Nermin Basha : Një vizitë e papritur në Brrakë, tregim

Disa pak ditë pas mbërritjes në plazhin e Durrësit, grupi i turistëve gjermano-lindorë, që kishte ardhur si pushues në Shqipëri, u nda në dy pjesë: njëri grup nuk pëlqente të shkonte në Tiranë për të parë kryeqytetin, sepse donte të bënte vetëm plazh e të lahej në det; grupi i dytë donte të shëtiste e të shihte edhe Tiranën, sepse nuk bëhej qameti po të rrinin një ditë, ndoshta gjysëm dite, pa plazh, për më tepër, sepse ishte edhe në programin e paraqitur.
Dita e caktuar lindi e bukur, e nxehtë dhe shumë e mirë për plazh, ashtu si zakonisht kalon tërë vera në bregdetin tonë, por dëshirat e njerëzve janë të ndryshme. Si hëngrën mëngjesin, shpejt e shpejt u bënë gati për rrugë dhe në orën 9 ishin te vendi i caktuar. Mirëpo autobuzi i tyre ishte dëmtuar dhe duhej kohë për t’u ndrequr. Fytyrave të shqetësuara të turistëve u ndriti buzëqeshja, sepse mendimi për të përdorur trenin, e zgjidhte punën. Prandaj, grupi i dytë u nis drejt stacionit të trenit. Një aventurë e vogël. Bashkë me shoqëruesin vendas, turistët hypën në tren dhe vijuan rrugën për Tiranë. Tirana nuk është e madhe si kryeqytetet e shumë vendeve të tjera të Evropës, por kishte edhe ajo çfarë t’u tregonte turistëve. Brenda orës mbërritën. Stacioni i trenit ndodhej në pjesën fundore të bulevardit të madh, shumë pranë shtëpisë së lindjes; si përshkuan gjysmën e tij, mbërritën te sheshi kryesor, që aso kohe ishte vërtet shesh, sepse ishte i sheshtë, ku gjendet monumenti madhështor i heroit kombëtar, Skënderbeut, hypur mbi kalë, atëherë rrethuar nga një lulishte me mjaft hapësirë në pjesën e mbrapme të tij, me stola për të pushuar, mbushur me pisha ajërpastruese dhe erëmira; një shatërvan i vogël ndodhej në mes, duke freskuar mjedisin përreth me ujin e kristaltë; bari jeshil që vishte pjerrësinat e rrethojës, lulet ngjyra-ngjyra, mbjellë anës shatërvanit dhe monumentit të heroit, ia shtonin bukurinë. Turistët panë kullën e sahatit, që vizatohej bukur në qiellin e kaltër nga cilado anë që ta shihje, ndërtuar afro 100 vjet më parë, vizituan xhaminë lajle-lule gjith ngjyra të Ethem Beut, punimet për ndërtimin e së cilës kishin nisur në vitin 1789, panë monumentin e varrit të Kapllan pashës, më tej përshkuan pjesën tjetër të bulevardit të madh, duke parë të gjitha ndërtesat e vjetra e më të reja: ndërtesën e Teatrit Kombëtar, ndërtesat e ministrive projektuar nga arkitektë italianë me emër, pallatin e pionierëve, monumentet e diktatorëve komunistë sovjetikë, hotel “Dajtin”, ndërtesat e stilit italian e sovjetik dhe ecën deri te korpusi i universitetit; u pëlqeu të shijonin edhe freskinë e bukurinë e liqenit te parku i madh Tiranës; gjithë dita kaloi me shetitje dhe vizita të tjera, programuar më parë nga shoqëruesi, si ajo në Muzeun Historik Kombëtar, në Galerinë e Arteve, në Mozaikun e Tiranës dhe në gjithçka që mund të tërhiqte vëmendjen e tyre, pa lënë mënjanë edhe ndonjë blerje të vogël për kujtim. Gjithë Evropa është e mbushur me ndërtime të mrekullueshme të kohëve antike e të mëvonshme, por çdo vend ka veçoritë e veta që ngjallin kërshërinë e të huajve. Ndonëse vapë, turistët po kënaqeshin. Drekën e hëngrën herët në hotel “Dajti”, duke shijuar edhe ushqimet e Tiranës dhe, pas një ore pushim te bari i hotelit, përsëri në shetitje.
Koha po kalonte. Rrezet e diellit dalëngadalë kishin filluar ta zbehnin dritën e tyre, duke i kujtuar shoqëruesit se kishte afruar koha për t’u kthyer në hotelin e plazhit ku ishin venduar turistët. Pa orën. Kishte mbetur pak kohë deri në nisjen e trenit, ashtu si kishte menduar ai. Po të dilnin nga bulevardi, koha nuk mjaftonte për ta kapur trenin, prandaj mendoi të futej nëpër një rrugë më të shkurtër përmes lagjes së Brrakës dhe, meqë kishte filluar të errej paksa e meqë do të ecnin thuajse me vrap, mendoi se të huajve nuk do t’u binte në sy rruga e prishur në shumë vende, shtëpitë gjysmë të rrënuara, thirrjet me zë të lartë të njerëzve që jetonin aty e shëmtì të tjera; kalimi nëpër të ua shkurtonte bukur mirë rrugën. U bëri zë të nxitonin, sepse kishin vetëm 20 minuta kohë për të arritur në stacionin e trenit dhe, në krye të tyre, u ngut të kalonin shpejt rrugën.
“Shpejt, shpejt. Jepuni këmbëve!” u thirri turistëve, se nuk donte që ata të shihnin lagjen ku po kalonin, veç nxitimit për të arritur në kohë. Në atë zonë rruga vjen pak e pjerrët dhe e ngushtë, prandaj u detyruan të ecin në rresht, njëri pas tjetrit. Edhe pse po kalonin me ngut, nga një barrakë e vogël e vjetër, lyer jashtë me gëlqere të bardhë, me tavan të ulët kartoni, me mure të hirnosura, me çati të mbuluar me llamarina, me ndriçim të dobët nga një llambë e vetme, varur në mes të qiellmbyllëses, turistët panë të dilte tym, ndjenë erë të mirë, erë qoftesh të sapopjekura dhe, kurreshtarë, zgjatën kokën të shihnin. Hyri i pari, hapi sytë gjithandej nëpër lokalin gjysëm në errësirë, plot tym sa mezi dalloheshin ata që po pinin, dhe gjith entuziazëm thirri edhe të tjerët.
“Ejani, ejani shikoni sa bukur dhe sa erë e mirë! Unë nuk lëviz që këtu pa shijuar këto gjëra të mira!”
I zoti i birrarisë po piqte qofte, që lëshonin erën e këndshme. Dera hyrëse ishte fare e ulët dhe duhej të përkuleshe për të mos prekur me kokë parvazin e derës; llamba e vogël e shkëlqente disi hapësirën e brendshme, duke e bërë më ekzotike pamjen. Nja katër a pesë fuçi birre me gazeta sipër si mbulesa, ishin vendosur në mjedisin jo fort të gjerë të birrarisë. Në një qoshe, tingëllinte bukur melodia e një violine. I binte Faja, që njihej nga gjithë zona. Disa burra, që kthyen kokat dhe u ngulën sytë të panjohurve që sapo hynë, po pinin birrë e po hanin qofte. Ndonëse nuk kuptuan se çfarë u tha shoku pranë, morën me mend se fytyrat e panjohura që po futeshin, do t’u prishnin rehatinë dhe kënaqësinë e muhabetit dhe të pijes. Turistët u futën njëri pas tjetrit dhe vendi u mbush plot: ishin mbi dhjetë vetë. Asnjëri nuk desh të dëgjonte shoqëruesin, i cili e pa veten shumë ngushtë. U përpoq t’i bindëte që ta ndiqnin:
“Ju lutem, ju lutem shumë, hajdeni se po kalon ora dhe do të na ikë treni. Vijmë një natë tjetër këtu”.
Mirëpo nuk kishte burrë nëne t’i lëvizte gjermanët që aty.
“Presim trenin tjetër. A mund të lëmë këtë kënaqësi e bukuri dhe të shkojmë në hotel?”
Hareja dhe gëzimi i tyre ishte në kulm, ngaqë kishin hasur në atë mjedis të këndshëm. Pa ç’pa, shoqëruesi iu nënshtrua dëshirës së turistëve, duke menduar të kapnin trenin e fundit. U drejtua te banakieri:
“A ke furnizim të bollshëm se janë shumë për këtë birrari të vogël”.
“Mos ki merak, – e siguroi ai. “Sot kam marrë furnizim dhe kam qofte, bërxolla, biftekë, panine, birra, salcë kosi, djathë të mirë”.
Shoqëruesi, i quajtur Bujar, u qetësua disi se, të paktën, lokali i vetëm i lagjes së Brrakës, kishte gjithçka i duhej një lokali ku pihej. Ata që po pinin, e dinin se nuk mund të qëndronin me të huajt, prandaj një e nga një dolën jashtë e ikën. Me nxitim, baristi hoqi mbulesat-gazeta të mëparshme, vuri mbulesa cope të pastra të bardha, ndërkohë që kishte vënë mbi zgarë qoftet e bërxollat. U dha të një të larë të dytë gotave të mëdha të birrës dhe i rreshtoi, me qëllim që secili që donte të pinte, të merrte vetë gotën dhe të zinte vend te tavolinat e sajuara me fuçitë e birrës. Mjedisi u mbush me tym buke të thekur, qoftesh e bërxollash, shoqëruar nga tingujt melodiozë të violinës, që nuk pushoi së rëni edhe në tollovinë e krijuar në fillim. Faja, një burrë i thyer në moshë, me sy të vegjël që shkëlqenin si xixëllonja e që rrotulloheshin gjithandej, me trupin që e dridhte dhe e përdridhte duke luajtur violinën, duke shkuar sa tek njëri tek tjetri turist e duke iu afruar me violinë deri tek veshi e fytyra, ishte e papritura tjetër e asaj nate dhe e atij lokali. Gazi e hareja e të huajve shkonte në kupë të qiellit. Muhabeti, si edhe qoftet e ngrohta e birra e ftohtë, nuk kishin të sosur. Ia morën edhe këngës.
Kishin kaluar mbi dy orë, duke ngrënë, duke pirë e duke kënduar. Shoqëruesi rrinte si mbi gjemba. Mendoi se duhej bërë një përpjekje tjetër për t’i shkulur turistët që aty, se vërtet do të mbeteshin rrugëve të Tiranës. U tha të mbaronin çfarë kishin përpara dhe të niseshin se lokali do të mbyllej dhe ata duhej të kapnin trenin e orës së fundit, atë të orës 11. Turisët u bindën dhe morën rrugën për te stacioni, pa pushuar bisedat që birra e pirë i ndizte më shumë. Ishin kënaqur. Gazi e hareja vijoi edhe në tren. Nuk vonuan shumë të mbërrinin në hotel, në hollin e të cilit po prisnin shokët e tjerë që kishin bërë plazh, gjithë kërshëri për këtë vonesë. Filluan bisedat e tjera, duke i treguar kënaqësinë te birraria e shtrembër, e vogël, por e pastër, me plot të mira dhe plot shije.
“Keni humbur lezetin jo vetëm të ditës së sotme, por të gjithë ditëve të pushimeve: birrë e mrekullueshme, qofte dhe bërxolla që piqeshin para syve tanë me shije të paharruar, djathë vendi gjithë lezet, panine të thekura me dorën tonë. Sikur të kthehemi prapë te tingujt melodiozë të violinës…”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here