– Ore shoku drejtor, më duhet të të pyes edhe për një gjë tjetër: si jeni ju me moralin këtu në shkollë, ë?
– Nuk po të kuptoj…morali.. si fjalë e përgjithëshme e nuk më jep mundësinë të të jap përgjigjen e saktë shoku Sajmon, madje po më huton. Për ç`moral e keni fjalën më saktë?
– Oj më saktë më thotë. Po ja or i uruar, a keni kurva këtu në shkollë a s`keni a… dhe sa janë. Ja këtë dua të më thuash. Nuk më interesojnë, as emrat dhe as se çfarë bëjnë dhe me kë e bëjnë. Vetëm dua të më japësh një numur: pesë, tre apo dy. Vetëm një numur. Kërkesa na vjen nga lartë ore, nuk është se e dua unë. Sigurisht që këtë informacion do ta ballafaqojmë edhe nëpërmjet shokëve të sigurimit dhe drejtuesve të partisë së kooperativës. Por unë mendoj, se më të sakta dhe më të sigurta, janë të dhënat, që ti duhesh të më japësh. Sigurisht, që për gjithçka i thashë, gënjeva.
Ngjarje të mira apo të shëmtuara qofshin, – vazhdova unë, zot i shtëpisë je ti. Në se kurvëria të bëhet brënda institucionit, pasojat i mban po ti. Se ç`bëhet jashtë, është punë e tyre. Tani lërmë të punoj dhe kur të vish, do më thuash edhe numurin e mësueseve kurva, që ke në këtë shkollë. Me regjistrat dhe planet mësimore të mësuesve përpara, prisja të më hynte në drejtori, mësuesja korçare. Kur ajo hyri në drejtori ishte e mirë informuar, se kush isha, sigurisht nga drejtori. Ajo nuk do mund ta merrte me mënd kurrë, se unë kisha ardhur pikërisht për atë dhe jo për kontroll dokumentash. Djali i tezes time Gimi, ma tha troç: se ajo bënte seks me një djalë të ri, që sapo kishte mbaruar shkollën e mesme të kulturës në Tiranë. Ishte pikërisht paraushtaraku i Gimit. Djali që drejtonte shtëpinë e kulturës në kooperativë. Madje flitej edhe për ndodhi orgjie me të tjera çupa qefleshka të fshatit, që ajo dhe ai bënin në shtëpinë ku flinte mësuesja. Pasi u përshëndetëm, i thashë:
– Nuk dëshiroj ti vij anash problemit për të cilin kam ardhur, prandaj po hyjë drejtë e në temë. Të keqen tënde nuk ta dëshiroj kurrë dhe më vjen keq, për atë që të ka ndodhur. Por dua të më tregosh sinqerisht, se për çfarë motivi ke ardhur në rrethin tonë? Ne e dimë pasi na ka ardhur në rrugë zyrtare, por unë dua ta dëgjoj nga goja jote. Ç`dreq ke bërë, që pas katër vite mësuese, në fshatrat e thella të malësisë në Mirditë, vjen përsëri në fshatin e një rrethi tjetër dhe nuk të transferuan në rrethin tënd? Dhe shiko, po qe se nuk ke dëshirë të mos më thuash asgjë, sinqerisht të mirëkuptoj dhe nuk kam asnjë qejfë mbetje. Ti nuk je e detyruar ta bësh, në se nuk të pëlqen dhe e dëshiron vetë të m`i thuash.
– Këto probleme i konsideroja të mbyllura nga organet kompetente, para të cilave i kam thënë e stërthënë, filloi të flasi ajo. Nuk besoja që të ishin pjesë e punës edhe e seksionit të arsimit të rrethit, ku më kanë transferuar.
– Dëgjo, – i fola kësaj rradhe serioz edhe pak i frikësuar. Aspak nuk je e detyruar të m`i thuash. Ta thashë dhe po ta përsërisë: në se nuk dëshiron të flasësh, të mirëkuptoj.
– Mos ki merak shoku inspektor. Edhe mua më bën mirë që herë pas here të zbrazë ballgëmin, që kam këtu brënda dhe me dorë preku kraharorin. Tashmë unë të keqen e kam kaluar. Ç`kam folur e bërë i kam thënë atje ku s`ta mban të gënjesh dhe siç e shikon për fat të mirë, kam shpëtuar lëkurën,… ja ku jam.
– Ishim katër mësuese emëruar në fshatrat e thella të Mirditës. Me gjithë kërkesat që kishim bërë, nuk kishte asnjë shans, të transferoheshim në rrethet prej nga vinim. Në këtë kohë, udhëheqësi ynë kryesor i partisë dhe i shtetit shoku Enver, shkruajti nëpërmjet gazetës “Zëri i Popullit”:
“Po të isha edhe njëherë djalë ri njëzet vjeç, do të shkoja me kënaqësi të punoja dhe jetoja në fshatin tonë socialist” Ishin pesë vite, që punonim si mësuese në ato fshatra të thella të Mirëditës. Nga qyteti i Rrëshenit deri në fshat ku kishim shkollën, na duhej të ecnim tre orë në këmbë. Thashë “ecnim” por në faktë ne nuk ecnim, por shtigjeve të ngushtë dhe monopateve shkëmbore, detyroheshim të hidheshim e të kërcenim si kecërit, nga një copë shkëmbi në tjetrin, pasi rrugë të vërtetë nuk kishte. Kishim humbur aftësinë e dikurshme e të ecurit me elegancën dhe feminilitetin që ecnim në bulevard. Kur mblidheshim shokë e shoqe të fakultetit për vitin e ri në Tiranë, nga mënyra se si ne ecnim, i bënim shokët dhe shoqet të shpërthenin në të qeshura. Sigurisht, ata nuk e dinin, se në fshatin ku jetonim, fqinjët tanë të përhershëm ishin ujqërit. Netëve, dëgjohej ulërima e tyre dhe jo njëherë i ndienim kur vinin e vallëzonin përqark shtëpisë ku banonim. Vallëzimin e tyre e ndienim, po aq sa edhe frymëmarrjen dhe grahmën e frymëmarrjes karakteristike që ata lëshonin, e që na futej në dhomë, duke na bërë të mendonim e përjetonim në përgjumje, një ankthë të vërtetë, se ujqërit pas vallëzimit, do të na fureshin brënda dhe do të flinin bashkë me ne. Një pjesë e tyre na dukej, sikur kalonin natën pas derës së shtëpisë. Arinjtë leshëzinjë e trima, të mëdhenjë sa një shkëmbë, kur bora arrinte e na mbulonte dritaret, na vinin e na përshëndesnin pas xhamave. Dëgjonim të tmeruar ungërrimat e tyre. Të torturuar nga kjo jetë, nuk duruam më dhe i bëmë një letër “XHAXHIT”, ku ndër të tjerave i shkruajtëm: ……. “Ju thoni i dashur shoku Enver: se po të ishit edhe njëherë djalë i ri njëzet vjeç, do të shkonit me kënaqesi, të punonit dhe të jetonit në fshatin tonë socialistë”. POR JU NUK THONI SE SA VITE DO TË QËNDRONI NË FSHATIN TONË SOCIALIST….” Ajo që mori inisiativën për të shkruar dhe dërguar këtë letër, përfundoj në burg. Njëra nga ne, shpejt e shpejt për të shpëtuar, u martua me një oficer vëndali nga Rrësheni. Tjetra me punë të detyrueshme krahu në Drenovë të Korçes, ku edhe kishte lindur. Ajo nuk e pa me sy më kurrë mësuesin. Ditë më pas, ajo më shkruante: se ishte shumë e lumtur pasi, kishte shpëtuar nga burgu. Unë që i kisha miqtë të fortë, erdha mësuese këtu në rrethin tuaj. Në shtëpi shkoj një herë në tre muaj. Unë po jetoj… edhe pse e di, se jeta ime private tashmë ka marrë tatëpjetën. Ata që ndërhynë e më shpëtuan të mos futesha në burgë, e bën për vete e tyre e jo se u dhimbesha unë. E bën që të mos u prishej biografia dhe postet e punës që kishin zënë në parti e pushtet. Ndërkaq mikesha ime, ka zënë burgun politik edhe pse fajin e kishte të barabartë me ne të treja. Ajo nuk kishte as shok e as mik ta shpëtonte nga ajo që e zuri të hiqte. Ia prenë jetën në mes. Pesëmbëdhjetë vite burg, për axhitacion e propagandë të organizuar në grup! I dhanë dënimin maksimal.
Vitin që shkoi i dashur inspektor, gjatë muajve të verës, më dërguan si vullentare në Librazhd, të punoja si aksioniste, për ndërtimin e hekurudhës. Në skuadrën time kishim edhe çupën e “XHAXHIT Enver”. Një pasdite na lajmëruan se “AI” do të vinte dhe do të vizitonte çupën, se po e digjte “MALLI” dhe në veçanti, meraku i madhë që kishte për të, në se ajo do ta përballonte apo jo me duart e saj delikate, lopatën dhe kazmën. Kur “XHAXHI Enver” mbërriti dhe takoi çupën e tij Pr….. , gjëja e parë që bëri, ishte kapja e duarëve të saj. Ai ia fërkoi mollëzat e të cilat i qen skuqur e fryrë vende – vende dhe po ia puthe me sytë e përlotur. Në fytyrë në çast i lexohej trishtimi, se çupa po i vuante shumë dhe sipas tij dukej qartë, se ajo nuk e përballonte dot punën fizike. Në atë çast turma e aksionistëve që e rrethonin në kor, filluan të çirreshin dhe të brohorisnin:
– Merre “XHAXHI”, merre, merre, merre, merre !
Unë qëndroja në këmbë si i ngrirë me dhëmbët shtrënguar aq shumë, sa po më dukej, sikur nga çasti në çast, ato dhëmbë brënda në gojë do më shkërmoqeshin. Ndërsa turma e aksionistëve vazhdonte të çirrej, unë jo vetëm që nuk nxora zë, por më vinte për të qarë nga marazi dhe neveria, që ndieja për shokët dhe shoqet e mia. Pas pak “XHAXHI” hypi benzit dhe mori rrugën nga kishte ardhur. Ndoshta ai, atje brënda në benzin e tij ende përlotej, për duartë e vajzës së tij të skuqura dhe që aq shumë donte ta merrte me vete. Ai nuk e bëri atë që i kërkuam ne, pra ta hiqte nga aksioni, jo se nuk e dëshironte ta merrte “çupën”, por “XHAXHI” qëndronte në majën e diplomacisë shqiptare tinzarçe e të pabesë, në marrëdhëniet me popullin dhe ndiesive, që ky popull kishte ndaj këtyre rasteve. Ai iku dhe ne që i kishim duartë me kallo trashigimi…. vazhduam punën për ndërtimin e hekurudhës. Kur “AI” iku, unë po shikoja duart e mia. Nuk kisha as skuqje e as fllucka. Në fundin e gishtërinjëve nga brënda, kallot e vogla ngjyrë të murme dalloheshin lehtësisht. Mu kujtua, se kur behareve shkoja të punoja në fshat tek daja, duartë më ishin bërë edhe më keq se kaq. Ndërsa ecja në drejtim të kapanonit, pashë shumë nga të rinjtë, sidomos ata që nuk e njhnin çupën e “XHAXHIT” ta rrethonin atë. E shikonin me një kërshëri, sikur të kishte zbritur nga një planet tjetër, a të ishte një specie e panjohur dhe e rrallë. Ata sigurisht, që nuk e dinin dhe as mund ta merrnin me mënd, se ajo kishte ardhur në aksion, si një “qënie diplomatike” e gatuar atje lartë dhe e shtirur po aq diplomatikisht të shpalosej ëngjëllore dhe e denjë si çupë e “XHAXHIT”. Ata nuk mund ta merrnin me mënd, se ajo nuk ishte një specie e rrallë, por një monument që mbrohej dhe ruhej nga shteti edhe pse flinte, hante e punonte mes tyre. Dhe gjithë kjo, për të marrë në kthim pas aksionit, hijen e shënjtërisë si çupë e “XHAXHIT”, që kishte bërë një sakrificë të madhe, në emër të dashurisë së madhe për atdheun. Aksionistët vazhdonin t`i buzëqeshnin dhe t`ia përkëdhelnin flokët e shpatullat. Dukej qartë, se ndieshin të lumtura pranë saj. Çudi fola me vete. Vërtetë jemi një popull shkërdhatë, që ka lindur e po mëkon një brez, më shkërdhatë se vet ata që i kanë pjellur. Fjalët e Meritës më tronditën. Si komunist që isha, nuk munda të qëndroja më i heshtur dhe indiferent. Më pushtoi tmerri.
– Je në vete? Dale, dale një herë. Nuk ke frikë për këto që thua? Sapo u njohëm bashkë dhe ti po i lëshon fjalët pa frer, pa ta bërë syri tërrtë. Nuk ke frikë nga unë? Apo po më provokon? Me këto që thua, futesh brënda dhe dritën e diellit nuk e shikon më kurrë. E di këtë, apo s`e di ? Ti nuk po ma fyen “XHAXHIN” dhe partinë time, por edhe mua, po më përgatit varrin. Ç`janë këto që po thua? Vetëm një e çmëndur flet, kështu si po flet ti.
– Inspektor Sajmoni, a s`më the pak më parë se : “nuk ta dua të keqen kurrë dhe se më vjen keq për këtë që të ka ndodhur” ?
– Ashtu është dhe i qëndroj asaj që të thashë. Po përballë fjalëve që ti nxjerrë, me goxha burg që ka nga pas, a nuk kam të drejtë të tmerrohem dhe ti konsideroj këto, si një provokim nga ana jote?
– Mos ki merak shoku inspektor, se me miqtë e mi që kam dhe me një palo mësuese si puna ime, që e kanë rjepur sigurimsat, nuk kanë më interes të merren me mua, prandaj rri i qet. Çfardo që të them unë, shumëzohet me zero. E shumta e dënimit që mund të më japin, është të më fusin në çmëndi, për konceptet që kam për partinë. Ky është zakoni dhe metoda e masave, që ato marrin në kësi rastesh. Ndërsa ty, nuk të futet as edhe një gjëmb në këmbë.
– Nuk do merren me ty Merita jo, por do të merreshin edhe me mua po ta dinin, se ç`po dëgjoj nga goja jote. Unë jam komunist Merita, e di këtë? Të qëndruarit indiferent ndaj vrerit, që ti vjellë dhe ironis me të cilën flet për “SHOKUN ENVER” dhe pakënaqësisë që ti ke ndaj pushtetit dhe partisë time, po më habit, se si nuk e ke zënë qelinë e burgut?
E çuditëshme është, se nga informacionet që kam, ti je një fis dhe familje shumë e lidhur me partinë dhe pushtetin, që nga koha e luftës. Si ka mundësi? Nga dreqi ke dalë dhe je gatuar me këtë lloj brumi?
– Jo vetëm familja ime dhe fisi im, shoku inspektor, por edhe vet partia e di, se unë thjeshtë, jam delja e zezë e fisit. Një dele që nuk jep qumësht. Një dele që e ruajnë për ti ngrënë mishin, kur të mos kenë se ç`të hanë tjetër gjë dhe vetëm kaq. Nuk më kanë kursyer mua, por kanë kursyer emrin dhe reputacionin e një fisi të madhë, atë të fisit tim. Hë për hë, ky shtet më jep të ha, të pi. Më krijojnë edhe ndonjë mundësi të bëj edhe pak qejf. Dhe kur ata do ta shohin të arsyeshme, këtu më kanë, do më rjepin të gjallë. Po ç`të bëj? Ja që unë kështu jam gatuar. Kjo jam dhe nuk ndryshoj dot. Ama nuk jam e vetme, që partisë ia them qartë e troç atë që mendoj.
– Nuk po të kuptoj. Mos do të më thuash se ke edhe shoqe të tjera, që mendojnë dhe flasin sikundër po flet ti?
– Unë nuk kam folur e nuk flas kurrë publikisht. Por me një njeri si ty i partisë dhe i këtij pushteti, sikundër jam edhe unë. Të dy e duam partinë, sigurisht gjykuar sipas mënyrës të secilit nga ne të dy. Unë ashtu siç është e vërteta. Ti, ashtu si të kanë mësuar dhe urdhëruar eprorët dhe vija e partisë. Unë nuk them dot bojës së qumështit, se është e bardhë dhe të zezës se është blu. Por dije, se kjo që them e bëj është një frymëzim dhe guximtari, që më vjen nga largë shoku inspektor. Nga të tjerë, që janë të lidhur si mishi me thojin me partinë dhe pushtetin, sikundër ti edhe unë. Ti e di më mirë, se unë këtu jam jabanxhie e ti vendali. Ja këtu në këtë fshat vite më parë, të kujtohet? Plaku myzeqarë trim Laze Meçe, në takimin që u bë me shokun Ramiz Alia i tha atij : “Mos na e shani beun or shoku Ramiz, se ai ishte shumë i mirë. Po të kishim nevojë, nuk na linte kurrë pa bukë. Kurse ju or burrë i dheut, po na thani zorrën. Më sheh ti mua, më shikon? Gjithë ky burrë këtu dy hosten i gjatë, shkoj në dyqanin e kooperativës dhe atje më japin një xhezve e qumësht. Jo, or jo, beu ishte i mirë fliste dhe këmëngulte plaku”. Dhe a e di shoku inspektor, se çfarë i bën atij? Atij plaku nuk i bën asgjë për ca kohë. Sepse ai kishte dy djemë dëshmor të luftës. Por disa ditë më pas e shtruan në çmëndi. Dhe këtë punë e bënin një muaj në vit, deri sa vdiq. Kur kthehej nga spitali e kuronin me disa kokra vitamina, që ia jepnin si medikamente kurues, gjoja për të çmëndurit. Sigurisht kjo bëhej edhe me bashkëpunimin dhe dëshirën e fëmijve të tij. Ky plak guximtar, me qëndrimin që mbante ndaj partisë dhe pushtetit i kishte tmerruar fëmijët e tij deri sa dha frymën e fundit. Si ky rast thonë, se ka pasur edhe në vende të tjera. A nuk ishte plaku belshiot, që bërtiti buzë liqenit:
– “Çfarë po bën ore Enver Hoxha, që tu grymtë shpirti, tu grymtë, çfarë po bënë?” Shpirti i këtij plaku përjetonte, se si liqenet karstikë të Belshit, dhuratat më të bukura natyrore të shqipërisë, po u merrej fryma dhe para syve të këtij plaku tetëdhjetë vjeçar, këto liqene, po jepnin shpirt. Pyjet shekullor u prenë dhe toka u mboll me patate. Llumrat e dheut nga shirat e dimrit, futeshin në ujin e liqeneve dhe në fundin e tyre, çimentonin të mos bëhej më furnizimi me ujë nga burimet nëntokësore. Liqenet një nga një, po jepnin shpirt. Por plaku i ulur në gjunjë e me duartë në kokë, vazhdonte mallkimin atje buzë ujit. Duke mallkuar ditë e natë Enver Hoxhën. E futën në çmëndi edhe këtë plak dhe kur kthehej në shtëpi e kuronin me “vitamina”. Edhe ai bashkë me djalin e vetëm, kishte qënë partizanë. Udhëzimi i Enver Hoxhë: “tu ngjitemi kodrave dhe ti bëjmë ato pjellore e të begatë si edhe fushat tona”. Kaq duhej dhe pas kësaj, si murtaj plasi mbjellja e patates në tokat e shpyllëzuar të kodrave më të bukura, që i qëndronin si kurorë nuseje, fushave dhe bregdetit të Shqipërisë. Ishte goditja më e rëndë, që kurrë ndonjëherë të ishte bërë dheut të butë dhe pyjeve bukuroshë të Shqipërisë. Plakun nuk e futën në burg. Thonë se vdiq, duke shqiptuar emrin e shokut Enver… Partia jonë është e zgjuar shoku inspektor, m`u drejtua Merita mua, jo vetëm di ku godet por edhe si ta jep goditjen. Di se ç`bën dhe ku bën. Edhe në rastin tim, mos ki frikë e merak. Nuk e merrë mundimin partia të merret me mua. Ta thashë njëherë dhe po ta përsërisë se unë nuk flas rrugëve dhe në publikë. Prapavija ime politike dhe pushtetare, që më mbështesin dhe më mbrojnë është shumë e gjërë dhe e fortë. Ja kjo është e tëra. Unë t\i thashë ty, se ti vet mi kërkove dhe nuk besoj, se do të merrje guximin të gërricesh me mua, se ndryshe në vënd që ta pësoja unë, vete ti për dhjam qeni. Nuk do t`ia vlente barra qeranë, apo jo? Ja pra pse jam e sigurtë e s`ma bën syri tërrtë, ndërsa të tregoja bëmat dhe gjëmat që ndodhin në këtë vend ku jetojmë. Si unë dhe Merita qëndruam disa sekonda pa folur. Unë i shastisur dhe i tmerruar, ajo fare e qetë. Kisha hyrë në valle me pesë lek, të jepja miliona, nuk do të dilja dot më. Heshtja dhe varrosja e asaj që dëgjova, ishte shpëtimi im. Më kishte fyer Enver Hoxhën, për të cilin do të jepja jetën dhe shpirtin tim dhe ja tani, ajo më kishte dhjerë Enverin dhe shurrosur partinë. Unë që e dëgjova rrëfimin e saj të sinqertë, nuk do të guxoja tani e tutje të bëja as gëk e as mëk. Në të kundërtën, ashtu siç tha edhe ajo, vërtetë do të isha unë, që do ta pësoja. Do të shkoja i sigurtë, si tha Merita: “për dhjam qeni”. Pasi e dëgjova me dëshirë dhe mes një tmerri të vërtetë nisa t`i flas, sigurisht nga e keqja, për të shpëtuar e qetësuar veten sado pak.
– Ti Merita, je e fejuar, apo jo? – e pyeta. Është thjeshtë kuriozitet, vazhdova. Po të duash mos m`u përgjigjë. Ndieva sytë e saj, që m`i nguli në sytë e mi, sikur donte të m`i shponte. Luajti kokën sa majas – djathtas dhe m`u përgjegjë:
– E shikoj, se i ke marrë të sakta informacionet për jetën time private. Sapo deshi të vazhdonte më tutje, hyri drejtori i shkollës.
– Shoku inspektor, jashtë po të pret djali i tezes Gimi. Ç`ti them? Të vij apo do dalësh ti?
– Mirë moj Merita mirë, iu drejtova mesueses, do të flasim ndonjë herë tjetër bashkë, mirë? Ajo tundi kokën, buzëqeshi dhe doli nga drejtoria, pa më thënë as mirë u pafshim. Kurvat që erdha për të mësuar sa ishin dhe nga ishin, për mua tashmë, nuk kishin më rëndësi. Drejtori si me një anë e me terezi, m`u afrua e zë ulët më foli:
– Sikur doje me patjetër të dije, se sa kurva kemi në shkollë, kështu më the, apo jo?
– Po! – i thashë, veçse numrin e dua të saktë dhe me përgjegjësi.
– Flitet e qarkullon për pesë shoku inspektor, por të saktë që pallohen, kemi vetëm tre kurva. U përshëndetëm duke shtrënguar duartë dhe u ndamë nga njëri – tjetri