Kur u zgjova nga gjumi i thellë, sikur të kisha fjetur njëqind vjet në vetmi të rëndë, u tmerrova nga vendi i çuditshëm ku po qëndroja fillikat vetëm. Në ato çaste të vështira i ngjaja të humburit në ndonjë shkretëtirë të largët, apo në ndonjë mal të dendur pa asnjë shteg shpëtimi! Dhe, sado që po përpiqesha të kuptoj se si u gjenda i izoluar në këtë vend të shëmtuar, për fat të keq nuk m’u kujtua kurrgjë…
-Çfarë mëkati paskam bërë..?! -thashë me hidhërim të madh dhe, sapo u ngrita në këmbë, menjëherë më lëshoi drejtpeshimi dhe rashë në tokë, si top i shpuar!
Pas rënies dëshpëruese më sillej rrotull dëshira naive që nga gjendja reale të kaloja në gjendje fiktive, edhe pse e dija shumë mirë se isha i mposhtur nga fuqia e padukshme. Madje, nuk mund ta arsyetoja këtë kalim të pakuptimtë sepse, nuk e kisha në shuplakë të dorës jetën time, që t’ia çelja dyert e lirisë… Sa më shumë që po preokupohesha me të vërtetën reale, aq më tepër më rëndonin mendimet e errëta, prandaj me tërë fuqinë e zërit bërtita, se: ”Liria ekziston, por jo gjithkund, dhe jo gjithëherë..!”
-Si është e mundur, thashë me vete, unë, Liri Luma, të gjendem në këtë mbeturinë të mbyllur…
-Kush më solli këtu?
-Pse po tallen kështu?
Pastaj, sapo u çlirova nga letargjia e rëndë, m’u duk se e gjeta qetësinë e duhur për të gjetur ndonjë zgjidhje të mundshme, mirëpo shumë shpejt e kuptova se përveç pyetjeve patetike që ma goditnin pa mëshirë trurin tim të lodhur, nuk më vinte asnjë përgjigje pozitive që do t’i afrohej qëllimit tim final…
“Ku ta gjejë atë përgjigje të humbur, kur jam tërësisht i hutuar..?!”, -thashë me dëshpërim të thellë dhe përnjëherë kërkova në xhepin e brendshëm të kapotës së pluhurosur, por për fat të keq celulari im nuk ishte aty, prandaj nga dobësia momentale, klitha me zë të lartë: “Sa keq qenka, kur po t’i humbkan kontaktet me botën e gjallë..!”
Ecte koha, e mua më sosej durimi!
Më sosej fuqia për t’i dhënë vetes shpresë, e shpresës zgjidhje…
Nga e gjithë kjo e keqe poshtëruese që më përplaste nëpër valët e trazuara të mendimeve të shumta, sikur dëshiroja të çlirohem nga ngarkesa mendore dhe të pajtohem me vetveten për të konstatuar në mënyrë të prerë se liria brenda vetvetes po dëshiron që t’m’i ndezë dritat e mendjes, për ta gjetur mundësinë reale që të shpëtoj nga ky objekt i trishtë dhe të dalë i lirë në natyrën e hapur… Por, sado që e ndjeja këtë liri brenda vetvetes, nuk mund të pajtohesha plotësisht me këtë bindje të mangët, sepse unë me tërë qenien time isha i fokusuar te liria e vërtetë dhe tek pyetja e vetme, që ma kthente këtë përgjigje të rëndësishme: “Çka të duhet liria brenda vetvetes, kur nuk je i lirë jashta vetvetes..?!”
Vetmia më përplaste nëpër mendime të rënda, që s’i kisha menduar kurrë në jetë! Dhe, aq keq e ndjeja veten nga mendimet e mbrapshta në vetminë e thellë, saqë nuk e kuptoja arsyen pse më kishin sjellur në këtë gjendje të vështirë?! Sa më shumë që merresha me mendimet e imponuara, aq më tepër më veçohej mendimi i vrazhdë dhe i frikshëm se do t’më vrasin! Nuk e kuptoja se, çfarë force e nxiste mendjen time të lodhur që ta mendonte përherë këtë mendim të mbrapshtë?! Megjithëse nuk më pëlqente ky mendim mortor, prapë më sillej në mendjen time të rrethuar nga paqartësitë e shumta dhe, nuk më shlyhej nga mendja që t’mendoja për punët me vlerë! Sado që po përpiqesha, nuk e kuptoja se kush më kishte sjellur këtu dhe për çfarë arsye..?! Pastaj duke hulumtuar në thesarin e kujtimeve të veçuara, menjëherë më iku mendja te shkrimet e mia nëpër gazeta, edhe pse më tepër merresha me përcjelljen e aktiviteteve letrare dhe kulturore! Në të vërtetë, pata shkruar për një temë aktuale që ngriti pluhur, por këtë pluhur e barti era dhe shumë shpejt u harrua nga harrestarët me dije të kufizuar..?! Për çudi, nëpër kuloare u komentua vetëm mendimi modest i nxjerrur nga konteksti, që nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë, por ata e diskutuan me të madhe duke dhënë nënvizime dhe duke shpërdoruar disa emra të theksuar..! Në këtë shkrim të aktualizuar, e pata ndërfutur këtë ndodhi të përfolur për ta thumbuar ndërgjegjen e fjetur, se: “Një funksionar i aftë që ka arritur në afat kohor prej nëntë muajve të blejë veturë të re me mbi njëzet mijë euro, dhe gjithashtu të nisë ndërtimin e shtëpisë trekatëshe me nga njëqind e pesëdhjetë metër katror për çdo kat, vetëm me një rrogë të funksionarit, ai funksionar jo vetëm që duhet të lavdërohet për shkathtësitë individuale, por ai duhet të shpallet si njeri i suksesshëm edhe në Librin e Ginisit”!
Mirëpo me kaq nuk përfunduan paragjykimet e mia, sepse intuita më bartte edhe në mendime të tjera, edhe pse nuk e besoja se dikush do të binte aq poshtë vetëm pse ishte xigluar nga mendimi im, kur pata thënë pa të keq, se: “Edhe tani kemi zëra të zëshëm që nuk po shkëputen nga parimet bazë të realizmit socialist si utopi e kohës së monizmit që nuk solli kurrgjë të mirë, përveç se e bëri shkëputjen e vlerave estetike dhe kombëtare në letërsinë shqiptare..!” Megjithatë, nuk e besoj se shtrëngata e tanishme më ka ardhur nga dora e zgjatur e ndonjë dijetari të privilegjuar që privilegjet e mira nuk iu ndalën kurrë në jetë, që nga sistemi monist e deri në kohën e pluralizmit… Nuk e di, por po dua të besoj se të gjitha këto paragjykime po më vijnë në mendje nga trysnia psikike, si rezultat i vetmisë dhe pamundësisë për të shpëtuar nga kjo zgafellë e frikshme?! Dhe, sa më shumë që po endem me hamendjet lëkundëse, aq më tepër po më shtohet paqartësia e rëndë dhe, më në fund, kur e kuptova se po i vie fundi këtij rrugëtimi pa dalje në dritë, atëherë sikur u pajtova me realitetin e imponuar, duke thënë, se: “Përgjigjen më të saktë, se si do të përmbyllet ky proces i mjegulluar, mund ta dijë vetëm i madhi Zot!”
Pastaj heshta, sikur t’më kishte rënë qielli mbi kokë…
-Si?
Proces! -thashë.
Dhe, menjëherë mendja më vajti te “Procesi” i Franc Kafkës!
-O Zot, po pse më lindi ky përfytyrim i ngutshëm në kujtesën time të përgjumur?!
Pse..?!
Pas pak, m’u shfaq portreti i heroit kryesor të romanit dhe, fillova të dridhem nga ethet e mundimshme që ishin mëse të natyrshme në ato ҫaste dramatike, meqë përfytyrimet e tilla më jepnin fotografi të trishta që, kur i lexoja, më thoshin:“Të njëjtin fat do ta përjetosh! Të njëjtin fat do ta përjetosh!”
Pas këtij përfytyrimi të trishtë, ndjeja pasiguri dhe dëshpërim… Koha ecte me ritmin e vet, ndërsa mua më sosej durimi, meqë nuk mund të gjeja kurrnjëfarë shprese për të dalur nga situata e rëndë, që më kishte ngujuar në këtë zgafellë tmerruese! Dhe, sa më shumë që po përqëndrohesha për ta gjetur mënyrën më efikase të daljes, aq më tepër i ngjaja njeriut të dalldisur që e kërkonte gjilpërën e humbur në kashtën e stërvitur dhe mallkonte veten pse nuk e gjente! Kjo punë i ngjante lëvrimit në ujë, dhe krekosjes në mjegull! Por, përkundër atmosferës defetiste, e dija shumë mirë se duhej të forcohesha në çfarëdo mënyre dhe të ndërmerrja diçka që t’mos më zinte gjumi i pakujdesisë, që kishte për qëllim t’më fërfëllojë në apati… Prandaj, më mbante shpresa se do t’ia dilja, por nuk e dija se si do të dalë: Duarlidhur, nga dera e hapur! Apo i lirë, pa e kuptuar se kush më ka mbyllur?!