Flet shkrimtarja dhe studiuesja Mimoza Erebara: ËSHTË E FRIKSHME TË JESH DËSHMITAR I SHPËRBËRJEJES KOMBËTARE

Shkrimtarja dhe studiuesja Mimoza Erebara komënton ekspozitën fotografike që përjashtoi të gjithë shkrimtarët shqiptarë jashtë republikës së Shqipërisë, organizuar nga ministria e kulturës dhe QKLL

M.Erebara: Këtë injorim të letërsisë shqipe duhet ta kishte pikasur QKLL-ja, e cila do të duhej të refuzonte përfshirjen në këtë projekt, i cili siç thotë autori prej gati 20 vjetësh nuk ka gjetur përkrahje për ta ekspozuar në asnjë institucion privat as publik. Duket që konceptimi i mangët dhe përjashtues të ketë qënë shkak që fotoekspozita t’i ketë mbetur gjithë këto vite në shtepi.

1.Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit(QKLL), një institucion i Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë ditë më parë u bë pritëse dhe sponsorizuese edhe mediatike e ekspozitës fotografike të fotografit të njohur Roland Tasho të quajtur “Karrigia e letërsisë shqipe”, një ekspozitë që ka marrë shumë kritika , sidomos në Prishtinë, për faktin që ajo përjashtonte të gjithë shkrimtarët dhe poetët që jetojnë dhe krijojnë jashtë Republikës së Shqipërisë, si e komentoni këtë përjashtim ?
– M. Erebara: Ndoshta nuk do të merrte këtë vëmendje nëse kjo ekspozitë do të kishte qëndruar në nivelin personal, pra thjesht nje gjetje artistike e autorit. Natyrisht një karrige nuk mund të përfshijë të gjithë autorët shqiptarë, dhe as t’u bëjë qejfin e t’i përkëdhelë ata. Roland Tasho mbart shumë fotoekspozita të sukseshme si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, me tematika interesante që sigurisht kanë ngjallur interes. Në këtë rast edhe ky qëndrim mund të ngjallë debat dhe argumentet mund të jenë të barabarta për të dy këndvështrimet, por në çastin që kjo hyn “nën sqetullën” e institucioneve merr krejtësisht karakter tjetër. Me sa duket autori ka parë vetëm anën e mirë, atë të mbështetjes institucionale dhe është mjaftuar me kaq. Ndoshta nisur dhe nga emrat e shumtë të shkruar në atë karrige i ka parë mëse të mjaftueshëm, për më tepër që ata emra kryesisht janë ata të listës së përhershme. Ndoshta ka të bëjë edhe me përceptimin primar të autorit, që nuk e ka vlerësuar aq sa duhet. Por gjithësesi mendoj se tek e fundit, ndoshta nuk duhej të ishte ky përjashtim kur më në fund, sot letërsia shqipe konceptohet si një e tërë. Personalisht e kam ngritur këtë shqetësim pra, trajtimin e letërsisë shqipe si një të tërë, jashtë etiketimit “letërsi kosovare”, që më 1985.

2. Ndërsa Ministria e Kulturës dhe QKLL nuk kanë reaguar për përfshirjen e tyre, autori i ekspozitës Tasho është mbrojtur duke deklaruar se ishte një projekt individual i nisur në vitin 1998 dhe i përfunduar në vitet 2008 dhe nuk kishte si qellim të shkruante historinë e letërsisë. Ai, edhe pse një nga fotografët më të njohur në vend, nuk ka dhënë asnjë shpjegim përse ka përjashtuar në projektin e tij(edhe ashtu individual) të gjithë shkrimtarët dhe poetët shqiptarë të veriut të Shqipërisë dhe akoma më rëndë ata jashtë Shqipërisë londineze. Si e komentoni justifikimin e tij ?
-M. Erebara: Indiferenca- qëndrimi tipik institucional që për artistët mund të përkthehet edhe nënçmim. Nuk besoj se do të ketë ndonjë reagim pasi për ato – Ministrinë e Kulturës dhe QKLL, nuk ka ndodhur asgjë e gabuar, thjesht ato shënojnë edhe ‘një projekt të kryer me sukses sepse kemi të bëjmë me një punë individuale’. Ndërsa për sa Tasho është shprehur, aq më shumë që ky projekt paska filluar që më 1998, ai duhej ta kishte riparë edhe njëherë gjetjen e fillimit, gjë të cilën mesa duket nuk e ka menduar fare. Dhe ka menduar shkurt, ndoshta si një ekspozitë si të tjerat të realizuara prej tij. Duke qenë se autori është një përcjellës besnik i veprimtarive kulturore dhe artistike ndër dekada, e përjashton mundësinë që ai të mos e njohë faktin e ekzistencës së letërsisë shqipe edhe jashtë kufirit shtetëror.Këtë injorim të letërsisë shqipe duhet ta kishte pikasur QKLL-ja, e cila do të duhej të refuzonte përfshirjen në këtë projekt, i cili siç thotë autori prej gati 20 vjetësh nuk ka gjetur përkrahje për ta ekspozuar në asnjë institucion privat dhe publik. Duket që konceptimi i mangët dhe përjashtues të ketë qënë shkak që fotoekspozita t’i ketë mbetur në shtepi.

3. Përfshirja e Ministrisë së Kulturës dhe QKLL-së, si dy ente kulturore publike në këtë projekt individual, duke e strehuar, sponsorizuar dhe paraqitur mediatikisht si event kombëtar, me dashje apo pa dashje e kanë nxjerrë këtë projekt nga përgjegjësia individuale e një fotografi apo privatësia e një individi duke i dhënë legjitimitet zyrtar. Pse mendoni që kjo ministri mbajti dhe po mban këtë qendrim, duke ju kthyer praktikave staliniste të para viteve 1990, ku shkrimtarët shqiptarë botoheshin nën okelion “Shkrimtarë nga Kosova”?
-M.Erebara: Ka dy alternativa: Legjitimiteti zyrtar do të thotë që ai projekt, pavarësisht zanafillës, duhej të kalonte nën shqyrtim dhe kjo Ministri e QKLL specifikisht duhej të shikonin me vëmendje strukturën e këtij projekti. Ato institucione prandaj janë, aq më tepër kur i paraqesin si ngjarje të mëdha kombëtare. Kjo nuk është bërë. Ata i dinë përfituesit e përhershëm të mbështetjes së tyre, thjesht firmosin dhe aq, pjesën tjetër e bën vetë artisti. Kjo shkon me qëndrimin e përhershëm të asaj që është fasadë dhe që duhet shitur si një punë e madhe e serioze. Në fakt duhej të ishte krejtësisht ndryshe, me çdo projekt, dhe aq më tepër me ata të cilëve u vishet mantel kombëtar. Për vetë rrethanat historike të shkuara por edhe të tashmet, kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, të trajtuara ndaras në mënyrë krejt të padrejtë nga politikat dhe interesat e ndryshme antishqiptare, të paktën duhej të vihej theksi fuqishëm në vlerësimin dhe promovimin e asaj që është unike, e që na bashkon- gjuha shqipe, gjaku, kombi, konstitucioni shpirtëror, arti në përgjithësi, ajo që na bën një komb të vetëm e të pandarë. Për të mos hyrë thellë në histori tashmë janë të njohura qëndrimet e periudhës komuniste kur nuk lejoheshin të përfshiheshin në tekstin e Historisë së Letërsisë Shqipe, autorët shqiptarë që jetonin dhe botonin në Prishtinë dhe Dipasporë. Kjo padyshim që ishte një pengesë e madhe për kohën, për autorët këtej e andej kufirit. Po pas vitit 1990 është e tepërt të konstatosh këtë trajtim.
– Dhe e dyta, nuk dua të mendoj se është diçka e mirëmenduar sipas një skenari shkruar nga antishqiptarët e në shërbim të tyre. Jemi dëshmitarë të zhbërjes së arsimit, të humbjes së vlerave të individit, të kthimit të tij plotësisht në një turmë pa kokë, pa nerv, në një qenie vetëm biologjike, jemi dëshmitarë të një pornografie mediatike që po japin dorën e fundit drejt humnerës njerëzve, që të vetmin preokupim kanë mbijetesën, jemi dëshmitarë të atrofizimit galopant të strukturave shtetërore që qëllim të vetëm kanë vetëm paranë dhe në emër të saj nuk dinë as çfarë shesin, në rastin tonë Atdheun. Sigurisht krahasuar me këto probleme kaq madhore , si kurrë ndonjëhërë në historinë e kombit shqiptar, kjo “ Karrige” zvogëlohet, por kur mendon se edhe ajo ka rolin e saj në gjithë këtë ngrehinë, ajo rimerr përmasat e saj të vërteta dhe ekziston. Nëse do i qëndrojmë kësaj alternative atëhere e dimë që në të tilla raste përdorën të gjitha mundësitë, edhe ato në dukje të parëndësishme, për të arritur në qëllimin final. Uroj dhe shpresoj të mos jetë kjo. Do ishte e frikshme, e frikshme të jesh dëshmitar i kësaj shpërbërjeje. Në këtë rast do na duhet të zgjedhim midis legjitimitetit zyrtar i cili na numëron “heronjtë”, dhe jozyrtarizimin e çdo projekti artistik i cili “viktimizon”.

4.Si një studiues i letërsisë por edhe si doktor i shkencave letrare me një tezë nga poezia e realizmit socialist, kam konstatuar se në historinë e Letërsisë shqipe të botuar më 1978 shkrimtarët dhe poetët shqiptarë që jetonin në trojet e tyre etnike në ish-Jugosllavi u përjashtuan me argumentin që nuk janë autorë të realizmit socialist. Habia është që ndërsa kriteret ideologjike mbi të cilën ishte hartuar ajo letërsi dhe politika e botimeve në Tiranë deri me 1990, ka rënë prej 32 vjetësh, akoma ka institucione që e përjashtojnë më shumë se gjysmën e letërsisë shqipe që shkruhet jashtë Republikës së Shqipërisë, përfshirë letërsinë e diasporës etj. A nuk ju duket një kthim pas ? Pse mendoni se po ndodh kjo, ndërkohë që Tirana zyrtare i ka kthyer prej dhjetë vjetësh marrëdhëniet me Beogradin në marrëdhënie supervëllazërore dhe ftohur në ekstrem ato me Prishtinën?
– M. Erebara: Nuk më duket se ka kthim pas. Vazhdon e njëjta rrugë `po në kushte të tjera. Ndryshimi qëndron në mënyrën e bërjes së propagandës, nëse në komunizëm propaganda ishte shumë e qartë, e kthjellët, e lexueshme, tani është një kakofoni e qëllimshme ku individi i thjeshtë, por edhe intelektuali hutohet dhe në fund nuk di se çfarë të mendojë, kështuqë i bie shkurt- beson çfarë i serviret pa e vrarë mendjen më tej. I lodhur tejskashmërisht për të mbijetuar, për gjithë të tjerat menefregizmi i vet e mbyt. Jemi në një paqe të rreme e cila në finish na vë përpara gjithë zullumërinë antishqiptare si fakt të kryer, dhe pafuqishmëria jonë kufizohet vetëm thjesht në një konstatim. Ne ishim me vëlla pas 1944, me Titon, pastaj ishim prapë me vëlla, me Titon, po kësaj here e fshehëm dashurinë dhe marrëdhënien me të, (popullit iu tha – Ja armiku(Tito)! Kush flet me të është armik i Partisë!); tani jo vetëm e kemi vëllanë po e kemi vëlla e shkuar vëllait! Ende nuk është kërkuar falje nga Beogradi, ‘vëllai i madh’, për genocidin dhe masakrat egenopcidit të vitit 1998-199 në Kosovë, por ne e puthim dhe ia dëgjojmë fjalën. Madje i blejmë edhe ushqimet për respekt, e tonat i hedhim në lumë. Po përtej kësaj, ka qëndrime e strategji afatgjata të hartuara nëpër kanceleri botërore, ku secila fuqi kërkon të dominojë dhe ashtu edhe të ndihmuara nga të shiturit e servilët, nga të babëziturit për pasuri, synojnë pikërisht këtë gjë. Instrumentet e ndryshme ku pjesë është edhe arti thjesht nganjëherë edhe pa kuptuar thelbin, çojnë ujë pikërisht në këto synime shekullore të atyre që nuk i duan shqiptarët, ose më saktë i duan vetëm për t’ju shërbyer interesave të tyre. Dhe kjo ndodh, ndërkohë që duhej të ishte krejt e kundërta. Rasti i kësaj “Karriges së shkrimtarit” e vërteton më së miri instrumentalizimin, sikur thamë urojmë padashje, të marrëdhënieve e qasjes vëllazërore.

5.Ndërsa Ministria e Kulturës dhe QKLL promovojnë një ekspozitë të shëmtuar duke fyer dhe lënduar shumicën e shqiptarëve, akoma nuk kemi një Histori të Letërsisë Shqiptare si një tekst akademik me konsensusin më të gjërë të mundshëm. Pse nuk po ndërtohet kjo histori ndërkohë që kriteret ideologjike që e pengonin hartimin e saj kanë rënë prej 32 vjetësh?
-M.Erebara: Mendoj se Akademia e Shkencave e Shqipërisë qëndron larg këtij projekti kombëtar, pasi me sa duket ato kriteret ideologjike për të cilat kemi dëshirë të besojmë se kanë rënë, janë aty po aq të pranishme, dhe e dyta ndoshta edhe ajo është pjesë e së tërës, nuk mund të shkëputet dhe të hartojë përparësitë kombëtare, sikur bën çdo akademi botërore.

Ju faleminderit !

Pyetjet i bëri M.Buçpapaj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here