Raporti top-sekret i CIA-s: Gjermanët u panë si okupatorë në Shqipëri, por si çlirues në Kosovë – shqiptarët u mashtruan nga pan-sllavistët të maskuar si komunistë

________________________________________

Ilustrim, foto e parë e raportit sekret të CIA-s
Nga Lirim Mehmetaj , Jon Haxhiu
14 Shkurt 2022 / 15:06
“Kosova u mposht nga mendja serbe, por instrumenti ishin partizanët shqiptarë”. Kështu thuhet në një raport sekret të CIA-s, të vitit 1953 dhe të de-klasifikuar pjesërisht në vitin 2011. Raporti shkruan për “sakrifica mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës për ta ruajtur lirinë e tyre”, derisa konstaton se u mposhtën nga pan-sllavistët që u mbështollën nën lëkurën e komunistëve. Rrëfehet, edhe pse italianët dhe gjermanët më të drejtë në Kosovë u panë si çlirimtarë. Flet sesi nuk ishin hakmarrë ndaj serbëve e malazezëve kur e patën mundësinë dhe cili ishte roli i figurave të caktuara, si: Fadil Hoxha, Enver Hoxha e Xhafer Deva.

Vetëm gjashtë vjet pas themelimit, Agjencia Qendrore e Inteligjencës Amerikane, e njohur botërisht si CIA, kishte filluar fushatën për luftimin e përhapjes së ideologjisë komuniste nëpër botë.
Në kuadër të kësaj fushate, më datë 7 janar, të vitit 1953, CIA kishte përpiluar një raport të gjatë për situatën në Jugosllavi, me theks të veçantë për gjendjen dhe orientimin e shqiptarëve në Jugosllavi dhe në Shqipëri.
Raporti ishte top-sekret deri në janar të vitit 2011, kur u vendos të de-klasifikohej pjesërisht.
Albanian Post e ka siguruar këtë raport që, në faqen e parë të tij thuhet se “ky dokument përmban informacione që afektojnë mbrojtjen kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Përcjellja e tij apo zbulimi i përmbajtjes së tij nga një person i pa-autorizuar është e ndaluar me ligj”, por edhe “riprodhimi po ashtu është i ndaluar”.
Raporti shkruhej “vetëm për zyrtarët amerikanë”, derisa te pjesa e subjektit, thuhet se ka të bëjë me “minoritetin shqiptar në Jugosllavi”.
Para se të përshkruhej gjendja aktuale, në raport ishin dhënë në pika të shkurtra disa pjesë të historisë, duke filluar nga viti 1944, derisa Lufta e Dytë Botërore ende nuk ishte mbyllur zyrtarisht, përkundër se tashmë ishte kuptuar mjaft mirë se cila ishte ana finale e saj.
Raporte si ky i CIA-s i shërbenin politikës amerikane për t’u orientuar më pas në politikën e jashtme.
Me precizitet dhe konciz raporti përmend edhe liderët politikë shqiptarë të kohës, ndarjen e tyre mes komunistëve dhe përkrahësve të Boshtit dhe gjithashtu shpjegon përse italianët dhe gjermanët nënkuptoheshin krejtësisht ndryshe nga shqiptarët në Kosovë dhe shqiptarët në Shqipëri.
“Në kohën kur kufijtë e Shqipërisë u vendosën me Konferencën e Londrës në vitin 1913, Kosova mbeti nën Serbi. Shumë kosovarë dhe shqiptarë të tjerë që jetonin në tokat e përvetësuara rishtazi nga Serbia shkuan refugjatë në Shqipëri”, thuhet në raport.
“Këta njerëz u vendosën në Fushë Krujë, Mamurras, Fushën e Mbretit (Elbasan), Myzeqe dhe lokalitete të tjera. Të tjerë u larguan nga serbët. Këtu përfshihen edhe një numër i madh i njerëzve të shquar, përfshirë edhe Familjen Bllaca, dhe personalitete të shumta të Kishës Katolike”.
Raporti i CIA-s, faqja e parë
Në 33 faqe tekst me kodin “50X1-HUM”, i cili përdoret për dokumente që kanë informacione nga burime njerëzore konfidenciale dhe që de-klasifikimi i emrave nuk guxon të ndodhë para 75 vitesh, flitet edhe për personalitete, si: Etërit, Shtjefan Kurti, Gjon Bicaku dhe Mikel Shala, për të cilët thuhet se “ia dolën disi të shpëtonin duke ikur në Shqipëri në vitin 1929”.
Derisa, “në atë kohë qeveria shqiptare dërgoi një notë proteste te Liga e Kombeve për të ngritur shqetësimet rreth vrasjes së atit Shtjefan Gjecovi”.
“Autoritetet Jugosllave përfituan nga rasti i injorancës së shqiptarëve meqë një pjesë e madhe ishin analfabetë, dhe nën pretekstin se ishin turq, për shkak të fesë myslimane, u mohuan atyre të drejtën të flasin gjuhën e tyre dhe të promovojnë traditat e tyre dhe sentimentin e tyre patriotik e kombëtar. Serbët detyruan shqiptarët që të braktisnin shtëpitë e tyre dhe aty akomoduan serbë dhe malazezë”.
Një nga pjesët më interesante të dokumentit të CIA-s është shpjegimi i raportit të shqiptarëve me italianët dhe gjermanët që asokohe, praktikisht, pushtuan Ballkanin.
“Më 7 prill të vitit 1939 Shqipëria u okupua nga Italia dhe më pas, shqiptarët që banonin në kufijtë e 1913-ës, të frymëzuar nga patriotizmi dhe dashuria për lirinë, luftuan kundër Italisë dhe Gjermanisë, që ua kishin mohuar këtë liri”.
Por, raporti vazhdon më tej duke sqaruar se përse e njëjta situatë nuk ndodhte me shqiptarët e Kosovës.
“Koha e luftës te shqiptarët e Kosovës ishte goxha më ndryshe. Ata ishin vënë në nënshtrim nga Jugosllavia dhe Italia e Gjermania i çliroi. Në vitin 1941, kur Kosova dukej se kishte arritur në fund të humnerës, ata u shpëtuan dhe u çliruan për t’u bashkuar me Shqipërinë”, thekson raporti.
“Grupe të mësuesve dhe zyrtarë të tjerë u dërguan nga Ministria Shqiptare e Edukimit nga Tirana në Kosovë në vitin 1941 dhe 1942. Këta ‘misionarë të lirisë’ kuptuan statusin dhe sentimentin e kosovarëve”.
Një nga versionet e asaj kohe në histori, sidomos në atë të Serbisë, flet për një fushatë të shqiptarëve kundër serbëve, në kohën kur bashkëpunuan me gjermanët, por raporti i CIA-s flet krejt ndryshe.
“Ata ia arritën të qetësonin inatet e vjetra dhe dëshirat për hakmarrje, organizuan çështjet administrative në baza demokratike, dhe zgjidhën pozitën e minoritetit serb dhe malazez duke ua njohur barazinë në të drejta në raport me shqiptarët”.
“Kjo nënkupton se minoriteti sllav nuk dërrmohej me taksa dhe vështirësi të kësaj natyre. Nga viti 1941 deri në vitin 1944, sllavët lejoheshin të mbanin pozita si zyrtarë dhe gëzonin të drejta dhe liri individuale. Nuk i nënshtroheshin shërbimit ushtarak. Për shkak të krenarisë së tyre kombëtare megjithatë shumë serbë e malazezë refuzonin të pranonin pozita zyrtare, meqë as nuk kishin nevojë për të punuar pasi ishin bërë të pasur duke shfrytëzuar skllevërit e tyre shqiptarë. Megjithatë, shumë prej tyre mund të pranonin punë të ndryshme meqë e njihnin shumë mirë gjuhën shqipe”.
Për ta ilustruar situatën në raport jepet një shembull se si kishte vepruar Xhafer Deva në një rast të vrasjes së një serbi nga një shqiptar.
Xhafer Deva, ish-ministër i Brendshëm i Shqipërisë
“Nën regjimin shqiptar në Kosovë, serbët dhe malazezët gëzonin mbrojtjen e gjykatave kundrejt shqiptarëve dhe, në raste të caktuar abuzimi, shteti ndërhynte direkt në favorin e tyre. Për shembull, në vitin 1944 një ushtar i divizionit ‘Skënderbeu’ e kishte vrarë një serb në Prizren për shkak të një gjakmarrjeje. Ishte vetë Xhafer Deva, i cili urdhëroi që vrasësi të qëllohej pikërisht në vendin ku ishte kryer krimi”.
Përkundër se amerikanët ishin vetë pjesë e forcave aleate, në raport komunistët paraqiten negativisht dhe flitet për një mashtrim që iu bë shqiptarëve duke ua shitur pan-sllavizmin si komunizëm.
“Komunistët filluan ngadalë të kishin sukses në mes të intelektualëve shqiptarë, duke i bërë për vete me slogane të tipit ‘pushtimi i huaj’ dhe apele për ‘të drejta të punëtorëve’. Përfundimisht, që shqiptarët të bashkoheshin me partinë komuniste në luftën për liri kombëtare kundër imperializmit nazi-fashist. Në anën tjetër, futën inate dhe urrejtje në mes të shqiptarëve dhe vëllezërve të tyre kosovarë”.
“Funksionarët që erdhën nga Shqipëria u mirëpritën nga kosovarët, megjithatë ata funksionarë nuk ftoheshin në shtëpi për shkak të dallimeve kryesisht fetare. Kjo u mundësoi serbëve dhe malazezëve që t’u ofronin këtyre funksionarëve akomodim dhe të fusnin te këta shqiptarë idenë se kosovarët ishin fetarë fanatikë. Në anën tjetër, komunistët po forconin propagandën e tyre se këta funksionarë ishin shërbëtorë të shitur tek okupatori dhe tradhtarë të të drejtave të punëtorëve”.
Pak paragrafë më poshtë, në raport shpjegohet mënyra e operimit të serbëve.
“Serbo-malazezët, që jetonin kryesisht në pjesën e qyteteve, shpejt u përfshinë në agjendën komuniste. Në fakt, kishte qenë prej kohësh metodë e tyre e mbijetesës që ta adaptonin vetën në rryma të reja dhe të përfitonin nga rrethanat e fatit”.
Raporti përmend edhe rastin e vënies flakë të një pjese të qytetit të Pejës, duke bërë fajtorë komunistët.
“Komunistët, frytet e para të propagandës së tyre i volën në vitin 1942 kur shtynë shqiptarët të digjnin qytetin e Pejës, duke shkatërruar një pjesë të mirë të qytetit”.
“Meqë autoritetet shqiptare ishin në ankth të rehabilitonin banorët sllavë, komunistët shpesh patën sukses në agjendën e tyre që të keqtrajtonin kosovarët”.
Rasti i djegies së qytetit të Pejës në historinë shqiptare njihet si një kurth që kishin bërë serbo-malazezët, duke veshur uniforma shqiptare dhe ndërmarrë aksionin, me qëllimin që të dëshmonin kinse shqiptarët ishin të kësaj natyre dhe se ata e luftojnë edhe njëri – tjetrin.
Pas përshkrimeve të përgjithshme, raporti vazhdon me konkretizime të emrave dhe ngjarjeve.
“Në ditët e para të Çlirimit, ishin komunistët që pretendonin të ishin misionarët më fanatikë të nacionalizimit shqiptar. Ata e përshtatën këtë qëndrim me qëllimin final për të subjektivizuar kosovarët drejt pan sllavizmit”.
“Në mesin e liderëve komunistë ishin, Fadil Hoxha, Mehmet Hoxha, Xhevdet Doda, vëllezërit Nimani, Hysni Zajmi, Ismet Shaqiri dhe të tjerë”.
Fadil Hoxha
Një nga episodet e tekstit është edhe përshkrimi i një masakre të atëhershme të kosovarëve në Rozhajë, në vitin 1943.
“500 burra u vranë me thika e armë automatike, pasi u sulmuan fillimisht nga çetnikët dhe më vonë nga partizanët”.
“Përkundër kësaj, kosovarët i qëndruan besnikë aleancës së tyre me Shtëpinë e Savojës. Ata u angazhuan në ushtrinë kombëtare të qeverisë së Shqipërisë dhe u organizuan në beteja me partizanë dhe çetnikë”.
“Ata bënë beteja me partizanët dhe me çetnikët në Plavë, Guci, Rozhajë, Tutinit dhe Mitrovicë të Kosovës, Rashkë dhe Kurshumli dhe në pjesët e Gjilanit dhe në të gjitha lokalitetet e tjera ku është folur shqip. Ata kërkonin të drejtën për pavarësi, duke filluar nga viti 1942, rikonstruktimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, udhëhequr nga Bedri Pejani”.
Bedri Pejani
Derisa Pejani ishte caktuar president i Lidhjes, kryeministri i Shqipërisë, Rexhep Mitrovica, ishte emëruar udhëheqës i Komitetit Qendror të Lidhjes.
“Në këtë Lidhje, ata rishikuan fillimisht rregullat e dala nga Lidhja e parë. Të gjithë shqiptarët ju përgjigjën pozitivisht apelit të Lidhjes, gati për të mbrojtur kufijtë e mëmëdheut. Ata i ruajtën kufijtë deri me ardhjen e ushtrisë sovjetike në Serbi”, thuhet në dokumentin e CIA-s.
Raporti, duke shpjeguar se kush për çka luftonte, thotë se “Kosovarët mbrojtën shtëpitë e tyre, fenë, traditat dhe lirinë me asistencë të ushtrisë kombëtare shqiptare. Në këtë ndërmarrje, ata u përkrahën fuqishëm nga gjermanët, edhe pse nuk ka pasur trupa të rregullt të Boshtit të përfshirë në Kosovë”.
“Arsyeja për këtë është se kosovarët e ndjenin se beteja kundër sllavëve komunistë ishte problemi i tyre. Gjithashtu, pasi Gjermania arriti një marrëveshje me Italinë, më 14 shtator të vitit 1943, Gjermania nuk ishte më e interesuar në ndjekjen e partizanëve serbë në Jugosllavi”.
“Për shkak se kosovarët kishin vendosur që partizanët ishin problemi i tyre, forcat e tyre përbëheshin vetëm nga shqiptarë”.
“Dy garnizone, që i takonin Ballit Kombëtar, kishin arritur deri në lumin Lim në qershor të vitit 1944, të udhëhequr nga Jup Kazazi; Sylejman Lleshi, që më vonë ra në betejë; Halim Begaj; dhe profesor Saraqi. Këta burra ishin simbol i guximit për kosovarët”.
Megjithatë, dobësimi i gjermanëve dhe humbja e fuqisë së tyre kishin afektuar edhe kapacitetin e shqiptarëve për të luftuar.
Siç përshkruhet situata në raport: “Guximi i kosovarëve ishte i dukshëm në mbrojtjen e kufijve të Kosovës, por zhvillimet e kohës u treguan më të forta se guximi i tyre, meqë edhe fuqia e Boshtit po zbehej. Gjithsesi, shqetësimi kryesor i kosovarëve ishte situata e brendshme në Shqipëri”.
Shqiptarët asokohe ishin të ndarë, meqë një pjesë kishte kaluar në radhët e partizanëve. Raporti e shpjegon sesi shteti jugosllav ia kishte dalë të krijonte paqartësi mes shqiptarësh përmes taktikave manipuluese.
“Jugosllavia kishte arritur të infiltronte radhët e liderëve të partive politike shqiptare dhe të mbillte konfuzion. Kjo gjendje zgjati deri në Konferencën e Mukjes”, konferencë ku u mor vesh përfundimisht se komunistët nuk donin bashkëpunim për luftë çlirimtare të tokave shqiptare bashkë me forcat e tjera shqiptare.
Raporti i CIA-s qartëson sesi operuan komunistët e themeluar nga famëkeqi Dushan Mugosha.
“Komunistët shqiptarë nuk guxonin të vinin përpara shqiptarëve bashkë me liderë serbë. Ata e dinin se një situatë e tillë do të ishte problematike në një rast të tillë, sidomos kur ishte në pyetje Kosova. Prandaj, shefi i komunistëve shqiptarë, Sales Boshnjaku, i cili në fakt ishte famëkeqi, Dushan Mugosha, urdhëroi që Enver Hoxha, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani dhe të tjerë të këtij grupi, të proklamohen si çlirimtarët e kombit”.
Dushan Mugosha, ulur majtas dhe Miladin Popoviç, në këmbë majtas
Edhe sikur të kishte në radhët e komunistëve patriotë të sinqertë që donin bashkimin e tokave shqiptare, në raport thuhet se “komunistët i mashtruan nacionalistët shqiptarë duke u thënë se diskutimi për Kosovën do të shtyhej derisa të mund të vendosej më vonë përmes një referendumi”.
“Kosovarët ishin zënë kështu në një rrjetë të punuar nga dy forca mashtruese: Dushan Mugosha dhe Miladin Popovic. Ishte e pamundur për nacionalistët që të luftonin komunistët e Enver Hoxhës dhe, në të njëjtën kohë, të rezistojnë malazezët, serbët, çetnikët dhe bullgarët”.
Megjithatë, hartuesit e raportit të CIA-s e njohin dhe e përshkruajnë përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës për ta mbajtur Shqipërinë e Bashkuar.
“Përkundër kësaj situate, kosovarët bën krejt çfarë mundën për të shpëtuar pavarësinë e tyre. Nga 1941 deri 1944, ata qëndruan duke mbrojtur kufijtë. Mbajtën rendin publik në regjionin e tyre, dhe ishin një faktor i rëndësishëm në qetësimin e telasheve të shkaktuara nga komunistët në Shqipëri”.
“Partizanët komunistë shqiptarë nuk ishin të fuqishëm mjaftueshëm që të shkaktonin prishje të rendit publik, pasi numëronin vetëm 15 deri 30 grupe të vogla të armatosura. Arritja e tyre e vetme ishte që të ndalonin tri makina, që po bartnin civilë dhe në vrasjen e Atë Lorenzo Mitrovici dhe një ushtar në Gjakovë”, thekson raporti kur flet për fazën e hershme të radhëve komuniste.
Në një pjesë tjetër flitet edhe për përkrahësit e komunizmit mes kosovarësh – përkrahje që ishte fare e vogël.
“Shumë pak kosovarë u dhanë mbështetje komunistëve. Gani Bey Kryeziu, anëtar i njërës nga prej familjeve më të vjetra, më fisnike dhe më me influencë në Gjakovë, gjithashtu dhe në Kosovë, u dha mbështetje morale… (është i fshehur emri), porse nuk ka dëshmi se u ka dhënë edhe mbështetje material”.
“Sllavët përdorën taktika të njëjta në Shqipëri. Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç udhëhoqën lëvizjen partizane në Shqipëri, por nuk ishin haptazi në krye të saj. Ata prezantuan veten para shqiptarëve si bashkëpunëtorë në kauzën antifashiste dhe nacionale. Ata përdorën taktikat e njëjta që të përfitonin nga Abaz Kupi dhe mbështetësit e tij në Shqipëri dhe Gani Bey në Jugosllavi. Presioni bëhej nga emisarët e tyre, Fadil Hoxha, vëllezërit Nimani, Ali Shyqyri dhe të tjerë”.
Por, cilat ishin forcat që kishin në dispozicion brigadat e partizanëve në Kosovë?
“Në tetor të vitit 1944, kur Shefqet Peci, komandant i divizionit të tretë të forcave komuniste u takua me Fadil Hoxhën, komandant i forcave për çlirimin kombëtar të Kosovës dhe Metohisë, ky i fundit kishte vetëm 80 përcjellës, dhe 20 prej tyre ishin njerëz të Gani Bey Kryeziut, i cili ishte ndarë nga komunistët për shkak të vrasjes së këshilltarit të tij Lazar Fundo”.
“Për pasojë, Kryeziu ishte detyruar të rrinte në arrati për një kohë. Më 5 janar 1945, ai ishte arrestuar dhe 30 përcjellësit e tij ishin vrarë. ‘Çlirimtarët kombëtarë’ mblodhën nënshkrime për të vërtetuar lidhjen e tyre se Kryeziu ishte tradhtar borgjez dhe e kishte shitur veten te Karagjorgjeviçi. Ai ishte dënuar me 5 vjet burg dhe më pas ishte vrarë”.
Në dokumentin e de-klasifikuar, pjesërisht lufta e shqiptarëve në Kosovë kundrejt komunistëve përshkruhet me nota pozitive dhe humbja e tyre pothuajse me dhimbje.
“Populli i Kosovës nuk e dëmtoi vetën qëllimisht, por liderët ambiciozë e shkatërruan. Kosovarët iu përgjigjën me entuziazëm thirrjes për t’u rreshtuar në ushtrinë nacionale të Shqipërisë, luftuan kudo që ishte e nevojshme, duke luftuar kundër partizanëve dhe çetnikëve që cenuan kufijtë e tyre. Derisa, intelektualët dhe ideologët ndoqën teoritë e tyre të rreme nën influencën e propagandës së kuqe”.
“Me shkatërrimin e Boshtit, partizanët në Shqipëri ishin në gjendje të ngrinin krye dhe të futeshin në skenën politike. Për Kosovën, ditët e tërheqjes së qeverisë shqiptare ishin vendimtare. Në dhjetor 1944, brigadat shqiptare pushtuan Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Junikun, Deçanin dhe penetruan thellë në zemër të Kosovës”.
Në një nga paragrafët, raporti thotë: “Kosova u mposht nga mendja serbe, por instrumenti ishin partizanët shqiptarë”.
Paragrafët 19 dhe 20 të dokumentit
Pas fitores së komunistëve, CIA shkruan se “Kosovarët janë plot urrejtje për Enver Hoxhën” dhe se “do ishte mirë të kujtohej ky fakt, dhe të shfrytëzohet si moment vendimtar për konfliktin e ardhshëm”.
“Nën pushtimin jugosllav, shqiptarët bënë sakrifica mbinjerëzore për ta ruajtur lirinë e tyre – atë individuale e nacionale. Ata derdhën gjakun e tyre në luftë kundër komunistëve e sllavëve, pasi ishte gjithmonë ideali i vendit të tyre që i inspiron”.
“Kosovarët, edhe pse e kuptonin se italianët dhe gjermanët ishin pushtues, përkundër kësaj i kujtojnë ata me simpati, pasi përkundër të gjithave, ishin ata që u dhanë lirinë për të mbrojtur vetën kundër sllavëve komunistë. Këta njerëz u qëndrojnë besnik kauzave të tyre kombëtare, dhe e vënë jetën e tyre në dispozicion të së cilës forcë civilizuese dhe paqedashëse që do të mundësonte luftimin e pan-sllavizmit që maskohet si komunizëm”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here