Dr. Afërdita Dervishi: Studim që zhveshë propagandën serbe kundër shqiptarëve dhe UÇK-së

(Bardhyl Mahmuti, Mashtrimi i madh, Çabej,Tiranë, 2015)

Përkufizimi

Studimi i Bardhyl Mahmutit, Mashtrimi i madh, është ndër veprat studimore më të veçanta, ndër veprat publicistike më të rrallat në literaturën shqiptare, të këtyre viteve, që me fakte dhe argumente, nga dhjetëra e qindra burime informacioni publicistik dhe shkencor, ka zhveshur propagandën jo vetëm serbe, por edhe kudo tjetër në botë, kundër shqiptarëve dhe kundër Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vepra studimore e Bardhyl Mahmutit, Mashtrimi i madh, për herë të parë vë para shqiptarëve dhe të huajve (se vepra është përkthyer edhe në gjuhë të huaja), aq shumë fakte dhe të dhëna për demaskimin e propagandës serbe, në përpjekjen e saj për ta shpallur luftën e UÇK-së, si luftë terroriste.
Studimi i Bardhyl Mahmutit, Mashtrimi i madh, ka vënë para sprovës së ndërgjegjes shtetërore dhe krijuese, akademike dhe intelektuale, të të gjithëve, në Tiranë dhe në Prishtinë, së pari për heshtjen e tyre të turpshme, së dyti për mungesën e krijimit të kushteve që të botohet literaturë e tillë, ku zhveshët politika serbe kundër shqiptarëve dhe Luftës së Ushtrisë Çlirimtare.
Më në fund, studimi i Bardhyl Mahmutit, Mashtrimi i madh, do të duhej të ishte obligim moral e politik, kulturor e kombëtar, që të shpërndahet nëpër të gjitha qendrat e botës, ku ka institucione kulturore e diplomatike. Kurse dihet, se 1500 ekzemplarët që autori ia ka dhuruar vullnetarisht qeverisë së Kosovës, janë mbyllur në depot qeveritare, ndoshta edhe për faktin se nuk e kanë lexuar studimin dhe kush e di se çka ka shkruar, apo për faktin, se u janë dukur të rënda për t’i bartur nëpër aeroporte të Evropës dhe botës

Hyrje

Autori i këtij studimi të veçantë, shumë specifik dhe mbi të gjitha shumë i argumentuar, politologu Bardhyl Mahmuti, që në fjalën e autorit, ka sqaruar, në radhë të parë, kur dhe nga kush është përdorur përkufizimi, “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, me të cilën mbahen në burg dhe ndiqen penalisht krerët e Luftës së UÇK-së, në Hagë.
Tri javë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Carla Del Ponte në librin e saj Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës, shkruan: “…ndërmarrje kriminale që kishte rrëmbyer më shumë se 300 serbë, romë, shqiptarë dhe pjesëtarë të grupeve tjera etnike, të cilëve u kishin hequr organet vitale për t’i shitur në klinika jashtë shtetit” (Mashtrimi i madh, fq.9). Një prokurore që kishte udhëhequr Gjykatën Ndërkombëtare kundër krimeve në ish-Jugosllavi, pasi e kryen mandatin, sigurisht nën ndikimin e ndërhyrjeve serbe dhe të miqve të tyre ndërkombëtar, ajo shkruan për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, se qenkan marrë edhe me shitjen e organeve nëpër klinika jashtë Kosovës, andaj na qenka edhe ndërmarrje e përbashkët kriminale. Gjykata e Kosovës, me seli në Hagë, e cila çdo gjë mund të jetë, por e Kosovës, as që mund të quhet, qoftë vetëm për faktin se aty as një institucion shtetëror i Kosovës nuk ka të drejtë të interesohet për mirëvajtjen e hetimeve.

Mashtrimi i madh i Këshillit të Evropës dhe i Serbisë

Autori i kësaj vepre monumentale për dëshmitë e afruara, për zbërthimin e terminologjisë shkencore lidhur me krimet e luftës, i burimeve të shumta shkencore edhe nga fusha e politikologjisë, që ka përdorur për ta dëshmuar mashtrimin e madh që u bëhet shqiptarëve në emër të drejtësisë ndërkombëtare. Kur lexon veprën e Bardhyl Mahmutit, përfaqësuesit të parë diplomatik të UÇK-së në Evropë, lexuesi ka bindjen se gjendet para një auditori, në të cilin si në kor, dëgjohen zëra kundër luftës për liri të shqiptarëve, thuajse ata si popull paskan ardhur nga ndonjë planet tjetër dhe kanë zbritur në tokë për të prishur rregullin e drejtësisë evropiane. Mirëpo, rrugëtimi për të krijuar bazën e këtij mashtrimi të madh, kishte filluar që herët, do të thotë edhe gjatë Luftës së UÇK-së, e sidomos menjëherë pas kësaj lufte çlirimtare. Kështu e argumenton autori i veprës madhore, “Mashtrimi i madh”, fillesën e argumentimit për ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë. “Më 26 maj 2000, para të pranishmëve të ftuar nga Shoqata e Miqësisë Franko-Serbe në Lyon, gazetari belg, Michel Collon-i, nisi fjalimin e tij me këtë sintagmë: Çdo luftë fillon me një gënjeshtër mediatike!” Për të ilustruar qëndrimin e mësipërm, ai u tha të pranishmëve se “Masakra serbe e Reçakut nuk ka ekzistuar asnjëherë, por ishte një gënjeshtër që u sajua për të provokuar ndërhyrjen e NATO-s kundër Serbisë” (Mashtrimi i madh, fq.75).
Të dhënat, burimet, dëshmitë, nivelet e propagandës jo vetëm serbe kundër Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë të shumta, të vjela nga një literaturë e tërë, në gjuhë të ndryshme. Prandaj, mund të thuhet, se kundër kësaj lufte çlirimtare dhe kundër lirisë së shqiptarëve, nuk ishte ngritur vetëm Serbia, por edhe disa nga organet kryesore të bashkësisë ndërkombëtare, siç është, fjala vjen, Këshilli i Evropës, si institucioni më i lartë i Bashkimit Evropian. Lexuesi i zakonshëm, shqiptar dhe i huaj, çka mund të pres tjetër, kur lexon se si një organ i këtij niveli, aprovon dhe e bën strukturë programore të veprimtarisë së tij, një raport të një deputeti zviceran të asaj kohe, siç ishte raporti i Dick Marty-t për nxjerrjen dhe shitjen e organeve njerëzore gjatë Luftës së UÇK-së. Do të thotë, mashtrimi i madh, nuk ishte vetëm veprimtaria kriminale e Serbisë, ajo kishte gjetur mbështetjen e deputetëve rus e të tjerë, edhe të ndonjë deputeti shqiptar, në këtë Këshill të Evropës, për ta vënë Kosovën dhe lirinë e saj para sprovës së madhe të së vërtetës historike.
Autori, pasi ka sjellë një varg argumentesh për ta rrëzuar propagandën serbe, që bëhej kudo, në ish-Jugosllavi dhe kudo në Evropë, ku kishte miq e mbështetës, citon edhe deklaratën e William Walker, pasi kishte parë kufomat e të vrarëve shqiptarë. “Nuk jam jurist, por, sipas meje, këtu ka ndodhur një krim kundër njerëzimit. Kam kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë t’i dërgojë ekspertët e vet brenda 24 orëve, me ose pa viza, dhe e këshilloj qeverinë serbe t’i lejojë të hyjnë në territorin jugosllav” (Mashtrimi i madh, fq.83).
Mashtrimi i madh i Bardhyl Mahmutit, një studim i mirëfilltë, jo vetëm për qëndrimin shekullor të Evropës ndaj çështjes shqiptare, por dhe për krijimin e rrethanave, që Serbia të trajtohet si viktimë, kurse Lufta e UÇK-së, si ndërmarrje e përbashkët kriminale, siç e ka përkufizuar Gjykata Evropiane e Hagës, ku gjykohet një luftë çlirimtare, që shqiptarët e bëjnë pas thuajse njëqind vjetësh. Si mund të shpjegohet ndryshe ky qëndrim i Evropës, përveç si mundësi e shekullit të kaluar, kur janë përgjakur dhe copëtuar tokat e shqiptarëve dhe u janë dhënë fqinjëve tanë pushtues.

Ngjarje që tronditin ndërgjegjen e njerëzimit

Në veprën studimore shkencore të publicistit dhe studiuesit Bardhyl Mahmuti, Mashtrimi i madh, janë analizuar, janë shqyrtuar, janë shkoqitur me fakte, si dhe janë bërë publike, pothuajse gjithçka që ka qenë temë e propagandës serbe, duke filluar nga krematori i gëlqerores në Kleçkë, me tërësinë e aparaturës së propagandës së pushtetit okupues, për të bindur, në radhë të parë serbët, pastaj aleatët e Serbisë dhe në fund të gjithë ata që kishte mundësi t’i korruptonte, ose t’i bënte argatë.
Pas këtij krematori, autori është marrë me rastin e vrasjes së të rinjve serbë në Pejë, në kafenenë Panda, jo vetëm të fajësoheshin, por edhe të viktimizoheshin shqiptarët, edhe ata që nuk ishin për luftë çlirimtare, si dhe, të shtrihej urrejtja kundër shqiptarëve, kudo që arrinte kjo propagandë serbe. Dihet se kishte arritur deri në Hagë te Carla del Ponte, kishte arritur edhe në Këshillin e Evropës te deputeti Dick Marty, kishte arritur kudo ku ishte e pranishme Rusia me gjithë ndikimin e saj, por mbi të gjitha kishte arritur ta kontaminonte tërë opinionin serb të kohës, kurse vrasja ishte kryer nga vete serbët.
Profesor Bardhyl Mahmuti, është marrë edhe me grupe të infiltruara, si “bombashët e UÇK-së”, ka trajtuar edhe rastet e atyre që janë paguar për të folur si ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri edhe për mospranimin e Masakrës së Raçakut, gjë që as sot e kësaj dite, Beogradi zyrtar nuk e pranon, siç nuk e pranojnë as gjykata të caktuara evropiane.
Nisma dhe fillesa e temës bosht të studimit të Bardhyl Mahmutit, Mashtrimi i madh, është shqyrtimi dhe analizimi i raportit të Dick Marty-t, dëmi që i ka shkaktuar të drejtës për luftë çlirimtare dhe për liri të popujve të robëruar, si dhe efekti që ka pasur në drejtësinë evropiane, duke këmbëngulur që të krijohej një gjykatë një etnike, siç është tashti Gjykata Speciale e Hagës, që ndjek, gjykon dhe dënon vetëm shqiptarët.
Përballja me raportin e Dick Marty-t, do të thotë përballja me Vendimin e Këshillit të Evropës, që e ka bërë program të punës së tij, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë deri tashti që nga Lufta e Dytë Botërore, në studimin e Bardhyl Mahmutit, argumentohet me një numër burimesh, të dhënash, studimesh, me shumicë në gjuhë të huaja dhe ato serbe, kurse më pak shqiptare, vetëm që të shmangej keqkuptimi i mundshëm lidhur me shfrytëzimin e burimeve shqiptare, qoftë edhe në raport me mendësinë serbe, që paragjykon çdo gjë shqiptare, si pjellë e urrejtjes shekullore.

Përballje argumentuese e rrallë në publicistikën shqiptare

Për të hetuar gjithë rrugëtimin e propagandës serbe, përmasën e ndikimit të saj, të ndihmuar edhe nga diplomacia ruse, por edhe nga disa vende evropiane, autori shpalon me durim dhe me fakte gjithë propagandën serbe, sidomos atë kundër Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë mënyrë, kjo propagandë shtetërore ia vinte përpara popullit serb gjithë kriminalitetin e një ushtrie terroriste, e cila, sipas tyre, luftonte për çlirimin e një pjese të tokave shqiptare, që historiografia fashiste serbe i njihte si toka të saj.
Prandaj, jo rastësisht, në Librin e bardhë serb, të cilin e analizon autori i studimit Mashtrimi i madh, janë trajtuar disa aspekte nga veprat më kriminale të UÇK-së, duke filluar nga përkatësia e saj marksiste-leniniste, nga ngarkesa me fundamentalizmin islamik, me përdorimin e krimit të organizuar, gjë që njihej, andaj, edhe si mafia shqiptare, pastaj kush ishte kumbara i kësaj mafie shqiptare, gjë që i kishte dhënë dorë Carla Del Pontes që të akuzojë pjesëtarët e UÇK-së, si kriminelë të heqjes së organeve njerëzore. Kurse, burimet e saj ishin disa gazetarë të besueshëm, të cilët as asaj nuk i kishin dhënë emra konkret. Por, ajo si prokurore kryesore që ishte, u mjaftua që këta gazetarë ishin të besueshëm dhe urdhëron hapjen e hetimeve, për të ndriçuar këtë veprimtari kriminele që kishin bërë ushtarët e UÇK-së.
Madje, edhe vetë Prokurorja e Përgjithshme që urdhëroi hetimet shkruan se është mbështetur në “burime, të cilat gazetarët i identifikojnë vetëm si shqiptarë të Kosovës” dhe në bazë të të cilave dyshohej se “disa nga të burgosurit më të rinj dhe më të shëndetshëm, ishin ushqyer mirë, ishin kontrolluar rregullisht nga mjeku dhe pastaj ishin transferuar në qendra të tjera arresti, në qytetin Burrel dhe rrethinën e tij dhe ishin grumbulluar në një barakë, pas një shtëpie të verdhë, një dhomë e së cilës ishte shndërruar në klinikë kirurgjike të improvizuar ku u janë nxjerrë organet. Pastaj këto organe ishin përcjellë në mënyrë të fshehtë drejt aeroportit të Rinasit afër Tiranës, prej nga u ishin dërguar klinikave jashtë vendit për t’iu transplantuar pacientëve të pasur që kishin paguar për këtë shërbim…” (Mashtrimi i madh, fq.452). Nëse një prokurore shkruan kështu, kurse në anën tjetër, shqiptarët e mbajnë mend se ajo ishte kryeprokurore e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, atëherë njeriu vërtet e ka vështirë të besoj në një drejtësi të tillë, e ka vështirë ta marrë me mend se kjo ndodh në Evropën e shekullit XXI, siç e ka të pamundur të bindet se drejtësia evropiane është e paanshme.
Përballje të këtillë, të argumentuar nga aq shumë burime informacioni, në të njëjtën kohë shumë të rrallë në publicistikën shqiptare, ka përdorur autori Bardhyl Mahmuti, jo vetëm për ta kundërshtuar me fakte raportin e Dick Marty-t, jo vetëm për t’ia parë për të madhe Këshillit të Evropës që e bën Program të veprimtarisë së tij kundër Luftës çlirimtare të popullit shqiptar, por për të shembur për tokë gjithë propagandën ruse-serbe, si dhe të qarqeve të caktuara evropiane kundër luftës për lirinë e shqiptarëve.

Dick Marty si dorë e zgjatur e Serbisë

Autori i studimit Mashtrimi i madh, Profesori i nderuar, Bardhyl Mahmuti, me aq shumë argumente dëshmon burimin serb të raportit të Dick Marty, duke ndjekur fillesën e gjithë kësaj propaganda që nga Carla Del Ponte, që nga eurodeputeti rus i Asamblesë së Këshillit të Evropës, Konstantin Kosachev, i cili kishte dorëzuar projekt-rezolutën në këtë Këshill e deri të aprovimi që i bën Këshilli i Evropës, që të fillohen hetimet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Do të thotë, është një vijë historike kundër shqiptarëve dhe lirisë së tyre, shumë e vjetër historikisht, siç është ajo ruso-serbe, me aq shumë qendra mbështetëse edhe në Evropën e sotme. Përndryshe, cili do të ishte kuptimi i rezolutës së këtillë, cili do të ishte angazhimi kaq i madh i qendrave të caktuara evropiane, për ta njollosur një luftë çlirimtare, në fund të fundit, çka ka diçka ndryshe nga Evropa e 1913-tës, apo Evropa e 1920-tës, kur janë copëtuar tokat shqiptare dhe u janë dhënë fqinjëve tanë. Autori nuk është marrë me përkufizime të këtilla, sado që ato dalin shkoqur, por ai ka sjellë argumentet, faktet, burimet, të cilat edhe kur i analizon autori, dalin në përfundime të këtilla. Prandaj, nuk është gjë gand dhe e rastit, që ai deklaron, para këtyre organeve më të larta evropiane, se “shqiptarët e Kosovës nuk janë popull të cilit i takon e drejta për vetëvendosje, por, “shqipfolës” që kishin shpallur “pavarësinë në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare” (Mashtrimi i madh, fq.459).
Dick Marty, pasi konstaton se njësitë e UÇK-së, edhe në nivel të zonave operative, kod të vendimeve e kishin besnikërinë sipas Kanunit, pa u lodhur aspak për paragjykimet, ai edhe shokët e tij, siç thotë vetë në raportin e tij, kishin “konstatuar se njësitë kryesore të UÇK-së dhe komandat e zonave të tyre operative përkatëse, ishin pothuajse një kopje e strukturave që kontrollonin disa forma krimi të organizuar në territoret ku vepronte UÇK-ja.” (Mashtrimi i madh, fq.460).
Në raste të caktuara, kur e sheh se teprohet duke paragjykuar të gjithë, ai e shfajëson Evropën për ndërhyrjen e saj, por nuk e lë anash pa e përmendur se kjo i kishte mundësuar UÇK-së të bëhej aleati tokësor i NATO-s gjë që “duke parapëlqyer që goditjet në caqe t`i bënin nga ajri. Kështu, UÇK-ja ishte bërë aleat i tyre i domosdoshëm për operacionet tokësore. Për këtë arsye, aktorët ndërkombëtarë kanë zgjedhur t’i mbyllin sytë për krimet e luftës që ka bërë kjo e fundit.”(Mashtrimi i madh, fq.462).
Bardhyl Mahmuti, në studimin e tij Mashtrimi i madh, çjerrë maskën e gënjeshtrës serbe, duke konstatuar, përveç të tjera, se pjesa më e madhe e paragrafëve të raportit të Dick Marty-t, janë marrë nga “Libri i bardhë”, serb, i botuar dhe ribotuar në disa variante dhe në shumë gjuhë të botës, si dhe të shpërndarë kudo ku kishin qendra të diplomacisë dhe të agjencive të tyre.
Duke lexuar këtë vepër të Bardhyl Mahmutit, lexuesi gjendet para dilemës, se a është e vërtetë që disa vende të Evropës e kanë ndihmuar Luftën e UÇK-së, edhe duke bombarduar caqet ushtarake serbe në Serbi dhe në Kosovë? Po ashtu, a është e vërtetë se po këto qendra të Evropës, tashti paguajnë shuma të mëdha për ta mbajtur një Gjykatë speciale, për të dënuar krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sa mund të shihet, qoftë edhe nga miratimi i raportit të Dick Marty në Këshillin e Evropës, është vështirë të bindet njeriu se aty bëhet fjalë për drejtësinë.

Përfundim

Studimi më argumentues kundër propagandës ruso-serbe, Mashtrimi i madh, i autorit Bardhyl Mahmuti, është dëshmia më e plotë se në cilat kushte është zhvilluar Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglia, vendosën ta luftojnë gjenocidin që i bëhej popullit shqiptar.
Po, ashtu, del qartë gjithë kaluari i shpalljes së shtetit të Kosovës, përkundër mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ngase siç dihet kaherë në histori, pushtuesi asnjëherë nuk pajtohet me territoret që humb, ngase populli i atyre territoreve, pra i atyre tokave, nuk i intereson fare.
Më tutje, studimi i Bardhyl Mahmutit, dëshmon katërçipërisht pastërtinë e luftës së UÇK-së, në të gjitha nivelet e saj, si organizim popullor, pa shtet dhe pa pushtet, gjë që ka ndodhur rrallë në historinë e popujve të tjerë. Ky organizim i një lufte të këtillë, të cilën edhe qendrat kryesore të botës e kanë pranuar si luftë çlirimtare, ishte pjellë e krijimit paraprak të bërthamës kombëtare nga grupet guerile, të bashkuara në LPK, e cila është identifikuar me emrin e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.
Duke u marrë me të gjitha skenat dhe prapaskenat e raportit të Dick Marty-t, autori ka zbuluar tërësinë e kundërshtimit që i bëhet luftës për liri të një populli, të cilin historikisht e kishin copëtuar po këto qendra të vendosjes evropiane, pa marrë parasysh a përmendet Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 1913, apo Konferenca e Paqes në Paris, më 1920.
Faktet, argumentet, burimet e informacionit që sjellë autori, janë jo vetëm bindëse, por edhe të habitshme, për durimin e studiuesit, për plotësinë e trajtimit të luftës së UÇK-së dhe propagandës kundër saj, jo vetëm propagandës serbe. Mirëpo, kur lexuesi shikon listën e gjatë të atyre që u falënderohet autori, qoftë për ndihmën e dhënë, qoftë për mbështetjen, qoftë për sugjerimet, atëherë qartësohet edhe vlera themelore e studimit të autorit Bardhyl Mahmuti.
Krejt në fund, nuk mund të lë pa zënë në gojë nderimin e fismë që Bardhyl Mahmuti i bën UÇK-së, pjesë e së cilës ishte, të gjithë shqiptarëve që marrin frymë tamam shqip dhe atdheut, me dinjitet, me kurajo, me shkencë dhe me guxim jo vetëm intelektual.
Autorja është profesoreshë universiteti dhe ish e burgosur politike.
Prishtinë, dhjetor 2022

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here