Konstandin Dhamo: BULEVARDI I SHTETIT, TREGIM

Në mbrëmjen e dymbëdhjetë shtatorit, i topitur siç isha nga ufma mbytëse, nuk po dija ç’të bëja, tek isha lëshuar në kolltuk ; ja, që s’desha as të lexoj e as të ndiqja ndonjë program në televizor.
Por ra sakaq zilja e telefonit !
– Alo, Sherifi, hë ? Atëherë dëgjomë : sapo vranë Azem Hajdarin, eh, po po ! Lajm i sigurt, për fat të keq, ashpërsisht i sigurt, më dëgjon ?
– Po ! I shkreti Azem, i mbijetoi disa atentateve rresht, por ja më në fund, s’ia hodhi dot, e vranë…
– S’ka ndoshta as pesë minuta që e qëlluan, e ku se, mu përpara selisë së partisë së vet ! Prit, kur ta japim lajmin me radhë gjithë televizionet dhe radiot, ik tani Sheri, shihemi nesër, sonte mos lëviz nga shtëpia…
E tmerrshme, aqsa duket e pabesueshme; atentat Azem Hajdarit, pionierit trim të demokracisë shqiptare, deputetit të Kuvendit të Republikës, kryetarit të Rendit dhe SHIK –ut, bashkëshortit, babait të dy fëmijëve të mitur…
Eh, ç’epitaf gjithë ndere !
Këmba – këmbës e ndoqi vdekja këtë njeri, gjersa e mori, e tmerrshme !
Zor se do të merret vesh saktësisht se kush e vrau këtë pararendës, por me gjasë njëherë për njëherë do të akuzohet ai politikan, i cili ka qenë në konflikt të vazhdueshëm me Azemin, për shkak të kritikave dhe akuzave të thikta që ai i hidhte, duke ia rrezikuar kësisoj karrierën politike…
Prit trazira të tjera tani, sepse sikur ndenjëm ca si gjatë rehat…
Të hënën, më katërmbëdhjetë shtator, shkova në Televizion që në mëngjes dhe, u befasova nga heshtja mpirëse që zotëronte kat më kat. Budallenjtë, shfryva me vete, pandehin se ceremonia e varrimit t’Azemit, e cila pritej të fillonte pas ndonjë ore, do të kalonte pa rrëmujë e pa protesta ! Apo shtireshin indiferentë të gjithë ?
U ula të pi kafen me kolegët e mi të Informacionit dhe menjëherë u ndërhyra :
– Ore, ju të lajmeve, muhabet për plazhet bëni ende ; na thoni ndonjë gjë të re për homazhet që kanë nisur të mbahen te holli i madh i Pallatit të Kulturës?
– Deri tani nuk dimë ç’të themi, por edhe ti, kape n’ajër dy llafe dhe e more me mend ç’po thoshim ! I kaluam për mrekulli pushimet këtë verë, tani s’e dimë ç’na prêt.
– Na kanë porositur të rrimë nëpër zyra, apo qoftë edhe në këtë kafenenë ku ulemi çdo mëngjes, mjaft që të mos largohemi nga institucioni, more vesh ?
– Ceremoninë e varrimit e ka marrë përsipër ta organizojë qeveria, apo…
– Ç’qeveri!? A nuk po e akuzon opozita në kor kryeministrin e vendit për vrasjen e Azem Hajdarit, as kaq gjë s’ditke ti ? Kryeministri na qenkësh ideatori i vrasjes së shekullit, siç po e cilëson tani opozita këtë akt, kryeministri dora vetë, për të hequr qafe një person që e kritikonte vazhdimisht qeverinë për korrupsion dhe, për paaftësi në vendosjen e rendit publik ; a s’e ofendonte Azemi vetë kryeministrin me fjalët më poshtëruese ? Atëherë…
– E kë falte Azemi, aman !
– Azemin e shkarkoi partia e tij veç, nga posti i kryetarit të komisionit parlamentar, e përjashtoi nga grupi parlamentar e madje, pa kujtohuni, u votua edhe në një seancë parlamentare për heqjen e imunitetit të tij, që e gëzonte si deputet, kështu ? Mirëpo, ndodhi ajo që nuk pritej, socialistët votuan unanimisht kundër propozimit radikal të demokratëve ndaj të pamposhturit të tyre, që kish nisuar t’i trembte të gjithë me karizmën e tij dhe simpatinë që kishte fituar në popull…
– Shkurt, ceremoninë e varrimit e ka marrë përsipër ta kryejë opozita ; asqë do të afrohet kush nga ata të qeverisë, ministra qofshin, apo edhe deputetë…
– Dale, t’ju tregoj ç’më tha në celular Sajmiri, ai pra, deputeti i opozitës që unë e kam mik : asnjë përfaqësues i qeverisë apo i grupit parlamentar të mazhorancës nuk është qasur deri tani në hollin, ku po mbahen homazhet…
– E qartë, kjo do të thotë se, edhe në varrim qeveria do të mungojë. Së paku shpalli një ditë zie kombëtare, nga tri të tilla që kërkoi opozita.
– Mbajeni mend që sot do të ketë trazira, zjarre, shpërthime granatash dhe shishesh Molotov, zaptime të ministrive, të kryeministrisë po se po, dhe, të Televizionit tonë të nderuar ! Përse nuk i thoni të gjitha këto, ndërkohë që i merrni lehtësisht me mend se çfarë na pret ?
– Duke i shprehur të duket sikur i ndjell vetë këto prapësi, megjithatë askush nuk e di me siguri se çfarë do të ndodhë ; të shohim…
– Po ti ku do të xhiroje sot ? – m’u drejtua mua njëri nga kolegët
– Në Bibliotekën Kombëtare, që siç e dini mirëfilli, ndodhet në krahun tjetër të kolonadës së Pallatit të Kulturës, pas së cilës po kryhen homazhet në hollin e madh. Do të promovohej një libër i ri me vjersha i DK, po kujt i bie ndër mend sot për të tilla delikatesa ; prandaj thashë, do të promovohej dhe, jo do të promovohet ; dreqi ta hajë sa s’më pëlqen termi promovim dhe prapë e përdor rëndom ! Sa keq më erdhi kur më njoftuan se ai takimi me poetin ishte shtyrë për një afat të papërcaktuar ende…
– Ik mbathja në shtëpi dhe, harroji vjershat, së paku për sot ; se ne këtu do të ngujohemi, ndonëse e kemi të qartë se s’do t’i duhemi kujt…
Kur dola në rrugë m’u bë sikur nga çasti në çast do të dëgjoja zhurmat kërcitëse dhe të njëpasnjëshme të përplasjes së disa makinave , me të cilat do të formohej një pirg piramidal ; e ç’gjë tjetër mund t’imagjinoja përderisa katrahurën po prisja të ndodhte ?
Mirëpo, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit ( pa monumente të dëshmorëve të kombit ) mbizotëronte një qetësi befasuese, aq e plotë sa të besoje se ajo ishte e lëndët…
Hodha sytë ngultas nga Kryeministria dhe, ajo ndërtesë m’u duk butaforike, për më tepër që i vetmi ushtar xhuxhmaxhuxh i ngjeshur pas murit, me gjithë armën që e mbante pjerrtazi mbi kraharor, formonte një X me vlerë ende të panjohur…
Asnjë masë nuk kishte marrë qeveria për të siguruar institucionet e saj: mungonin rojat e dyfishuar, mungonin postblloqet dhe kordonët policorë, skafandrat, shkopinjtë e gomës, furgonët me rrjeta teli të komisariateve…
Si kështu, ndërkohë që opozita akuzonte drejtpërdrejt për vrasjen e Azemit vetë kryeministrin ? Apo , ku merren vesh marifetet e qeverisë …
Nuk e di, nuk e di, por mua më shfaqeshin n’ekranin e mendjes ca ministra të mbledhur kutullaç si gjarpri, që prisnin shpërthimin e papërballueshëm të protestës të fshehur pale se ku…
Çfarë do të kërkonin sot liderët e opozitës që nga shkallët e Pallatit të Kulturës, me të mbaruar homazhet e tensionuar për Azemin ? Do të drejtoheshin menjëherë kah varrezat publike, apo do të vërshonin në Bulevard, për t’u përqëndruar përballë Kryeministrisë ?
Hehe, dhe unë do të përgatisja sot një kronikë për vëllimin e ri poetik, pika kronikës…
Hapa derën e shtëpisë si në fshehtësi, a thua se po futesha në shtëpi të botës dhe, ndeza menjëherë televizorin dhe radion e integruar te kasetofoni ; të gjithë kanalet televizivë, si edhe radiot kishin filluar të transmetonin nisjen e kortezhit mijëravetësh me arkivolin e të ndjerit në krye, por ende dëgjohej veçse një gumëzhimë e mbytur kolektive. Arkivoli i veshur me flamurin e kombit, ishte i vetmi pikëzim që shquhej n’atë njëngjyrshmërinë e protestuesve.
Televizioni ynë transmetonte muzikë sinfonike dhe, unë nënqesha gjithë hidhësi sarkazmi : pa shih, pa shih, po të vazhdonin kështu, nuk do të linin kasetë me muzikë të tillë pa nxjerrë nga arkivi ! Ata kolegët e mi t’informacionit që i lashë në kafene, mundet t’ishin ende atje , por më e besueshmja është që të jenë strukur në ndonjë zyrë për të ndjekur live ngjarjet në Bulevard, po po, e ku i linte rehat shtysa e profesionit…
E ç’nuk ndiqet live sot, pash Zotin, deri edhe një luftë e njëmendtë e përmasave ndërkombëtare, me tanke e avionë që bombardojnë, teksa ti, i ulur në kolltukun konfort të dhomës së ndenjjes, ngatërron pa kuptuar tymin e luftës n’ekran , me tymin e puros tënde, si t’ishe në një sallë videogejmi…
Posi, posi, posi !
Fillova të kontrolloj kanalet me radhë ; vetëm nja dy prej tyre transmetonin drejtpërdrejt, ndërsa të tjerët ishin disa minuta me vonesë , siç duket, aqsa u kërkohej për të mbërritur videokaseta në studio me materialin e xhirruar në terren , të cilin e transmetonin bruto, pra pa kurrfarë montazhi.
Fika radion, ende pa nxënë ndonjë informacion prej saj, sepse zëri defektoz gjithë shkarkesa i sinjalit më nervozoi dhe, i hodha një sy orës në mur : oh, njëmbëdhjetë e tetë minuta …
Kortezhi i gjatë më arkivolin në krye dhe me disa portrete t’ Azemit, që shquheshin mbi gjoksin e mbajtësve, të cilët, sikur donin të të tregonin me krenari se, çdonjëri prej tyre ndihej Azem, lumëzoi në Bulevard,
Jo kah varrezat !
Askush s’e ndali,
Askush s’do të kish mundur ta ndalte…
Makina e varrimit asqë shihej gjëkundi, ndërkohë që, në një hap me protestuesit e ngjeshur, ecnin bri tyre mjaft të tjerë me biçkletat përdore.
Nisën parullat kundër kryeministrit dhe qeverisë së tij dhe, figura n’ekran, herë kishte një hijedritë t‘ashpër, herë rrafshohej dhe humbiste vëllimet, kur retë e lëvizshme zinin diellin një çast ; dukej sikur dikush përpiqej me ngulm të ndriçonte artistikisht me tone sa më dramatikë protestiuesit në Bulevard.
Ndërrova kanalin i përndezur dhe, tek u përqëndrova, më bëri përshtypje numri i madh i kamerave dhe i gazetareve, që vërtiteshin, tek mbanin në dorë mikrofonin me logon përkatëse ; kontrollohej thuajse çdo lëvizje e ngjarje, e njëherësh komentohej çdo detaj…
E ndërrova sërish kanalin ; ja, të tjerë kënde xhirimi dhe, të tjerë interpretime të situatës.Çfarë qejfi, e mahita veten, pa ta ndërroj sërish kanalin ; çfarë transmetonte vallë në këtë moment Televizioni ynë ? Oho, përsëri muzikë sinfonike ! Instrumentistët virtuozë dukeshin të lodhur dhe si të bezdisur ; o Zot, viu viu viu ! Epo kështu, ja që sot s’e shijoja dot këtë muzikë të mrekullueshme ! Protokolli i ditës së zisë gjithsesi ishte shkelur me të dyja këmbët, kështu që mund t’i kishin ndërprerë koncertet klasikë dhe, të paraqesnin zhvillimin e protestës në Bulevard; tekefundit lajmi është lajm. Po ç’iu duhej drejtuesve të Televizionit të rrezikonin, përderisa ndiheshin rehat me zbatimin e urdhrit të parë, që kishin marrë ?
Ata kolegët e mi të informacionit , me siguri s’bëzanin, tek ndiqnin protestën në dhjetëra monitorë të studios së transmetimit, së bashku me teknikët e pultit,të cilët pak punë kishin me kanalin dhe figurën e tyre . Apo, siç u shpreha më lart, do të jenë strukur në ndonjë zyrë, për ta vëzhguar protestën pa u ngacmuar dhe pa u provokuar nga punonjësit që mund të lëviznin përqark ?
Rreth orës njëmbëdhjetë e njëzet minuta , protestuesit ndalën përballë Kryeministrisë ; me t’u kompaktësuar sup më sup, kërkuan dorëheqjen pa kushte të kryeministrit dhe të qeverisë së tij. Madje, njëherësh kërkuan që kërkesa e tyre të konsiderohej edhe nga presidenti i republikës…
Ai që kumtoi kërkesën e protestuesve, përmes një megafoni, ishte një djalë i gjatë që kish hedhur krahëve flamurin kombëtar ; zëri i kumboi goditshëm dhe, më pas ra heshtja plumb e rëndë.
Nga Kryeministria s’u bë kush i gjallë. Dritaret e saja ishin të gjitha të mbyllura me qepallat e grilave ; edhe ai ushtari shkurtabiq (ku e kishin gjetur vallë ? ) ishte shqitur nga muri, si t’ishte një poster dhe, kushedi nga merrte frymë…
Ra përsëri ajo heshtja që të këput e të rëndon.
Pa shih, në ç’rrethana ndodhet papritur e pa kujtuar një qeveri , e madje një popull i tërë ! Me siguri, në mbarë Shqipërinë, gjer dhe në fshatin më të humbur, njerëzit janë ngulur përballë televizorit dhe, ndjekin protestën në Bulevard. Ç’të bënin e nga t’ia mbanin, të gjithë ishin jashtë loje, ndonëse fati i vendit ishte në rënie të lirë.
Pika kronikës së librit të ri me vjersha që desha të bëja unë.
Viu viu violinat në Televizionin e shtetit.
Por ç’bëhej sakaq brenda mureve të Kryeministrisë, a kishte mbetur ndokush i ndryrë aty, po vetë kryeministri ynë, a do ta priste një përfaqësi të protestuesve, aty në zyrën e tij, ashtu i përmbajtur, si përvetësues i idealit stoik, të kultivuar, ndoshta, përgjatë viteve të burgut ? Apo do të hapte derën e lartë, mbi shkallë dhe, tek do të bënte thirrje për maturi, do t’u përgjigjej ( sipas këndvështrimit të tij ) turmës ?
Po sikur t’ia kish mbathur sakaq , sipas traditës folklorike të të parëve të vendit e, pale ku ndodhej ? Hehe, në burg tash e tutje, veçse ca kodoshllëqe mësohen…
Muret s’u përgjigjën dhe protestuesit me arkivolin përpara mësynë ngrehinën e qeverisë !
Nga tarraca e saj u përgjigjën menjëherë me disa batare të thata n’ajër, pas tyre u zbrazën, gjithahstu n’ajër edhe disa karikatorë nga tarraca e ish rezidencës pompoze të Mehmet Shehut, kryeministrit të komunizmit për disa dekada rresht, e cila ndodhet në të hyrë të Bllokut.
Protestuesit u shtangën.
N’ekran kisha një stop kamera të njëmendtë, por veçse për një grimë sekonde, sepse lëvizja kaotike shpërtheu menjëherë dhe, ndërkohë nuk merrej më vesh nga qëllohej, sepse protestuesit dialoguan me kallashnikovët e tyre, që gjer atëherë i kishin pasur të fshehur, ku ta dish se ku…
Dyert e larta dhe të rënda të Kryeministrisë, domethënë të qeverisë, u shpërthyen si t’ishin portat e një kështjelle dhe, protestuesit vërshuan brenda njëtrupësh, mu si ujërat e një lumi kur çahet diga. Ata pak ushtarë të Gardës së Republikës që u gjendën lart e poshtë, u çarmatosën, tek u dorëzuan pa rezistencë dhe, kësisoj i lanë të lirë t’ia mbathnin…
Po kryeministri ? Ç’kryeministër…
Oburra,
Tym dhe flakë !
Ndeza përsëri radion, që e mbaja pas shpine, ndërkohë që ia ula zërin televizorit; pa dale, zëri vinte i pastër…
Një gazetare me celular në vesh nga nuk raportonte ! Duhej të ishte një femër garipe, siç thuhet në zhargon dhe, veç kësaj , do ta kish rrëmbyer edhe pasioni, që të nxit të harrosh rrezikun :
… tani sapo iu vu zjarri zyrave në katin e parë të Kryeministrisë, gjithashtu edhe makinave off road të parkuara n’oborrin e pasmë, tym i zi helmues dhe flakë përpirëse, dëgjohem, alo, edhe erë baruti, ka nga ata që rrëmbejnë ç’të mundin mes shkrumbit : kompjutera , abazhurë,televizorë, oh, edhe kolltukë, ç’të mundin, ç’të mundin, dëgjohem ok, hajduti është hajdut dhe instinkti e nxit të rrëmbejë edhe atë çka s’i hyn në punë. Thuhet se me protestuesit e mirëfilltë janë përzier edhe rrugaçë…
…ruaje edhe veten (e porositi gjithë shqetësim kolegu i saj nga studioja e transmetimit ) ruaje edhe veten Soniiii…
Ndoshta ata të dy dashuroheshin, por ende s’i ishin përbetuar njëri – tjetrit ; tashmë, në këtë sfond flakërues, ah sa do të shkonte një premtim dashurie …
Soni s’përmbahej :
…alo, dikush duke shkallmuar sirtaret e një zyre, paskësh gjetur edhe viagra, po po, sapo m’i rrëfyen, dëgjohem, o Zot sa zhurmë, alo edhe viagra paskan pasur merak të kenë disa në zyrat e shtetit…
Çfarë Soni ! Po si nuk po pikasja një gazetare me celular në vesh të hynte a të dilte në planin e ndonjë kamere, domethënë, si nuk po pikasja Sonin pra ?
Befas zëri i Sonit u ndërpre dhe, kolegu i saj i përgjëruar e kërkoi nga studioja :
Soni Soni ku je …
Soni s’u përgjigj, kushedi përse dhe unë iu ktheva përsëri ekranit, duke e kaluar këtë herë te kanali i Televizionit tonë ; ngrita zërin dhe, dëgjova përsëri muzikën sinfonike që s’reshtte e s’reshtte, por këtë herë violinistët, kontrabasistët, violonçelistët, e gjithë ç’ishin në formacionin orkestral, s’di pse m’u dukën sikur ndiheshin fajtorë !
Po Soni, ku ishte Soni tani ? E tmerrshme po ta kish zënë ndonjë plumb qorr, apo i drejtpërdrejtë ! Por, jo jo, me celularin hapur, do t’ish dëgjuar gjithçka; mundet t’i ketë mbaruar bateria ! An, ç’paskemi qenë …
…alo Soni, më dëgjon më në fund ?
…Soni jam, e fika pak celularin për ta kursyer baterinë, alo, jam pas një trungu të trashë pishe tani, përballë Kryeministrisë, sepse, s’po merret vesh më se nga fërshëllejnë plumbat, oh jam mirë, por në mes të Bulevardit, dikush po i tund këmbët prerazi, ashtu i dergjur mbi pllaka, askush s’po i afrohet për t’i dhënë ndihmë, shih kur të shuhet krejt i mbytur në gjak, ah, më duket se mbaroi ! Alo, tani jam e tëra e puthitur pas pishës, por sapo mësova se pritet nga çasti në çast të vijnë në Bulevard tanket nga Garda e Republikës, që s’është as dyqind metra larg që këtej, po e mbyll prapë celularin, flasim pas pak…
Sakaq n’ekran pashë sesi e tërhoqën më në fund trupin e atij personi që u plandos në Bulevard i vrarë mes rrezeve të diellit. Sa shumë gjak paskësh njeriu; çfarë pellgu mbeti mbi pllaka ! Zor se do të merrej vesh se kush e shenjëstroi…
Pashë orën : dymbëdhjetë e shtatë minuta. Një gazetar, mesa kuptohej, në brendësi të lulishtes, ku janë vendosur Vëllezërit Frashri, kuturisi të dalë stand up përpara kamerës dhe, duke pasur mbrapa një sfond të vërtetë lufte, lajmëroi : erdhën tanket nga Garda e Republikës ! Ja, kamera mund të largohet nga unë dhe, t’i paraqesë në Bulevard…
Ç’do të ndodhë tani, thashë me vete, çuditërisht i paalarmuar, çfarë do të ndodhë, apo asgjë më shumë ?Tanket lëshonin një tym të dendur, që vorbullohej nëpër diell dhe, motori u gulçonte thuajse jo njëtrajtshmërisht, siç duket ngaqë kushedi prej sa kohësh s’ishin ndezur .
Pa dale…
U futëm mes turmës së dendur të protestuesve që thërrisnin dhe, për habinë e të gjithëve, ndalën ! Ekuipazhet e tyre dolën me radhë nga kulla dhe zbritën në tokë ; në vend të tyre mbi tanke hipën me dhjetëra protestues që brohorisnin rreth kullës, tek valvitnin flamurin e partisë që i përkisnin dhe flamurin kombëtar, aqsa atyre iu përziheshin ngjyrat.
Kaq ishte : O Zot sa për të qeshur ! Por më mirë për të qeshur sesa për të qarë. Hehe, por thonë se, ai që qesh kotsëkoti, më mirë të qajë…
Por isha bërë fani i Sonit dhe, kësisoj ula prapë zërin e televizorit dhe ndeza radion. Dhe ja, Soni :
… tanket iu dorëzuan protestuesve, thirri ajo, pati përqafime midis tyre dhe ekuipazheve, po ç’tanke aman, ata s’erdhën për të qëlluar apo për të shkelur me zinxhirë të rebeluarit, kjo u mor vesh sapo u panë që tutje, tytat e topave, që i kanë të mbështjella me mushama të kujtojnë ca penisë në gjysmë ereksion të mjerueshëm, hahaha…
Oh, qesha edhe unë, këtë herë, sa m’u tund kraharori. Ç’krahasim me efekt kontrapunkti vajte e gjete o e poshtër…
Ra zilja e telefonit dhe brofa ta ngre :
– Në shtëpi qenke mor’djalë, në shtëpi, si kështu ? Xhili jam, Xhili, nga Korça, eh, më njohe. Po ç’bëhet aty në Tiranë, se vdiqa ta marr vesh ! Këtu te ne, në provincë, thonë se ra qeveria , ti ç’më thua nga qendra, ra vërtet ?
– E si bie qeveria, o biznesmen i salçiçeve kështu siç pandehni ju ; do të mbarojë loja dhe, çdo gjë do të zërë përsëri vendin e vet.
– S’jam dakord me ty.
– Shqiptar je edhe ti, edhe më pyete edhe më jep mend.
– Mirë mirë, po ti, o i uruar, si shpjegohet që je në shtëpi, pikërisht sot, që po bëhet nami ; të kanë dënuar me arrest shtëpie ?
– Shumë më keq se kaq.
– Aman ore, thuajmë një llaf, vdiqëm me atë ahengun shurdhues të Televizionit tuaj që për Zotin veç zi ndjell !
– Nuk ka nevojë qeveria për ne ; sot s’na do në punë. Por ti mezi po pret sa ta mësosh saktësisht nëse ajo ka rënë ndërkohë ? Epo, ta thashë njëherë : as ka rënë e as do të bjerë, së paku sot.
– Nuk më binde dot ; oho, pa shih, pa shih, tanket me protestuesit mbi kurriz po i drejtohen Televizionit dhe, kjo, zoti gazetar, do të thotë se me ta shtënë atë në dorë, do të shpallet zyrtarisht rënia e qeverisë sonë të dashur,ua ua…
– Salçiçe të mbara, Xhili, flasim nesër përsëri…
Fika radion që po ia mbysnin sërish sinjalin shkarkesat dhe, u përqëndrova i tëri në ekranin e televizorit : ah, si po i nxirrnin përjashta, duke i qëlluar me shqelma bythëve , gazetarët jetimë të Televizionit, protestuesit që kishin mbërritur aty sakaq ! Ku s’ishin fshehur qyqarët gazetarë : pas dekoreve në studio, pas orendive të zyrave, gjer edhe në WC ! Oh, s’i shihja dot në fytyrë ! Ç’përdhosje e dinjitetit, por ç’përkushtim ndaj profesionit i paskësh mbajtur kaq gjatë në punë ? Apo nuk kanë mundur të largohen për t’u shpëtuar trazirave që gëlonin në rrugë ?
Bobo, si i qëllojnë bythëve si t’ishin daulle, bambababam bambababam ! O, por shih, edhe femrat ç’i shtykan e ç’i qëllokan bythëve, tek i shajnë e i kërdisin, bababam : aha, ju grerëzat spiune, që s’jepni kurrë një lajm për opozitën, ju mercenarë të kuq që njihni ende Moskën si kryeqytetin e kauzës suaj komuniste…
Shih shih, ja edhe miqtë e mi, me të cilët piva kafen e mëngjesit !
Po Soni ? Dale more, ç’thotë Soni ?
…nga çasti në çast pritet të fillojë transmetimi i drejtpërdrejtë i një edicioni special lajmesh ; në Televizion po hyjnë njëri pas tjetrit përfaqësuesit e opozitës, duken triumfatorë, shkallët i ngjisin dy e nga dy, jam bërë mike me disa protestues dhe më sillen mirë, ja tani, alo, i urdhëruan të gjithë teknikët e institucionit që të rrinin në gatishmëri në vendin e punës, do të njoftojnë rënien e qeverisë, po po alo, më duhet të dal jashtë…
… Soni , i ndërhyri kolegu, mos e fik celularin, dëgjo, në Tiranë qenka bërë nami, kanë grabitur e më pas edhe djegur shumë e shumë dyqane mes të cilëve edhe dyqanet e njohur Luxury dhe Pacific, kanë shpëtuar vetëm ata dyqane që i paskan mbrojtur pronarët e tyre me kallashnikovë në dorë, të puth Soni, kujdes…
Ndalën më në fund violinat dhe, filloi transmetimi i lajmeve : të nderuar telespektatorë, qeveria vrasëse dhe e korruptuar ra, fatet e vendit tash e tutje i kemi ne, që s’do të quhemi më opozitë…
Dolën me radhë, duke ia liruar karrigen njëri – tjetrit disa përfaqësues të partive të koalicionit opozitar, por unë e ula zërin dhe s’i dëgjova më ç’thanë shpejt e shpejt…
Soni e kish fikur celularin për ta kursyer baterinë dhe, ata në studion e radios kishin nisur të analizonin ngjarjet. Por një minutë, një minutë : me t’u ndërprerë edicioni i lajmeve, nisi menjëherë të jepet një kronikë nga holli i Televizionit,ku të afërmit e Azemit, së bashku me nja dy politikanë po i bënin një përshpirtje heroit të tyre ! Nga ca kazanë të mëdhenj ushtrie, prej alumini të nxirrë fundeve , po u shërbenin të pranishmëve me disa pjata të shtrembëruara, po prej alumini, llokma mishi dhe pilaf.. T’urriturit kapërdiheshin me babëzi, e megjithatë, nuk harronin të bëlbëzonin formulat e ngushëllimit e njëherësh edhe panegjirizmat për Azemin!
Viu viu violinat, po tani ?
Ja ja, por në Televizionin shtetëror, e madje te të gjitha mediet e tjera, doli në konferencë shtypi vetë holandezi Dan Everts, kryetari i OSBE – së, i akredituar në Tiranë dhe, pasi vuri dorën mbi sytë si spreth kapeleje për t’i mbrojtur nga sulmi verbues i prozhektorëve, urdhëroi liderin e opozitës që t’i tërheqë pa përjashtim të gjithë protestuesit ngado që kishin zaptuar institucionet shtetërorë. Në një vend demokratik, konkludoi ai, me një gjuhë të papërpunuar, pushteti nuk merret me dhumë…
Kaq.
Farsa mbaroi.
Ne s’i bindemi njëri – tjetrit,
Por të huajve.
Po Soni ? Ah, me të hapur celularin, me siguri do të ketë dëgjuar kolegun të këndojë : Soni të dua !
Atëherë
Duartrokitje …

1999

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here