Solidaritet i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit me protestën kombëtare të komunitetit letrar shqiptar

Deklaratë solidariteti e “Shtëpisë së Letërsisë dhe Artit Bashkëkohor” Durrës

 

 

JEMI KUNDËR PËRJASHTIMIT TË POEZISË, TREGIMIT DHE LETËRSISË PËR FËMIJË NGA VLERËSIMET KOMBËTARE TË QENDRËS KOMBËTARE SË LIBRIT DHE LEXIMIT

Solidaritet i shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit me protestën kombëtare të komunitetit letrar shqiptar, në mbrojtje të ligjshmërisë, dinjitetit të letërsisë shqipe
dhe zhanreve themelore të saj

 

Shoqata “Shtëpia e Letërsisë dhe Artit Bashkëkohor”, që përfaqëson shkrimtarët dhe artistët e qytetit të Durrësit, shpreh solidaritetin e plotë me protestën e poetëve, shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë kundër praktikave antiligjore dhe antikombëtare të ndjekura nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës.

Skualifikimi arbitrar i zhanreve themelore të letërsisë shqipe, si poezia, tregimi dhe letërsia për fëmijë, nga vlerësimet vjetore përbën një shkelje të rëndë të parimit të barazisë, konkurrencës së ndershme dhe detyrimit kushtetues të shtetit për zhvillimin dhe mbrojtjen e kulturës kombëtare, ashtu siç theksohet edhe në Kërkesën Administrative me Karakter Normativ drejtuar Ministrisë së Kulturës.

Shoqata jonë i bashkohet plotësisht kërkesave për anulimin e Çmimeve Kombëtare të Letërsisë 2024, për pezullimin dhe rregullimin ligjor të titullit “Poet Laureat”, si dhe për miratimin e një rregulloreje detyruese, transparente dhe të paanshme për juritë letrare, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare.

Në mbështetje të propozimeve të shprehura nga grupi nismëtar dhe peticionit protestues, njoftojmë se “Shtëpia e Letërsisë dhe Artit Bashkëkohor” do t’i bashkohet tubimit protestues që do të mbahet në Tiranë, të premten, më 23 janar 2026, si dhe firmosjes së peticionit drejtuar Ministrisë së Kulturës, në mbrojtje të dinjitetit të letërsisë shqipe, autonomisë profesionale dhe interesit publik kulturor.

Për “Shtëpinë e Letërsisë dhe Artit Bashkëkohor” – Durrës

Kryetari

Agim Bajrami, poet

 

Durrës, më 19.1.2026