Zeri i Amerikes: Shqipëri, fitore e thellë e socialistëve, opozita vetëm 6 bashki
________________________________________
Në Shqipëri, Partia Socialiste po shkon drejt një fitore shumë të thellë në të gjithë vendin. Ndonëse numërimi nuk ka përfunduar ende në 23 bashki të vendit, socialistët duket se kanë marrë kontrollin e 54 qyteteve, kundrejt vetëm 6 të fituara nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i përbërë nga demokratët e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, Partia e Lirisë e zotit Meta, dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Demokristianët.
Ky koalicion ka fituar në Has, Mirditë, Pukë, Fushë-Arrëz, në Memaliaj si dhe në Himarë. Kjo e fundit u kthye në një pikë të nxehtë, pas arrestimit të kandidatit opozitar Fredi Beleri, nën akuzat e shitblerjes së votës. Zoti Beleri, rezultoi fitues në dy kutitë e fundit, me një diferencë prej vetëm 19 votash.
Një goditje e madhe për opozitën është qyteti i Shkodrës, bastion i saj historik, ku kandidati socialist Benet Beci, kryeson me 11 mijë vota kur kanë mbetur dhe pak kuti për t’u numëruar.
Socialistët kanë shtrirë influencën e tyre dhe në shumë zona të tjera të vendit, që po ashtu kanë qenë kontrolluar kryesisht nga e djathta.
E vetmja bashki, që nuk është fituar as nga e majta dhe as e djathta është ajo e Finiqit, ku socialistët nuk kanë konkurruar duke i lënë fushë të lirë përfaqësuesit të Partisë Mega, e cila mbështet kryesisht nga minoriteti grek.
Megjithatë, fitorja e pritshme e MEGA-s, i detyrohet më shumë përplasjes mes dy kandidatëve të djathtë, të “Bashkë Fitojmë” dhe Partisë Demokratike, të cilët, së bashku kapin afro 62 përqind të votave. Ndarja në kampin opozitar ka ndikuar dhe në rezultatin në Kuçovë apo dhe Mallakastër.
Në Tiranë, kryetari aktual i Bashkisë, Erion Veliaj, ka thelluar progresivisht diferencën me kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi. Kur janë numëruar më shumë se 70 përqind e kutive, zoti Veliaj kryeson me mbi 40 mijë vota.
Kandidati i “Lëvizja Bashkë”, një formacion politik, i rregjistruar pak para zgjedhjeve, Arlind Qorri, ka mundur të ruajë një avantazh prej qindra votash ndaj Roland Bejkos, kandidati i Partisë Demokratike, grupimit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Në Durrës, një qytet ku parashikohej garë e ngushtë, kandidatja socialiste Emiriana Sako udhëheq me më shumë se 55 përqind, ose me një diferencë prej më shumë se 7 mijë votash, ndaj kandidatit të opozitës Igli Cara, kur është numëruar gati 75 përqind e kutive.
Ndnëse kjo është nga disfatat më të rënda të opozitës, ish kryeministri Sali Berisha foli sot për atë që e cilësoi “një farës elektorale. Industria e tmerrshme e blerjes së votës. Vota e krimit dhe e oligarkisë, dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë”, deklaroi ai në një dalje publike, ku si rrallë herë ai nuk pranoi pyetje nga ana e gazetarëve.