Trump: SHBA do ta udhëheqë Venezuelën, pas kapjes së Maduros

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të shtunën se Shtetet e Bashkuara do ta “qeverisin” Venezuelën dhe do t’i shfrytëzojnë rezervat e saj të mëdha të naftës pasi e kapën liderin e saj majtist, Nicolas Maduro, gjatë një operacioni në Karakas.
Njoftimi i Trumpit erdhi disa orë pas një sulmi të shpejtë, ku forcat speciale kapën Maduron dhe bashkëshorten e tij, teksa njëkohësisht sulmet ajrore goditën disa vende, duke e tronditur kryeqytetin.
Një ditë më vonë, të dielën, Maduro u dërgua në një qendër paraburgimi në Nju Jork, dhe pritet të dalë para gjykatës gjatë javës për t’u përballur me akuza për vepra penale të drogës dhe armëve.
Duke folur të shtunën në një konferencë për shtyp në Florida, Trump tha se “ne do ta qeverisim Venezuelën me një grup zyrtarësh”.
“Po caktojmë njerëz”, tha ai, duke përmendur zyrtarët e kabinetit që qëndronin pranë tij, të cilët do të jenë përgjegjës, përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubi, sekretarin e Mbrojtjes Peter Hegseth dhe gjeneralin amerikan Dan Caine.
Trump gjithashtu theksoi se trupat amerikane mund të vendosen në Venezuelë.
Shtetet e Bashkuara “nuk kanë frikë nga të vendosin ushtarët në terren”, tha ai.
Edhe pse operacioni po paraqitet si veprim ligjor, Trump e bëri të qartë se ndryshimi i regjimit dhe pasuria e naftës së Venezuelës janë synimet kryesore.
“Ne do të sjellim kompanitë tona të naftës nga Shtetet e Bashkuara, më të mëdhatë kudo në botë, për të shpenzuar miliarda dollarë, për të rregulluar infrastrukturën shumë të dëmtuar”, tha ai.
“Do të shesim sasi të mëdha të naftës”, shtoi ai.
Presidenti republikan e postoi një fotografi të Maduros së prangosur në një anije amerikane. Ai dhe bashkëshortja po dërgohen në Nju Jork për t’u përballur me akuza për trafikim me drogë dhe terrorizëm.


















