Vështrim vertikal në prozën e shkrimtarit të shquar Zija Çela.Nga Hyqmet Hasko

 

 

Kuotat e epërme të intuitës dhe imagjinatës krijuese

 

 

 

Me emrin e Zija Çelës lidhet një nga majat e prozës moderne shqiptare, tregimi, novela dhe romani, format shkrimore të së cilës tek ky autor gjetën njё shpalim të begatë dhe të harlisur të një stilsitike unike në prozёn e sotme shqipe. Ashtu si dje nën metodën e detyruar të realizmit socialist, që u përpoq të sillte risi dhe modernitet në trajtimin e tematikave të kohës, edhe sot në kushtet e lirisë Çela shquhet për ndjeshmëri dhe spontanitet, detaje të imëta dhe një prerje diagonal dhe në thellësi të realiteteve jetësore që bën objekt të pasqyrimit estetik.

Udhëtimi në prozën e Çelës është një udhëtim mbresëlënës, ku gjallëria e narracionit, mahnitja e fjalës, pasuria e stilit dhe thellësia e depërtimit në analet e së bukurës,stoikes, të qëndrueshmes, kohës arkitipale, siç mund të thoshte K.G.Jung, mbetet një shpalim konstant, pavarësisht kurbave marramendëse ku ngrihet herë herë “lavjerësi” i tij narrativ dhe estetik.

Në artin e tij shkrimor, një nga më befasueset dhe impresionuese të prozës shqipe, ngërthehen kohë dhe stinë, situata intime dhe universale, gjendje dhe fakte jetësore të transfiguruara në akte estetike, ikje dhe kthime, modele jete dhe ëndrre, kërkimi në shpirtin universal të së bukurës, të urtësisë dhe mençurisë njerëzore.

Që nga libri i tij i parë “Yje mbi lumë”, për të vazhduar me libra të tjerë si “Jeta në shtëpinë tonë”, “Një verë pa lamtumirë”, “Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhakondës”, “Princi i buzëqeshjes” e deri për botimin e fundit “Ora e Zooparkut” me të cilin u vlerësua dhe me çmimin “Raxhai Surroi” në Kosovë, Çela shpalos një botë të tejndezur nga pasioni dhe përkushtimi për jetën, nga përshkrime të dridhshme, me qendër graviteti shpirtin më të thellë njerëzor dhe qasjet më humane, në udhëkryqe kohësh dhe epokash.

Me shumë vëmendje, interes dhe kureshtje u prit libri “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, të cilin autori ia kushton djalit të tij të ndjerë, përkthyesit të mirënjohur Dritan Çela.

Në këtë krijimtari të gjërë e të begatë spikat një talent përtej të zakonshmes, një talent që kërkon në histori dhe në përditshmëri, për të gjetur ato fije lidhëse midis kohëve dhe epokave, midis brezave dhe entive, që të mund të përcjell mesazhe të freskëta e kuptimpolte për çdo brez e për çdo kohë.

Në këto krijime duket një dorë mjeshtri, që jetën dhe pasionin e tij e ka të lidhur me letrat, me fatet e popullit të tij, në udhëkryqe kohësh dhe epokash, të cilat i ka pasqyruar mjeshtërisht në romanet, tregimet, novelat e tij të arrira, të shkruara me ngrohtësi dhe sharm estetik.

Çela ka një stil krejt të veçantë, me një kontekst të ngjeshur figurativ, simbolik dhe metaforik, me një komunikim sa të rrokshëm aq dhe të nëndheshëm, që zbulohet dhe shijohet pjesë pjesë; aparati i tij shkrimor ka një vektor të përpunuar hollë dhe me shije, pa sforcim dhe shtirje, pa lajle lule të kota, pa retorikë dhe proliksitet.

Çela zotëron kodin e rrëfimit dhe e qas dalëngadalë lexuesin drejt këtij kodi, duke ia zbuluar pjesë pjesë, duke e mbajtur atë në tension dhe pritje, nën trysninë e një magjijimi që vjen duke u përshkallëzuar, duke arritur në fund të rrëfimit në kuota të epërme.

Magjia e rrëfimeve dhe imazheve liriko-dramatike të Çelës të prek thellë në shpirt, të bën të ndihesh pjesë e rrëfimit, pjesë e objektit dhe subjektit narrativ, lirik apo dramatik, me të cilat ka operuar autori në të të gjithë shtrirjen e interesave dhe zhanreve letrare.

Rrëfimet e tij janë të shtruara dhe zbulojnë hap pas hapi sekretet e ngjarjeve dhe personazheve, janë në linjën e një udhëtimi estetik dhe psikoanalitik, plot befasime, thellësi dhe ngjyra impresioni.

Realizmi është i thellë dhe anon nga magjikja dhe trandenshentja, çfarë i bën të lexohen me një frymë veprat e tij letrare.

Vepra e Çelës, si dje nën tiraninë e dogmës, por veçanërisht sot, në kushtet e lirisë, është një ofrim që një mjeshtër i fjalës, një psikolog i fortë i shpirtit njerëzor, i bën një lexuesi të kualifikuar shpirtërisht, me predispozita për të ndjerë dhe kuptuar intuitivisht “busullën” e thellësive, magjinë e rrethanave të pazakonta dhe personazheve të pazakontë.

Në kohën kur u shkruan disa vepra të Çelës, për shkak të një mënyre aspak përkëdhelëse dhe aq më pak deklarative të pasqyrimit të realitetit nga prozatori, në një kohë të vështirë për shkrimin estetik dhe shkrimtarin, u pritën me kritika të ashpra dhe autori do të kishte për shkak të tyre jo pak telashe.

Siç dëshmon vetë në një nga intervistat e tij, pas botimit të romanit “Një verë pa lamturmirë”, që e merr subjektin nga rrethi verior i Kukësit, ku Çela kishte shkuar për të punuar si mësues letërsie në ato zona të thella malore,.shkrimtari është akuzuar nga autoritetet e kohës për “fshehje të realitetit”, çfarë ka bërë që të ketë jo pak andrralla.

Ka qenë, me sa mbaj mend, mesi i viteve ’80, kur më ra në dorë romani “Mali i padukshëm”, të cilin e kan lexuar me një frymë dhe në faqet e tij vihet re se lëvronte një jetë e vërtetë, me timbrin dhe shqetësimin e kohës, me një tendencë të dukshme për t’iu shmangur steriotipeve të romaneve të kohës, që gëlonin nga parullat dhe retorika.

Në këtë roman, lexohet qartësisht përpjekja e romancierit për t’i tejkaluar barrierat dhe për të na dhënë një dëshmi jete dhe mbijetese të vështirë të banorit të malit të tejdukshëm, ku ngjarjet zhvillohen në qytetin e minatorëve Bulqizë, ku romancieri Çela kishte qëndruar disa muaj me leje krijuese, siç veprohej në atë kohë.

Tani vonë, para disa kohësh, mësova se ky roman nuk kishte kaluar pa u vënë re nga autoritetet syçelë të asaj kohe absurde, të cilët e kishin akuzuar shkrimtarin e talentuar, që shikonte çdo mundësi për të vështruar përtej fasadës, për “realizëm të ashpër”!

Personozhet e Çelës janë personazhe të vendosur në një shtrat poetik, në një shtrat ëndërrimi, duke bërë që të mos jenë të zakonshëm e uniformë, por në kërkim të një modelimi përsosmërie, çfarë e bënte artin e tij shkrimor të shihej me dyshim nga çesura e kohës.

Naracioni në prozën e Çelës ka një konteks të ngjeshur metaforik e simbolik, duke e transfiguruar botën që bën objekt pasqyrimi estetik në shumë kënde e rrafshe, duke e parë realitetin si një kuptimësim të botës shpirtërore, në një reliev ku dhimbja dhe ëndrra jetojnë në të njejtën kurbë estetike.

Siç thotë me të drejtë studiuesi dhe kritiku i shquar Ali Aliu:

“Mbështetur mbi prejardhjen dhe ecurinë e kësaj bote, Zija Çela krijon botën e fiksionit, fantazisë, shtigjet e së mundshmes, të asaj që vjen dhe troket nga larg. Depërtimi në thellësi i intuitës dhe imagjinatës krijuese, shikuar nga kjo perspektivë, del i një dhuntie përmasash madhore. Secila dekadë shënon për autorin lëvizje të veçanta përpara, si në përkapjen e botës, ashtu edhe në përsosjen artistike dhe estetike të diskursit letrar. Zija Çela krijues e vuan rëndë krizën e vlerave shpirtërore”.

Rrëfimi i Çelës është gjithmonë në një shtrat poetik, me batica dhe zbatica, me depërtim në palcën e të ndodhurës, duke përveçësuar tek çdo personazh karakterin, filozofinë, anën njerëzore dhe raportet e tij me të tjerët.

Pas çlirimit të prozës shqipe nga klishetë dhe tabutë jashtëletrare, proza e Çelës pësoi një hop cilësor, u rrit fuqia dhe origjinaliteti i ekspresionit narrativ, u bë më zhbiruese dhe depërtuese në plagët e kohës, në problematikat e forta që ngre autori në qasjet e tij rrëfimore.

Proza e Çelës përcjell një botë të thyer rrëfimtare, ku kujtesa, e ndodhura, emocioni dhe kërkimi në botën e brendshme psikologjike të personazheve vjen pa filtra, nëpërmjet një rrëfimi pa kahje, pa ngarkesa referencash paragjykuese dhe inkuadruese, siç ndodh në krijimtarinë e mjaft prozatorëve, që e kanë të vështirë të shkëputen nga patericat e soc-realizmit.

Shkrimtari pasqyron dramën polivalente të njeriut bashkëkohor, duke e vënë theksin tek shmangia e tij nga arkitipi social, i ndodhur ballëpërballë një minibotë e trazuar dashurie, mirësie, humaniteti, përkushtimi qytetar dhe, në kahun tjetër, egoizmi i shfrenuar deri në patologji, që kërkon të ngrihet e të mbijetojë me çdo çmim e me çdo kusht, qoftë dhe duke lënë pas pirgje me kufoma.

Në faqet më të bukura të prozës së Zija Çelës lëvrojnë personazhe që luftojnë për të mirën dhe të drejtën; ai e vendos botën madhore të njeriut të vërtetë përballë dhunës dhe mizorisë së instinktit dhe tiranisë së krimit, si një tentativë për të pasqyruar luftën e shoqërisë demokratike për triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor.

Romanet e Çelës janë të mbrujtura me vrulle dhe pasione jete, me përplasje dhe drama të forta shoqërore e politike, me një humanizëm të kulluar, që vë në lëvizje mekanizmin romanesk të romancierit dhe e bën atë të veçantë e të dallueshëm nga veprat e shkrimtarëve të tjerë, e bën unik në stil, në këndvështrim, në gjetje estetike, në qasjet ndaj tematikave që bën objekt të narracionit të tij magjepsës.

Një shkrimtar si Çela është befasues dhe suprizues në çdo botim të tij, qoftë në tregim, novelë apo roman, pasi sjell një pasuri të madhe të një shpirti kërkues, të një ëndërrimtari të pashoq, që na fton të bëhemi pjesë e rrugëtimit të tij estetik, ku ëndrra për një botë më të mirë e më të drejtë, me gjithë derivatet e panumërta të saj në kohëhapësirën e ëndrrës së kulluar, mbetet një kryeëndërr dhe një magji e përjetshme e shkrimtarit.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here