Pas nënshtetësisë shqiptare, këngëtarja Dua Lipa betohet ne bashkine e Tiranes. Veliaj: Krenar që ylli i muzikës botërore merr shtetësinë shqiptare

Në vigjilje të koncertit të madh për 110 vjetorin e Ditës së Pavarësisë, që do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbej”, këngëtarja Dua Lipa u betua si shtetasja më e re shqiptare para kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në një ceremoni të veçantë.

Kryebashkiaku Veliaj tha se kjo është një ditë shumë e veçantë sepse një ikonë e këngës botërore si Dua Lipa, sot është edhe zyrtarisht një shtetase shqiptare.

“Sot, një shtetase globale, e cila ka mbetur me rrënjë në Shqipëri e Kosovë, bëhet pjesë e skuadrës sonë dhe një shtetase shqiptare. Në këto ditë kur ne festojmë 110 vjetorin e Pavarësisë, kuptojmë se vërtetë kemi vuajtur si komb, kemi qenë edhe të nënshtruar dhe të pushtuar, por ia kemi dalë, kemi mbijetuar, dhe sot ti [Dua Lipa] je një burim i jashtëzakonshëm krenarie si shtetase e re e Shqipërisë, si anëtare e këtij misioni, e skuadrës ‘Team Albania’.
Të uroj shumë sukses edhe si shtetase e Republikës së Shqipërisë! Mezi presim sukseset e tua dhe të falenderoj që ke mbetur e thjeshtë, sepse e ke kthyer kokën pas, për të kuptuar se sado larg shkon, rrënjët e tua janë këtu, dashurinë e madhe për Shqipërinë e Kosovën nuk e ke fshehur kurrë. Të jam shumë, shumë mirënjohës që pranove të jesh me ne për këto festa”, u shpreh Veliaj.

Për yllin e muzikës botërore, Dua Lipa ky është një moment gëzimi i papërshkrueshëm dhe se herës tjetër që do të udhëtojë drejt Shqipërisë, do të përdorë pasaportën shqiptare.

“Faleminderit shumë! Është një gëzim i papërshkrueshëm dhe një nder shumë i madh. Jam shumë e emocionuar nga mikpritja, dashuria, mbështetja. Mezi pres koncertin e nesërm”, pohoi Dua Lipa.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa do të performojë në Tiranë më 28 nëntor. Përgjatë gjithë këtyre muajve, në kuadër të turit të saj muzikor, këngëtarja më në zë e momentit ka organizuar koncerte në disa shtete të botës. Turi ka qenë një ndër më të suksesshmit në industrinë e muzikës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here