Flet njëra nga shkrimtaret më në zë të Italisë, BARBARA ALBERTI. Intervistoi shkrimtari i mirënjohur, Beppe Costa Përktheu nga origjinali: Era BUÇAPAPAJ

Flet njëra nga shkrimtaret më në zë të Italisë, BARBARA ALBERTI. Intervistoi shkrimtari i mirënjohur, Beppe Costa

Përktheu nga origjinali: Era BUÇAPAPAJ

Barbara Alberti është autore e rreth tridhjetë librave, të tillë si romani Amores i sapobotuar nga HerperCollins, dhe ndër më të fundit: Il ritorno dei mariti, Letture da treno, Riprendetevi la faccia, Sonata a Tolstoj, Milano, Amore è il mese più crudele, Lezioni d’amore. Për momentin shkruan për gazetën e përjavshme “Confidenze”.
Skenariste e shumë filmave, ku ndër më të njohurit janë Il portiere di Notte, Ernesto, La disobbedienza, Il maestro e Margherita – ajo është edhe një gazetare dhe personalitet i mirënjohur televiziv, ndër njohëset më të mira të kulturës italiane. E drejtëpërdrejtë dhe pa barriera. Më 23 gusht të viti te kaluar, gjatë eventit të mrekullueshëm “Liberevento”, iu dha çmimi i karrierës nga Pellicanolibri.

-BEPPE COSTA : Ku ka përfunduar letërsia italiane?

-BARBARA ALBERTI: Letërsia italiane është në gjendje shumë të mirë. Shumë më të mirë se në rininë time. Në atë kohë ishin shkrimtarët e mëdhenj, si Parise dhe Calvino, zëri ungjillor dhe joharmonik i Pasolin-it, përjetësisht poet, por në pjesën më të madhe të rasteve mbizotëronte një lloj triumfi mediokriteti, shkrime që meritonin një notë jo më të lartë se shtatë, pa madhështi. Por, ky vlerësim mbetet në gjykimin tim shumë të kritikueshëm. Më vjen keq të përmend emra sepse shumë prej tyre nuk jetojnë më. Do të përmend vetëm dy, të cilët u konsideruan të shquar, Bevilacqua, i palexueshëm, me përjashtim të L’occhio del gatto, ku shfaqet papritur si një humorist i pashoq dhe vetë Moravia, një burrë brilant, një zotëri i madh dhe një gazetar madhështor, por përsa i përket shkrimit letrar… Më dukej i plogët, i tejmenduar, i huaj – pa kurrfarë poezie – dhe pa poezi nuk ka prozë. Asokohe adhuroja Elsa Morante-n, por e rilexova të gjithën së fundmi… dhe vetëm L’isola di Arturo, i shkruar përsosmërisht, më bindi vërtet. Kur dolën shkrimtarët e Amerikës së Jugut (Borges, Bioy Casares, Marquez, Cortazar, Rulfo, Donoso) i lexuam me një frymë, sepse, ndonëse të përkthyera, e veshën gjuhën me një lloj shkëlqimi dhe arritën ta prëcillnin vizionin, ëndrrën.
Në 20 vitet e fundit ka ndodhur diçka. Ka shkrimtarë fort të zotët, libra të mrekullueshëm prej të cilëve kam memorizuar disa pjesë, për t’i pasur gjithmonë me vete. Dhe jam lloji i njeriut që nuk informohem: ata mbërrijnë rastësisht dhe kryeveprat zbarkojnë në tryezën time (imagjino sa mund të zbulojnë ata që e ndjekin vërtet letërsinë).
Nga këta do të përmend disa: Io e lei nga Fiamma Satta (Mondadori) – unik në botë – kush e ka lexuar e di; Storia umana della matematica nga Chiara Valerio (Einaudi), një poemë rreth shkencës; Terremoto nga Chiara Barzini, madhështor; Lulù Délacroix nga Isabella Santacroce, një gosti e gjuhës dhe imagjinatës; Leggenda privata e Michele Mari (dhe të gjithë, të gjithë librat e tij, ai është një mjeshtër i pashoq); Canale Mussolini nga Antonio Pennacchi (Mondadori) – gjithashtu një mjeshtër i tregimit dhe gjuhës, i cili i ka dhënë kuptim të ri çmimit Strega; La trilogia dell’inumano nga Massimiliano Parente, shumë i pakëndshëm, i bukur (La nave di Teseo); La battuta perfetta nga Carlo D’Amicis (Minimumfax); Fra cielo e terra, biografia e Santa Francesca Cabrini nga Lucetta Scaraffia; La fine della madre, nga i njëjti autor; Bambini di ferro nga Viola Di Grado (La nave di Teseo), dhe librat e Mariolina Venezia… nga më të famshmit, por ka edhe shumë të tjerë, madje shumë të rinj, si Claudio di Biagio dhe Alessio Romano… më në fund jam e lumtur të lexoj faqe të bukura në gjuhën time (në kohën time pretendonim se lexonim rusët, francezët dhe anglezët e mëdhenj të shekullit të 19-të, por në të vërtetë lexonim përkthyesit e tyre). Dhe kush e di se sa shumë të tjerë kam lënë pa përmendur – ka ndodhur diçka, duket sikur gjuha italiane është rizbuluar dhe rikrijuar, dhe shumë romane janë trillime, si Elena Stancanelli, Teresa Ciabatti, Alessandra Fiori… nuk mund t’i përmend dot të gjithë.

-BEPPE COSTA : A i ndihmon interneti ata që duan të veshin rrobat e shkrimtarit, regjisorit, muzikantit dhe poetit, apo ka përfunduar duke i shkatërruar gjuhën dhe marrëdhëniet njerëzore?

-BARBARA ALBERTI: Gjithçka di është se miliarda para janë shpenzuar në teknologji për të eliminuar pasardhësin. Marrëdhënia njerëzore është shndërruar në virtuale dhe kur shihemi fizikisht e shikojmë njëri-tjetrin me mosbesim. Interneti është mjeti i madh i urrejtjes, zilisë, mjerimit shpirtëror, marrëzisë. Dhe nuk është faji i mjetit. Por i yni, është e asaj në çfarë ne jemi shndërruar. Largimi nga Zoti nuk ishte një ujdi e mirë.

-BEPPE COSTA : Ka me qindra-mijëra botues dhe gazeta në vendin tonë, por a lexojmë vërtet ne sot? Vetëm shtëpitë e mëdha botuese botuan së bashku 66,757 në vitin 2017. Shumë prej tyre kanë një fat të zi dhe pak i kalojnë 1000 kopjet e shitura.

-BARBARA ALBERTI: Kurrë nuk do të lexohet aq sa publikohet. Hiperpublikimi – duke e ditur se përfitim nga kjo kanë ata që i dërgojnë librat për t’u asgjësuar – është vdekja e leximit. Nuk shkoj më në librari, më tremb (porosis me telefon ose në Amazon). Përballë atij orteku të librave gjithnjë e më të rinj, ndihem sikur nuk vlej si shkrimtare dhe si lexuese, mas shkurtësinë e jetës sime – dy vite nuk do të mjaftonin për të lexuar risitë që dalin në dy javë – por duhet jetë e marrë një industri që prodhon njëqind herë më shumë nga çfarë MUND të konsumohet? Në botën e shpejtë, leximi ka mbetur i ngadaltë. Dhe nëse do të më duhet të lexoj tërthorazi apo të kapërcej faqet, zgjedh më mirë të bëj një shëtitje.

-BEPPE COSTA : Cili është mendimi juaj në lidhje me atë që po ndodh me denoncimet për ngacmime seksuale, duke filluar nga kinematografia, ndërkohë që është kthyer pothuajse në një normë në shumë sektorë publikë dhe privatë ku nuk mund të ngrihet zëri pa shkaktuar skandal.

-BARBARA ALBERTI: Është diçka shumë e mirë që u zbulua ky realitet mizor: ngacmimet janë kudo në vendin e punës, gratë duhet të paguajnë një taksë për të punuar. Por, unë nuk besoj në gjithë këtë solidaritet individualist dhe hipokrit. Ngacmimi seksual është vetëm maja e ajsbergut, ai që “shet” dhe mediat kanë bërë biznes të madh prej tij. Atëherë unë dua të kërkoj solidaritet edhe për faktin që ato paguhen më pak, apo për një vajzë të re që sot punon pa u paguar fare. Ekonomia italiane mbahet fort në shfrytëzimin e gruas. Nëse indinjata është e vërtetë, le të bëjnë diçka ata që na qeverisin: së pari, nuk mund të solidarizohemi vetëm kur preket interesi vetjak, përndryshe, të gjithë të bërtiturat janë të rreme. Dhe nuk pajtohem aspak me gjyqet televizive, ku gra anonime me zëra të maskuar akuzojnë dikë publikisht.
Gjithashtu duhet t’i mësojmë vajzat dhe mbesat tona të rebelohen, të kenë një ndjenjë të paprekshmërisë së tyre, të vlerës së tyre, pavarësisht autoritetit që mund të veshë kushdo që dëshiron t’i detyrojë ato për një veprim të padëshiruar; t’i edukojmë ato për gjërat që nuk janë në modë, për ato të jashtëligjshme, të kenë vullnetin e lirë për të mos e pranuar këtë moral prej skllavi që duan të na e ushqejnë me pahir, që ta vuajmë shtypjen si një gjë të pashmangshme. Sa më lart vlen edhe për meshkujt.

-BEPPE COSTA : Mendoni se politika ka prekur fundin tanimë apo ka ndonjë shpresë, duke qenë se më të kqinjtë po sundojnë botën kudo si kurrë më parë?

-BARBARA ALBERTI: Kisha vendosur të mos votoja. Mendova se, nëse do të duhej të më vendosej laku në fyt, të paktën nuk doja ta bëja vetë. Një goditje e tillë do të vijë nga e djathta dhe unë nuk dua t’ia jap abstenimin tim të rrezikshmit Salvini, kështu që në fund do të votoj për Bonino-n, pavarësisht aleancave të saj.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here