Ambasadorja Yuri Kim: SHBA mund të heqë vizat me Shqipërinë, disa nuk po i ze gjumi nga frika e burgut

Për ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim, Shqipëria është në rrugën e duhur për ta hequr regjimin e vizave me SHBA.
Në një intervistë në ‘Real Story’, Kim tha se një gjë e tillë mund të ndodhë shumë shpejt.
“Kur japim, kur vendosim të japim viza dhjetë-vjeçare, kuptimi është që jemi optimistë për dhjetë vitet e ardhshme. Nuk bëj dot parashikim se kur saktësisht do të mund të udhëtojmë pa viza fare, por mund të them se jemi në drejtimin e duhur. Një tregues është tregtia, biznesi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë”, tha Kim.
Ambasadorja ka folur edhe per SPAK dhe rezultatet e tij. Ajo u shpreh ka njerëz të fuqishëm që janë të frikësuar sepse do shkojnë në burg.
“Mendoj se ka rëndësi që të kuptojmë që diçka kaq radikale sa reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Është si të thuash që një vrapues duhet ta nisë nga maratona. Nuk fillohet aty. Po e bëre, do dështosh. Duhet të ndërtosh forcën.
Dhe ajo që shohim në statistika, në rezultatet reale që shihni nga SPAK dhe vende të tjera, është se ata që përfshihen në korrupsion dhe krim të organizuar, ata që vjedhin nga qeveria, nga populli, nga Shtetet e Bashkuara, po fillojnë të përballen me drejtësinë.
Po shohim ish-ministra, njerëz të fuqishëm, anëtarë të parlamentit, oficerë policie, politikanë, drejtues të krimit të organizuar, disa njerëz të biznesit, të dalin në gjyq dhe të shkojnë në burg. Nuk thua dot se asgjë s’ka ndodhur…”.
(…) Duhet të ketë sundim të ligjit në këtë vend; është koha që pandëshkueshmëria të marrë fund. Dhe besojmë se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Edhe një herë, shikoni faktet. Mos u shpërqendroni nga propaganda nga të gjitha anët.
Ka disa njerëz që duan që ju të besoni se reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur. Por faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar.
Kam dëgjuar histori për njerëz që nuk po i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekjen penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Do t’iu thoja përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve, bëni punën tuaj”, tha Kim.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here