Bashkia Malësi e Madhe nderon Tom Llesh Rukaj me “Çertifikatë Mirënjohje” (pas vdekjes)

Ka kaluar një çerek shekulli nga koha kur Tom Llesh Rukaj, me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, financoi dhe mundësoi ndërtimin e rrugës Tamarë-Brojë me gjatësi 10,5 kilometra. Ky fshat malor në prehër të Alpeve ishte tërësisht i izoluar dhe banorët e tij ishin të detyruar të përballonin vështirësitë me mënyra transporti primitive, duke transportuar ngarkesat mbi supe.

Bujaria e birit të fshatit Brojë në Këlmend të Malësisë së Madhe do të ndryshonte një herë e përgjithmonë jetët e banorëve të të gjithë zonës, që më në fund do të lidhej falë aksit rrugor të realizuar nga patrioti Tom Llesh Rukaj.

Nderimin, respektin dhe mirënjohjen për këlmendasin bujar, brojanët e kanë shprehur duke i kushtuar atij një obelisk të vendosur në brigjet e lumit Cem, aty ku fillon rruga e Alpeve të bukura të Këlmendit dhe Bjeshkëve të Namuna.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrnin pjesë banorë të zonës së Këlmendit, nga Shkodra, Tirana, Mali i Zi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vepra e skulptorit të mirënjohur shqiptaro-amerikan Vasil Rakaj kushtuar Tom Llesh Rukaj u bekua nga Padër Pashko Gojçaj, Provincial i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” në Shqipëri dhe në Mal të Zi.

Gjatë ceremonisë, Kryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Z. Tonin Marinaj i akordoi “Çertifikatën e Mirënjohjes” me motivacionin “Për kontributin financiar në rikonstruksionin e rrugës Tamarë-Brojë. Ky investim bëri të mundur përmirësimin e infrastrukturës, lehtësimin e lëvizjes së banorëve, duke i dhënë impakt zhvillimit agroturistik të zonës.”

Në emër të familjes Rukaj përshëndetën pjesëtarët e familjes të ardhur nga SHBA, i biri Prel Rukaj, si dhe nipi e mbesa Llesh dhe Xhaklin Rukaj.

Emocione ngjallën fjalët e Arjan Bajraktarit, Kryetar i Shoqatës Kulla e Bajraktarit të Hotit, si dhe Bashkë-Drejtues i Shoqatës “Nënë Tereza” në Namur, Belgjikë. “Shembuj të tillë të bamirësisë dhe humanizmit”, u shpreh ai, “janë një nxitje dhe frymëzim për të gjithë, për të mbështetur dhe ardhur në ndihmë të njerëzve në nevojë”.

Kryeplaku i fshatit Brojë, Besnik Ujkaj, dhe folës të tjerë i shprehën mirënjohje të thellë birit të tyre, i cili në moshën 16-vjeçare, 7 dekada më parë ai dhe familja e tij u arratisën për një jetë më të mirë drejt Amerikës.

Është një përkim i bukur që biri i Këlmendit kthehet në vendlindjen e tij i përjetësuar në një vepër arti, në skulpturë, kur vendi ynë feston 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rapsodi virtuoz Jonuz Delaj i ka kushtuar një këngë këtij malësori të nderuar.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here