Nurie Baduni: DRITË BLASFEMIE, POEZI

DRITË BLASFEMIE

Ku zbarkoi vera me vezullime?
Ku shkuan pritjet e mia plot zjarr?
Iku një stinë e tjetra është duke mbërrirë,
Dhe njomur jemi prej mallit të gjatë.

E dua vjeshtën ngjyer me ar,
Edhe pse dashurive sjell trishtim,
Kurorë petalesh në dengje i ranë,
Rrugët ngjyrosen nga ndjesiitë e shpirtit tim.

Vetmisë i vesh njgyra të kuqërremta,
Afroj paksa stinët pranë e pranë,
Ti larg mbete në kohë të tjera
Edhe pse me ngulm desha të të mbaj.

Aroma jote vjen me erërat e pyjeve.
Ashtu, lehtas më ngjishet mbi lëkurë,
E grisa atë tis mëndafshi të grinjtë,
Copëzat brengave u mbështollën si pëlhurë.

Jemi dy trupa në kohë të ndryshme,
E sotmja mbi të shkuarën brengat përplas,
Godasim plot gaz mbi miliona shikime,
E koha mbi kohë, dritë blasfemie zbraz.

N. Baduni 05.10.2022

Poezia që fitoi çmimin e parē “Dr. Ibrahim Rugova”

HIJE QË TRETEN

E panjohura,
Rrjet që mbështjell asgjënë,
Endet e papunë rrugëve të hirta,
Me pikla drite përzier.

E panjohura,
Shtrirë kthetrat hapësirës së praruar,
Varur rri, me boshësi ndër duar…

Në sfond, mbushur gjithshka mjegull reje,
Si një mëndafsh i sapo krijuar nga fluturat,
Në rreshta të parregullt,
Me maja thikash ndër duar.

Dy kuaj troje, ngujuar ndër pritje,
Surprizojnë njeri tjetrin,
Me dhurata heshtash,
Tek rrinë menduar…

Më tej, Helena flokëartë,
Mes zjarresh ndihet,
Me e pa fat…

Friguar rri,
Në heshtjen shumëfjalëshe që e rrethon,
E mirësinë në gji.

Nuk ka rininë e freskinë e kohës…

Ngarkuar me pjekuri,
Thjesht një…sfinks pa moshë,
E plot dashuri.

Kuajt përballë, ulin heshtat.
Veshin paqen në dukje,
Aroma e jetës i shtyn tytje.

Në ngrehinën e kohës vrasin vetveten…
E rreth tyre hijet treten…

Dhe treten e treten, treten e treten,
Dheeee…brenda Helenēs mbeten.

N. Baduni 28.08.2022

TËRMETET E JETËS SIME

Në jetë pata tronditje të thella,
Kur vullkanet zbrazën krateret e nxehtë.
E mua copëzat më mbetën në duar,
Tek kuvendoja me retë.

U përlesha tek i shuaja me ujërat e trupit,
Me kratere të dallgëzuara plot jetë.
Hidheshin si uragan mbi vertikalet e unit,
Nuk shuhesha as vetë.

Sot, ca copëza eshke mbetur në duar,
Nëpër funde detrash dua t’i mbys,
Pesha e lehtë i nxjerr në sipërfaqe,
Reziku mbetet aty sërish…

N. Baduni 21.12.2022

MUZGJET E JONIT

Muzgjet e Jonit,
Zhurmojnë mes dallgëve,
E zërave të largët.

Krihen valët shkëmbinjve,
Errësirën duke pritur,
Veshur dritë hëne e dallgë zhuritur.

Vashat përballë,
Karrshillëk ju bëjnë,
Djemve përqafuar belit shtrënguar.

Muzgjet e kuqërremta,
Vallzojnë hapësirave të blerta.
Hapësirave të bardha,
E atyre të qelqta,
Ngarkuar me mallet,
Me dertet e hallet.

Njerëzit e ditët mes tyre ngatërruar,
Qajnë, qeshin e përqeshin,
Valë e lotë veshin.

Muzgjet e Jonit,
Brigjeve të Konispolit,
Qenieve e gurëve kridhen e vidhen,
Larg tyre përdridhen.

Brigje të heshtura në muzgje,
Magji e natyrës,
E malit e rrëpirës,
Fushës e rrugës qeshin e vallzojnë.

Muzgjet rozë
Si djemtë në moshë,
Kapur rrinë me dritëhijet përdore,
Për qafe e belholle.

Muzgjet, eh muzgjet e Jonit,
Jonës e Erjonit, filizave të detit,
Me emrin e mbretit,,,

Muzgjet e vendlindjes,
Nata edhe agu,
Dielli, yjet edhe Hëna
Me Jonin rrinë te pragu…

Joni im.
Me vesë më lage,
Me lot malli më mbarse,
Kurrë dot su puthëm,
Kurrë dot su zhveshëm,
Kurre nuk u prekëm,,,
Të virgjër mbetëm.

N. Baduni 10.10.2022

POLITIKËS

Oh sa dhimbje ndjej ndër deje,
Kur veten e marr për dore,
T’i kujtoj rrugët pa krye,
Që paturp e dert na shtrove.

Oh sa kohë më kot më ikën,
Duke shkelur nëpër nyje,
Pleks e shpleks goglat e tua,
Pika turpi në dritëhije.

Oh sa gjurmë të errta mbetën,
Ndër rrugët që na servire,
Ikën nata vjen mëngjesi,
Dielli ndrin e gjithkund hije.

Oh sa mërzi do më mbërthejë,
Për mundimet nëpër trungje,
Kur bora të më zbardhojë,
Tek kujtoj ditët në muzgje.

Oh çtrishtim do më kaplojë,
Çasteve që t’më zënë përdore,
E përhumbur do vajtoj,
Për jetën që ma shpërdore.

N. Baduni 25.09.2022

NËN PESHËN E SHTYPJES

Ecja mbi gjethet e kuqërremta të vjeshtës,
Ngarkuar me pluhurin e erërave të çdo kohe,
Nën këmbë dëgjoheshin rënkime të mbytura,
Sikur thoshnin: oh, shpirtin çna e more!

Ndërsa unë, një jetë nën peshën e shtypjes,
Njëherē të vetme, gjethe s’u bëra dot,
Durova shtypjen e çdo ngjyre politike,
Sepse jam një…edhe të bëhem, është e kotë…

N. Baduni 28.10.2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here