Klara Kodra: LULET E SHKULURA NGA RRËNJËT, POEZI

BISEDË ME POETËT ARBËRESHË

Ju shkundni tutje vrullshëm jorganin e dheut;
Si fëmijë që mëngjeseve hedhin tutje jorganin
Se e dinë që i pret dita,
Dita e re.

Përmes largësisë së kohës
Doni të ktheheni te drita.
Doni t’i ktheheni vendit kurrë të arritur,
Atdheut.
Dhe na hidhni si një top prej dielli,
këngën
Dhe na thërrisni “Vëlla, motër, na lidh me
vëllezërit”
Me vëllezërit e motrat e gjakut tonë që të shuajmë
brengën.
Jeronim, Zef, Jul, Franqisk , e kapa topin.
Dritën që rrezatuat e ndava me vëllezër e shokë.

LULET E SHKULURA NGA RRËNJËT
Emigrantëve shqiptarë në botë

Lulet e shkulura nga rrënjët
Uji kristal, qelqi kristal
I mbron, i ruan, ua fal ndjenjën
Sikur mbi ta është prapë qielli lart.

E prapë atë jetë të vërtetë
Q’u jepte toka kurrë s’ua fal
Luleve të shkulura nga rrënjët
Uji kristal, qelqi kristal.

ENIGMA E MACEVE

S’e kam besuar kurrë që macet e zeza
janë shtriga.
S’e kam besuar që ato ndjellin fatin e zi
Përherë të gjitha macet i kam parë me
dhëmbshuri.
Po për macet e bardha e vogla ime mbesë
Më tha se janë engjëj e gati i zura besë
Ngaqë ato të bëjnë për vete me hijeshi.

NJË FLETË E BARDHË

Një fletë e bardhë…
Ç’është vallë?
Rrafshinë me borë?
Livadh plot luledele?
Qiell në agim?
Bardhësi valësh?
A vello nusërie?
Ujvarë qumështi nga gjiri?
A kokë kurorëthinjoshe
Që s’i është shuar hiri?
Ekrani i një kompjuteri
Para se të mbushet me gërma?
Një derë e porsalyer
Që të çon në një pallat ëndërrash?
Diçka dhe shumëçka
Mes qënies e mosqenies varet
Nuk pret veçse stapin magjik të
Shkrimtarit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here