


Vëmendja ndërkombëtare është përqendruar këto ditë në Viti të Kosovës, ku të rinj, diplomatë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të botës janë bërë bashkë në emër të një kauze të përbashkët, paqes dhe një të ardhmeje të qëndrueshme. Nga data 25 deri më 29 gusht, Viti po mirëpret Samitin Botëror të të Rinjve për Paqe dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, një aktivitet ndërkombëtar që synon të fuqizojë zërin dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe në proceset vendimmarrëse.
Në Shtëpinë e Kulturës “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, përfaqësues nga vende të ndryshme po shkëmbejnë ide, përvoja dhe mesazhe bashkëpunimi, duke e kthyer Vitinë për disa ditë në një hapësirë të dialogut ndërkombëtar.
Samiti organizohet me qëllim të promovimit të paqes, dialogut, diplomacisë, lidershipit rinor dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Gjatë sesioneve të zhvillimit të Samitit që organizohet në bashkëpunim me Institutin e Politikave Publike dhe Kërkimeve të Diplomacisë (IPPDR), Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP), International Diaspora Foundation (IDF), Landesverband Hamburg (SDË) dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, kanë marrë pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve të ndryshme, si ato të Trupave Diplomatikë të ndryshëm, Organizatave Ndërkombëtare, akademikë të shumtë, si dhe pjesë të Shoqërisë Civile.
Nën moton “Të gjithë së bashku për një botë në paqe”, aktiviteti synoi të krijojë një platformë të përbashkët për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave ndërmjet të rinjve dhe përfaqësuesve nga vende të ndryshme.
Pikërisht, me datë 27 gusht, Samiti kulmoi me ceremoninë kryesore të këtij eventi Botëror të të Rinjve. Do të veçonim pjesëmarrjen edhe të ish-Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në fjalën e saj ka vlerësuar rëndësinë e këtij organizimi dhe rolin e të rinjve në ndërtimin e partneriteteve dhe promovimin e paqes.
Sipas saj, mekanizmat që prodhojnë paqe janë fryt i partneriteteve ndërmjet Kombeve dhe këto partneritete duhet të promovohen e të mbrohen.
“Të rinjtë janë promotorë të proceseve dhe duhet të jenë faktorë vendimmarrës. Të ndërtojmë partneritete dhe ta forcojmë aleancën”, ka thënë ndër të tjera Osmani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, u ka shprehur mirëseardhje delegacioneve dhe shteteve pjesëmarrëse në samit, duke theksuar se Vitisë i është bërë një nder i veçantë që këtë vit të jetë mikpritëse e këtij organizimi ndërkombëtar.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në organizimin e Samitit Botëror të të Rinjve, ndërsa ka ndarë mirënjohje për udhëheqësit dhe kontribuuesit e këtij eventi.
Në ceremoninë e sotme kanë marrë fjalën edhe ambasadorja Dr. Andrise Bass, organizatore e Samitit të 6-të Rinor për Paqe dhe një të Ardhme të Qëndrueshme, Shefki Hysa, udhëheqës i Misionit për Paqe dhe Prosperitet në Shqipëri, si dhe përfaqësues të tjerë të organizatave dhe institucioneve pjesëmarrëse.
Në fjalën e tij, Dr. Shefki Hysa u ndal te mesazhi i paqes dhe te roli që Shqipëria dhe Kosova mund të kenë në përcjelljen e këtij mesazhi, duke iu drejtuar të rinjve pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
“Shqipëria dhe Kosova janë Shtëpia e Zotit dhe e Shqiptarit, që kur është krijuar Njerëzimi. Shqipëria dhe Kosova janë Shtëpia e Paqes së Zotit!
Shqipëria dhe Kosova janë dhe Shtëpia Zotit dhe e Mikut të Shqiptarit, atij miku që sjell Paqe në këtë Shtëpi, që zbaton traditat shqiptare dhe që është i gjendshëm në çdo situatë për të respektuar dhe mbrojtur Miqësinë që ofron Shqiptari. Të tillë miq jeni dhe ju, të rinj nga vende të ndryshme të Botës, që dini ta doni Paqen, ta ndërtoni Paqen dhe ta mbroni Paqen. Shqipëria dhe Kosova janë dhe Shtëpia e Nënë Terezës. Ne themi shpesh se Mahatma Gandi, Martin Lutherking, Nelson Mandela dhe Nënë Tereza janë katër liderët kryesorë në themelet e Paqes Sociale Moderne Botërore, janë baballarët e kësaj Paqeje, janë Shpirti Humanitar i Diplomatic Mission Peace and Prosperity DMPP dhe i Shoqërisë Civile Botërore. Ju jeni sot në Shtëpinë e Nënë Terezës, si liderët e së Tashmes dhe të së Ardhmes. Ju përfaqësoni gjuhë të ndryshme dhe kultura të ndryshme, por në Shqipëri dhe në Kosovë flisni me një Gjuhë, me Gjuhën e Paqes. Mbase Shqipëria dhe Kosova ju duken vende të vogla, por si Shtëpia e Nënë Terezës, përfaqësojnë matematikisht, të paktën, dy miliard njerëz, nëse Bota është siç thuhet tetë miliard njerëz. Katër liderët Botërorë përfaqësojnë së bashku tetë miliardë njerëz, pra nga dy miliard secili. Dy miliard i takojnë Nënë Terezës, kështu që matematikisht shqiptarëve u lind e drejta të flasin gjuhën e Paqes në Shtëpinë e vet në Shqipëri dhe në Kosovë edhe në emër të dy miliard njerëzve të Botës. Pra sot, ju liderët e rinj jeni në Shtëpinë e Shqiptarit, në Shqipëri dhe në Kosovë, Shtëpi me dukje të vogël, po me peshë specifike të madhe, Shtëpia e dy miliard njerëzve.”
Në vijim, Hysa vlerësoi edhe figurat drejtuese të pranishme në Samit, duke veçuar kryetarin e Komunës së Vitisë, Sokol Halitin, ish-Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, si dhe ambasadoren Dr. Andrise Bass, ndërsa të rinjve u bëri thirrje që të marrin shembullin e liderëve dhe të bëhen jo vetëm ndërtues, por edhe mbrojtës të paqes.
“Nëse doni një Model Lideri, e keni këtu, midis jush: Sokol Haliti, Kryetari i Komunës së Vitisë, pasardhës i denjë i Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, Gandi i Ballkanit. Është Lideri Rugovist Sokol Haliti që ju hapi derën e Shtëpisë së Paqes, këtu në Viti. Nëse doni një model tjetër Lideri, keni Presidenten e Kosovës, Dr. Vjosa Osmani. Nëse doni dhe një tjetër model Lideri, keni dhe Dr. Bass… Bëhuni si këta liderë dhe të jeni të sigurt se do të jeni jo vetëm ndërtues të Paqes, po dhe mbrojtës të saj, sot dhe në të Ardhmen. Suksese në Lidershipin tuaj në rrugën e Paqes dhe të Sigurisë.”
Samiti Botëror i të Rinjve do t’i vazhdojë punimet, me aktivitete dhe diskutime që synojnë forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e paqes dhe fuqizimin e rolit të të rinjve në proceset shoqërore.


















