Sazan Goliku: MIRËSIA RRJEDH NGA ZEMRA
(Shënime për librin me tregime “Pranverë brenda vjeshtës” të Harallamb Fandit)
Harallamb Fandi (Lamja në gojën e prindërve, miqve e shokëve) ka qenë e mbetet një djalosh jo vetëm i urtë e i sjellshëm, po dhe me etje të pashuar për dije dhe art. Njihet tashmë bashkëshoqërimi, shpesh me shumë vlera, i shkencës me artet. Po te Lamja, që ka përfunduar shkëlqyeshëm fakultetin për farmaceutikë dhe që ka punuar si farmacist e pedagog i kësaj disipline të mjekësisë gjatë gjithë jetës, dashuria për pikturën, muzikën e letërsinë ka qenë e vazhdueshme dhe e pandarë nga veprimtaritë e shumta si kritik arti, përkthyes e prozator.
Libri i tij me tregime lexohet me ëndje fal vlerave të qensishme të rrëfimit artistik, ku thjeshtësia e trilli, si mjet funksional, shkrihen krejt natyrshëm. Autori duket se ka synuar të jetë sa më i larmishëm në këtë shkrirje, duke arritur, qoftë dhe me pavetëdije, të vejë në jetë atë thënien e Markesit: “Çdo temë kërkon një gjuhë që t’i përshtatet dhe kjo gjuhë duhet gjetur”. Jo pa mundim ai e ka gjetur atë si duhet. Këto tregime janë shkruara në periudha të ndryshme të jetës së autorit, por kanë një unitet stilistik e tërheqje të veçantë.
Rrëfimi është gjithnjë i rrjedhshëm, i qartë, pa spërdredhime të sajuara. Shpesh ai të kujton një bisedë mes shokësh në kohën e lirë dhe të duket si një ditar i shkruar nga një njeri i ditur dhe i përkushtuar ndaj një jete të pasur me dashuri e mirësi për njeriun. Në tregime del, gjithashtu, qartë që autori ruan me nostalgji jo vetëm ndodhitë e fëminisë e të rinisë, po dhe mjaft shprehje frazeologjike të vendlindjes.
Një tipar i dukshëm i prozës së tij është lirizmi që shpreh me emocion ndjeshmërinë e tij poetike, teksa si një tel violine tingëllon e rrjedh, ku më shumë e ku më pak, në tregimet “Djaloshi i piramidave”, “Pranverë brenda vjeshtës”,“Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat”, si dhe te skica “Deti” (e shkruar kur autori ishte 15 vjeç), e cila është përfshirë në këtë libër si një lule herbariumi. Fryma lirike e këtyre tregimeve më bën ta përqas atë me natyrën dhe gjuhën e kulluar të mjaft tregimeve të përkthyera mjeshtërisht në shqip nga Dhimitër Pasko.
Ndihesh mirë e të qesh buza kur ndeshesh me dozat si me pikatore farmaceutike të humorit, që vijnë papritmas, po gjithnjë këndshëm në libër, sa nga naiviteti i qëllimshëm i rrëfimit aq dhe nga ironia e pranueshme, që përdorin personazhet për veten e tyre. Kjo gjë vjen si një karakteristikë e veçantë dhe e bukur që në fillim të librit, te proza poetike “Sa të bukur, sa të freskët ishin trëndafilat” dhe vijon here pas here , si çtensionim i nevojshëm në çaste të vështira, deri diku edhe dramatike.
Personazhet e tregimeve, të rritur dhe të vegjël, dallgëzohen shpesh si deti nga erërat në rrethanat e ndryshme të jetës. Natyrisht ata vuajnë dhe jo pak, por në fund e mira fiton me logjikë të sigurt mbi papërgjegjsinë, ligësinë dhe dobësitë e karaktereve të dobët. Personazhet vizatohen nëpërmjet veprimit (aq sa mund të jepen brenda kufirit të një tregimi të shkurtër), por te tregimet në vetën e parë autori na jep edhe lëvizjet e tyre shpirtërore.
Altruizmi karakterizon shumicën e personazheve. Le të përmendim zemërgjerësinë e xha Zihniut dhe të farmacistit te “Adresa”, njerëz të thjeshtë, që shkojnë deri në sakrificë të skajshme për të shpëtuar kolegun, po dhe të vetë Mihalit, që, ndryshe nga ç’mund të mendohej, përjetonte shqetësime, të cilat t’i sjell vetëm lufta e brendshma për shprehjen si duhet të jetë mirënjohja. Përkushtimi i nxënësit për mësuesin e tij të pikturës si dhe i mjekut, që u përpoq të përdorte çdo mjet e mënyrë për ta nxjerrë nga gjendja e komës atë njeri të rrallë, nuk është vetëm mirënjohje e nxënësit dhe zbatim i përpiktë i profesionit të mjekut te tregimi “Akuareli, kënga e lejlekut dhe…” , Është më shumë. Një lexim i thelluar i këtij tregimi të jep jo vetëm kënaqësi, po ta zgjeron mendimin dhe ta pasuron shpirtin. Te rasti tjetër, ku fatkeqësia e një njeriu të ndershëm, që egërsia dhe absurdi i diktaturës e burgosi, por nuk e tjetërsoi dhe, krahas tij, shpirti i bukur i usta Gonit vijnë paralelisht në saje të një ndërthurjeje të çlirët, që të bën ta mbash gjatë në kujtesë ngjarjen e veçante te tregimi ”Biçikleta”. Shpesh subjektet e një pjese të tregimeve e kanë zanafillën te përjetimet e vetë autorit, po ai ka ditur t’i shndërrojë ato në lëndë artistike. Barnat, përshembull, janë mjete të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit, por njëherësh dhe po aq të rrezikshme kur s’tregohet kujdesi i duhur gjatë dhënies së tyre. Pikërisht te ky rrezik fatal, që duket sikur s’ka vend për letërsi e art, zbulohen karakteret e personazheve te tregimet e triptikut “Adresa”. Aty mbërthehesh nga emocionet ashtu si dhe ne disa tregime me subjekte nga arti, ku shprehet ndjeshmëria e autorit për një fushë të brishtë të jetës, në të cilën talenti e pasioni mishërojnë sa të bukurën aq dhe njerëzoren.
Detajet artistike herë-herë marrin ngjyrimin e simbolit vetjak, shpalosin domethënie përgjithsuese, që kryesisht janë tipare të poezisë. Në strukturat e thukta të tregimeve të këtij libri këto tipare marrin vlera të mirëfillta estetike. Autori është kujdesur të jetë i larmishëm si në kompozimin arkitekturor të librit ashtu dhe në ndërtimin e secilit tregim. Duke iu shmangur rrëfimit vetëm linear, ai i ndërthur rrëfimet e personazheve të ndryshme edhe në kohë të ndryshme, ku herë përdor vetën e tretë, herë vetën e parë dhe herë fut pa sforcim një ngjarje brenda ngjarjes kryesore të tregimit. Këto “thyerje” autori i bën për të zgjeruar frymëmarrjen kompzicionale dhe për të pasuruar larminë e rrëfimit. Krahas tyre, mes strukturës së disa tregimeve ka dhe ndërhyrje përsiatjesh të autorit, çka në një farë mënyre i shërben qartësimit të duhur për domethënien e subjektit.
Prirja e autorit për të nxjerrë në dritë vlerat e mirësisë e të dashurisë, duhet parë jo si qëndrim i thatë moralizues, po si humanizëm, që shpërfaqet si një mesazh përtëritës e i natyrshëm në gjithë librin.