ISA PONARI : MASHTRIMI PËR DIVORC, TREGIM

Nga qyteti i vendlindjes së tij, ku jetonte dhe punonte, në jug të Shqipërisë, Astriti udhëtonte shpesh drejt Tiranës,për shkak të punës që kishte në ndërmarrje, si shef i furnizimit me materiale teknike. Ai nuk kishte më shumë se dy vjet që ishte martuar me një vajzë të bukur nga periferia e qytetit.Edhe pse fejesa dhe njohja ishte bërë me shkuesi,ata po kalonin ditë të bukura, të dashuruar së bashku.Madje, gjatë udhëtimeve drejt Tiranës, në fillim, kur ata u martuan, ai e merrte shpesh nusen e tij në makinën e furnizimit, një tip fugonçine mallrash i markës ZUK, i prodhimit polak, Pasi kaloi viti i parë i martesës, Astriti, për herë e më rrallë e merrte nusen drejt Tiranës;diçka kishte ndryshuar në jetën e tij, por e shoqja nuk e vinte re, sepse edhe ai nxirrte ndonjë pretekst te vogël, që ajo e merrte si një gjë të arsyeshme edhe nuk mund ta shoqëronte sa herë shkonte në Tiranë.Por,në fakt, nuk ishte mungesa e vendit në makinën e tij të furnizimit, që të shoqen e merrte përherë e më rrallë. Ishte një dashuri qe kishte filluar si flirt ,kohë përpara se ai edhe te ishte fejuar më Dritën, por tani, që Astriti kishte mbi dy vjet i martuar ,kishte marrë vesh se magazinierja ku ai merrte furnizimin ishte një vajzë e vetme që jetonte në një shtëpi të madhe nga ato vilat e të persekutuarve dhe se ajo donte të martohej me një djalë edhe jashtë qytetit,sepse edhe vitet po bënin punën e tyre dhe dalëngadalë ajo shtëpi mund të mbetej shkretë pas vdekjes së dy prindërve. Pamja e Astritit, inteligjencia dhe sjellja kishte kohë që jetonte në mendjen e saj.Kështu, në këto kushte, ajo i kishte hedhur tashmë rrjetën atij, sepse tani ishte koha e përshtatshme,pasi ai ende nuk kishte fëmijë.Mirëpo,ajo ishte e ndërgjegjshme që nuk ishte aq kollaj, sepse “preja” e saj nuk ishte më një gjah i lehtë për ta peshkuar, pasi ai kishte nje grua tjetër në shtëpi, me të cilën kishte bërë celebrimin që kur ishin të fejuar.
Atë ditë, pasi mbushi fogonçinën e tij me mallrat që mori nga magazina qëndrore,po bëhej gati të nisej në drejtim të qytetit ku jetonte; magazinerja i propozoi të shkonin e të pinin një kafe bashkë tek ëmbeltore “Partizani” në qendër të Tiranës. Astriti nuk u habit pse ajo kërkoj të pinin kafe, sepse nuk ishte hera e parë që ata pinin kafe bashkë, por mbeti i befasuar për vendin që ajo zgjodhi për këtë afrim. Astriti, pa u menduar gjatë, pranoi të shkonte dhe në moment iu zgjua përsëri dëshira që kishte patur kohë përpara, të paktën t`i jepte një puthje….
Pasi ajo sistemoi disa dokumenta dhe mbylli magazinën, hëpën të dy në furgon dhe u nisën drejt qendrës së qytetit për te kafja ku do të uleshin. Gjatë rrugës, ajo, në fillim, qëndroi larg tij, aty ku ishte ulur në sedilje, por, pak para se te shkonin tek vendi ku do parkonin, ajo iu afrua dhe këmba e saj takoi këmbën e Astritit, i cili kishte ngritur këmbëzën e pantallonave lart, për shkak se edhe bënte pak vapë.Astriti e ndjeu fort prekjen e një lëkure të lëmuar që takoi në këmben e tij, deshi t`i hidhte dorën por në moment atij iu duk se Drita po e ndiqte këtë skenë dhe vendosi të ndalonte tundimin e tij.
Pasi parkuan makinën aty afër,të dy u nisën drejt barit.Pritën pak dhe, sapo u lirua një vend,ata u ulën dhe filluan të bisedonin për gjëra të rëndomta, kamarierja u afrua pranë tavolinës së tyre dhe ajo porositi dy ëmbëlsira, pa e pyetur se çfarë dëshironte Astriti. Ndërsa prisnin porosinë, ajo i vuri dorën mbi dorën e Astritit ,që e kishte mbështetur mbi tavolinë. Astriti u ndje përsëri i tundur, por, para syve i dilte imazhi i Dritës.Ai i thirri koshiencës së tij të vetëpërmbajtjes dhe nuk u zgjat ta puthte.
-Astrit, nuk të kam pyetur, a të pëlqen Tirana?-pyeti ajo.
– Ha ha,- i dha buzëve një buzëqeshje, pa e përhapur në të gjithë fytyrën, pastaj i tha asaj:
-Nuk pyetet qorri a don sy, por ti e din,se të jetosh në Tiranë ose duhet të kesh lindur këtu, ose të kesh mik të fortë atje,- dhe bëri me gisht në drejtim te bulevardit kryesor, ku edhe ndodhej Komiteti Qendror i Partisë.
Ajo heshti pak,pastaj i tha se ka edhe një mënyrë tjetër, pa patur mik të fortë.
– Eh, e di, por unë tashmë kësaj mënyre i dhashë fund qëkur!- dhe këtu iu këput fjalia,sepse nuk donte t`i thoshte asaj se donte shumë të jetonte në Tiranë, por e donte shumë edhe Dritën dhe të dyja bashkë ishte e pamundur t`i bënte, për të kaluar jetën.
Ndenjën gjatë.Pas ëmbëlsirave, porositën edhe dy herë kafe; të dy i treguan njëri- tjetrit për veten e tyre, për prindërit, shoqërinë që kishin dhe se si kishin kaluar adoleshencën. Ndryshe nga herët e tjera,biseda u përqëndrua ne anët jetësore të tyre. Ajo kishte kohë që e dinte se Astriti ishte i martuar madje, ajo e njihte edhe Dritën,sepse kishte ndodhur ta takonte, ndërsa Astriti sistemonte mallin që kishte tërhequr në magazinën e saj.
Dielli po zhytej ngadalë në Adriatik dhe Astritit i duhej të bënte edhe rreth katër orë rrugë në drejtim të qytetit ku jetonte e punonte.U ngritën dhe u nisën drejt vendit ku kishin parkuar makinën.Gjatë rrugës ajo disa herë i kapte Astritit gishtin e vogël të dorës ndërsa ai shtirej sikur nuk e ndjente këtë ngacmim.Atje te makina,kur ai i dha dorën dhe u përqafuan, ajo zgjati buzët, të cilat prekën cepin e buzëve të tij. Astriti e ndjeu aromën femërore dhe ngrohtësinë e buzëve të saj, deshi ta puthte fort në atë moment,por menjëherë para syve i dilte imazhi i Dritës dhe vetëpërmbajtja kthehej në një mur të pakalueshëm.
Te dy u ndanë, ashtu pa shumë dëshirë. Ndërsa ajo shkoi drejt vilës ku jetonte, kurse Astriti u nis për rrugë të largët, i dyzuar mes dëshirës dhe vetëpërmbajtjes.Mes dy imazheve dhe tri dashurive, Dritës, Tiranës dhe magazinieres.
Muajt dhe ditët kalonin dhe lidhja e Astritit më magazinieren e magazinës qëndrore bëhet përherë e më e fortë. Ai filloi të sajonte arsye të shkonte në Tiranë dhe përherë e më shpesh e kishte të vështirë të ndahej me magazinieren. Një ditë vendosën të darkonin bashkë në një lokal në mes te parkut të Tiranës,aty ku sot është kisha e shën Prokopit. Kishin pirë nga dy tri gota verë. Pas darke, duke zbritur drejt bulevardit në një shteg te ngushtë, ajo e tërhoqi Astritin drejt e në thellësi të pyllit. Pas disa hapash në errësirën e thellë, ajo u ndal ,dëgjoi për një moment në qetësi se mos ndjente ndonjë zhurmë dhe pastaj iu hodh në qafë duke e puthur më një epsh të papërmbajtshëm.Ndërsa Astriti kishte futur njërën dorë në gjoksin e saj dhe me tjetrën e tërhiqte fort pranë vetes; ajo po i zbërthente rripin e pantallonave….
Pasi ranë në bulevard, ajo iu lut Astritit që, atë natë, pasi kishte shkuar edhe vonë,të mos udhëtonte , por të dy të flinin te shtëpia e saj.Astriti nuk pranoi, i kishte dhënë fjalën Dritës se do kthehej patjetër.U përshëndetën, u puthën përsëri dhe u ndanë duke marrë më vete kujtimin e bukur të asaj mbrëmjeje.
Astriti, ngaqë ishte shumë vonë dhe rruga ishte e lirë,vendosi të ecte sa më shpejt drejt qytetit të tij, më qëllim që rrugën ta përshkonte në më pak se tri orë. Mirëpo,ashtu i zhytur thellë në mendime, i dyzuar dashurive dhe ëndrrave, sytë e tij u rënduan duke humbur kontrollin e makinës dhe përfundoi jashtë rrugës në një kanal. Në fillim iu duk se nuk kishte ndonjë gjë me rëndësi ,por pastaj ndjeu dhimbje të forta në brinjën e djathtë dhe një plagë që rridhte gjak në këmbë.Kuptoi se kishte përfunduar jashtë rrugës, por pastaj çdo gjë u errësua, duke humbur ndjenjat. Të nesërmen,kur u përmend,e pa veten se ishte në spital dhe pranë tij qëndronte Drita, kolegë të punës dhe njëri nga vëllezërit. Dikur, mbasdite, te shtrati i tij u pa edhe ajo magazinerja.Të dyja gratë që ndjenin të njëjtën keqardhje për Astritin, pasi u përshëndeten ftohtë, kryqëzuan shikimet si dy boksierë në ring plot mllef.
Pas katër ditësh, ai la spitalin dhe kthehet në shtëpi;kishte thyer tri brinjë dhe disa plagë të tjera kishin filluar t`i mbylleshin. Astriti nuk qëndroi shumë në shtëpi dhe filloi punë, pavarësisht se ende ndiente dhimbje në brinjët e thyera, por tani ai drejt Tiranës nuk lëvizte vetëm me makinën e furnizimit,por me një shofer tjetër, pasi e kishin dënuar tre muaj me heqje patente; kështu që, tani ishte më i lire,nuk kishte detyrime të kthehej brenda ditës, pasi këtë punë e bënte shoferi, pa ndihmën e tij. Për herë e më shpesh filloi të shkonte te shtëpia e magzinieres dhe përherë e më shpesh filloi t`i pëlqente të jetonte aty.Por ishte e pamundur, në mes ishte Drita, nga cila e kishte të vështirë të ndahej, por ajo që e bënte të vështirë ndarjen ishte divorci, të cilin gjykatat e jepnin vetëm për raste tepër të renda të krisjes mes një çifti. Kështu që, mendja e tij filloi të bluante rrugë e mënyra për t`u ndarë nga Drita dhe për t`u martuar me magazinieren,me të cilën kishte provuar të flinin bashkë shumë herë në shtëpinë e saj. Ky hall e preokuponte edhe magazinieren, ajo duhej ta ndante nga Drita, për të përvetësuar gjahun,të cilit kishte kohë që i kishte hedhur rrjetën. Një natë nuk e la të shkonte në shtëpi Astritin, sepse i tha atij se duhet te bisedonin për një plan që kishte menduar se mund sillte divorcin shpejt dhe pa probleme nëse ishte i gatshëm të bënte këtë veprim.
Pasi kishin bërë dashuri në shtratin e saj, filluan të bisedonin për divorcin.Një ish -avokat i vjetër,nga ata qe kishin punuar para se të suprimoheshin zyrat e avokatisë, i kishte treguar asaj një mënyrë që gjykatat janë të detyruara ta marrin parasysh për të bërë divorc, pasi në këtë rast edhe ndarjen do ta kërkonte bashkëshortja.Astriti i dëgjoi më vëmendje ato që ajo i tha dhe që logjikshëm do kishte një divorc të shpejtë me Dritën, por ishte një provë tepër e vështirë dhe shumë e sikletshme për një mesoburrë të njohur e me shumë miq e shok të rëndësishëm. Por ajo që e tundonte të ulte hundën e të bënte këtë punë jo vetem të pistë, por edhe shumë të pa- ndershme, ishin dy arsye:ardhja si qytetar i Tiranës dhe një farë dashurie, të përzier me interes që kishte për magazinieren.
Të nesërmen ai shkoi nga Tirana me autobus herët në qytet te puna, pastaj në shtëpi, ku e priste Drita. Gjatë gjithë kohës mendonte për aktin që do t`i sillte divorcin dhe do të fitonte Tiranën. Pasi jetoi për një kohë të gratë mes hamendësive, vendosi përfundimisht të kryente aktin sipas planit që kishin bërë….
Aty afër mëngjesit,Drita u ngrit e tmerruar,duke i thirrur Astritit më zë të lartë:
-Astrit, çfarë është ky ujë në shtrat?
-Nuk e di,-iu përgjigj ai,-tani po e ndiej se jemi lagur.
-Astrit, ky nuk është ujë,- i tha Drita,- është shumë më keq ,është urinë, çfarë po ndodh kështu me ty?!- bërtiste ajo e tmerruar.
Ndërsa Astriti qëndronte i heshtur, i zënë në turp e në faj, aqsa të braktiste vendimin që kishte marrë për të kapur jetën në Tiranë.Gjithë ditën kaloi duke menduar se sa kohë do zgjaste kjo torturë, një ditë, tre muaj, një vit, apo gjithë jetën ,pa shkuar Drita të kërkonte divorcin në gjykatë.
Natën që pasoi ai nuk urinoi, donte të jepte përshtypjen se vërtetë ishte një rastësi dhe jo një qëllim, ndërsa pastaj ,natë pas nate, ai , rreth mëngjesit, urinonte në shtratin ku flinte vetëm pasi tashmë Drita kishte filluar të flinte e ndarë prej tij, por gjithsesi ajo detyrohet të ndjente erën e rëndë te amoniakut, të grumbulluar në dyshekun ku flinte Astriti. Ajo, e shqetësuar për të,dhe ai, së bashku, iu drejtuan spitalit, morën edhe ilaçe ,por kot, sepse qëllimit të keq nuk ka ilaç që i bën dobi. Pastaj, kur nuk gjeti shpëtim nga,mjekët, iu drejtua plakave dhe ndonjë hoxhe që ushtronte fenë në fshehtësi, por ishte e kotë.Ajo nuk mund ta dinte se as zot, as magjistar s`kanë çfarë t`i bëjnë njeriut që ka një qëllim të lig.Kështu që, pa kaluar as një muaj, ditë e natë duke qarë e duke u lutur, u detyrua t`i drejtohej gjykatës.
Ishte ditë e hënë. Drita u gjend në korridoret e gjykatës së rrethit para se të hapeshin të gjitha zyrat.Ishte e pamësuar të trokiste ndonjëherë në ndonjë zyrë shteti.Me sy po kërkonte të shikonte ndonjë grua që do të çelte një zyrë dhe t`i hapte zemrën dhe,mu pranë një dere ku ajo qëndronte, afrohet një grua, nxori nga çanta e saj çelësat dhe hapi derën.Deshi ta mbyllte, por Drita iu drejtua asaj më fjalën të lutem, dua një ndihmë, dua vetëm t`ju pyes për një hall që më ka zënë derën.
-Po hë, ç’qenka ky hall që në pikë të mëngjesit moj shoqe?
-Po ja,si të them: dua të bëj divorc me bashkëshortin tim.
-Jo ore!- ia ktheu ajo me një zë të ngritur, pa u thelluar fare,-dje e more burrin, sot kërkon të ndahesh, pse aq e lehtë të duket të shkatërrohet familja jote pa u krijuar.Shko në shtëpi, është punë që s’bëhet, shko rregullo hesapet me burrin dhe mos pretendo ndarje!
Me këtë përgjigje të prerë dhe mjaft e mërzitur,Drita la dyert e gjykatës, për t`u kthyer në shtëpi. Para se të arrinte aty, shkoi në zyrën e postës dhe i bëri një lajm-thirrje telefonike hallës së vet, që jetonte në Vlorë.
Të nesërmen, në kohën kur kishte për të folur me hallën e saj,ishte paraqitur ne zyrën e postës dhe po priste që nga centrali ta lajmëronin të futej në një nga kabinat telefonike….
Nga kabina tre u dëgjua zëri nga një altoparlant.U fut në kabinë foli për aq minuta sa kishte të planifikuar dhe doli me sy të përlotur.
Po atë natë doli në stacionin e autobusit dhe priti hallën e saj që do të vinte nga Vlora.
Atë natë nuk fjetën duke biseduar për hallin që kishin.Te nesërmen,shkuan në gjykatë dhe trokitën në zyrën e ndihmës juridike. I priti një jurist i vjetër, i cili,pasi i dëgjoi, formuloi aktin e hapjes se gjyqit për divorc.
Pas një jave, në shtëpinë e tyre kishin ardhur dy telegrame per t`u paraqitur në një gjyq pajtimi Astriti dhe Drita D.
Në ditën dhe orën e caktuar,ata u paraqitën para një gjyqtari i cili, më shumë se për norma juridike, u foli për moralin dhe betimin gjatë celebrimit,se do t`i gjendeshin njëri-tjetrit pranë
përjetë, si në të mirë,edhe në te keq,ndonëse Drita ,në këtë situatë të krijuar, e kishte të pamundur të jetonte me Astritin.
U caktua data e gjyqit përfundimtar.
Pas një jave,një trupë gjykuese e përbërë nga një gjyqtar dhe dy ndihmës,pasi i dëgjoi të dy palët dhe arsyetimin për anomali fiziologjike të Astritit që urinonte në mënyrë të pavullnetshme, (por ky ndryshim i madh në jeten e tij kishte ardhur vetëm pasi kishte pas një aksident automobilistik), trupi gjykues vendosi që, për rrethana të përcaktuar mirë në kodin e familjes, Drita dhe Astrit D t`u bëhet zgjidhja e martesës dhe te dy palët të jenë të lirë të ndjekin qëllime të tjera në jetë.
Pasi dolën nga zyra,ku u zhvillua seanca gjyqësore ,në korridor i dhanë dorën njëri-tjetrit me sy të përlotur dhe u ndanë.Por Astriti, tashmë e kishte fatin të përcaktuar.Tirana i kishte hapur portat për të,ndërsa magazinierja kishte mbyllur qëllimin e saj ndaj tij.
(ispon)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here