Shkodra. Nga Ermira Ymeraj

Shkodra

Shkodra, Shkodra!
E dëgjoja zanin e një burri tek thërriste, dhe pa kthyer kokën mendova, faturinoja i ndonjë automjeti, po thërret. Nuk isha afër stacionit të autobusit, isha në G’juhadol, një lagje ku qëndrimi i makinave për udhëtarë nuk ka asesi të jetë i mundur.
Kalimtari pranë meje, thërriti tash me nji za ma të qetë. Shkodër të mbërrina, sa shpejt ecë moj bijë!
Ia lëshova sytë gojës që foli, e para meje u përfaq busti i një burri të zeshkët, me kry të zgjatun që lidhej me shpatullat përmes një qafe të hollë, ku lëfyteshin ca rrudha, me fytyrë të pastrume, që mbarte do rrudha moshe. Kishte shenjën e një plage si gropëzë poshtë vetullës së trashë në të djathtë, me shenjat e para të do qimeve të thinjura në to. Hundëgjatë e me kurriz, që dukej sikur ruante gojën mesatare me buzë hollake në një rozë të errët. Mbi këtë hundë që ta merrte shikimin e parë, sytë kishin tjetër strukturë, ishin të zinj e me qerpikë si pendë dallëndysheje, (vajzat kishin m’i andrrue ato qerpikë mbi sytë e tyne). Balli të bante me u ndalë e me e kundrue gjatë. Të dukej si pllajë mali, që koha e ka hangër në dy anët e saj, ku një balluke e prerë shkurt, mbushte siprinën e kresë, tuj i lanë shteg synit kureshtar që ai ballëgjanë, patjetër asht hise i një trupi të gjatë. E në fakt ishte burrë mesatar. Shpatullat të jepnin siguri, të drejta e të gjana, me të kujtue portretet me të cilat  mësu i ke përmendësh në epos. I veshun me një këmishë të bardhë, hollak për nga trupi, lidhë për rryp i vareshin nji palë pantallona ma të gjana se gjerësia e belit të tij. Mbi shpinë do duhej të mbante gjashtëdhjetë vite.
U ktheva e tana nga ai burrë dhe pse kisha humbur në këqyrjen e imët që po i bajsha atij portreti, që m’ngjallte se brenda tij rrinte një mendje burri i zgjuar, me muhabet të matur (kjo ndjesi më vinte gjitherë, kur para meje qendronin burra me thinja), i qetë prej se tingujt që i kisha dëgju ishin tinguj të një zani të pjekur, e jo cingërrues.
Ti e din sa e due Shkodrën, qe pra bijë, t’kam pru bash n’at  vend që gjithherë e kam dashtë.
Dëgjova  burrin tek i shpjegohej një vajze brune, me sy të mëdhenj, të mrekulluem mbas ndërtesave tipike të kësaj rrugine.
– Bab, tesh apo më tregon pse u ndalëm këtu, ti e din, unë du me shku me pa Rozafën, e prej atje me rrokë Shkodrën, adashen teme.
Kisha fillu me ecë mbas vajzës me babë, dhe e kisha hupë rrugën teme për ku isha nisë.
– Shkodra jeme, këtu  a kanë shpija e Luigj Gurakuqit, jam i sigurtë. Atë vit kur erdha si student me pa nga afër, atdheun e andrrave t’mia, na sollën dhe në këtë rrugicë që kishte emrin, Rruga “Luigj Gurakuqi”, e t’u pa atë shpi, u dashurova me Shkodrën, prej se historiani që na shoqnonte mallin e patriotit e solli me vargjet e shkrueme prej Luigjit, që më pas i mësova përmendësh.
Te t’i m’fluturon mendimi, o shpiza  e ime,
Kur vjen ma i thershëm malli me m’trazue,
Te ti, kur nisa s’pari me jetue,
Ku çela sytë, ku reva, e pata gzime,
Gjith her’ ndër mend t’kam  ty, ku laq kujtime,
T’ambla, qi jetën m’pan nji ditëgazmue;
Vetëm n’dhe t’huej, tue vuejt e tue largue,
T’kam n’zemër ty, kur ndjeva t’parët  dashtnime,
Ai skaj, ma i vogli i yt, ma e vogla skut,
E jotja, ka për mue aq ambëlsi,
Sa veç kujtimi ynë shpirtin m’ kputë,
E kur me ra shkoi n’mbramje, me mjeri,
Ty t’mendoj, e i them vedit oh a ma i butë,
Shtrati e ma i kandshëm a pushimi n’shpi!
   U pataksa e u përhuma n’andje t’atyne vargjeve, recitue me aq ndjenjë malli, sa n’pavetëdije rraha shuplakat e duerve, e çila zanin t’u i thanë: – Oh sa bukur, m’knaqe shumë. Tan mallin e përjetova dhe vetë.
Do rrugica mrapa G’juhadolit, në një shtëpi përdhese, u ngriti në kamë dhe shtati jem. N’at shpi përdhese n’kulm i ndamë dhe me nji familje tjetër, n’bri kishte Shtëpinë e Foshnjave 0-3  vjeç. Muri i naltë i asaj ndërtese asnjëherë s’kishte mujt me ndalë t’kjamunat e bebeve, që edukatoret mundoheshin me i pushu. Ishin fmitë e braktisun, që lypshin gjinin e nanës që i kishte sjellë në jetë, po që kurrë se patën fatin me i rrekë gjumi në t’ amblin gjoks nane. Gjithherë u rrejshin me biberonat rrenc, e me ndonjë gisht edukatoreje. Sa herë që nisesha për shkollë, koka jeme kthehej vrik nga dera e madhe e hekurit, që kërciste ndo tinguj të bezdisshëm, e shihja ndonjë gru që i përvidhej syve kureshtarë  të banorëve të lagjes, që priste të hynte fshehurazi brenda, kur infermierja e turnit do ia mundësonte hyrjen. Të qarat e tyne, më kishin ba me mendu se çfarë tingulli ka e qeshuna e këtyne fmive, dhe rendja te nanebabja dhe e pyesja:
– Nanë, kur qeshin këto fëmijët, e si qeshin?
Du me i pa nanë duke qeshë. A po më çon nanë me i pa?
Këto nanat këtu, ku i kanë gjetë tanë këto fëmijë nanë?
Ti mue m’ke thanë se të gjetëm pranë një luleje erë mirë.
Po babat, ku i kanë nanë?
Nanebabja, ndihej e bombardume prej tanë pyetjeve që ia lëshojshe  prej kureshtisë me breshninë e turrin me ditë gjithçka për ta.
E nanebabja e mirë, m’kthehej t’u  m’thanë: – tash t’ kallëzoj ma vonë, ulu njiherë me hangër. Shumë herë përgjigjet e nanës, më lidhshin me trishtimin e fatit të tyre. Nanebabja ishte edukatore, e historitë e atyne fëmijëve nuk i kishte me të nime, po me të përjetueme. Njiherë, kur sa kishe lindë ti, nji fëmijë i sapolindur, të cilin lëshu e kishte e paemërta nanë, në derën e Befotrofit, kuja e atij fëmije më trandi krejt. Nuk kishte gja që e pushonte. Nuk e merrte biberonin, buzët e njoma të nji goje të hapun , dojshin erën e nanës. Kam ardhë vrap e mora nanën tane, ty të lidhme në djep, me t’përkundë yt vëlla, dhe ia vuna atë djalë të paemër nanës tane në gji. Goja e bukur me buzë të kuqe në të errët prej vajit, fillun me kërku qumështin që rridhte teksa e thithte i etun për qumësht gjini. Atë natë pushoi, po ne na u desht shpesh me ta hek gjinin e me ia dhan Yllit ato ditë, kështu ia vumë emrin, se ishte yll i bukur, derisa e mësueme me pi qumësht me biberon.
Isha rritë mjaftueshëm, sa me kuptu shpjegimin e nanës, dhe pse në kokë thureshin shumë pse.  Nanë, a i ke dashtë ma shumë se unë ndonjë prej tyne? – e pyetsha n’pafajsinë teme.
Atëherë nuk i kuptosha lidhjet shpirtërore a ato të gjakut, po nana më mësoi se ndjenja kur ngatërrohet me trishtimin e brengën, asht nji dhimbje që të ther pa pra, që ta zë frymën, që t’ban me rrokë fort lutjen, e me falenderu Zotin, që ti s’je hise e braktisjes. E këtë dhimbje që ther e pashë në sytë e burrit, kur i thashë:
– E kanë shembë, aty ka kenë, po tash sa ma.
Burri u kthye bashkë me Shkodrën, vrik nga unë.  Nuk mundet Shkodra me ia ba birit t’vet këtë gjamë!
Ia ban, ia ban, – thashë.
Jena rritë duke ju admiru, ndoshta ju kena zmadhu ma shumë se jeni në të vërtetë.  Përtej degëve të drunit që i lind, e megjithë drejtimet  e ndryshme që merr,  rranja a nji, po tesh a thu a Shkodra njajt? – m’pyeti me za të mekun burri i mallit të Luigj Gurakuqit.
Eh, thashë po kur                të mos e gjesh “Kafen e Madhe”, ça tash po thu?
Mo bre! – klithi!
Me sy gati t’u shpërthy në lot, nuk bzajti,  eja Shkodër të ikim, po: – Eja bijë, se po na pret Atdheu.
Ermira Ymeraj

18. 08. 2021

Shokubjem i mirë dhe një të dytë
Vetmia.

Atë ditë mori rrugën e Arrës së Madhe. Gjithherë ky emën e kishte tërhekë, pamjen e kësaj rruge e kishte ndërmendur shpesh. Banorët e kësaj ane me mure guri të larta, me porta druri me çangë, me pusa në oborret e mbjelluna me lule e pemë frutore, i shfaqeshin lidhun n’pamje e shtat me arrën e madhe. Der edhe ngjyrën e trupit të tyne ia lidhte me ngjyrën e arrës, lëkura e tyne ishte e fortë si vetë lëvozhga e saj. Zgjodhi bash zhegun e nji dite vere. Zanat e njerëzve i ndante nga tingujt e gjinkallës, nga të lehunat e qenve a mjaullimat e micave të shtrime përtokë në qoshet e shpijave, ku hija bante rend bashkë me lulekacavjerrëset lidh e zgjat në trup të hardhijave, e ndokund dhe ngatërrue me gjethet e fiqve. Atë zheg kishte mendu me u ndalë me u taku me t’përngjashmit e vet me vetmitarët. Donte me i pa nga afër si dukej ndër ta, ç’pamje i vishnin, si ngatërroheshin me të, si e ushqenin. A thu kishte nga ata që donin me i ikë asaj,  çfarë mendonin, çfarë kërkonin?
Dhe mbajti frymën pas çdo dere!
 Derës së parë nuk iu afru, n’at shpi po ndërtohej, e krahët e lidhun pas mjeteve të punës baresin sa lart – poshtë. Te dera e dytë, era po i fërshëllente lulnajës së shpërndamun në oborr. E shtriva petkun derisa e çika për shtat të lules, diçka ndjeva. Fërkova gjatë lëkurën derisa u nxe, dejt kërcitën. Nga kjo derë mendova diçka të gëzueshme do shoh.
Do e laja vetminë me një fije buzëqeshje të lehtë me shpijakun  a shpijaken e parë që do të ndeshja. Por s’ndodhi kështu. Kur muret e larta kapërceva, një kulm shtëpije e rrëzuar m’iu ngjesh syve. E thërrita frymën, n’fillin e dëshirës dhe çiltërsisë me u pa prej tjerëve. Por thirrjet e mia ishin mbytëse as vetë era nuk i ndiente,  më shkoi kot e paza  isha.
Epo unë isha vetmia njëjtë si kokrra e arrës, me thelb të ndarë në pjesë, isha arrë gungë e fortë.
Kot më quajnë rivale e lumtunisë, që i ikë njerëzve që nuk duan të rrinë me të. Unë jam vetmia, në mua  vini dhe ikni.
     Ndoshta ndieni neveri, ngase kam pirë nga tanë vramëndërgjegjet njerëzore, ndoshta sepse sot vinte ndryshe hareja e shfrenuar e erës lidh rrfanë n’at zheg me lulet.
Ajo shpi kishte mbledhë nënvedi lindjet. S’kam nevojë të tregoj se kush kishte jetuar e jetonte në këtë grehinë. Por unë mundem me ju thanë se, këtë herë që shkova, u afrova vjedhurazi ( harlisja e erës nuk përligjej në mu) kangjellave të mbetuna nji odë, me shpresën se do të shoh veten.
Në çdo rast, që do më shfaqej, nuk kisha pse me e përkëdhelë,  e as me e puthë. Ma e shumta, do e kundroja e këngëzën time të mësuar përmendësh do ia këndoja.
Teksa dritën e syve të vetmuar lëshoj brenda odës, që andej, u përudh drejt meje Verbëria. Qëndroi një çast përpara meje,  ndjeu lojën e shpejtë të erës, dhe gjetheve tana të përdredhuna, e pa u menduar mu rras për trup.
…..    …..   …..
N’kët zheg loje mes meje e meje, n’askundin e arrës së madhe, pata kandjen me shtrue krenarinë e verbume të njeriut.
17 gusht 2021

E.Ymeraj

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here