Kosovë. Glauk Konjufca zgjidhet  kryetari i parlamentit.Fillon procesi i ngritjes së institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit


Parlamenti i Kosovës u mblodh të hënën pasdite për të miratuar përbërjen e qeverisë së re, disa orë pasi mbajti mbledhjen e parë pas zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit.

Në orët e paradites, parlamenti 120 vendesh filloi punimet me betimin e 114 deputetëve të pranishëm. Më pas me 69 vota u zgjodh kryetari i parlamentit, Glauk Konjufca nga lëvizja Vetëvendosje e cila doli fituese në zgjedhje, duke siguruar 58 vende në parlament.

Zoti Konjufca, pas zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019 ishte zgjedhur kryetar parlamenti, një post në të cilin qëndroi për një kohë të shkurtër. Ai u pasua në atë post nga Vjosa Osmani ndërsa udhëhoqi ministrinë e Jashtme në qeverinë e ish kryeministrit Albin Kurti, e cila u rrëzua më një mocion mosbesimi më 25 mars të vitit 2020.

Zoti Konjufca menjëherë mori përsipër edhe punën e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës dhe i kërkoi kryetarit të lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kandidatin për postin e kryeministrit.

Sipas Kushtetutës, presidenti i propozon parlamentit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë. Por lëvizja Vetëvendosje, vendosi që menjëherë të çojë përpara procesin e formimit të qeverisë.

Më 58 vende në parlament, lëvizjes Vetëvendosje i mjaftojnë partitë politike të pakicave kombëtare jo serbe për ta votuar qeverinë e cila do të përballet me problemet e rimëkëmbjes ekonomike, luftën kundër pandemisë së COVID-10, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Ndonëse nuk është përfshirë në përparësitë e zotit Kurti, një nga sfidat që e presin qeverinë e tij është rifillimi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Ajo që është ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë më postin e presidentit zgjedhja e të cilit duhet të përmbyllet në fillim të muajit të ardhshëm.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Tash për tash Partia Demokratike me 19 deputetët dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 8 syresh, kanë hedhur poshtë mundësinë që të votojnë kandidaten e lëvizjes Vetëvendosje për këtë post, Vjosa Osmani, ndërsa Lidhja Demokratike që ka 15 vende, ka paralajmëruar bisedime me zonjën Osmani para se të marrë një vendim.

Dështimi për të zgjedhur presidentin, mund të çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.

Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike që të shmangin një mundësi të tillë, meqë Kosova ka nevojë për institucione të reja në një periudhë sfidash shëndetësore, ekonomike e politike.

MARRE NGA ZERI I AMERIKES

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here