Parlamenti Evropian miraton vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Marre nga Zeri i Amerikes

Pa një votim formal dhe pa asnjë kundërshtim, Parlamenti Evropian miratoi të martën vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [Evropian) dhe asnjë amendament. Prandaj, qëndrimi i Këshillit është miratuar dhe akti i propozuar është miratuar”, tha kryetarja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.
Me 9 mars, ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian miratuan vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës
Të mërkurën do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave dhe pas botimit të vendimit në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian, vendimi hyn në fuqi.
Raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten, tha se “kjo më në fund u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lehtësisht, të vizitojnë të afërmit dhe të bëjnë biznes në BE. Por është më shumë se kaq: ky moment historik është gjithashtu një themel i rëndësishëm për të ardhmen dhe bashkëpunimin gjithnjë e më të ngushtë ndërmjet BE-së dhe Kosovës”, tha ai.
Zbatimi i vendimit për liberalizimin do të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2024.
Kjo çështje ka qenë e lidhur me sistemin ETIAS në të cilin qytetarët e huaj, të cilët udhëtojnë pa viza në territorin e Bashkimit Evropian duhet t’i regjistrojnë të dhënat e tyre para udhëtimit.
Regjimi mundëson udhëtime pa viza deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi se vendimi i sotëm është fitore, “jo vetëm për vendin tonë, por për vetë demokracinë dhe unitetin në Evropë. Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, shkroi mes tjerash ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi lajm të mirë për Kosovën vendimin e Parlamentit Evropian.
Në vitin 2012 Komisioni Evropian i dha Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe më 2018 rekomandoi përfshirjen e saj në regjimin e udhëtimit pa viza.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë në territorin e Bashkimit Evropian.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here