BARDH SPAHIA INVESTON KULTURË. Profil nga Xhevair Lleshi (shkrimtar, botues)

Shkodër. Një mbretëri më vete… Po të mos kisha qenë për ditë të tëra në Shkodër s’do të kisha mundur të shkruaja këtë profil për Bardh Spahinë. Dhe pse jo edhe një ese, apo reportazh? Përgjigjja është e thjeshtë: u futëm ‘në të thella’ për shkak të gjëmës që i ka rënë në kokë të keqes. Po pse po i shihja edhe të tjerët, gjithnjë me pamjen indiferente po edhe krenare mbi hapësirën e gjerë të Shkodrës, duke zotëruar një mahnitje që e përfytyroja kurdoherë si mendim të paarrirë. Këtë mundësi ta krijon vetëm një hapësirë si Shkodra, si kjo ku jam buzë liqenit, në Theth dhe në grykëderdhje të Bunës! Shkodra mes ujërave është e emocionuar, teksa e sheh mes maleve të gjitha moshat dhe interesat, nganjëherë të thotë mendja se ajo vetë është ngurtësuar në mermer, madje i përfytyron me trupa të lartë e të drejtë krejt sa janë, shoqëruar me pamjen e qeshur (do të ishte ideal një përfytyrim i tillë muzeal për çdo qytet, sidomos në prag zgjedhjesh, por kjo Shkodër nuk është një muze më vete!), prandaj bindesh se qenka më frymëzuese të shkosh drejt të panjohurës, të paktën për të mos iu larguar ëndërrimit tënd për njeriun, qytetarin, për malet e mbetur ende jetimë, për liqenin si pasuri e madhe qytetare dhe kombëtare, për Bunën që është e gjithkujt dhe e askujt, për Kirin – lumin e dashurisë, për fushën mbuluar me mjegull të kaltëreme, për dritën blu të maleve apo për mendimet që të vërshojnë si Drini në kokë…
Megjithatë, të shumtat e bisedave me Shkodrën i kemi bërë tek Ura e re e Bunës, në Shirokë, në Cukal apo në Qafë Tërthore drejt horizonte të pakapshëm në Radohinë apo Jezercë, e cila është të veshura me borë, përshkuar nga vizitorë të fortë apo si shtojzovalle, shkruar si mendim i kulluar nga Edith Durham, gjithë kulturë, në një çrregullim aestetik tërë zbukurimore prej lashtësisë, çka ta bën vetvetiu të afërt gjithçka. Aty edhe mund të habitesh me njohuritë e Shkodrës për letërsinë, e cila sikur e bën më të afërt me dëshirën dhe ëndërrimin e gdhendur në fytyrë e portret, reflektuar bukur nga Bardh Spahia, dhe të gjitha këto e veshin me një lloj novatorizmi që duket i pranishëm me ty, me një poetikë të ndritshme…
Këtu në Shkodër, nuk e di sesi, mendova se ç’nder i bën kombit, historisë dhe gjuhës shqipe ai që investon kulturë! Një librari të madhe, të imponon tjetër kulturë, i jep personalitet kulturës kombëtare, një bibliotekë evropiane për fëmijë, lundrimi vajtje ardhe nga Ura e Bunës në Adë, grykëderdhje të Bunës, aty ku do ngrihet ura e madhe e Bunës, një perlë që do ta bëjë Shkodrën perlë të Mesdheut, pasi mundohet t’i dhurojë frymë kësaj pjese të qenësishme të jetës tërë kompetencë e klas, për gjithë zbulimet e bëra (se me Shkodrën zbulon gjithnjë botë të reja!) dhe me guximin që t’i përplaset padyshim si gjëra krejt të veçanta, me një novatorizëm e humor të jashtëzakonshëm, në radhë të parë sepse kjo gjë bie në sy. Disa edhe nuk arrijnë ta kuptojnë këtë përplasje kokëforte të kulturës, por harrojnë se, të zotëroje universin e një njeriu të ditur e të kulturuar si Bardh Spahia, kandidati për kryetar bashkie në këtë qytet dhe pastaj të shkelje në shtigjet e udhëzuara prej të parëve, do të ishe me vite dritë larg të tjerëve. Shtoju këtyre edhe një foto të Marubit, Migjenit…, po edhe të Tano Banushit – një nga korifenjtë e humorit shqiptar – gjaku të buron me shkulma, sepse të vjen mirë dhe kjo do krijonte një arkipelag dijeje të rregulluar me magji e dashuri. Në këto kushte jemi sot, them, duke biseduar me Bardh Spahinë, gjithnjë i shoqëruar me hijen e një gjetjeje fantastike, duke krijuar tjetër atmosferë në liqen, në Alpe, në Bunë, Kir e kudo. Se ç’kishin bërë të tjerët deri më sot? Kishin përhapur dije e kulturë për mbarë vendin, kishin qëmtuar prej librave edhe gjërat më të imta (dhe kjo ishte lufta që bënin në frontin e tyre, ishte detyra e ngarkuar!), kurse te Buna e gjithbotshme, e cila gëlon nga zërat e vjetër (po edhe të rinj) që e nxitnin të personalizuar me plot durim të skajshëm duke i dhënë magjishëm një frymë të re dhe me ndjenjë e elegancë të përsosur. Rrallë, shumë rrallë qëllon të jetë kështu. Dhe Shkodra kurdoherë e ka merituar këtë…
Ndërkohë ujërat (Liqen, Drin, Bunë) i trazon zilia e maleve, e Alpeve që rrezatojnë madhështi. Këtë e pranon edhe Bardh Spahia, i cili është në gjendje të hapë një front ‘lufte’ të papërballueshëm, pasi zotëron shumë intuitë, të cilën njeriu o e ka, o s’e ka. Dhe atëherë përbiron me aftësinë e shenjtëruar në përballjen gjigante me autenticitetin, me gjërat e mëdha (se ai është i prerë për t’i bërë ato), duke hyrë në ‘luftë’ dhe duke dalë prej saj edhe më i fortë, i prerë në të gjitha gjërat që kumton. Talent, ja ç’është! Edhe kur e mendojnë që do të “mbytej” në punët e mëdha të projekteve për qytetin e tij fantastik, mes Alpeve dhe ujërave, po edhe me humorin, kishat, xhamitë, teatrin, shkollat dhe gjithçka tjetër që rrezaton kulturë, edhe kur e ngrenë në qiell, talenti gjithnjë ka një parzmore tjetër përpos asaj që duket, jo thjesht për t’u mbrojtur, as për t’u dukur, por që tek Bardh Spahia vjen si një shqisë plus. Epo këtë mund ta kërkosh sa të duash me qiri, por nuk e gjen dot kurrë! Ai është aq i thjeshtë, saqë të shoqëron në çdo hap, por ja që ti (natyrisht vetëm ti) nuk e sheh dot se të mungon pikërisht kjo shqisë. Bardhin e shoqëron ajo gjë që i thadron kuptim veprës së tij, pasi kurdoherë e mat veten me punën vitale dhe plot hijeshi të qytetit, në një hapësirë të madhe dhe kaq elegante, që është (ashtu ka për të qenë gjithnjë), një vrapim i largësive të mëdha. Ç’fat po edhe ç’punë i duhet, që personalitetin e tij t’ia japë krejt Shkodrës!
Kureshtje, polemika, debate, në universitet, në shkolla, në bizneset, po edhe në libraritë dhe bibliotekat e munguara, të cilat ende (shumica) flenë nën dhé. Dhe çfarë gjumi! E pse jo? A nuk duhet që një vend kaq i vogël si ky yni, të mendojë ditë e natë për vazhdimësinë? Po atëherë, në një mënyrë cinike të bësh gjumin e madh dhe t’i mbyllësh sytë përpara dy fakteve jo të zakonshme: trashëgimia kulturore që vjen nga lashtësia (arkeologjia, folklori, etnografia…) dhe gjuha shqipe, letërsia shqipe, shkrimtarët shqiptarë, përkthyesit e mëdhenj të fjalës shqipe, që kryesisht janë bij të Shkodrës loce. A nuk e shihni se kjo gjuhë bashkë me institucionet e trashëqimisë apo edhe të librit po vdesin? Gjuha shqipe, sepse kështu si po ndodh, largimet masive të bashkëpatriotëve tanë, të fëmijëve tanë!, me fondet e pa krijuara dhe as të imagjinuara të përhapjes dhe të mësimit të saj, kudo në botë ku ka shqiptarë, si një dorë e ngrohtë e qeverive tona në ndihmë të përsosjes së të qenit njeri dhe shqiptar, përhapjes masive të bibliotekave të kudondodhura, po edhe të pranisë së trashëgimisë së gjetur kudo, po lëngon rëndë. Dhe Bardhi e shikon se edhe Shkodra vuan nga këto sëmundje, por sidoqoftë ka optimizëm. Se kush zotëron intuitë, shoqërohet me optimizëm. Patjetër. Sa mirë do të qe! Shkollat i kemi dhe ato i përkasin komunitetit ku janë, por kërkesa për të pasur në to gjithçka shqiptare, është e detyrueshme, krahas me paketën e mbrojtjes së gjuhës shqipe, të librave shqip kudo në botë, në çdo familje shqiptare… Mos i quaj kurrë të tepërta këto!, thotë Bardh Spahia. E para dhe e fundit është Shkodra dhe një bibliotekë që nuk humbet kurrë në të, nuk humbet kurrë sidomos kur është në një shkollë. Pra, ideja ime është, shton Bardhi: shkolla shqipe e ka të detyrueshme të ketë muzeun, bibliotekën fizike dhe atë elektronike, duke i qasur në një trung zhvillimor. Ndërkaq ai të thotë se karakteri yt duhet të bëhet një me atë që krijon. Se në këtë mënyrë i jep shumë fisnikëri kombit tënd, i jep dritë asaj që bën. Në këtë realitet hedh sytë me guxim drejt të ardhmes, vënies në punë të teknologjisë së lartë, qoftë edhe vetëm të telefonit. Po edhe në grupet mediatike, në portale, televizione…
Bardh Spahia e sheh kulturën, mbështetur në trashëgiminë e saj ekspresive, të gjallë dhe mjaft aktive, si një problematikë që ndjell shumë kureshtarë. Prandaj, duke qenë në zgrip është mirë të kapemi pas ndonjë rrënje apo guri dhe të gjejmë fondet e duhura nëpërmjet parave që shteti duhet t’i kursejë po edhe t’i planifikojë në dobi të turizmit, kulturës, natyrës sonë të jashtëzakonshme, veprave të reja, në gjithçka që zotërojmë. Kjo është domosdoshmëri ekzistence, prani kulture dhe rrezatim kombëtar. E kemi ende gjallë, ta duam sa të kemi dëshirë, me dhe pa ligj sponsorizimi, edhe sikur në përrallë ta kthesh, ajo është e destinuar të jetojë! Lum kush ka sy dhe e sheh. Dhe pastaj të mos themi “të rruat shteti, pavarësia”, po
edhe çfarëdo tjetër si fasadë, por ama pjesën tënde e më të qenësishme është e kotë ta zësh
ngoje kur nuk e ke më! Ndryshe, detyrimisht, brezat që vijnë do t’na mallkojnë!…
Po si mund të arrihet e gjithë kjo ngrehinë?, pyet Bardh Spahia. Thjesht, duke u kujdesur. S’ka nevojë të ngresh monumente të reja, ruaji të vjetrat dhe ato sajojnë të rejat me fytyrën e tyre, me statujat, veglat e punës, veshmbathjen, bibliotekat, ekspozitat, historinë që nuk vdes kurrë. Ne nuk e kishim dhe u arrit të jetë e pranishme! Fitore e pallogaritshme. Tani që e patëm edhe ende e kemi (ndonëse në zgrip të madh) nuk dimë si të bëjmë me të! Nuk dimë sepse në plan të parë kemi vënë pasurimin tonë, korrupsionin. Fundja Shkodra që kemi para syve nuk do të flejë më nën strukturat burokratike të qeverive qendrore, por do të zgjohet dhe
me shkolla, veprimtari kulturore, punë dhe angazhim, me shkodranë të shkolluar edhe sot e kësaj dite në Perëndim nuk kanë pse të lajnë enët andej-këtej, por të tregojnë se janë tanët dhe se nën dhé tek ne flitet shqip, të paktën të çojnë më tej atë që bëmë ne deri tani. Se shembullin negativ e kemi gjallë: Veprën e madhe të rilindësve të vërtetë e groposën para syve tanë të rinjtë me të njëjtin emër!
Nuk ka nevojë të shpallim mite sot për punën dhe angazhimin tonë, për gjithçka kanë nevojë njerëzit, qoftë edhe pa e zënë ngoje këtë, se, thjesht, po s’pati shqiptarë në këto troje, vendi do kthehet se s’bën në monument kulture “të mbrojtur nga shteti”! Le të themi pastaj, sa të duam e ç’të duam, është gjë pa vlerë – edhe duke e kërkuar nën dhé – prapë ka për të qenë punë boshe. Kurse, ndërkohë, të gjitha shumëzohen me zero! Prandaj e dua këtë skaj të botës shqiptare, Shkodrën, sikur edhe vetëm Bibliotekën e Re Evropiane për Fëmijë në Shkodër, ende të ngritur në përfytyrimin tonë! Fundja, a nuk duhet të ëndërrojmë?…
Megjithatë do të ishte bukur sikur të ngacmoheshin nga pak këto mite. Do të ndienim aromën e vjetër, një amë krejt e veçantë që ta sjell edhe më pranë atë që do. E të gjitha këto që them duan mençuri dhe kjo le të jetë edhe intuitë, paramendim, shkathtësi… E shoh me ngulm dhe votuesi plot personalitet i përkëdhel. Edhe përkëdhelia e librave është e bukur. Dhe kjo padyshim ngjan me fjalën…
Ja, pse s’i vete mendja askujt që ta ringrejë jetën ekonomike! Çdo burokrat këtë e quan një përrallë nga e kaluara. Sepse nuk është aq e lehtë të hysh në botën e zhvillimit. Nëpërmjet kësaj pune energjike, tek e fundit, njohim zhvillim, kulturë, intimitet, art, dashuri. Kështu, duke bartur brenda vetes frymën e lartë të kulturës, jashtë botës sonë të zakonshme, duke e kthyer çdo libër të lexuar, në karakter, personalitet… Pikërisht kjo të jep kurajë për të qëndruar fort si legjendë e së nesërmes, ndërsa hyn dhe, pasi përshëndet, ligjëron me madhështinë e dijes, ashtu siç ndodh rëndom, pa ndierë fare krenari. E duam Bardh Spahinë, thonë për të, për respektin ndaj njeriut, për qytetarinë e tij dhe përfaqësimin dinjitoz, për lehtësimin e punës së bizneseve, uljen e taksave dhe tarifave, për shërbime sa më të kompletuara… Pastaj e ledhatojnë me sy, e pëlqejnë. Se Shkodra është sfidante pa dashje, por ama rrezaton energji pozitive për të gjithë vendin…
Ndryshe nga të tjerët, Bardh Spahia, është kudo me qytetarët. Me ta është buzëqeshja e tij duke i dhënë dritë njerëzve, përtej asaj maske ku ndihet një ndjenjë humane, e lirë, e gdhendur, i dhënë, i dëshiruar, pse jo edhe për një grimë pritës i një urimi. Aventurë? Po edhe aventurë! E do këtë Shkodra. “Kemi ende shumë gjëra pa bërë. Të gjitha i kam nisur por nuk e di… Ah! Por nuk mëdyshem. Sepse dua të kundërshtoj fort. Edhe një herë bashkë me Shkodrën në fitore, se ka jo pak gjëra për t’i shkuar mu në dyert e të pamundurës, që të shpien tek synimi i fshehtë…” Po edhe Shkodra vetë aludon. Qoftë ky edhe një aludim tronditës, i frikshëm, ngazëllues! Por ama është. Të gjithë pastaj presin ç’do të ndodhë. Dhe Bardh Spahia nuk sprapset. Ecni pranë tij që ta shihni!
Dhe pyesim veten me një lloj naiviteti: ç’gjejmë te Shkodra krejt e veçantë? Mos vallë, përmasën e pafundme e të rrezikshme të personalitetit? Se nuk bëhen thagma me personalitetin e qytetarit! Mirëpo këto harrohen shpejt. Dhe pastaj… E çfarë pastaj? Mos duhen investime shtetërore? Mos duhet edhe një banesë aty rrotull për të shpëtuar veprën e madhe me emrin Shkodër? Mu për këtë, Shkodrën e madhe dhe moderne e shigjetojnë, por Bardh Spahia e ka vendosur që gjithçka të bukur ta ketë libri i mahnitshëm i shkruar për Shkodrën…
Tiranë, më 28 mars 2023

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here