Ndjeja një zbrazëtirë në gjoks. Kokën e kisha të rënduar. Një qiell i vrenjtur, atë paradite, dukej se ishte ulur enkas, si për inat, mbi hapësirën e grimcuar nga tymi. Do të shkoja në ministri, të takoja FK, se më kishin transferuar diku, pa të drejtë. FK ishte një i njohuri im i vjetër, burrë i mirë, me një intelekt mesatar, por fati e kishte katapultuar në një drejtori të rëndësishme. Me siguri ,do ma qante hallin dhe unë do rikthehesha në vendin e mëparshëm të punës. Me këto mendime, s’di se si u gjeta para derës së ministrisë, pasi kapërceva portën me hekura, brenda së cilës kishte futur turirin një makinë e bardhë. Mpirja dhe boshësia m`u zhdavarit pakëz ,kur u përballa me Maks Arapakun, edhe ky një i njohur i vjetër. Maksi ishte poet, studiues, gazetar, botues i një gazete të shoqatës”Bijtë e Arbërit” ose mund të mos ishte më, por unë ashtu e kisha njohur dhe ashtu e mbaja mend; punonte në atë ministri, godina e së cilës ngrihej ndanë rrugës, ashtu, indiferente. Unë e dija që ai drejtonte një zyrë me peshë dhe u habita kur e pashë roje para hyrjes së dikasterit. Më erdhi pak zor për këtë përballje, tek e shihja të shtypte një buton, duke përkulur shpinën ,për të hapur derën,sikur çminonte një shteg të minuar.
-Maks, – thashë, – gëzohem që të takova pas kaq kohe…
-Po ne këtu kemi qenë, – tha duke përkulur sërish shpinën, për të shtypur atë dreq butoni.
Dera u mbyll sërish, ai e ngriti shpinën, u rrotullua në vend, pastaj u kthye sërish jo nga unë, por nga një zonjë e bukur: -Urdhëroni, zonjë!…
Maksi u përkul gjithë respekt para gruas së bukur, tmerrësisht të bukur, fine, veshur me një lirësi kërcënuese.
-Ministrin dua, vij nga Ministria e Integrimit.
-Ah, po, më falni!… – murmuriti ai dhe u përkul sërish për të shtypur butonin; dera u rihap dhe zonja shtatlartë hyri brenda. Shalët e saj të bardha, zbuluar nga minifundi përvëlues, u shkrinë në një kontrast të largët me mermerin e zi të shkallëve lakadredhëse.
“Bre, si nemitemi para femrave kaq të rralla në këto ndërtesa të zymta si kështjella mesjetare!”, – u përsolla në një mendim cytës.. .
Maksi u rrotullua sërish në vend, mori një tufë me letra nga një sirtar dhe i futi në një sirtar tjetër.
-Sikur nuk shkruan më në e shtyp, -i thashë . —Sidoqoftë, ti ke qenë poet i mirë..
-S’është koha për poezi; poezia u përket popujve naivë.. Poezi shkruajnë vetëm provincialët, që i kanë ende të gjalla imazhet e vendlindjes. Tirana është një kazan i madh që vlon çdo ditë. Edhe një tingull të sinqertë po artikulova, ta pjerdh skapamentoja e makinës dhe gërvima e këtij qyteti të pacipë…
-Më pëlqen filozofia jote, – u drejtova Maksit,po shprehja “qytet i pacipë’më kujtoi Bodlerin
-Në këtë qytet nuk pi ujë filozofia, por vetëm politika, e cila i futet udhës ,poshtë ,si urithi, ku darvinizmi social ngre krye çdo ditë në skuta të fëlliqura.
”I shkreti, duhej ta kishte pësuar diku”,mendova e më erdhi keq.
Po më zhgënjente mënyra si fliste.Reminishenca e shprehjeve të tij librore vinte nga një kohë tjetër,kur ai ,me siguri, mbante leksione para anëtarësisë së shoqatës,por dukej se nuk ma kishte ngenë. Këtë s`e shprehte hapur, por nuancat e tonalitetit të zërit të tij më thoshin se s` duhej ta bezdisja më.
Atëherë, u hodha drejt e në temë. I lashë se kisha ardhur për FK, se doja ta takoja patjetër atë ditë,më duhej të konsumoja diçka me të.
-Nuk është këtu, – tha Maksi, – ka një javë që nuk ka ardhur. Është në një seminar me disa austriakë.
Ndërkohë ,u fut në paradhomë deputeti Braçe Çali, me një çantë blu nën sqetull. Ai eci drejt dhe u dha para xhamit të derës ballore. Me shpejtësinë e një ketri, që hidhet nga njëra degë në tjetrën, Maksi u përkul dhe shtypi butonin. Por sakaq deputeti kishte përplasur ballin në xham, pak, fare pak. Maksi u zverdh. Braçe Çali nuk e dha veten. Ai u ngjit shkallëve rëndë – rëndë dhe unë e ndoqa me sy.
-Ç’m’u shpife edhe ti për bela! Aman, të marrin në qafë këta! – m’u drejtua me zë të plotë -përvuajtës dhe mua më erdhi keq për mënyrën se si u soll.
-Një poet nuk e çan kokën për një deputet, – thashë unë dhe Maksi uli buzën e sipërme mbi të poshtmen, sikur fjalët e mia të ishin turp për të.
Desha t’i jepja dorën të njohurit tim të vjetër, të ikja, kur në paradhomën e katit të parë u dha një plakë ,veshur me një fund me pala të bardha, rubë të zezë, një plakë e gjatë, me një konstrukt të fortë. Me siguri ishte mirditore ose zadrimore. Njohuritë për kostumet më ishin minimizuar.
-Urdhëro, nënë!…
-Ministrin due me takue.
-Ministrin nuk po e takoj dot unë, – filloi të tirrte Maksi.
-Kam ditë që vij e ti s’po më len me hy, – ndërhyri plaka dhe vazhdoi: – Ata të bashkisë nuk m`i kanë dhanë bursë cucës. E kam jetime…
-Ja, shiko këtu, – Maksi tregoi me gisht një kornizë ku ishin afishuar oraret e takimeve me ministrin, zëvendësministrin, drejtorët e drejtorive. -A di të lexosh? Javën tjetër, ditën e martë, ministri ka takim…
-Leni mor llogjet! O e takoj sot ministrin o des!, – ngriti zërin plaka.
Kisha ndjesinë se Maksi do futej sërish nën derën e hekurit, për të shtypur butonin, por ai qëndroi aty, pa lëvizur. Zuri ballin me dorë dhe mbuloi sytë me gishtat e pëllëmbës së hapur, duke e vështruar plakën me një domethënie përbuzëse.
Plaka, pa e prishur terezinë,e vendosur në vetvete se atë ditë do ta takonte ministrin, shkoi dhe u ul në një qoshe, hapi torbën, nxori prej andej një shami të bardhë dhe fshiu fytyrën.
-O takoj sot, o des!, – përsëdyti ajo dhe shtoi: – Këtej do dalë, s’ka ka del! Me ty s’merrem ma! – iu drejtua ajo disi kërcënueshëm Maksit. Këto po mendoja, ndërsa pashë edhe njëherë nga ai, por Maksi ai ishte zhdukur poshtë banakut. Ndjeva një lehtësim, se ma hoqi mundimin për ta përshëndetur dhe dola.
Te hekurat e derës së jashtme takova inspektorin GB,i cili më dha dorën. la shpjegova hallin që kisha, i thashë se e kisha edhe një problem për të takuar mikun tim FK, dhe ai më futi krahun.
-Eja me mua!, – tha.
U riktheva. Maksi rrinte në këmbë brenda banakut. Nuk desha ta shikoja, por, sidoqoftë, fytyra e tij ishte tendosur në një marri inatçore. Aq më duhej, sa të hyja brenda asaj ndërteses.G B u ngjit në katin e dytë, ndërsa unë vazhdova deri në katin e tretë..
FK ishte vetëm në zyrë. Sapo hyra aty, ai mbylli me nxitim një zarf. Më priti mirë,më ftoi të ulesha dhe më zgjati një paketë cigaresh të shtrenjta. “Ja pra, – mendova unë, – FK. paska qenë në zyrë, ndërsa ai i poshtri, Maks, më gënjeu ”. Se ku ishte nevoja që të më gënjente, ai e dinte. Këtë ia thashë me pak fjalë FK, i cili rrudhi buzët dhe më shpjegoi shkurt se përse Maksi, një poet i njohur, gazetar dhe studiues,kishte përfunduar roje para derës së ministrisë… Ai, dikur kishte sulmuar në gazetë ML,i cili s’kishte as një muaj që ishte emëruar titullar institucioni. Puna e parë që kishte bërë titullari, e kishte hequr Maksin si inspektor, duke e lënë pa punë. Ishte vetëm ndërhyrja e FK. që ai, nga një inspektor, kishte përfunduar në dezhunin e portës. ML. për të mos u treguar hakmarrës jo metodik, e kishte pranuar këtë.
Mbas këtyre sqarimeve, gjeta momentin dhe ia shtrova FK hallin tim. Më dëgjoi me vëmendje dhe mbajti shënim në një bllok kalendari.
-Për këtë punë nuk dua të më thuash dy herë, do ta zgjidh unë, – premtoi. E falënderova FK., u ngrita, mbylla derën me kujdes dhe dola nga zyra e tij. Korridoret e ministrisë ishin të zbrazura. Tek-tuk dilte ndonjë femër me letra në duar dhe, nga njëra zyrë në tjetrën, rendte me nxitim.
Në katin e pare, Maks Arapaku ishte po aty, pranë banakut. Shtypi butonin dhe sakaq unë dola.
-Po ti, pse nuk më prite edhe pak? — ndjeva zërin e tij prapa shpatullave.
E pashë me një shikim të pjerrët.Po ndërkohë ktheva kokën dhe vështrimi im rrëshqiti mbi plakën ,e cila rrinte e heshtur duke pritur se në cilin moment Maksi do t`i jepte leje për të hyrë, që të takonte ministrin dhe nëse nuk do t`i jepte leje ,ajo do ta takonte ministrin në përfundim të orarit zyrtar.Po nga ta dinte e gjora se ministri del gjithnjë nga dera e pasme e godinës?!…