KULTI I VITHEVE
Shtrirë drejt e në rërë, si rrallëherë këto vitet e fundit, po kënaqesha nga flladi freskues dhe drita e diellit që vezullonte anekënd…
Përbllë meje, një femër e futur gjer në gju mes valëve shkumëzuese, hidhte ujë me grushte mbi supe, nëpër zverk dhe mbi gjinjtë e çliruar nga reçipetat dhe, prej këtyre lëvizjeve të njëpasnjëshme, spërdridhej ritmikisht mu si ato pelegrinet, kur kryejnë ritet pagane, të cilat besojnë se, uji ua lan mëkatet, tek ua lan edhe trupin…
Tekefundit, duhet pranuar se, mëkatet të ndyjnë vërtet , ku e ku madje më zi se pisllëku i njëmendtë.
Fllad dritë det i gjallëruar…
Ajo doli nga uji dhe, filloi të çapitet mbi rërën e nxehtë kërcitëse me hapa rrëshqitës, gjersa ndali diku ndanë meje, siç duket për t’u tharë e për të marrë njëherësh ca reze kuruese.
Po ia kundroja me nge nga një kënd i pjerrët atë gjysmëprofilin intrigues, kur ajo mbylli sytë, hapi paksa këmbët dhe përkuli kryet prapa, duke i derdhur flokët e qullur mbi shpinën e gjerë e të rrafshët.
Ja, harku rrëmbyes i vitheve të lëmuara, që prireshin përpjetë si ato tollumbacet e fryra, që të ikin nga duart, ja barku i përthithur përpara, i shenjuar në mes nga hija e kërthizës, gjinjtë e gufuar krenarisht pastaj, me atë ndarjen e thellë midis, si edhe vithet, të cilave u ngjajnë shpesh aq shumë.
Sythat e atyre gjinjve ishin të kreshpëruar dhe drithërues dhe, po kështu duhej të ishte edhe klitori, ndërsa vetë vagina e fryrë dhe me një lëng veshtullor përreth, i shpërthyer ndoshta, nga ndonjë orgazmë e arritur ëmbëlsisht n’atë ëndërrim erotik intim…
Fllad dritë det i shkumëzuar.
Sa monumentale dukej figura e saj! Ngaqë po e vështroja nga poshtë – lart ? Jo jo, pavarësisht këndit nga e këqyr, trupi i një femre çdo herë duket monumental, prej vëllimeve plot vijueshmëri harmonike, prej dëshirave seksuale që të përndez, dhe për më tepër, prej adhurimit të tij, deri edhe hyjnor…
Fllad dritë qiell dhe det..
U përqëndrova te vithet, të cilat janë edhe trendi dalldisës i ditës, ngaqë edhe vetë femrat vithet publikojnë,po po, i publikojnë pa ndërprerje në rrjetet socialë dhe, vura re se, i përshkonte tejpërtej veçse një kordon i zi, si i djegur nga një shkarkesë elektrike. Ai humbiste menjëherë brenda tyre, për të dalë sërish përpara i përngjitur pas një rombi, i cili mezi mbulonte vulvën.
Sa shumë mund të shprehesh sot për një palë vithe të bukura, të cilave u shkon më tepër se kurrë ky epitet ! Por, edhe një femër, sa papërmbajtshëm mund të mburret me to ! Madje një palë vithe të tonuara gjithë stil e fantazi në palestër, apo në qendrat estetike, janë një identitet i plotësuar për atë që i ka, një identitet që të siguron rrjedhimisht personalitet të padiskutueshëm.
M’u ndërmendën rrëmbimthi vargjet e një poezie, të cilën, kur e lexova së pari, më shkaktoi një nënqeshje sarkazmi:
… n’afishet e kinemave të kryeqytetit /aktoret e filmave pornografikë,/ pozojnë prapanicën /më me sukses se portretin…
Asnjë herë nuk mungojnë lajmet e rrjedhshme për Kim Kardashian, të cilës zor se ia ka fiksuar njeri kushedi se çfarë fytyyrën. Meshkujt ia dinë përmendsh formën shpërthyese të vitheve të saj epokale dhe, do të dallonin në çast çdo ndryshim që do t’u ndodhte. Po femrat ? Oh, edhe ato nga ana e tyre , do t’i dëshironin ethshëm një palë vithe si të Kimit …
Le të mos shtiremi: edhe unë, asqë e kam parasysh se ç’portret ka Kardashian, por ama rruzujt planetarë të vitheve të saj, i di mirëfilli.
Edhe kronikat për të veçse me vithet e saj merren ;bobo mos po fillojnë t’i bien vithet, mos po shtojnë ndonjë gram, mos po deformohen , mos…
E, ç’aktore je , qoftë edhe e Hollivudit, nëse ende nuk ke sfiluar në tapetin e kuq për të shfaqur vlerat e vitheve të tua, duke u përthyer enkas në mes, që t’ua tregosh në detaj vipave të dëshiruar, ashtu të ravijëzuara nga tangat, pas mjegullës së hollë të një tyli? Sepse sot pra, është e panevojshme të thuash: më falni që ju kam kthyer prapanicën ! Oho, s’ka gjë, përkundrazi ne…
Provo provo, të hapësh facebook – un tënd e t’i kalosh një e nga një me radhë e durim fotot e postuara të mikeshave të tua !
Ah, si të përshëndesin ato tashmë me vithet e tyre, për të cilat përkushtohen e merakosen pa pushim ! Përthyhen në mes,u japin fort vitheve përpjetë dhe, buzëqeshin! Like like like …
Një minutë, një minutë : a e ndoqët të dielën spektaklin fantastik të Miss Boom Boom ? Ah, ç’ vithe kishin ato brazilianet ! E shkreta juri ç’hoqi për të përcaktuar ato më perfektet, më sensualet, më…
Mirë Europa që po vonohet, po ne në Shqipëri, kur do ta organizojmë një konkurs Miss Boom Boom ?
Shih,njëherë për njëherë do të fillokemi me kërcimin Kizomba ; hehe,ass dancing…
Ç’kult i ri , ky Kulti i vitheve .
E kush po kalon mbi rërën e nxehtë , këtu në plazh, pa ia ngulur sytë haptazi kësaj femrës ndanë meje ? Mendoni, kur të fillojë të ecë, të tundet e të shkundet !
Fllad dritë shkumë sensualitet
Çfarë koktejli…
2010
HEROI
Në studiot e montazhit ishte rrëmujë e madhe. Përplaseshin dyert fort dhe, herë pas here jepeshin urdhra me zë të lartë dhe të prerë.
-Çfarë po bëhet kështu ? – pyeta një kolegen time, me të cilën u ndesha ballë për ballë në korridor.
-Sot është zhvilluar një mbledhje solemne, nuk e ditke ? me rastin e njëvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO -s mbi Jugosllavi.Me këtë rast,sigurisht, janë shpërndarë edhe mjaft dekorata.Por tani, siç e sheh, kanë ardhur të montojnë kronikën …
-Po shoh shumë fytyra të panjohurish.
-Janë badigardë dhe ca kuadro të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Por është vetë gruaja e kryeministrit që udhëheq montazhin e kronikës së përkujtimit të ditës së shpalljes së luftës. Hëm gruaja e kryeministrit,e cila,kur ishte familjrisht në opozitë na merrte mendtë sa herë llomotiste nëpër mitingjet elektoralë për lirinë e medias ; ja tani liria e medias…
-Ashtu ashtu ; uf sa shumë tringëllima celularësh dëgjohen me lloj – lloj melodish !
-Po ti ku xhirove sot ?
-Te një panair libri i sapohapur.
-Posi,posi; rri tani dhe prit radhën për montazh.
-Patjetër…
Nga dera e mbetur hapur e studios, ku po montohej kronika epokale, bërtisnin të gjithë njëherësh: shpejt,shpejt,plane nga arkivi, ah jo jo jo, si the si the, po po po, plane nga bombardimet, kujdes portretin e kryeministrit, stand – up-in e gazetares, hajt hajt,duartrokitje prapë, kryeministrin kryeministrin, po piloti gjeni një plan të pilotit, o ja edhe gjenerali Klark, stop stop, kryeministri prapë që dëgjon dhe pohon me kokë …
U kthye përsëri kolegia ime dhe, tek m’u afrua, më pyeti me një ton kinse qortues:
-A e di ti, në fund të fundit, se kush është heroi i vërtetë i kronikës ?
-Gruaja e kryeministrit …
-Mos bëj shaka !
-Jo dhe aq .
-Vështroje, vështroje atë djalin e gjatë atje, për të cilin tashmë nuk i bie më kujt ndër mend dhe, me siguri e kanë harruar fare përse iu lutën që të vinte në Televizion ! Ai pra,është piloti i famshëm që hodhi bombat e para mbi Beograd, duke lajmëruar kështu fillimin e një historie të re për mbarë kombin shqiptar…
-Gati sa nuk recitove në fund.
-Ta pret mendja ; ishte një fragment i tekstit të kronikës që po montohet.Vështroje ,vështoje pilotin…
Vërtet ishte një djalë i gjatë dhe simpatik, me flokët e qethur kare, me vështrim të kthjellët dhe gjithë dritë që rrinte ndanë shkallëve i qetë dhe nuk ta tërhiqte vëmendjen .Kur u ngjita lart u ndesha me të, por nuk e këqyra,sepse mendova se, do të ishte ndonjë nga badigardët e tepërt të qeveritarëve tanë.Zor se i dallon të huajt tashmë në Shqipëri, qofshin ata amerikanë, suedezë, italianë, apo edhe turq;ne me të gjithë ngjasojmë ngapak…
Piloti kishte veshur një kostum blu, të cilin, bashkatdhetarët e mi, do ta quanim demode menjëherë. Xhaketa mbërthehej me një kopsë të vetme pranë rripit të pantallonave, të cilat ngushtoheshin në fund si të ishin geta.Nuk mbllaçiste çimçakiz, siç priremi t’i shohim amerikanët,për shkak të steriotipit të ngurtësuar në mendjen tonë dhe, nuk dukej aspak i fyer.
E pra, ja, ky ishte heroi i vërtetë i kronikës që po përgatitej me zhurmë e rrëmujë në studion e montazhit.Dhe pikërisht atë nuk e pyeste, fjala vjen, njeri se çfarë planesh nga ato të luftës ( po po, të luftës) ishte më e domosdoshme dhe më e udhës të montoheshin !?
Në fillim, ai patjetër do të ketë qenë në studio, do t’i kenë bërë një vend, pastaj do të kenë nisur të grinden shqiptarët me njeri – tjetrin, do ta kenë shtyrë pa ditur se ç’bëjnë, do t’i kenë dalë përpara duke ia zënë monitorët dhe,ai, pa u ndier, do të jetë larguar dhe ka qëndruar atje ndanë shkallëve, duke parë nga dritaret e gjera, ndoshta qiellin mesdhetar shqiptar.
Të tilla gafa të pafalshme bëjnë nganjëherë pa dashje shqiptarët mikpritës,ngaqë i merr në qafë sherri mes veti dhe, ai piloti i famshëm do ta ketë ndier veten më në vështirësi sesa në teatrin e luftës…
Nuk kishte njeri me pamje më modeste se ai aty rrotull dhe, unë gjeta një kënd të pjerrët dhe fillova ta këqyr me kureshtje pa i rënë në sy.Mund të rrija ashtu një orë të tërë, sepse kisha nevojë të meditoja thellësisht dhe të ndodhesha pranë heroit të vërtetë të historisë dhe modelit të vërtetë të një monumenti. Më shqetësonte së tepërmi thjeshtësia e tij dhe, nëse nuk do të m’i kishte shpjeguar të gjitha kolegia ime, asqë do ta shquaja këtë figurë midis atyre njerëzve që s’i mbante vendi. Ishte një rast nga i cili duhej të mësoje, apo ky rast ishte krejt i papërshtatshëm për një gazetar shqiptar dhe,për gazetarët e Europës Lindore në përgjithësi ? Sepse ne jemi mvelur sa nuk tregohet me heronj të fryrë, të rremë dhe arrogantë dhe,për pasojë, nuk kemi lënë panegjirizma pa kurdisur.
Përgatitej kronika e fluturimit epokal, për t’iu paraqitur botës, ndërsa heroi i saj qëndronte i heshtur dhe i mënjanuar,sepse, mesa duket historinë vërtet e treguakan shpesh ata që s’e bëjnë…
2000
LEGJENDA E KUMRIES
Kumria kumria me atë incizim prerës mavi /si gjak i piksur përreth qafës së brishtë/ E vetmuar dhe /e pikëlluar,/zbret nga qielli mes njerëzve në trotuar,/ mes tryezave nëpër kafene zbret/apo tërhiqet në muzg e fshihet,/mes qerpikëve të pishave…
Kuku – ku
Zbret kumria herë – herë/ dhe në parvazet me vjollca të dritareve;/ diç kërkon e do të pyesë…/ Ngjitet dhe mbi muret qiklopikë të kalasë/ dhe,trishton…
Kuku – ku
Eshtë shpirti i një motre / tronditur thekshëm, /që fluturon i trupëzuar te ky zog / Engjëllor./Në herladikën e Elbasanit mungon kumria, / por,në heraldikën e poezisë/ Ka qenë përgjithmonë…
Kuku – ku
Fluturon shpirti i një motre/ me perin kaluar qafës së hollë, / që thurte e thurte me dhembshuri / një triko të ngrohtë për vëllanë,/ Ai pe që dridhej përkëdhelisht / ndër flokët krela krela,/ ishte për motrën / përfrqafim ngashërues…
Ah,motra
Kuku – ku
Ishte fejuar ajo dhe gëzonte ! / Çelur ishte,e ajthme dhe, /m’e bukur ,/ mërzitej veç herë – herë tek ndërmendte / se vëllanë do ta linte./ e për të më,s’do përkujdesej, / me t’u martuar e me t’ikur / në shtëpinë e re…
Brenda mureve si koracë të kalasë / kërkëllitën mbi kalldrëmin spërdredhës / rrotat e një karroje,një mëngjes pa dritë !
Vëllai iku
Kuku – ku
U lëshua motra e përhumbur / udhëve ;/ peri mbetur qafës së pjerrët /sa s’e mbyste! / Por, ç’karro e ç’kalldrëm; / Dale dale…/ Mos ishin rrotat e një makine/ që fërshëllyen ankthshëm /n’asfalt,një mëngjes xixëllues ?
Vëllai iku
Kuku – ku
Ah,por mos ishte një dallgë përpirëse / që ndeshej në bash të gomones / gjithë shkulme e gjëmime / në një det furtune ?
Kumria
Kuku – ku
Kuku – ku
Motra / me perin qarkuar qafës / n’udhën që s’të shpinte / gjëkundi …
Kuku – ku
Motra
Kumria
Kuku – ku
Kush tha se ishin ca turbina uturitëse / të një avioni që thithi qiejt / e u zhduk ?
Vëllai iku
Kuku – ku
Motra / me perin në qafë…
1997
TAKSI
A, çfarë moti! Derdhej shiu ujëvarë dhe krisnin rrufetë me aq zhurmë dhe ndriçim verbues, sa gati-gati ndiheshe i indinjuar dhe i fyer prej papërgjegjshmërisë së qiellit…
U lëshuam me të katra që nga libraria, ku kishim hyrë për të shfletuar disa libra të rinj dhe, kapëm një taksi para Bankës Kombëtare. Pasi u rrasëm brenda, duke shfryrë dhe duke marrë frymë me zor, i thamë shoferit, ku të na hidhte por, o Zot! tek po rrinim pa folur në ndenjëset tona, dëgjuam befas që nga magnetofoni i taksisë vargjet e poemës sime “Zoti Kallashnikov”. Ku nuk qenka shpërndarë, thashë me vete, kjo kasetë; deri edhe te shoferët e taksive! Dhe mendo, s’ka as një muaj që është përgatitur. Por, sidoqoftë, hajde dëgjoje tani gjatë gjithë rrugës…
Alkimia e mallit, rilindësve tanë,
Baltën e atdheut ua kthente në mjaltë…
Të paktën nuk qenka nga fillimi; qenka diku nga fundi! Nuk e di, por s’kisha më nerva e dëshirë ta dëgjoja. Ndoshta ngaqë e kalova për një kohë të gjatë nëpër duar dhe, ngaqë edhe opinioni u mor shumë me të. Mirëpo, shokun tim, që e kisha në krah, nuk po e zinte vendi, gjersa të pyeste shoferin për poemën, sepse ishte i sigurt, që do të dëgjonte prej tij ndonjë batutë, prej së cilës do të shkriheshim gazit më pas.
-Ç’është kjo, që po dëgjon! S’paske kaseta me muzikë ti? – e pyeti ai, sapo ndalëm në një kryqëzim të rrëmujshëm, semaforët e të cilit nuk punonin.
-Aha! Kaseta me muzikë kam sa të duash dhe çfarë të duash, por ja që “Kallashi” më pëlqen shumë. Rri pres radhën te Banka dhe vë kasetën dhe e dëgjoj; ku të qëllojë… I kam hequr mbi kurrizin tim unë të gjitha ato që përmenden aty!
-Ashtu, ë? – u interesova unë sinqerisht dhe i bëra shenjë shokut tim të mos llapte më. Ndërkohë, taksisti filloi të deklamojë me një zë të vrazhdë vargje nga poema, duke u sinkronizuar perfekt me zërin e aktorit, që gurgullonte nga kaseta:
-Ky popull mbeti me arkivol mbi supe… Ah, ah!
-Vërtet, vërtet! – pohoi shoku im. Por taksisti nuk u bë aspak qesharak. Kur e ndërpreu deklamimin atje ku desh ai vetë, na u kthye neve dhe tha:
-Ah! Rri pres radhën përpara Bankës dhe dëgjoj “Kallashin”. Më është bërë si lutjet, jua thashë një herë.
-Po kush e ka shkruar këtë “Kallashin”? – pyeti përsëri këmbëngulshëm shoku im. – Dua të them, si e ka emrin autori; e di?
– Emrin? E kush ia qiu t’ëmën…
1998
TURIZEM
Tushemisht …
Eh, përsëri një emërtim në sllavisht, por sot asqë kam ndër mend të merrem me këtë dukuri të mbrapshtë të toponimisë; sot, ashtu si edhe në ditët që shkuan , do të harrohem përgjatë bregut të liqenit , ndanë të cilit janë shumuar së tepërmi kafenetë dhe restorantet, ku shpresoj të ha një drekë për të qenë …
Pas flladitjes , u futa në rrugicat e pakta të Tushemishtit të shtruara me plloça , ndanë të cilave rrjedhin ndër hullitë e tyre ujërat e pastra që vijnë nga larg e që shkrehen në fund në liqen, kurse prej shtëpive të bukura me veranda dhe ballkone përplot lule të përndezura dhe, me oborre të përmbledhur që hijeshohen nga bredhat konikë gri, hyjnë e dalin turistë shqiptarë dhe të huaj, të fiksuar pas lakrorit etnografik, që piqet në saç. Po ku gjen turistë që s’kapen pas një trilli ?
Piva ceremonialisht ujë gurgullues drejt e nga një çezmë guri, pra, jo si ngahera ujë të ndenjur shishesh plastike dhe , ndala të këqyr shtatoren prej bronzi të Zonjës nga Qyteti, apo Teto Ollgës, siç njihet e thirret tashmë nga kushdo , e ngritur aty te një shesh i ngushtë.
Por ç’zonjë po ju them ? Si zonjë nga qyteti, ajo do të ishte e padenjë për t’u përjetësuar; përballë meje ish zonja e qytetit, paraqitej si fshatare autoktone e këtyre anëve…
Përpara shtatores ishte një basen i cekët, ku vizitorët e paedukuar llapashisnin këmbët për t’u freskuar, ndërsa në sfond të saj , fare pranë peshës së bronzit , ishin ca shtëpi, me të gjitha dritaret e hapura , prej të cilave rrokullisej pandërprerje një potere gazmore. Gjithçka përqark ishte prej guri dhe prej tulle të kuqe dhe , prapëseprapë, ai mjedis i rrokshëm , dukej si një dekor i lehtë dhe i përkohshëm i disa shfaqjeve verore, me mizanskena të rrëmujshme dhe dialogë spontanë …
Çnuk bëri Partia dhe posaçërisht skenaristi i kinokomedisë, një komunist karrierist atëherë dhe, patjetër sot një demokratikas i privilegjuar, për ta kthyer këtë zonjën nga qyteti, me sjellje dhe pikëpamje mikroborgjeze, në një shoqe të djersitur fshati, së bashku me të bijën e saj, vajzën e re me ëndrra, të cilës i vajti pas me merak prej nëne, duke gjetur atje që u ngulit, një komunitet të veçuar, ku dogmat marksiste zbatoheshin më me rreptësi se në kryeqytet dhe , ku privatësia asgjësohej deri në zero.
Aq me bindje dhe vetëdije e ka luajtur aktorja Zonjëshoqen , aq përputhshmërisht është njëjtësuar me personazhin e kinokomedisë, e ndihmuar dhe e nxitur harmonisht edhe nga vetë bindjet e saja politike sa, shpesh harrojmë që, në shtatore është aktorja dhe jo ndonjë heroinë e këtyre anëve, që është sfilitur për atdheun…
Po; vrull revolucionar dhe, partishmëri proletare edhe në fshat, që një ditë edhe koperativisti të klasifikohej si punëtor i kualifikuar dhe, në mbrëmje të konspektonte pranë abazhurit veprat e shokut Enver…
Po i ndiqja i nervozuar ata që, tek silleshin përreth fshatares që buzëqeshte pa drojë, bënin fotografi të mirëfillta , apo edhe sellfi me të dhe, thosha me vete se, sa shumë heronj të vërtetë ka ky vend , sa dijetarë e atdhetarë të shquar, të cilëve , s’u gjen ende askund qoftë edhe një bust të thjeshtë, të derdhur në material surrogato, kurse personazhit pervers e të pasinqertë të një kinokomedie me humor dhe zhargon prej kooperative bujqësore dhe të sajuar sipas klisheve të revolucionit kulturor maoist, ku rrëfehet pa e llogaritur krimin social, trasformimi deri edhe gjenetik po të doni, i një qytetareje të nderuar në një fshatare demagoge, ka tashmë një monument me material nobel , në një vend, që për habinë time të çastit , bëhet pelegrinazh turistik !
Dhe shkriheshin dhe qeshnin me lot vizitorët tek e imitonin në gjestet dhe në batutat e saja edhe si zonjë edhe si shoqe; shkriheshin sepse, kuptohet, nuk kishin më frikë se mos i hidhnin me kuç e me maç sa hap e mbyll sytë, nga qyteti ku e kishin lidhur jetën, në një fshat, që ndoshta ia dëgjonin emrin për herë të parë, ashtu siç i ndodhi edhe vetë Zonjës …
A thua se, Shqipërisë rurale, me treçerekun e popullsisë së saj në fshat, i duhej shtuar ende pandërprerje numri i fshatarëve !
Partia mbi gjithçka …
Tashmë te kushdo gjendet një dëshirë instinktive për t’i ndjekur periodikisht filmat e komunizmit, nostalgjia retorike ndaj të cilit po rrëshqet në një patologji të rrezikshme…
Kinokomedia , që është xhiruar kryesisht këtu, në Tushemishtin kufitar, tek i cili nuk mund të hyje pa u pajisur nga Dega e Brendshme me lejekalimi, ka në qendër të saj patjetër edhe personazhin pozitiv absolut, një karrocier, sekretarin e organizatës – bazë të Partisë të kooperativës, i cili, po të të vinte në shenjestër të bënte gjëmën. Ai ishte edhe gjykatës edhe ekzekutues, komisar politik po se po, censor dhe kritik arti, pa firmën e të cilit nuk jepte dot shfaqje grupi amator i të rinjve që rropateshin tërë ditën në fushë.
Karrocieri karrocieri…
Ky injorant që nuk donte t’ia dinte as për ata që kishin kryer një shkollë të lartë, ishte gjithashtu edhe shkes, edhe kumbar dhe, të tërhiqte veshin, nëse ti e zgjidhje partnerin e jetës tënde pa aprovimin e tij.
Partia mbi të gjitha …
Edhe kandidati për dhëndër që ia gjetën Zonjës nga kryeqyteti shoqet e saja të kahershme, s’ishte tjetër përveçse një skulptor teveqel, i degraduar në mjediset me frymë të sëmurë dekadente dhe intelektualiste të Tiranës.
Urrejtje për qytetin.
Të ndiheshe fajtor nëse ishe banor i tij.
Në qytet nuk banojnë njerëz të virtytshëm…
Karrocieri i socializmit, apo mësuesi, siç e quanin me mahi mes veti njerëzia , e dërgoi Shoqen e fshatit gjer në kongresin e radhës të grave. ku ajo, me krenari të ligjshme, siç thuhej n’ato vite, mbajti një fjalim të gjatë prekës përpara tre mijë shoqeve pararojë, si mjelëse lopësh, mbëltuese qepësh e hudhrash, mësuese dhe mjeke, apo edhe vajza të reja që, me guxim kishin prishur fejesat, me të cilat i kishin lidhur që kur i tundnin në djep…
Ajo i tregoi gjithë shqiptarëve sesi, me ndihmën e pakursyer të Partisë, ishte kthyer nga një grua dhe nënë me paragjykime të dëmshme prapanike, në një aktiviste e vijës së parë atje në fshatin e saj të ringjallur, ku prodhohej buka e popullit…
Në mbyllje të fjalimit programatik, ajo u bëri thirrje qytetareve që ta ndiqnin shëmbullin e saj që ai të merrte përmasa kombëtare dhe , të mos trishtoheshin se, linin asfaltet dhe llambat me neon; Partia do ta bënte fshatin si qytetin …
Oburra, ta kthejmë Shqipërinë në një fshat të madh …
Skulptorët e Shoqes, të cilëve, pa vetëdije, u ka shkarë paksa steka në karikaturizëm , kanë modeluar në portretin e aktores vërtet të nderuar, atë buzagazin ndriçues, metaforën e optimizmit dhe lumturisë të njeriut të ri shqiptar.
Teto Ollga Teto Ollga
Mirë se vini
Mire se vini
Ja, bëni një sellfi të paharrueshëm, ngjitur pas Teto Ollgës. O, do t’ju kalojë në çast para syve tërë kinokomedia, prej së cilës keni qeshur e keni qeshur sa jeni mekur, pa e vrarë mendjen aspak se, n’atë farë filmi përqesheshit ju vetë…
Teto Ollga Teto Ollga
Turizëm kulturor në fshatin idilik, me mollë të kuqe si shëndeti dhe, me ujëra që rrjedhin e rrjedhin si lirika !
Ju lutemi, lërini krimet e komunizmit.
Nuk pyet më kush për ta !
Turizëm Turizëm
Oho, a po ju pëlqen era e lakrorit të pjekur në saç…
2015
INTERMEXO ME LIBRA
1.Gabimi
Në mëngjes, kur dola nga shtëpia, përveç qeses së madhe të plehrave, mora me vete edhe një qese tjetër me pesë kopje të librit tim më të ri. O, do t’ia shpija shkrimtarit R.T, i cili e kishte lënë Francën për një muaj dhe, kishte zbritur në atdhe për t’u çmallur ca dhe njëherësh për të vënë dhëmbë në gojë…
Ashtu, duke rrotulluar nëpër mend njëqind gjëra, u gjenda përballë kazanëve të plehrave dhe, hop! e fluturova njerën qese drejt tyre.
Mos!Në vend të plehrave, hodha librat! Hajde t’i fusje duart nëpër pisllëqet e njerëzve! Pale të të shihte ndonjë nga ata të shumtët e gatshëm, të cilët nuk lënë gjë pa nxjerrë në rrjetet sociale! Po kush ma dha komandën gabim?
E mo’, më mahiti alteregoja, se nuk u bë ndonjë gabim kushedi se çfarë; librat.nëse t’i kap syri sot majë plehrave, intrigojnë më tepër sesa në vitrinat e librarive apo në raftet e bibliotekave…
2.Bananas Bananas
Me botuesin isha marrë vesh që në fillim për të m’i dorëzuar mua në dorë tridhjetë kopje nga tirazhi i plotë i librit tim.
Eh, botimi i një libri, i sadoqoftë në numër, përndez çdo herë një gëzim më vete, po po!
Pasi firmosa në disa fletë radhazi, vura re se, punëtori i shtypshkronjës m’i kishte sjellë kopjet e librit të futura në një arkë bananesh!
Bananas Bananas
Ah, psherëtiva, me bananet sigurisht që do të kisha fituar para shumë më tepër! Megjithatë, çdo botim i ri është një gëzim më vete, e thashë këtë.
Dhe, preka librin tim me dhembshuri!
Bananas Bananas
Ah, e pabesa rastësi
Ah, e mbrapshta llogari …
2005
POEZIA
Tek pija mendueshëm kafen e mëngjesit, vështroja lart në ballkonin e një pallati, pardesynë e bardhë të një femre, e cila, e varur për t’u tharë në tel, ashtu e vënë në kremastar, rrotullohej e rrotullohej nga era sa majtas – djathtas dhe, të kujtonte ato tabelat e qitjes, kur i godet plumbi…
Por erdhi poeti MT, i cili, kur e dallova që tutje , m’u dhimbs me atë supin që ia shtrembëronte çanta e pandarshme përplot me libra. Eh, ishte gjithmonë po ai, me hap të ngadaltë dhe me një buzëqeshje të prerë në fytyrë, e cila të sillte ndër mend humorin dramatik të filmave të Çaplinit..
-Po ku je, ore ? – i kërkova llogari për ta ngacmuar – Gjithmonë të del një punë përpara.
-Ç’m’u desh mua ! Mora nja dhjetë libra nga të mitë dhe, thashë t’i shpërndaj te dy libraritë që ndodhen përgjatë rrugës së shtëpisë sime, mirëpo ato shitëset , kështu po i quaj, sepse nuk e kanë fare hijen e atyre librareve të dikurshme, që na i vlonin librat e bukur nën banak dhe, që lexonin edhe vetë kur nuk u hynin klientë, m’u gërmushën : ç’e ke këtë or’ xhaxha,fletorkë me vjersha?! Po të tilla gjëra tani,na sjellin veçse gjimnazistet ! Nuk kemi vend për libra të tillë në librari, jo jo, nuk na ecin…
-U bënë vite, që poezia refuzohet; ehu, më vjen keq, nuk na the gjë të re, ndonëse u pikëlluam tek të dëgjonim! Raftet e librave tashmë, mbushen me librat e të pandalshmes Daniel Still. Ato, shiten tërë ditën si hamburgerat. Dorën e zonjës Still, e lëviz një mekanizëm i përsosur perpetuum mobile, ka thënë një kritik idhnak.Po ti sikur na premtove se, do ta dhuroje librin, ashtu siç bëjnë në përgjithësi të tërë me vëllimet poetike ?
-Po more, po, dyqind kopje janë të shkretat; por ja që kisha qejf ta shihja librin tim në vitrinat e ndonjë librarie.
-Sidoqoftë, libraritë kryesore në qendër, do të ta mbajnë dhe do të shesin diçka. Dihet, poetët e vërtetë, të varfër vdesin, – u talla pa të keq në fund.
-Po nuk u shqetësove dhe , po nuk ëndërrove, nuk krijon dot, po tallu ti sa të duash. E sheh atë Mercedesin në trotuar ? Më mirë ta ëndërrosh sesa ta kesh.
-Jo more ! Me femrat ama, nuk ke dashur asnjë herë të kesh marrëdhënie të tilla platonike. Femrat ke dashur t’i gëlltitësh me gjithë lecka !
-Tjetër gjë janë femrat, mos spekulo ! Po, si m’u derdhën ato shitëset: nuk mbajmë fletorka me vjersha ne, or’xhaxha; gjimnazistet shkruajnë të tilla gjëra tani. Mirë të tjerat, po fjalën xhaxha, ku e gjetën ? Sa të pasjellshme ! Eh, ç’llomotis kot edhe unë ! Prit, prit të ta jap edhe ty librin tim, sepse, pastaj, merremi me llafe dhe, harroj…
Shkroi diagonalisht një dedikim të gjatë, të cilin, kur e lexova, më shumë se vetë teksti, më preku shkrimi i madh dhe i rrumbullakët si ai i fëmijëve të fillores. O Zot, thashë me vete, dikur kishte një shkrim të imët dhe të dendur.
-Si më thanë ato ashtu: o xhaxha, nuk mbajmë fletorka me vjersha ; gjimnazistet shkruajnë tani gjera të tilla. O xhaxha ! Bobo; sa keq po e qëllojnë poezinë hyjnore, që drithëron e drithëron …
Eh, miku im, nuk e pranojnë më poezinë !
Para ca ditësh një burrë hodhi gruan nga dritarja e banjës, si t’ishte sendi më pa vlerë në shtëpinë e tyre. Më pas, po një burrë, shqiptar shqiptar, ia nguli thikën në zemër ish gruas së tij në sy të diellit dhe të kalamajve. Po pardje, po sot, harruat ? Burri qëlloi me pistoletë gruan e tij brenda në makinë, teksa ajo po nisej për në punë…
Po nesër
Po pasnesër…
Ne vrasim femrat, miku im,për ç’poezi po flasim …
Ajo pardesyja e bardhë, me prerje femërore, atje lart në ballkon rrotullohej e rrotullohej majtas – djathtas m’u si ato tabelat e qitjes, kur i zë plumbi…
2005