Arrestohet Vangjush Dako, ish kryebashkiaku socialist i Durrësit

Nga Armand Mero
Zeri I Amerikes
________________________________________

Në Shqipëri, ish kryebashkiaku socialist i Durrësit, Vangjush Dako u arrestua të martën, me urdhër të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Avokati i tij Petrit Ismaili deklaroi se kishte qenë ai vetë që kishte njoftuar policinë për vendndodhjen e zotit Dako në Tiranë, pasi kishte mësuar për vendimin e Gjykatës.
Mësohet se përveç ish kryebashkiakut, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin dhe të 4 zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të Bashkisë së Durrësit, përfshirë ish Drejtorin e Urbanistikës, Adhurim Qehajaj, dhe Drejtorin aktual të Projekteve dhe Infrastrukturës Publike, Adnand Toçila, si dhe pronarin e një kompanie ndërtimi, Fiqiri Faruku dhe inxhinjeren e kompanisë. Ndërsa është kërkuar arrest në shtëpi për tre ish punonjëse të Bashkisë së Durrësit. Deri në mbrëmje vonë mësohet se përveç zotit Dako ishin ekzekutuar urdhërat e arrestit dhe për Farkun dhe Toçilën.
Ndaj zotit Dako, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste. Bëhet fjalë për një pallat në qendër të Durrësit, i cili fillimisht ka patur një leje për 8 kate, por që ka përfunduar me 3 kate të tjera shtesë. Kanë qenë banorët e tij, që pas dëmtimeve të rënda që objekti pësoi nga tërmeti i viti 2019, paraqitën kallëzim në prokurori. Rasti i dytë, lidhet me një tender, për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar se ka një dëm ekonomik prej 18 milionë lekësh dhe një kallëzim të bërë para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 nga ish kryetari i Partisë Demokratike të Durrësit, Ferdinand Xhaferraj.
Avokati Ismaili, tha pas daljes nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ku kishte takuar zotin Dako se e konsideronte të paarsyeshëm arrestimin e tij.
“Prokuroria e posaçme nuk po mban dot ekulibër nën trysninë mediatike, të politikës, por dhe të ndërkombëtarëve dhe nën këtë trysni po merr masa për mendimin tim të nxituara. Në rastin konkret, as për faktin penal, as për pasojat e ardhura, as për kohën e kryerjes së veprës penale, as për mënyrën e ekzekutimit, as për qëndrimin e zotit Dako dhe bashkëpunimin me drejtësinë sa herë ka patur nevojë, gjykoj që nuk ka qenë fare e arsyeshme masa e arrestit me burg”, u shpreh avokati.
Dyshimet lidhen me një leje ndërtimi të dhënë në kohën kur zoti Dako drejtonte Bashkinë, për një pallat i cili është dëmtuar më pas nga tërmeti i vitit 2019 e po ashtu dhe për parregullsi për një tender.
Nga Prokuroria e Posaçme ende nuk ka të dhëna për hetimin që ajo ka zhvilluar dhe përgjegjësitë konkrete të personave për të cilët janë lëshuar urdhërat e arrestit.
Zoti Dako është një emër i njohur dhe një nga figurat që ka shërbyer në nivelet e larta të Partisë socialiste, duke qenë dhe anëtar i kryesisë së saj. Në vitin 2019 ai u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për të dhe familjen e tij pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor. Pavarësisht kësaj, kryeministri Edi Rama nuk ndërmori asnjë hap publik për t’u distancuar prej tij. Pak muaj pas vendimit të Departamentit të Shtetit, në emisionin Opinion në TV Klan ai deklaroi se Dako do të mbetej përherë miku i tij. “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër do jetë miku im”.
“Por me Vangjush Dakon nuk kam bërë kurrë, as më ka kërkuar as nuk i kam kërkuar, as nuk kemi bashkëpunuar as kemi kërkuar bashkëpunim të të tjerëve, asnjë shkelje të ligjeve të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi në atë kohë kryeministri Rama.
Ndërsa të martën në atë që tingëlloi si një reagim ndaj arrestimit të zotit Dako, duke folur gjatë një takimi të Partisë socialiste në Berat, zoti Rama tha se në luftën kundër korrupsionit “kemi hyrë në një fazë të re, kur për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Kjo nuk është e lehtë. Ka dhe gjëra që të bëjnë të ndjehesh jo mirë, qoftë sepse nuk ke si ndihesh mirë kur sheh dikë që deri dje ka qenë përkrah teje, është në krah të avokatit përballë prokurorit apo gjykatësit. Me siguri diçka ka ndodhur. Edhe kur e sheh se si mund të përdoret forca e pushtetit të drejtësisë për të bërë edhe gjëra që nuk shkojnë. Të gjitha janë pjesë e një procesi e një historie të re, dhe rruga është e përpjetë, jo dishezë në këtë drejtim. Kini parasysh që për herë të parë ndodh kjo. Për herë të parë në historinë e popullit tonë. E për këtë duhet të jemi ne krenarë për PS-në”, u shpreh ai.
Emri i zotit Dako u shfaq dhe në disa përgjime të realizuara nga Prokuroria lidhur me zgjedhjet parlamentare të viti 2017, ku anëtarët e një grupi kriminal, të vëllezërve Avduli u përfshinë në blerje votash në favor të Partisë Socialiste. Përgjimet treguan një marrëdhënie të shtrirë në kohë mes tyre dhe zotit Dako, i cili drejtoi Bashkinë e Durrësit nga viti 2007 deri në vitin 2019.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here