Edmond Shallvari: KABILI DHE HABILI(KAIN DHE AVEL)

LOTI

Nga Edmond Shallvari

KABILI DHE HABILI(KAIN DHE AVEL)

Ishin vëllezër Kabili dhe Habili
S’kishin ç’të ndanin mes tyre atë kohë
As hallet e sotme të njerëzve nuk kishin
Se vetë halli lindi më vonë

Bashkë duhej të ishin ditën e natën
Të dy mund t’i mundnin kafshët e egra
Peshat e rënda mund t’i ngrinin bashkë
Më bukur, më thoni, a jetohet jeta?

Po ç’ish ajo ligësi në shpirt të Kabilit
Ç’ajër, ç’ushqim, në trup ja krijoi
Njëlloj a nuk hante ai me Habilin
Dhe ajri që thithnin a nuk ishte njëlloj?

Ç’gjarpër Edeni e helmoi në tru
Gjakun e njëjtë me vëllain, ja prishi
Ç’pamje urrejtëse i krijoi në sy
Ç’dorë vrasëse i ligësoi shpirti?

Ç’ish’ ai çast fatal për Habilin
Nga dorë e vëllait goditur për vdekje
Për jetën e tij ai jepte dhe shpirtin
Ç’deshte më shumë Kabili t’i jepte?

Oh, sa Kabilë ka sot kjo botë
Ndër shekuj shumuar nga geni i tij
Të mirët Habilë, Habilët e gjorë
Vazhdojn’ të besojnë në Kabili-Habil.

KJO BOTË E NDARË DYSHE

Kjo vdekje e përditshme
mes ngjalljes së mundimshme
Si gjethe e thatë rënë
nga pema sythshpërthyer
Më bën fatal në jetë
mes timit optimizëm
Më jep një çikë shpresë
si Diell në perëndim,
që niset për të fjetur,
për në të ardhmin zgjim
Kaq shumë i tronditur
e prapë në këmbë qëndruar
Tërmeteve të jetës
pandashmërisht krijuar
Themelesh shkatërruar
e prapë mbi themele
Kjo jetë kaq absurde,
kaq vjetërsisht moderne
Mbarsur ndër orgazma,
të trupit e të shpirtit
Ndër mitra hedhur fara,
në bark të apokalipsit
Ku s’dimë kush do zhduket,
kush do jetojë s’dimë
Një fund i botës shtyhet,
mes ankthesh për njerinë
Mes çmendurisë globale,
me individë robotë
Mes ardhmërisë fatale,
që profecia thotë
Por mua më thotë ndryshe,
e imja profeci
Kjo botë e ndarë dyshe,
Njeri – antinjeri
Do kthehet si qëmotit,
në embrion të tij
Pendim i vetë Zotit,
për një fillim të ri.

E LODHURA LODHJE

Në qafën e natës vara lodhjen e ditës
Varëse rruazash tre herë rrotulluar
Në vëthka, unaza, e ktheva tepricën
Dhe zonja natë më shumë u zbukurua

Më shtriu shtratit si kurvë e regjur
Sipër më hipi si kalin kalëruar
Ashtu kalëruar, nisa vrapin i shkrehur
Dhe humba mes pyjesh e honesh rrëzuar

Trupit të ditës vesha ëndrrën e natës
Këmishë e najlontë shkyer nga epshi
Nuk di të brendshmet e tjera ku vajtën
Por di zonjën ditë, që mbi mua erdhi

Ashtu, duke ecur, më hipi kaliqafë
Rrethuar kokës sime me shalët zbuluar
E humba toruan, ish’ ditë apo natë
E lodhura lodhje, nuk ka të mbaruar

LOTI

E dashur, mos më vrit me lotin tënd
Lerja botës si akuzë e një mëkati
Një mëkati që njerëzimin po e çmend
Njerëzimin e një bote për së prapi

E dashur, mos ja bëj qejfin të keqes
Mos i jep pikën e lotit për dëfrim
Le ta çmendim me aromën e buzëqeshjes
Dhe ashtu të rrojë e çmendur në çmendi

E dashur, lëre lotin si një vesë përmbi lule
S’ta merr mendja ç’është loti i një vese
Është shpirti që një shpirti i jep puthje
Dhe ku mbytet çdo e keqe e së keqes

Përshëndetje mëngjesore me dy poezi

NJERIUN E MUNGUAR

Nuk më trishton një korb me klithmën qaramane
As një pëllumb s’më jep, aq paqe sa do shpirti
Nuk më tmerron një ujk, uritur nëpër male
As më bezdis mushkonja, që gjakun tim e thithi

Të gjitha, mo të gjitha, krijesat e kësaj bote
Jetuar si në tokë, në qiell apo në det
Më kot jemi munduar figurash metafore
T’i bëjmë ca shenjtore dhe ca të tjera, dreq

Të gjitha, mo të gjitha, krijesat përveç njerëzve
Nuk i kanë bërë njeriut, ç’ka bërë ai ndaj tyre
Më kot, oh sa koti, i ndajmë sipas qejfeve
Apo sipas frikës, në qenie jashtë natyre

Të gjitha, mo të gjitha, brenda natyrës janë
Përveç, ah, pse përveç, krijesës më të zgjuar
Si mundet pra, si mundet, të ndodhë kjo gjë vallë
Akoma kjo krijesë, mos jetë njerëzuar?

Mes saj kaq i trishtuar, i lumtur prapë mes saj
Njeriun e munguar, jetoj, e qesh, e qaj.

I PAKUPTUESHËM

Më mirë kështu, i pakuptueshëm
U lodha në rolin e bindësit
Pranoj keqinterpretuesit e ndryshëm
Qofshin dhe më absurdët e mendimit

Më mirë, sinqerisht më mirë
Kur jam me veten qartësisht
Me veten kur jam i pa vështirë
Le të mbetem për të tjerët një mistik

Më lodhët, sinqerisht më lodhët në jet’
Jo me paditurinë normale
Ajo është kaq e pastër në naivitet
Dhe kaq e padjallëzuar mes çdo fjale

Më lodhët me paditurinë anormale
Apo më saktë, me të cunguarën dituri
Ajo është kaq e papastër mes çdo fjale
Sa vetë papastërtia e ka zili

Prandaj them, jam më mirë kështu
I pakuptueshem për botën absurde
E kundërta do të ishte një fund
Një fund i vetes sime të kuptueshme.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here