Sadik Bejko, ju tregoj historinë e librit tim të ndaluar “Rrënjët”

Sadik Bejko është në radhën e poetëve që ka shkruar vetëm poezi. I përket një brezi, me bashkëkohës të ikur të viteve `70. Krahasimisht me një vepër të kthyer në karton, siç është vëllimi poetik “Rrënjët”. Intervista e mëposhtme është marrë prej pak vitesh nga Valdete Andoni, e pabotuar në media, por që vjen për herë të parë në një rrëfim dramatik…

Kur ju shkruat poezinë “Rrënjët”, ishit një malësor i brishtë që gjakun ia ndillte fërfërima e barit, por ju këlthisnit sikur zëri i ndonjë gjyshi që digjej bashkë me zjarrin t’ju murmuriste: “Rrënjët zgjaten nga që të tjerë s’i thanë këngët”. Ishit i papërgjegjshëm atëherë për çka ju vinte figurshëm dhe a bën pjesë ky varg tashmë në kuptimësinë tuaj për poezinë?

Jam nga ata që nuk shkruajnë me ndonjë program. Shkruaj vetvetiu, se ndiej që dua të shkruaj. Ashtu sikundër papritur kupton se po këndon nën zë… një brengë, një gëzim, një hata. Fjalët dhe melodia shkojnë bashkë. Ashtu të vijnë për mbarë atë çast dhe jo ndryshe. Dhe të shkruash është si të këndosh me vete. Jam nga zona të Jugut. Polifonia më ka mbështjellë me tinguj, sapo kam lindur. Të kënduarit për mua është polifoni. Këndon vetëm, por edhe zërat e tjerë të duhet t’i bësh po vetë. Sa të mundesh. Polifonia e lejon të kënduarit me vete. Kur je fill në mal, në pyll a kudo. Këndon të vrasësh vetminë, trembjen, shushatjen, përhumbjen. Këndon që të kthehesh te grupi. Nga vetvetja te dyfishimi a trefishimi i vetes. Jehonën ta përcjell pylli, shkëmbi a gryka e zymtë përballë. Këndon (shkruan) njësoj si të flasësh me vete. Një të folur disi ndryshe.

Gjyshja ime këtë punën e të folurit me vete e kishte aq të sajën, sa e merrje vesh edhe kur fliste pa zë. Ndonjë damar te balli i dilte vendit dhe zhvendosej tutje-tëhu, diçka te nofulla lëvizte, vetullat e saj e hapnin a e mbyllnin ballin aq lemerisshëm, sa të vinte frikën. Kur errej, ajo dilte përballë malit dhe nuk e mbante më dallgën që e troshiste përbrenda. Fliste dhe fliste pa pushim. Për të thoshin se kishte roitur. Po mua nuk më dukej kështu. Ajo kishte nevojë të fliste me vete. Kishte nevojë dhe ta dëgjonte me veshët e saj veten e saj. Ajo edhe qante shumë. Vetëm, në shtëpi ose dhe me malin e me gurin përballë qante. Dhe falej e lutej përpara malit a gurit a pemëve. Njerëzit nuk e merrnin shumë seriozisht, po unë e ndiqja nga pas gjyshen Rubie dhe e kam dashur e më ka dashur shumë. Nuk i bënte keq njeriu. Ishte plakë e sertë, por e përshpirtshme. Ama, ankthet i kishte me barrë dhe dallgë-dallgë, ndaj donte t’i zbrazte, ku të mundte. Por gjithmonë vetëm dhe me veten. Thënë më ndryshe, ajo ishte një natyrë meditative. Heshtte sa heshtte dhe ia plaste. Monologu i pafund që i rridhte përbrenda, i dilte përsipër si ai uji i zi që del nga goja e shkëmbit kur kanë rënë shumë shira dhe mali i ngopur nuk i përmban dot.

I thashë vetëm për gjyshen këto më lart. Me një ndryshim. Nuk e kam parë kurrë gjyshen time të këndojë. Kurrë. Nuk ia thoshte për këngë. Nuk m’i tha këngët…

Kam jetuar gjatë në vetminë e natyrës që i vogël. Fshatra të largëta si të braktisura. Kam ecur gjatë në mal e në pyll. Që fëmijë ecja mendueshëm. Gjyshi im nga nëna, Smail Vrekua, nuk ma donte këtë huq. Isha nja dhjetë vjeç, kur me ankim ia thoshte sime mëje: “Ky djalë yt nuk më pëlqen, vjen i menduar. Nuk do ta ketë jetën aq të lehtë. Nuk ka ngjarë nga soji ynë”. Ai ishte një njeri që dinte të vërente shumë dhe mirë. Hesapet i kishte si të prera në kërcu. Nuk ta mbante shumë anën dhe as ia pyeste hallit.

Në shkollën shtatëvjeçare me një copë bukë në çantë shkoja duke bërë katër orë rrugë me këmbë vajtje dhe ardhje. Isha nazeli në të ngrënë dhe nëna ma gatuante darkën në një pjatë veçan. Rrobet… ato që kisha, por ama m’i lante dhe arnonte si kuti e kartë të pastra. Qaja po të mos më ngrinin nga gjumi, që të arrija me kohë në shkollë. Male, gryka, përrenj, pyll dhe shumë erë. Në dimër akuj dhe ujq. Lartësi 800-900 metra mbi nivelin e detit. Një herë bashkë me një moshatarin tim kemi ngrirë në tufanin e borës, po Niazi Tafili, punëtori i mirëmbajtjes së rrugës, na gjeti shuk në anën e xhadesë, ndezi zjarr e na solli në vete. Në këto rrugë të gjata për një fëmijë kam bërë këngët e para me veten time. Dhe i këndoja sipas avazit të polifonisë.

Kisha lindur në një vend ku nxjerrja e bukës ishte e vështirë. Duhet të ishe burrë i punëve të forta, i malit dhe i zallit. Vajtja në shkollë, dhënia pas librave më ndau nga shokët e mi që, sa mbaruan klasën e katërt, mësuan të prisnin lisin e malit a të merrnin kërrabën e bariut. Unë isha “çun shkolle” për ta. Po merrja rrugën e librave për ta nxjerrë bukën. Si më të lehtën. Ta dija sa e vështirë paskësh qenë kjo punë e librit! Kjo puna që të bësh libra.

Sikur nuk dua ta pranoj, atë çka shkruhet në përcjellje të ribotimit të librit tuaj të parë pas tridhjetë vjetësh, “Rrënjët”: “Është nga kundërvëniet e pakta e të suksesshme poetike ndaj asaj furie skematizmi ku gjendej poezia shqipe e viteve `70”. Në gjithë atë klimë idhujtarie, me krena apo pa krena, ju nuk keni shpëtuar pa u vesitur, por tej në thellësi të labirintit ndiej “thëngjij sysh” të një shpirti që do të sulet nga dalja; pra të pranosh kundërvënien nuk më duket vlerësim.

Dhe unë nuk i pëlqej gjithmonë ato që thuhen për librat. Sidomos atë që poezia është o pro diktaturës, o kundër diktaturës, nuk e honeps dot fare. Më duket se që të dyja dalin në një qafë. Kurse letërsia duhet t’i kapërcejë qafat, të jetë e nisur nga një kohë për të shkuar përtej saj. Kundërvënia në letërsi… Ngrehina e madhe e letërsisë nuk është gjë tjetër veçse histori kundërvëniesh. Libri “Rrënjët” do të vinte pas shtatë vjetësh nga botimi i poezisë së parë në gazetën “Drita”, janar 1965. Deri atëherë kisha çuar dy libra në ndërmarrjen botuese “Naim Frashëri” dhe nuk m’i pranonin. Kadareja që m’i kishte botuar poezitë e para dhe që kishte shkruar mirë nja dy herë për to, do të thoshte në referatin e një mbledhje për letrarët se të riut të talentuar, S. Bejko, po ia kthejnë librat. Po bëhesha gati ta lija poezinë, nxitja e tij më mbajti në punë.

Kisha punuar disa vite në arsim, kisha mbaruar Institutin dyvjeçar për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, kisha bërë ushtrinë në brigadë pune, punoja redaktor në “Radio Tirana”, isha në prag të martesës me gruan që kam, 28 vjeç, kur aty nga fundi i vitit 1972 doli libri “Rrënjët”. Ishin vitet e liberalizmit, siç u quajt ajo kohë. Unë nuk mblodha gjithë sa kisha shkruar më parë. Të shkruarit është një fillim nga e para, sikur nuk ke shkruar kurrë asgjë, asnjëherë. Ky libër u shkrua në ato vite.

Me këtë libër bëra shumë miq. Nuk u prit kushedi çfarë nga kritika. Kishin filluar mbledhjet, plenumet kundër muzikës, pikturës, poezisë. Shfaqje të huaja. Arrestoheshin artistë. Po libri ishte pëlqyer në njerëzit që takoja dhe mbahet mend edhe sot nga ata të brezit im. Kjo mbase se unë ende kisha mbetur prapë ai malësori i brishtë, siç thoni ju. Mbase se lëndën e vërtetë të librit e përbëjnë disa thelbe të tilla që vijnë nga jeta ime prej malësori: rrënjët, bari, guri, rruga, zjarri, lumi, dheu, dashuria. Janë simbole universale, tharme arketipale të poezisë. Aty është dhe ai vargu “si ndodh që heshtin ndonjëherë që të gjithë vallë ?”

Sa për idhujt… Nuk është se ne të gjithë nuk jemi “vesitur” nga idhujt. Në poezinë e atëhershme ishte e domosdoshme që t’u bëje hosana atyre. Ishte me detyrim. Nuk botoje dot një libër pa hosanara për idhujt. E vërteta: unë nuk i kisha fort për zemër, si dhe shumë e shumë të tjerë. Nuk kam përse ta zgjas. Por… mbase mendtë vijnë me vonesë. Pse të mos shkruaja pesë a dhjetë poema të forta, me rroftë e me tralala për idhujt? Dhe të tjerët që s’i donin, bënë poema të tilla se ashtu e donte puna, mbijetesa. Edhe më pas nuk u bëra dot poeti i revolucionit, patetiku, luftaraku…

Me përvojën e deriatëhershme unë i kisha fshirë gjer me lëkurën e trupin tim, pluhurat e baltërat e shumë udhëve, të shumë fshatrave. Njerëzve jeta u peshonte gjer në palcë. Po e dija dhe sa e rrezikshme ishte ta kruaje me idhujt. Nuk kisha mbështetje tjetër, veç vetes. Ama dija dhe atë: në letërsi duhet të jesh i ndershëm. Sa më shumë të mundesh.

Ajo që Rrënjët më bëri me miq mbase qëndron te një frymë e tërë librit. Ishte një frymë humanizmi, një ton intim, meditativ dhe personal. Ndonjëherë dhembshuria për tjetrin “buçiste” fort, si te ai vargu: “nuk e di pse na takon t’ia prishim dikujt ëndrrat…”, “shtrojmë kalldrëm të ftohtë në jetën e dikujt të pafaj”. Një ogur për veten? Një dhimbje për fatkeqët, të pafajët. Dhe ajo që ne ndjehemi fajtorë ndaj tyre. E provojmë aq shumë këtë ndjenjë në rininë tonë. Më vonë mësohemi me vrazhdësitë e jetës. Por, po e pate tënden, kjo ndjenjë prapë të mbetet.

Në ato kohë nuk kishte shumë thirrje të tilla. Toni duhet të ishe luftarak. Jo mëshirë, jo dhembshuri… Unë, malësori, sillja ca ndjeshmëri të rrënjëve, që atëherë nuk guxonin të ngrinin kokë. Pse ta zgjas? Librat janë më të mençëm se sa vetë autorët. Nuk është se kisha bërë ndonjë program a gjë tjetër, veç isha shprehur ashtu siç ndieja. Simbolikën e kisha marrë nga “rrënjët”, shprehjen e kisha holluar nga librat që lexoja. Në ato vite në Tiranë qarkullonin nën dorë Lorka, Preveri, Kuazimodo, Seferis, surealistët… Në rini je i djegur për të qenë në kohë… për të qenë një çikë modern. Por libri nuk më solli fat. Do të vinte viti 1973… Plenumi i Katërt… libri do të ndalohej jozyrtarisht… do të shkoja në minierë, minator galerie. Për gjashtë vjet nxirrja qymyr guri. Pa të drejtë botimi…

Duke pranuar hapësirën kozmike të krijuesit a e gjeni të nevojshme ngjizjen me atë që quhet psikologji etnike e artistit?

Duke folur për “rrënjët” e kam thënë këtë. Shkrimtari lëndën më bazë të punës së tij ka gjuhën dhe kjo e përfshin patjetër atë që quhet psikologji a përkatësi etnike. Shkrimtarët lindin në gjuhën që shkruajnë, i përkasin qytetërimit që është ngjizur nga kjo gjuhë. Prej gjuhës, me të cilën shprehen artistikisht, përcaktojmë etnicitetin e tyre letrar. Gjuha të vë në lidhje me një të jetuar gjatë të paraardhësve të tu, me një vend të caktuar. Edhe me fatin, me atë si kanë jetuar, menduar e ndierë. Ana tjetër është dhe natyra, gjeografia e vendit ku një shkrimtar ka lindur. Këtu fëminia dhe vitet e formimit kanë peshën e tyre. Nuk mund ta veçosh nga shkrimi im malin, reliefin e thyer të vendit tim. Po ashtu dhe atë që ndonjëherë regjistrat e zërat janë në orkestrimin e asaj që quhet polifoni. Jemi një qytetërim që duam ta themi atë që ndiejmë. Një qytetërim që edhe vdekjen edhe gazin i ndiejmë fort. Dhe i shprehim fort. Në qytetërimin tonë burri duhet të dijë të këndojë, të kërcejë, të bëjë muhabet, të mbajë miq, të jetë i pijes dhe i shoqërisë. Këto vijnë nga që jeta në mjediset tona bëhet në grup. Shkrimtari shqiptar që i ka respektuar këto kërkesa, ka qenë më i popullarizuari. Problemi është se letërsia bëhet në vetmi, jo gjetkë. Nga ana tjetër, poezia popullore shqiptare nuk e ka penguar artistin që të jetë shkrimtar i cilësisë së lartë. De Rada qe i pari që dha shembullin. Lasgushi erdhi nëpër këtë hulli, mbase edhe më bujshëm se sa ai. Ata, në mënyrën e tyre, ditën të jenë shqiptarë dhe universalë njëherësh.

Vitet që shënojnë botimin e librave si 1972 Rrënjët; 1981 Ku e ka folenë bilbili; 1994 Si vdes gruri; 1997 Letër Hamurabit; 2003 Psalm për atin, janë piketa biografike në jetën tuaj; në udhëtimin tuaj për tek vetja a dëftejnë edhe pikëvendosje konceptuale estetike, natyrisht që nuk përkojnë me datëbotimet?

Vajtja në minierë ishte një grusht aq i fortë sa ta errësonte krejt jetën. Nuk shihej asgjë përtej. As pas, as përpara. Sot e marr si një aksident të rëndë dhe kaq. Kjo qe e thëna për mua. Erdhi pas goditjeve në RTSH, pas Festivalit të 11-të. Të gjithë ne që punonim në këto institucione të propagandës, u vumë në sitë të hollë. Shumë e shumë u ndëshkuan… Mua më thanë se kisha falsifikuar një dëftesë shkollore në vitin e parë të punës si arsimtar, më 1962-‘63. E dija që s’e kisha bërë, dhe kërkova të shkoj në gjyq. Nuk ma dhanë të drejtën e gjyqit dhe pse shkova deri te kryegjykatësi i lartë. “Do të shkosh atje ku urdhëron partia” dhe “Ul kokën e puno”. Në librezën e punës shkruan se transferohem në Tepelenë. Është edhe sot ky “transferim” në regjistrin e kuadrit në Radio Tirana dhe në librezën e punës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë së atëhershme, K. K., kur më priti, bëri hetuesin me mua. Më pyeste se ç’kisha folur me x a y shkrimtar. Në të vërtetë ishin ata, që xheç kishim folur fshehtas për mua. Unë, malësori, i idealizoja shkrimtarët atëherë. Njëri syresh ishte nga ata që e respektoja shumë, pinim gjithmonë kafe bashkë. Ishte dhe është shkrimtar i mirë. Për të më dhemb shumë. Me kafen time ende në buzë, ai vinte dhe i thoshte drejtoreshës së Radio Tiranës, N. Myftiut, se unë vija nga njerëz që kanë qenë me armë në dorë kundër partisë. Nuk ishte kështu. Një vëlla i gjyshit tim ka qenë një vit partizan. Gjyshi im ishte i këshillave Nacional-Çlirimtare. Më pas vëllezërit e gjyshit tim u bënë kulakë ngaqë kishin prona. Për këtë koleg më djeg keq edhe sot. Më ka vrarë miqësinë, besimin, jo gjë tjetër. Pastaj… ishin thënë dhe gjëra të tjera diku gjetkë nga ky “miku” dhe nga dy tre të tjerë. Me këto policia e fshehtë më kishte krijuar “Dosjen përgatitore, B”. Me Dosje A shkoje në burg.

Një mik i shtëpisë në Gjirokastër (atëherë sa kisha filluar në minierë) më tha që ta mbyll gojën me tapë. Të izolohem. Për 10 vjet nuk do të kthehesh më në qytet, më tha. Dhe i doli fjala. Pas njëmbëdhjetë vjetësh do të jem mësues në gjimnazin e Gjirokastrës. Kjo u bë jeta ime: ul kokën e puno, punë e rëndë dhe ndjekësit që kudo i kisha mbi shpinë. Në CV time numërohen 22 vende pune të ndërruara. Nuk më zinin këmbët dhé.

Me këto dua të shpjegoj atë që ju e quani estetikë, konceptualitet. Mbase për t’i dhënë indirekt ato. Mua më duhej që të mbaja veten dhe familjen me bukë. Ta mbaja veten gjallë si njeri i librit. Të mos harroja të shkruaj. Të mos lodhem, sa t’u vë shkelmin shumë gjërave. Gjëra që praktikisht nuk të vlejnë, përkundrazi, mundet edhe të të prishnin punë. Por pa to, ç’është jeta? P.sh. të shkruaje atëherë do të thoshte, që t’i vije dhe një kontroll tjetër vetes tënde.

Por e bëra. Shkrova pa ndërprerje. Se ashtu e kisha sojin. Më duhej që të flisja me vete, pa të bija rehat. Nganjëherë, si për inat, shkruaja një poezi në ditë. Domosdo, ato më të rrezikshmet i grisja. Me egërsi, me frikë, ngrohtë dhe me një frymë i shkruaja gjërat që më vinin a që dhe e detyroja veten të më vinin. Pastaj i harroja, i hidhja tutje. Sigurisht, midis tyre kishte dhe shumë broçkulla. Po kush nuk rreh hekurin, nuk bëhet kurrë farkëtar. Zgjodha që të punoj me blloqe të vegjël që i mbaja kudo me vete. Me atë jetë që kam pasur, nuk bëhet fjalë që të kisha një studio, një dhomë pune. Edhe më pas, prisja sa të tjerët në shtëpi t’i zinte gjumi që të shkarravisja diçka, qoftë dhe sa për ta mbajtur dorën të ngrohtë. Ngrihesha herët në mëngjes për të biseduar pak me veten. Orët mëngjesit të hershëm janë më të mirat për mua. Kisha një alarm se mos po e humb fillin. Diçka tek unë po ngrinte, akull. Por meditimi vë rend e kthjellim brenda nesh. Letërsia dhe lutja i kanë mësuar njeriut meditimin. Kur shkruan, pastrohesh. Lidhesh, vihesh në një linjë, me sivëllezërit e tu letrarë në vite e vite. Si murgu që me lutjen lidhet drejtpërdrejt me Zotin.

Tek “Si vdes gruri” zgjodha disa nga vjershat që i kisha shkruar me kohë dhe që kishin arritur të shpëtonin nga ato që kam grisur a djegur. Libri “Letër Hamurabit” është shkruar në dy vjet, por vjershat kryesore që bëjnë bërthamën e librit, janë shkruar në gjashtë muaj, verë-vjeshtë 1996. Librin “Psalm për atin” e kam shkruar në dy tre vjet. Kisha shkruar e shkruar dhe më duhej të zgjidhja. E kisha të vështirë konceptimin e tij. Është libër që e kam hedhur vetë në kompiuter dhe kjo përvojë ishte sa e lehtë në dukje aq dhe e mundimshme.

Prirem nga motivet ekzistenciale. Ekzistenca e vënë në tehun më të fundmë, deri në perin e hollë jetë a vdekje, më ka ndjekur. Në minierë takova shumë nga miqtë e mi të fëmijërisë. Fshati socialist nuk i mbante dot më dhe ata kishin zbritur në minierë. Ata më kthjelluan përbrenda: ja tani ishim bashkë. Dikur kisha zgjedhur librat dhe i kisha tradhëtuar. Po kthehesha te burri i punëve të forta. Te vlerat e vjetra: puna, familja, të afërmit, zakonet tradicionale. Për të tillë më kishin menduar që në bark të nënës. Dhe punova fort. Nuk ma bëri syri bof nga puna e rëndë.

Isha që nga fëmijëria me gjysmën e vështrimit nga njëri sy, por me ndihmën e një miku, kryeinxhinerit M. Cukalla – të cilit ia di për nder – e rregullova të punoj në minierë. Në minierën e Memaliajt punohej dhe këmbadoras e barkas. Atje të duheshin katër sy, një llambë në dorë dhe “ shpresa e zotit” për t’ia dalë përtej. Por duhet të punoja aty. Ndryshe, më priste ndonjë fermë, ku do të vihesha në siklet dhe për bukën e gojës. Më duheshin paratë se kisha një familje. Gruaja dhe djali im duhet të kishin një jetë si gjithë të tjerët në atë kohë. Në të gjitha. Edhe pushimet e përvitshme në Sarandë a në Durrës. Më duheshin paratë edhe për një libër, edhe për të bërë një qokë.

Por… Ndryshe nga moshatarët e mi të fshatit, unë tani isha një tjetër. Kisha nevoja të tjera. Për të shkruar, për të botuar. Më mungonin miqtë e letrave. Në të vërtetë ata m’i largonin. Sa shoqëroheshin me mua, “ç’u lidh me atë armikun”, u thoshin. Poeti I. Zhupa dhe gazetari K. Mërtiri këtë e kanë thënë publikisht. M.Cukallës i bënë vërejtje me shkrim në dokumentacion, që shoqërohej e më ndihmonte. Pastaj edhe unë me vetëdashje i largoja. Kisha afër vetëm njërin, poetin Pertef Liçi.

Jeta na vë përpara një fat që duhet ta përballojmë. Sado i trishtuar. Nuk i jam shmangur trishtimit. E kam pranuar atë si pjesë të jetës sime. Jam grindur me të fyt për fyt. Madje e kam përplasur në tavolinë, në fletën e bardhë të letrës dhe e kam analizuar, e kam çmontuar, e kam bërë fije- fije. E kam kapur veten time për gryke, për të honepsur pjesë të tij. Por përgjithësisht nuk e kam groposur përbrenda, e kam nxjerrë jashtë. Pastaj, në thellësitë e vuajtjes mund të jetë dhe lartësimi i njeriut. Sidomos kur vuajtjen e mbrun si bukën, duke ia hequr helmin. Shirat, ftomat e dimrat mund ta dëmtojnë tokën, po nuk e ndryshojnë dot. Toka mbetet tokë. Sado të rënda, ato e përpunojnë nga brenda për farët e stinës së ardhme.

Kam krijuar e përpunuar lirinë e brendshme. Është më e vështira për t’u mbajtur dhe ruajtur, sidomos kur të humbasin të gjitha referencat. Kur bie në izolim a në vetizolim. Ilaçi i vetëm atëherë janë librat e mëdhenj: Homeri, tragjikët grekë, Shekspiri, Tolstoi, Stendali, Kadareja, Çehovi, Ibseni, A. Mileri, Pirandeloja tregimtar. Një libër, Poezia klasike kineze, nuk di pse nuk e ndaja kurrë nga dora. Edhe për t’iu shmangur shoqërisë së njerëzve, këta dhe autorë të tjerë, i kam lexuar dhe rilexuar. Disa herë. Prozën e madhe e kam lexuar shumë. Dhe me laps në dorë. Vazhdoj ta lexoj. Në sintaksën e të shkruarit tim e vë re që unë vij më shumë nga proza se sa nga poezia. Ngordh të shkruaj prozë, po nuk e kam bërë dot.

Me njerëzit zgjodha të jem i sjellshëm dhe t’i fal. Ishin shumë. Nuk i ndreqja dot. Më mirë t’i falja që të gjithë. Nuk ia dilja dot jetës me qejfmbetje dhe me mërira. Aq më keq me hakmarrje. Fali dhe shko tutje. Jeto për gjërat që ende janë me vlerë dhe që të pëlqejnë. Jeto dhe me atë që quhet pesimizëm i mendimit dhe optimizëm i vullnetit. Me mend botën e kohës së komunizmit nuk e kuptoje dot kurrë. Anormalitet, absurditet, arbitraritet. Me vullnet, me besimin metafizik se gjërat duhet të ndryshojnë, se sado zi të duket, ka ende kohë përpara që mund të premtojë për mirë. Kështu po, kështu mund ta shtyje. Nuk i dihet. Puno, duro dhe shpreso te fati.

Një fat i tillë ekzistencial, mund të jetë burim për motive ekzistenciale. Në librat e mi pas 1994 temat që mbizotërojnë janë: dashuria, vdekja, fati, pikëllimi, udha, vetmia, koha si realitet metafizik, tëhuajëzimi. Tema që nuk kanë të bëjnë me diktaturën a me pasdiktaturën. Nuk di sa ia kam arritur. Në se flisni për ndonjë konceptualitet, a diçka tjetër në brendësinë e librave të mi, kjo buron prej këndej.

 A është jetike një “dehje” e shpirtit në rrjedhjen e alogjizmës figurative, të simbolikës së vetishme?

Është e vërtetë se pa një mbushje të mirë përbrenda nuk e kam të lehtë ta marr penën. Puna e të shkruarit, kur atë nuk të ka analizuar një kritik, një profesionist, është ecje në errësirë, me tahmina, me instinkt. Nuk di cilat janë arritjet e tua bazë që të mbështetesh në to. Më mirë ia fillon si gjithmonë. Nga e para. Në vjershat e mia zgjodha atë që të mos jem i drejtpërdrejtë, për të mos qenë sentimental. Për ta parë veten time si tjetrin atje përtej. Në fund të fundit, unë kam regjistruar në letër veç jetën time. Një përvojë. Një dëshmi. Një deshifrim i asaj që na mundon. Muzikanti përdor notat, piktori ngjyrat, shkrimtari fjalën që vetiu është e koduar që në kohë të kohërave. Por për ta bërë më shprehëse fjalën i jam drejtuar dhe mitit, dhe ëndrrës. Dhe asaj që një grusht shenjash a imazhesh flasin më urtësisht se sa unë. Miqtë e rinj në këto vite i kam dëgjuar më shumë se moshatarët e mi. Por mësues i vetvetes nuk bëhesh dot. Dhe, sado-sado, puna jonë është veç një pasiguri që zgjat gjithë kohën, gjithë jetën. Pasiguri që duhet ta vësh poshtë. Si torreadori demin.

Mësova të punoj në kompjuter. Ky të jep dorë që një tekst ta punosh me lehtësi dhe sa herë të duash. Por kjo ta bën të vështirë atë tjetrën… ka një çast që duhet të ndalesh. Në përpunim e sipër mund të duket “puna” mbi krijimin. Dhe le ta themi, vjen një kohë kur zotërimi i teknikave ta bën aq të lehtë të shprehurit, sa këtu del një rrezik. Fillon me errësimin, me shtimin e figuracionit. Me atë që “moderniteti” e kërkon pak të sofistikuar poetin etj, etj. Po deri ku? Deri ku duhet shkuar, që mos ta dëmtojmë poezinë. Dhe le ta themi se një prirje e tillë, në emër të asaj që është “moderne” edhe e ka prekur kthjelltësinë. Tek unë dhe tek të tjerët.

 E dini vendin e fshehtë ku është “bari” i fuqisë suaj krijuese, po guva e frikës së burrit? “Profeti i pasmesnatës” të shpifet shpesh?

Variantin e parë të vjershës “Profeti i pasmesnatës” e kam shkruar më 1996. Por ajo ishte një vjershë “rebele”, nuk vinte atje ku doja unë. Më 2003 ia gjeta anën dhe e solla në gjendjen që është. Kam disa vjersha të tilla, ku jam orakull i vetes sime. Për mirë a për keq. Kjo vjershë me njërën këmbëz të urës më kthen në minierë, me tjetrën hidhet për më tej dhe mbetet pezull. Edhe për sot. E përgjithmonë në pezulli, në ajër.

Disa nga ne kanë parë në librat shkollorë të historisë se si skllevërit ecin këmbadoras e rrëshqanë në minierat e lashtësisë a të Mesjetës. Kështu punoja dhe unë. Ky u bë për mua realiteti im i gjallë dhe i prekshëm, i përditshëm, e kisha mbi supe e deri në mushkëri në Shqipërinë e viteve ’70. Në minierën e qymyrit në Memaliaj atëherë kështu punohej: gjunjas, këmbadoras, rrëshqanë. Kam parë aty dhe të vrarë, dhe të sakatuar përgjithmonë. Djem fare të rinj. Miniera ishte vend për fatkeqët. Herë-herë, si për ta ngacmuar rrezikun, për t’i shkuar së keqes gjer në pikën më të fundme, futesha me vetëdashje në vendet më të zeza të minierës, aty ku mund ta paguaje me kokë. Aty ku e sheh vdekjen me sy. (Në ato vite më kërcënonin paq dy vdekje. Miniera. Dhe vdekja morale, intelektuale. Të dytës, i druhesha më shumë). Kur futesh në ato vendet ku lozet me kokën si në ruletën ruse, këtë e bën për të zgjedhur më të keqen. E ç’ka më përtej?

Rrezikon dhe pas kësaj e ndien veten mirë. Luan dhe mbetesh gjallë. Një rastësi të ka falur. Kjo të jep një gëzim të thellë dhe të papritur. Ngaqë ti e do jetën. Ja, dhe fati nuk të paska lëshuar. I ishe nënshtruar deri në fund këtij fatit tënd. Pa dhe e kishe cytur, duke kërkuar prej tij më të keqen. Por, jo: Ai të mbronte.

Në fund të fundit, kjo lojë me rrezikun është në natyrën e minierës. Disa prej minatorëve luajnë aq keq me rrezikun, sa një ditë përqafohen me të përgjithmonë. Njeriu ikën, rreziku mbetet. Nuk ka ku të shkojë. Për njeriun tjetër, për atë që vjen (pas një dite, pas një viti, pas një shekulli…) dhe i futet në gojë, ai është prapë aty. Pret që të luash me të. Dhe unë po mësohesha me rrezikun. Guxoja… Kjo është brenda natyrës sonë. Një që nuk luan me rrezikun, ç’dreq njeriu është?

Këtë e dija që fëmijë. Një mbasdite vjeshte, kur kthehesha nga ajo shkolla shtatëvjeçare e Buzit, stuhia e papritur më kishte lagur paq. Përroi i fshatit përpara meje ishte i fryrë për lemeri. Dallgët e një përroi të tillë mund të marrin me vete një kope të tërë. Nëna me ulërima nga ana tjetër e përroit, më bërtiste që të mos hidhesha në ujë. Qull, ftohtë. Prit e prit të ulej dallga dhe po vinte nata. Stuhia ikte e rrotullohej në të prapë. Nuk donte të prante. Burrat më hodhën një litar, u lidha me të për brezi, më tërhoqën dhe hov a zhyt më nxorën matanë. Dhe më pas kam luajtur… Mbase jo vetëm me kokën time…

Njeriu vihet në inat me rrezikun, kur e sheh veten si ajo kova e hedhur në pus e në të ftohtë. Duhet të heshtë aty. Nuk ka litar që ta ngrejë, as ta lëshojë. Nuk durohet gjatë kjo ngrirje. Sidomos kur je në shtrëngesë të dyfishtë. Policia e fshehtë të ndjek nga afër. Kjo ndihet. Rasti ma solli që te miku im B. R. të takoj punonjësin e degës së brendshme të Tepelenës që në vitet e minierës, mblidhte e përpunonte denoncimet. Pas një viti, më tha ai, dhe pse nuk të kisha takuar kurrë, të njihja aq mirë, sa që kur vinin thënie të dyshimta, kërkoja të verifikohen. Ai nuk flet kështu, thosha.

Në Memaliaj që ishte vend klasik internimesh, denoncimet bëheshin sheshit. Vullnetarisht. Kur kjo më ndodhi në Tiranë nga miq, ç’mund të prisje nga këta që e adhuronin Sigurimin. Këndonin për të. Të tillët ishin të shumtë. U kishin vënë dhe fëmijëve emrat: Sigurim, Sigurime.

Në Libohovë, një “miku” im mësues, që na qenkej oficer i sigurimit në rezervë, më erdhi i pirë tapë ditën kur i kishte dhënë fund Mehmet Shehu. Qante i pështirosur, mburrte M. Shehun dhe shante Enver Hoxhën. E kundërshtova dhe e qetësova, sa munda. Pastaj e mora dhe e mbulova me batanije në shtrat. Pa e zhveshur, me të gjitha rrobat në trup. Të nesërmen, më pyeste se vallë ç’kishte thënë mbrëmë natën. I thashë se ashtu fare xurxull, siç ishe, qaje për gjyshen tënde të vdekur kushedi sa vjet më parë. Vite më pas, ai ma tha vetë se kishte qenë një provokim i pastër. Me përgjues.

Kështu, i rrethuar nga miniera dhe nga Sigurimi, aq ngushtas dhe për një kohë të gjatë, të merrej fryma. Kjo është për mua ajo që ju e quani guvë e frikës dhe e fuqisë së burrit. I shkruar më 1996-2003, kjo do të thotë se gjendjet si në kohët e shkuara, si ajo te “Profeti i pasmesnatës” mund të përsëriten edhe për sot, edhe për nesër… Atëherë më mbetet të kthehem në guvë. Aty ku unë abstenoj edhe ndaj të drejtave të mia më elementare, si i zënë në faj. Koha është aq e padrejtë, aq absurde gjer në shkatërrimin e individit. Kjo është si të futesh nën ujë dhe të mbash frymën, derisa fati të të thotë dil e merr frymë sipër. Nganjëherë është e nevojshme të heshtësh, duhet të dish të heshtësh.

Në poezinë time nuk kam punë me të tjerët. Raporti është unë dhe vetja, unë dhe fati i njeriut, jo unë dhe të tjerët. Do të thoni po pse? Kujt i duhet kaq trishtim? Mendoj se arti duhet t’ia mësojë njeriut përleshjen me fatin, me vdekjen. Durimin. Mund dhe të vdesësh nga pak. Në traditën mitike babilonase dhe egjiptiane pranohet që pa vdekjen nuk mund të ketë vazhdim të jetës. Pa sakrificën. Pastaj nis udhëto për më tej. Pa e kthyer kokën pas. Udhëto. Udha është një nga mitet e poezisë sime.

Në ndodh që këtu a në ndonjë shkrim tjetër, i jam referuar ndonjë “miku” të dikurshëm, pa ia përmendur emrin, kjo vjen se ky dikushi ma ka bërë borxh dhe tani afër. Kur unë kam dashur të harroj, të hesht. Edhe diçka. Ne mendojmë që të këqijtë e vrasësit janë ata fatkeqët e periferive, ata të grykave e të rrugëve, ata që vënë maska, marrin armët, zjarrin, thikat a sëpatat. Ata janë të tillë, por, pas pamjes prej zotnijsh, më të zinj se ata janë ca prej nesh këtu në mes të Tiranës, në mes të elitës dhe në krye të shtetit. Këta, më shumë se të gjithë, lejojnë që e keqja të shtohet.

Do të lejonit të botonin poezitë që ju i keni mbyllur si të padenja, siç kanë vepruar për shembull me Kavafin?

Kanë mbetur ende poezi andej-këndej në sirtarët e mi. Po kurrë nuk do të doja, t’i botoj. Njeriu në jetën e tij gjithë-gjithë një libër shkuan. Dhe kaq sa kam botuar, janë shumë. Disa herë jam matur ta lë poezinë. Më 1983, natën e 31 janarit, më erdhi përgjigjja për refuzimin e një libri poetik. Më dogjën keq vërejtjet me shkrim mbi secilën poezi. Ishin nga ato që të varrosnin. Ja, prapë unë po bëja shakara me veten, me familjen time. Nuk kisha as tre vjet që po punoja në arsim. Për daljen nga miniera Kadareja ndërhyri me forcë dhe jo vetëm një herë tek kryesia e Presidencës së kohës. Pastaj ndërhyri tek Sekretari i parë në Gjirokastër dhe te shumë të tjerë që të më kthenin në arsim. Janë gjëra që njeriu nuk mund t’i harrojë kurrë. Të ndryshojnë jetën.

Dhe ja… Shkruaja poezi që nuk pëlqeheshin për botim. Atëherë u mora ca kohë me dramë. Po dhe me këto nuk e pata të lehtë, sido që një dy drama u vunë në skenën e teatrit të Gjirokastrës. Për një të tretë u bënë ca mbledhje, më larguan nga puna si libretist teatrit dhe, në se ish drejtoresha e Radio Tiranës, Nefo Myftiu, ndjesë pastë, nuk do të niste tek ata të partisë e të rrethit në Gjirokastër mikun tim Y. Çiraku, atëherë këshilltar në Kryeministri, do t’ më kishin hequr dhe nga arsimi.

Më 1988 çova një libër që u bë gati për botim nga Ilirian Zhupa, por ndryshimet që erdhën nuk e çuan në shtyp. Gjatë kohës që punoja në minierë dërgoja vjersha në shtyp, nisa dhe dy libra për botim, por m’i kthenin. Nuk e dija dhe nuk ma thoshin që isha pa të drejtë botimi. Këto poezi, gjithë ato që më ktheheshin, unë nuk i kam ruajtur. Më linin një shije të hidhur dhe i hidhja tutje. Ndaj, kur me kohë jam sjellë kështu me to, nuk dua që dhe ndonjë që ka mbetur, të më botohet.

 

Intervistoi: Valdete Andoni

Albspirit.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here