit rëndësi kanë edhe ndjeksit, këta duhet “të jenë aktivë”, të informohen për liderin nga mjetet e komunikimit masiv. “Në kohën që jetojmë- shkruan znj. Halili – gjithkush merr informim nga burime të shumta…kjo shumëllojshmëri informacioni krijon informimin alternativ të ndjeksve”.
Me interes për lexuesin është kapitulli “Karakteri në lidership”. “Sa herë duam të sjellim një shembull akti heroik, shkruan autorja, mendja na shkon tek mitet, heronjtë e mitologjisë. Të gjithë heronjtë mitikë, vijon ajo, i bashkon “forca e karakterit”. Antropologët e shikojnë karakterin “si një proçes në zhvillim” bashkë me emocionet, intelektin dhe moralin. Çdo person, shkruan Znj. Halili “pranohet ose refuzohet në mjedisin social nga karakteri që zotëron”. Mes gjithë tiparëve të lidershipit, “karakteri, mbetet parësor”. Lideri me karakter, shkruan Halili, i’a dedikon fitoren ndjeksve të tij “Sinqeriteti i liderit, fillon te mendimi; thënia hapur e tyre është rezultat i një karakteri të fortë; shtysa që e shtyn një lider të marrë vendime etike, vijon autorja “është morali dhe karakteri i tij”. Lideri me karakter ndërton një shoqëri me karakter. Autorja ndalet tek “Lideri pa karakter”. Një lider i tillë, shkruan Znj.Halili, “është i ngjashëm me personazhin tipik të letërsisë së realizmit socialist, (personazh) i përshkruar por jo i ndërtuar me vlera të larta fizike”. Liderë të tillë “pa karakter” qëllim të vetëm kanë forcimin e pushtetit të tyre; këta kur ndjejnë lëkundje të pushtetit bëhen arrogantë, autoritarë, diktatorë. Shoqëritë e shëndosha, heqin dhe largojnë liderë të tillë. Karakteri i liderit vihet në provë në momente krizash. Ndjeksit, shkruan Znj. Halili, duhet të largohen nga liderë të tillë kur konstatojnë shënja të mungesës së karakterit të tyre. Studimet vënë në dukje se “99 përqind e dështimeve në lidership janë dështime të karakterit”.
Autorja ndalet në trajtimin e liderit “narcisist” “Ndonëse narcisismi trajtohet si një tipar me pasoja negative në lidership, shkruan Znj. Halili, narcisismi është forcë që i shtyn ata drejt pushtetit”. Liderët narcisistë kanë aftësi “të pakrahasueshme” për të frymëzuar ndjeksit. Antropologu Maccoby dallon narcisistë produktivë dhe jo produktivë. Anët produktive të personalitetit narcisist e ndihmojmë liderin narcisist të arrijë fitore. Sipas Maccobit “në rast krizash, lideri narcisist mund… të ngjallë optimizëm tek ndjeksit dhe t’i çojë ata drejt ndryshimit”. Sipas antropologut Sankowsky, narcisismi krijon një profil mistik të besueshëm tek ndjekësit.
“Po ti hedhim një sy liderëve më dominantë të Shqipërisë, shkruan Znj. Halili, shikojmë se në shumë pika ata shfaqin karaktere të ndryshëm por në një pikë ata janë të gjithë bashkë dhe ky është narcisismi ! Kjo do të thotë se ata trashëgojnë një tipar dominues të shoqërisë që përfaqësojnë”.
“Lideri është produkt i shoqërisë që përfaqëson, shkruan Znj. Halili, ky është “një ndër leksionet bazë në teoritë e lidershipit”. Fakti që një shoqëri prodhon gjithmonë një tipar lideri, tregon se shoqëria e ka këtë tipar të saj. Autorja e vlerëson Enver Hoxhën si lider narcisist.
Sipas saj, lideri narcisist, kërkon admirim nga ndjeksit; liderët nacisistë “vuajnë nga mungesa e empatisë”. Sipas antropologut Dimaggio “lideri nacisist beson se është se ka të drejtë t’i trajtojë ndjeksit sikur të jenë sende”. Liderët narcisistë nuk kanë lidhje emocionale me ndjeksit. Liderët narcisistë kanë aftësi të prodhojnë shoqëri narcisiste. Liderët narcisistë “duan vetëm fitore”. Në kohën e Hoxhës shkruan autorja “kudo flitej për fitore”; e tërë makina propagandistike ishte ngritur “për të glorifikuar suksese”. Znj. Halili mbështetet edhe në studimet e antropologut Blair, sipas të cilit “narcisismi lidhet ngushtë me paranojën”. Synimi i liderit narcisist është pushteti. Sipas antropologut Sankowsky lideri narcisist mashtron ndjekësit për të ruajtur pushtetin personal.
Autorja trajton rolin e gruas në lidership. Ajo vë në krye të studimit thënien e antropologut të shquar Pete Hoekstra “Lidershipi i vërtetë arrihet kur liderët e kuptojnë që janë në shërbim të njerëzve që drejtojnë”.
Lidershipi femëror është fakt në shoqëritë moderne. Teoricienët e shkollës së lidershipit mendojnë se lidershipi femëror prezanton “tiparet e lidershipit transformues në zhvillimin e shoqërisë”. Antropologë të shquar amerikane theksojnë në studimet e tyre se femrat “kanë një nivel më të lartë të inteligjencës në krahasim me meshkujt”.
Roli i gruas në shoqëri konstatohet që në antikitet; në Olimp, shkruan Znj Halili, kishte shumë perendi femra; në ndërgjegjën e njeriut të lashtë femra kishte aftësi drejtuese. Një rol të tillë gruaja ka luajtur në familje. Gruaja, shkruan Znj. Halili, “trashëgon shumë arketipe që e bëjnë atë lider të sukseshshëm”.
Teoricieni i parë që ka folur “për lidershipin shërbëtor” ka qënë antropologu i shkollës amerikane të lidershipit Robert Greenleaf në vitin 1970. Termat “lider” dhe “shërbim” zonja Halili i ka gjetur në Bibël tek Jezusi. Sipas Jezusit “çdo kush që pretendon të jetë një lider…duhet të jetë së pari një shërbëtor”.
Gruaja është vlerësuar në fiset shqiptare. Sipas Godart, gruaja në fiset muslimane dhe katolike në Shqipëri shihej si një qënie e shenjtë; ajo mund të udhëtonte në të gjithë vendin, ditën dhe natën, pa patur frikë as nga ndonjë fyerje, as nga ndonjë rrezik; në luftërat ndërmjet fiseve, ajo nuk prekej nga pushka armike. Sipas kanunit, fajtori i rrezikuar nga hakmarrja kur ndodhej pranë një gruaje nuk vritej kurrë.
Znj. Halili ndalet tek figura e Nënë Terezës; ajo i jep lexuesit vlerësimet më të larta kushtuar Nënë Terezës nga autoritet e shkollës amerikane të lidershipit.
Znj. Halili ka qënë pjesë e delegacionit shqiptar më 18 tetor të vitit 2004 në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë në Ceremoninë Madhështore organizuar nga Papa Gjon Pali II për fillimin e lumturimit të Nënë Terezës.
“Për të qënë e sinqertë, shkruan ajo, asnjë moment i asaj ngjarjeje nuk më ka lënë më shumë mbresa sesa njohuritë që mora disa vite më vonë që e rreshtonin Nënë Terezën si një ndër katër liderët më të mëdhenj të njerëzimit përkrah Grandit, Martin Luter Kingut dhe Mandelës”.
Shumë njerëz, shkruan Znj.Halili, mendojnë gabimisht se Nënë Tereza ka qënë thjesht një murgeshë që kishte si mision të ndihmonte të varfërit…Për studjuesit, shkruan ajo, roli fetar i Nëns Terezës është i papërfillshëm përballë misionit human që përcjellte ajo.
Nënë Tereza, shkruan ajo, kishte si qëllim “edukimin e njerëzve me dashuri për njëri tjetrin…Nënë Tereza është shënuar në literaturën e lidershipit si lideri që ndërtoi modelin e dashuris duke e cilësuar dashurinë si të vetmën armë që sjell paqe dhe prosperitet”. Nënë Tereza besonte se “e keqia më e madhe nuk ishte tek sistemi… por mungesa e edukimit me ndjenja humane”. Sipas studjuesve të lideshipit “shërbëtor”, suksesi i tyre mbështetet tek kënaqësia për t’u shërbyer të tjerëve”.
Me interes në botimin në fjalë janë mendimet e specialistëve të lidershipit për “Liderin toksik (negativ)”. Në librin e saj “Lidershipi i keq”, Barbara Kellerman, drejtore e Qëndrës për Botimet e Lidershipit në Universitetin e Harvardit, përcakton shtatë lloj liderësh toksikë : lider i paftë, lider i ngurtë, lider i papërmbajtur, lider i korruptuar, lider diktator etj. Autorja shkruan se liderët negative kthehen në liderë toksikë kur nuk mbajnë premtimet dhënë ndjekësve të tyre; në vënd që të korrigjohen ata bëhen arrogantë, autoritarë dhe diktatorë. Liderët negativë, vijon autorja, kanë aftësi për të ushqyer një verbëri kolektive tek elektorati i tyre.
“Situata sot në Shqipëri, shkruan ajo, është rrjedhojë e këtij fenomeni. Shoqëria shqiptare ndjehet e lodhur nga lidershipi negativ, nga premtimet që janë transformuar në një korrupsion gjigand”. Sipas saj u zgjedhësve u takon të përmbysin këtë situatë, dhe “kjo bëhet bahet me guxim, dhe besim tek individët dhe grupet që premtojnë progres”.
Me rëndësi në fatin e lidershipit, shkruan Znj. Halili, janë rrethanat historike; këto i japin liderit mundësinë të marrë vendimet më të drejta. Shprehja latine “Finis Coronat Opus” (Fundi kurorëzon veprën) shkruan Znj.Halili, është ajo që përcakton vlerën e liderit.
Një kapitull me interes është “Roli parësor i kulturës së një vendi në lidership”.
“Kultura e një vendi – shkruan autorja- përcakton llojin e lidershipit”. Antropologu që ka arritur në këtë konkluzion është hollandezi Geert Hofstede. Falë këtij studjuesi, shkruan Znj. Halili “jemi në gjëndje të kuptojme pse lidershipi i një vendi është i ndryshëm nga lidershipi i një vendi tjetër”.
Sipas antropologut në fjalë, peshë
në “shoqëritë kolektiviste” ka klani jo individi. Në këtë shoqëri “individi gjen sukses kur bashkon interesat e tij me ato të klanit”. Shqipëria, shkruan Znj. Halili, i takon grupit të shoqërisë me kulturë kolektiviste ku klani bën fuqinë. Në vende të tillë “mendimi i lirë është shkak përjashtimi ndërsa përfaqësimi nëpërmjet klanit siguron sukses”.
Ndonëse libri “Lideri nuk lind…bëhet” ka karakter teorik, Znj.Halili ka vrejtje për liderët shqiptarë të pas viteve ‘90.
“Liderët e epokës paskomuniste, shkruan ajo, do të duhej të përballëshin me normat e demokracisë dhe të anashkalonin modelin e autokracisë apo diktatorshipit me të cilin ishin rritur dhe edukuar sipas të vetmit model që kishin pasur. Në një proces të vështirë transformues, ata vazhdojnë të përballen me këtë sfidë karakteri. Ndërkohë vazhdojnë të përpëliten edhe me sfidën tjetër ku do të duhej të rezistonin pa kushte : grykësinë”.
Autorja shpreh mendimin e saj edhe për regjimin komunist në Shqipëri.
“Sot, shkruan ajo, ka një diskutim të hapur nëse duhen mohuar apo jo arritjet në diktaturën e Enver Hoxhës…Së pari, shkruan ajo, çështja ngrihet nëse ishte ose jo komunizmi një sukses për Shqipërinë. Edhe komunisti më ortodoks nuk beson se komunizmi në Shqipëri solli zhvillimin e duhur për vendin… Shqiptarët e izoluar në mendim dhe lëvizje, të dënuar me mungesën e fjalës së lirë, të degdisur nëpër burgje dhe interrnime, pa të drejtë prone, pa të drejtë zgjedhjeje…nuk besoj se kanë nostalgji që të kthehet ai regjim.Lidershipi komunist u la brezave një vend tejet të varfër…Me renien e komunizmit, çdo shqiptar, komunist apo i deklasuar doli para pasqyrës dhe e gjeti veten lakuriq faqe botës. Ky përshkrim i thjeshtë tregon se sa negativ ka qënë lidershipi komunist. Nuk po përmëndim këtu krimet e atij regjimi pasi vetëm ato do të mjaftonin që ta përcaktonin si një lidership tërësisht…çnjerëzor. Vepra që la pas regjimi i Enver Hoxhës ishte një dështim i plotë. Ai lidership ishte fatal për vëndin”.