Artisti ,studiuesi, Dedin Suli, ka kohë që merret me studimin e artit koreografik shqiptar,duke sjellë në spikamë vlera të patjetërsueshme të këtij arti,shtjellime të befasishme të sa e sa veprave koreografike,(balet e muzikë) ,por njëherit ,me këtë shtjellim ai sjell portrete dhe kontribute artistësh të shquar,të cilët konkuruan denjësisht në skenat e vendit dhe ato botërore.
Me monografitë e njohura për Besim Zekthin,Agron Aliajn,Rexhep Çelikun,ai jo vetëm u ka ngritur një bust të gdhendur përmes fjalës artistike këtyre mjeshtërve të mëdhenj,por risjell edhe njëherë modelin se si duhet të punohet për të qenë artist e, të qenit artist, nuk është një art i mbyllur egocentrist,po një fushë arritjesh magjepsëse.
Ajo që bie në sy dhe të befason është se Dedini ka ditur të shpalosë në jetën dhe studimet e tij përmasa të artistit të shquar,e një artisti të rrethuar nga shokët,gjithnjë në bashkëbisedim me ta,për probleme të artit,kulturës,të këngës,valles dhe muzikës.Kështu,përmes këtyre vijëzimeve të thekura, ose shtyllave ideorë, ngrihet konceptualisht arkitektura e librave dhe ndërtohet ngrehina e tyre,dhe është rasti të ndërfuten e të krijojnë imazhin e plotë, sa e sa detaje ,ndodhi,episode e tregime impresionuese, që e mbajnë gjallë shtjellën e rrëfimtarisë,e zbulesën e thukët të analizës,duke bërë që këto libra të sjellin në plotërinë e tyre historikun e artit koreografik; që të mundësojnë t`i lexosh deri në fund jo thjesht si kuriozitet leximor,madje t`u rikthehesh,pikërisht për këto vlera dhe mënyrën e veçantë origjinale të pasqyrimit.
Autori me librat e tij shtjellon kujtime,studime,portretzion dhe dhe me dy -tri fakte ngrë e argumenton veçori të punës dhe pasionit të shumë artistëve e kjo na josh të gjejmë në to të ndërthurur shumë tipe prozash:prozën artistike,eseistike,prozën shkencore dhe divulgative,skicimin për portret,dramatikën e vështirësisë,duke bërë kështu që librat të ngërthejnë e të zbërthehen në shumë kënde dhe të trajtohen herë-herë me kujtime tërheqëse, larg monotonisë dhe proksilitetit.Duket se autori ,në jetën e tij ,ka vëzhguar gjatë,ka mbajtur shënime,ka studiuar dhe ka parë me dashamirësi artin shqiptar në veçanti edhe pse ka punuar në Institucionin e Operas,edhe pse ka njohur dhe shijuar mjaft kryevepra të artit skenik në skenat e mëdha të botës .Tipar themelor i personalitetit të tij krijues është njohja por jo vetëm ajo, hetohet këtu dashamirësia ndaj artit të vërtetë,ndaj artistëve që e krijojnë këtë art dhe dinë ta ta paraqesin si kontribut vetjak me perceptim tonin deri në kombëtar dhe universal.
Dashamirësia përmes fjalës së mirë ,është tipar i artistëve të vërtetë që mbruhen me art në saj të talentit dhe punës,dhe jo i artistëve cingunë dhe mendjemëdhenj,nihilistë e pragmatistë të çastit.Dedini duket ka parasysh thënien e Kadaresë se:”Në tempullin e artit hyhet me dashuri”,ndaj ,toni afirmues është tipari kryesor i stilit të tij lakonik,dhe ky ton vjen jo nga ndonjë lëshim miqësor(korrektesa e fjalës në librat e tij veçohet dhe bën dukje të mirë shkencore),po se vërtet arti shqiptar, në një periudhë të caktuar ka njohur emra të papërsëritshëm ,të cilat lexuesi i mençur i di dhe i njeh mirë,e këta emra duhen kujtuar dhe nuk mund të sillen ndërmend më mire, sesa nga bashkohësit dhe artistët kompetentë.
Arti ka jetën e tij, evolucionin,ngritje-uljet,dhe nuk mund të mendohet se ndalet në disa emra,përndryshe do të ishim të padrejtë në gjykim,por kurrësesi nuk duhet të harrojmë ata që i dhanë fizionomomi kombëtare muzikës së kultivuar në nivele ,këngës,valles,operas dhe simfonisë.Nuk mund të bëhet art si ata,sepse ata e bënë artin e tyre,po mund të frymëzohen artistët e sotëm nga modelet e arritura dhe të gërshetojnë përvojat me novitetet e që kërkon moderniteti.
Në librat e tij me kujtime-studime, lexojmë plot pasazhe të sjella në këtë ndërkëmbim vlerash dhe qenësish artistike,pigmentohen e marrin trajtë njohjet e tij me Ismail Kadarenë,Agron Aliajn,Rexhep Çelikun,me artistë të vjetër dhe të rinj,me të cilët ai pati shkëmbim eksperiencash artistike;po kështu, njohja me kompozitorë të shquar të vendit tonë,dhe një nga këta ishte Çesk Zadeja ,muzikën e të cilit ai e mundësoi si pjesë organike artistike për veprat e veta e kështu me radhë.
Dimensioni kohor është gjithnjë një parakusht që proza memorialistike të rrëfejë përmes gjuhës së autencitetit.Duhet ditur se për liritë krijuese ka qenë e vështirë koha e diktaturës, siç ka qenë edhe përcaktues kujdesi i shtetit të atëhershëm, me financimin e tij, për ngritjen e institucioneve artistike jo vetëm në Tiranë,por edhe në rrethe.
Jo pa nostalgji,Dedini tregon për ndihmesën që dha për grupin artistik të Bajram Currit e të Beratit, në Vlorë,Korçë ,ku jo vetëm shpalosi eskperiencën e tij,po edhe nxiti e përkrahu talente të spikatura si valltaren Xhevahire Gashi , punoi me koreografë si Skënder Haklaj e me muzikantin virtuoz ,Ali Mulaj etj, etj.Prekëse dhe interesante janë këto momente rrëfimesh kur autori na bën me dije përmes celuloidit të kujtesë dhe imazhit fotografik se çfarë pasionesh e dëshirash ekzistonin në atë kohë,dhe sesi ndihma ndaj talenteteve jepej pa kursim dhe në vijimësi,si ndihmë e diktuar nga një orientim dhe direktivë shtetërore,për ta gjallëruar atë anë e kënd vendit..
Në natyrën e tij si tip,po edhe si studiues ,Dedini gjithë e ka si veçori që të bisedojë rrafsh me njerëzit e kulturës,pa e nxitur bisedën me ironi,po me mendim në kërkim të evidentimit të portretit artistic të kohës gjer në detajet më të imëta..Kjo është karakteristikë e artistëve të realizuar,të afirmuar bindshëm në fushën e tyre,artistë të komunikimit pa dert e pa paragjykime,dhe kjo ndihet që nga kontaktet me artistë të mëdhenj,personalitete të koreografisë dhe valles,po edhe me artistët popullorë,amatorë ,të atyre që e kanë mësuar artin e kërcimit në kullat malësore ose në dasma,dhe kudo në këto biseda spikat kjo përsjellje komunikimi,ngjyrat e pastra të humorit dhe të hokatarisë,si dhe kënaqësia që përftohet nga ky përçimi I fjalës së thjeshtë njerëzor.
Kjo përmasë e artistit virtuoz dhe studiuesit gjithëpërfshirës ,tregon më së miri se çfarë spektri të shpirtit human shpërfaqin artistët e talentuar,përmasë që arti i madh e ka një premisë jo sekondare.Prandaj edhe atë kohë sallat mbusheshin plot,artistët nderoheshin (edhe pse mediat ishin të pakta ata mediatoheshin në bisedat e përditshme),dhe vallja shqiptare(me që jemi në këtë lëmë të trajtimit)njohu gjinitë më të epërme : tablotë koreografike dhe baletin.
Të gjitha na i jep të detajuara Suli,me një gjuhë të thjeshtë plot intonacione dashamirësie, në kuadrat real të së ndodhurës ,sikur ajo të kishte shkëndijuar dje dhe jo dekada më parë,sepse arti i vërtetë asnjëherë nuk e humbet freskinë dhe mesazhin artistik.
Një tjetër cilësi e këtyre librave që duhen lexuarjo thjesht si kuriozitet estetik,po për të kapur tipologjinë e një kohe artistike të vrullshme ,është kuptime se nuk mund të bëhesh artist pa asistencën e më të zotëve,pa shkollën e duhur dhe pa mësuar nga kryeveprat e muzikës e koreografisë shqiptare dhe asaj botërore.
Ky mësim vlen gjithë jetën për artistin fillestar, po edhe për artistin që ka një gjysmë-përvojë ose përvojë.
Dedini duke punuar në Filarmoninë shqiptare,në Ansamblin e Valleve apo në Opera,njohu nga afër përvojën e baletmaestrit rus Georgi Petkun,po edhe të Panajot Kanaçit etj.Një jetë artistike intensive me lodhje në vënien në skenë të kryeveprave botërore dhe të atyre shqiptare, nuk ka sesi të mos prodhojë skicime kujtimesh,ku reflektohet dimencioni i filozofisë artistike, si prodhimtari e vlerë dhe ato nuk mund të perceptohen dhe ta zgjerojnë frymëmarrjen e tyre pa personazhe artistikë të rëndësishëm, të cilët i dhanë fytyrën e tyre kohës artistike dhe ngritën lart në nivele të epërme kualitetin estetik të artit shqiptar.
Këto vlera e zgjerojnë fluksin dhe marrin hapësirë sa në Tiranë, aq edhe jashtë shtetit,kur Dedini duhet të flasë për Nju- Jorkun(vizitën në Operan Metropolitane),Parisin(vizitën në Luvër),Moskën, vizitën në Balshoj -Teatër,Londrën,Milanon e Berlinin,gjithë kryeqendrat kulturore të Evropës dhe të botës.Rastësisht ose qëllimshëm, ai ndesh në këto udhëtime njerëz të artit shqiptar,artistë të rinj apo të vjetër,artistë shqiptarë që shkojnë në Perëndim për eksperiencë apo e kanë gjetur veten atje prej kohësh ,duke e konsoliduar personalitetin në skena prestigjioze,që nga artisti i ri Arben Çipa e gjer tek Angjelin Perlocaj etj.
E në këto udhëtime jo vetëm që flitet për muzikën ,vallen,aty ku i dhemb më shumë Dedinit,por interesat e tij shtrihen më tutje,teksa na përshkruan në mënyrë të detajuar pallatin e mbretëreshës Sisi në Korfuz dhe veprat e artit në arkitekturë dhe skulpturë,tablonë e “Nënës” së Pikasosë në Luvër,apo ambiente e mjedise të arkitekturës së Romës,Firences,Parisit,parqe,lulishte,restorante e akomodime hotelesh të qeta, në shpalimin e përvojës së tij në njohjen e historisë së artit e duke na sjellë mbresa interesante.
Portreti i një artisti dhe studiuesi shterues,ai i Dedin Sulit,imponueshëm në mënyrë të natyrshme e shton kureshtjen për të ditur diçka më tepër e për të rrëmuar në jetën e tij artistike,ashtu si Dedini të nxit idenë dhe të mëson metodën e hulumtimit në mënyrë sistematike.Vetvetiu të lind pyetja të dish diçka më tepër për origjinën e këtij artisti dhe studiuesi skrupuloz me një begraund artistik të admirueshëm.
Dhe nga një bisedë e thjeshtë me të ,mëson se fisi i Dedinit,buron nga familja Gragjola, me prejardhje nga Austria,pastaj vijon mbi peripecitë e dënimit të disa pinjojve të tyre,mbi gjyshin e tij ,Dedë Suli dhe tezen e nënën italiane.Kjo përzierje e fisme, që e shtrin kohën në dy shekuj e më tepër ,tek e fundit, nuk e ka bërë atë që të shfaqë prirje pëlqyese për njërin e tjetrin komb e kulturë,jo, prirja kryesore e tij është shqiptare dhe ai e ndjen veten si të tillë,kontribuues i shquar në kulturën shqiptare dhe adhurues i saj.Fëmijtë e tij,Antonini,muzikant, dhe Laura, janë sot të suksesshëm në fushat e tyre,po kështu edhe e shoqja, Dasha ,një grua dhe nënë e devotshme, që iu gjend në krah vazhdimisht një artisti të tillë,që e privonte kohën familjare prej angazhimeve artistike.
Por ky fragment i vogël rrëfimtar mund të ndalet vetëm këtu,për të mos folur më shumë,sepse Dedini si artist ,kërkon më tepër vëmendje për librat e tij.Prejardhja është një krenari e ligjshme,por ajo mbetet gjithësesi një nocion kohor,nëse njeriu nuk shënon vetë hapat dhe nuk e gdhend emrin e vet me vepra.
Kështu,librat e tij mbeten një manual i plotë i traditës koreografike shqiptare për një periudhë jo të vogël -40 vjeçare,një prozë që i përthith elementët e analizës përmes gjuhës së informacionit duke i shndërruar në një prozë artistike,herë dokumentuese e herë publicistike,pra, kemi një alternim të disa tipeve të ndërtimit dhe të shprehjes,duke e bërë këto libra të gjallë,të këndshëm,brenda një intonimi të shtruar të leximit dhe duke na sjellë së fundmi një pasqyrë reale të studiuesit po edhe të njeriut mbi jetën jo vetëm të një artisti, po të shumë artistëve, të cilët, sado që bënë jetë individuale dhe secili kishte fytyrën e vet artistike, iu nënshtruan fatit të përbashkët , duke punuar edhe në kushte të vështira, ,por edhe duke i sfiduar ato me talentin e tyre.
Librat e tij mbeten gjithashtu një homazh për ata artistë që nuk janë më,për Çesk Zadenë,Tish Dainë,Panajot Kanaçin,Agron Aliajn,për sa e sa koreografe,të cilët luajtën në skenë role të vështira të kryeveprave botërore dhe ditën t`i transmetojnë ato me ngjyrat e shpirtit shqiptar.
Në to autori e tejshtrin vështrimin e tij në kohë e dekada,i risjell ato bukur e me sens,bën paralelizma dhe kontraste të nevojshme,organizon një strukturë ndarjesh që motivohen nga shkurtësia dhe lakonizmi,dhe, mbi të gjitha, personazhet e tyre nuk janë as politikanë,as luftëtarë,as krerë fisesh,por personalitete të spikatur , interesantë,me një begraund të madh,me një altruizëm të gjallë; janë artistët shqiptarë, që nga më i thjeshti e gjer te korifejtë e artit (disa me famë botërore),për të cilët sot dhe në të ardhmen mendimi e vlerësimit artistik do të shënohet shenjojë vlerat e tyre të pamatshme,edhe më shumë…