Xhahid Bushati: Shënime për librin “Kolonë zanore” të autores Rezarta Reçi

Kur mbarova së lexuari romanin “Kolonë zanore” të autores Rezarta Reçi, pyetja e parë që më lindi ishte: “Përse duhet lexuar ky libër?” Disa argumente janë këto: Letërsisë shqipe i mungon trajtimi i një tematike të tillë, – Rezarta me rrëfimin dhe mjeshtërinë e saj dhe përveçësinë poetike, kulturore-estetike thyen disa tabu apo “zona të paprekshme” siç mund të quhen, – Zëri i saj femëror plot dimension shpirti mbart guxim krijues dhe pasqyron copëza jete, duke i kënduar paqësisht jetës dhe ëndrrave që mbart një jetë për ta jetuar, – Pikturimi i tablove, shpalosja e botës së brendshme të personazheve, dialogët plot mendësi, psikika në raport me vetveten dhe të tjerët, etj.
Është një roman, ku autorja përmes frymëzimit të saj fatlum të ofron imazhe jete, të ofron zërin dhe botën femërore, madhështinë e kësaj bote. Në këtë aspekt, shumë faqe të romanit, më kujtojnë universalitetin e poetes italiane Alda Merini, një poete që e kam studiuar gjer në imtësi. Ajo thotë në një poezi të saj: “Ka gjithmonë / për ty kohë / në zemrën time!” Duke marr shkas nga romani dhe poetika e magjishme e Alda Merinit, autorja e talentuar Rezarta Reçi na shënon si kod të virtytshëm fjalët: “Ta duash veten në të gjitha dimensionet e tua! Dhe mendoj se ky është mesazhi i kësaj vepre. Mesazhi në fjalë është i kondicionuar organikisht edhe me një raport shumë të rëndësishëm dinjitet – jetësim, e më tej: hapësirat që i lejon vetes mes asaj që është private, magjike dhe shenjtërore dhe dhe dashurisë së prekshme, të jetueshme që në genin e saj, që është universale. Dhe këto nocione shëtisin gjatë gjithë romanit, me këto dukuri ndeshen, i përjetojnë dhe u japin rrugëzgjidhje personazhet, të cilët sa ruajnë të përveçme aq dhe janë në hapësirë dhe kohë “end bllok”, pra, diku, ata përbashkohen. Kjo është dhe arsyeja që në faqet e këtij romani tërheqës dhe adhurues, gjejmë dhe takojmë: kujtime dhe histori, jetë private, kolektive, ëndrra dëshira, takime dhe ritakime, ëndrra, akte besimi dhe zhgënjime, falje dhe lotë, udhëkryqe dhe shpërfaqje të nënshtresës ndjeshmërore, paqe dhe falje, shpresë dhe guxim, triumf dhe lumturi, shpresë dhe dashuri, dhe shumë dashuri dhe optimizim jete, për ta puthur atë, përqafuar dhe dashurisht për ta jetuar… Për rrjedhojë duke parë këtë tablo poliedrike, vepra është konceptuar si ndërtimim kompozicional mbi bazën e tipologjisë së personazheve. Mendoj, që romani ngjan si një palimpsest.
Tani kam dëshirë të analizoj disa personazhe, si kanë ardhur ata në vështrimin tim. E kam fjalën për: Flonjën, Marën, Shanin dhe Ernestin. Po të vërehet me kujdes: Mara dhe Ernesti zënë hapësirë kapitujsh më shumë se personazhet e tjerë, sepse autorja i ka parë si kolona të libri, të cilat mbajnë fort subjektin dhe rrjedhojat e ngjarjeve, kuptohet pa nënvleftësuar personazhet e tjerë. Në elementin krahasimtar të kapitujve që përfaqësojnë personazhet, autorja me shumë sukses ka ardhur duke i plotësuar si karaktere, duke u dhënë dendësi të mëtejshme, e njëkohësisht duke i qëndisur si modele letrare, të cilët pasurojnë me dinjitet letërsinë shqipe bashkëkohore.Autorja është marrë me shpirtin e tyre, dhe këtë krijim e quaj vepër shpirti.
Pikërisht në vështrimin krahasimtar dua të ndriçoj personazhet duke i shoqëruar edhe me fjalë teksti të autores.
-Flonja: shoqe fëmijërie, më pas raporti me Ernestin. Citoj: “Shshshtt” – dëgjoj te veshi, “vetëm po vallëzojmë, shjoje, siç meriton. Dua të ndjehesh mirë, mos u dorëzo!” (f. 10). Po më pas: kemi një raport autore – personazh, për të cilin Rezi është e kujdeshme, e matur dhe pikë referuese dhe ndriçuese. Autorja flet: “Kjo ishte Flonja për mua! Do të doja ta mbuloja me para, nëse çmimet për të nuk do t’i caktonte ai, tutori pa zemër i Flonjës.” (f. 37).
-Mara: Një figurë simpatike, ëndërimtare me botë romantike, ku në shpirt i shndrisin: pasioni dhe akti i besimit. Citoj: Po mua më kanë mësuar se duhet të luftoj për gjërat e mia!” (f. 21)., – dhe më tej: “Ik, Shani, dua ta rris vetë, do të marrë malli të luash brenda trupit tim. Por unë jam më e fortë dhe më e keqe se ti. Kurrë nuk ke për ta parë më Amin. Harrona!” (f. 43).
-Shani: një personazh me një konfigurim interesant. Ai nuk kupton dhe nuk është në gjendje të kuptojë esencialisht botën femërore, marrëdhëniet me të. Përmes këtyre dy fragmenteve që kam zgjedhur, do të kuptojmë intimen dhe përballjen me magjinë e botës së bukur femërore. “Unë kisha nevojë të mendohesha për shkërmoqjen brenda një nate të një miqësie dhe dashurie, …” (f. 62), si dhe pyetja që i bëhet Shanit… “Shan, pëshpërisja, më krijon siguri?” (f. 31).
-Ernesti, sipas meje, është një figurë bazamentale e romanit, që përfshihet në 5 kapituj dhe mbaron romani, po me figurën e tij. E realizuar tipologjikisht e artistikisht. me cilësi të mira dhe dobësi. i ndërtuar dhe i plazmuar përmes kontrasteve. Koncepti i marrëdhënies dhe i krijimit të familjes te ky personazh përbën një leksion interesant dhe dobiprurës për lexuesin. Nga ky personazh kam shënuar disa momente që përbëjnë dhe tharmin e tij, si: “Besoj te dashuria, …”, “Ernest, “ i thashë një paradite tek kridheshim në pishinën e hotelit “Çfarë jam unë për ty?” (f. 28), … “Jeta ime kishte marrë tjetër drejtim, sytë e Ernestit nuk më bënin të ndjehesha e dobët” (f. 40).
Dhe në mbyllje:
– Ditarit i Lunës, është një ditar i ndërtuar plot kontraste e dilema shpesh drithëruese, por ama çdo etyd e shoqëron drita e bukur dhe mahnitëse e hënës, si rilexim, si buzëqeshje, si një mal me foto, si frymë, si shenjëz kohe, si shenjëz autoriale, si me dashurinë dhe me dashurinë për jetën që dua, dhe në fund: “Lutem… duke besuar te dita, te drita! E “Kur themi të dua”, një libër që më pëlqen ta lexoj, pse jo dhe ta shkruaj…”
Romani “Kolonë zanore” e prozatores Rezarta Reçi është i mbushur plot ngjyra, dritë e jetë. Është një roman i rrëfyer në mënyrë elegante, i drejtëpërdrejtë e me jetueshmëri jete.

Shkodër, më, dhjetor, 2021

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here