Odise Kote: NË ITAKË, DUHET TË KTHEHEM PATJETËR … POEZI

1- NË ITAKË, DUHET TË KTHEHEM PATJETËR …

Atje në Itakë,
duhet të kthehem një ditë patjetër,
Për të ndjerë gëzimin e ngrohtë,
kur këmba e marinarit shkel tokën,
magjepsur pas origjinës dhe racës.

Duhet të kthehem një ditë patjetër,
Një ëndërr fëmije për të rigjetur.

Sa mundësi kam të takoj,
një plak hokatar, jetëgjatë që pendohet.
Bashkë me erën që s’pushon,
dhimbjet e hirin e brerjes që djeg,
Duhet të kthehem patjetër…

Ska gjë të thjeshtë për të qënë e thjeshtë,
Kur vija ndarëse kalon mespërmes shpirtit,
Tejngopur nga talenti dhe vetmia.

Atje në Itakë,
një ditë duhet të kthehem patjetër.

Po ku qenka strukur Itaka e fëmijërisë?,
Ka vdekur?
Sirenat thonë: Itakën,
e paska rrëmbyer njeriu i verbër …!

2- VAJZA PRET NJË DJALË NË BREG …

Në mbarim të muzgjeve dhe agimeve,
një anije në mes të detit fanitur.
Eh, eh, e…e, po ku ka mbërritur?

Sirenat që vijnë çdo herë prej larg,
veshur me tinguj të butë harrese,
sjellin vetëdijen të mbytur në thellësi.

Sikur pritja të mos qe kaq e gjatë,
të kishte të paktën një cak, dhe …
të nderej gjithë ai mallkim e shpagë,
oii, oii.

Ç’është në horizont ai pelikan vetmitar,
metaforë apo lajmëtar?

Dallgët shkalafyten baticë – zbaticë,
shpresë vdekur, ikje – moskthim …
eh, e….ehu, dallgë që thërmon shkëmbinj.
Oii, oii.

Në mbarim të agimeve e muzgjeve …

3- ZOGJTË KAGARO MBI OQEAN …

Këndojnë zogjtë Kagaro mbi oqean,
qiell’ i natës vajtimin dërgon larg,
brigjeve matanë.

Paqësori sonte qenka llahtaruar.
Egërshan, zemërak, dallgë,
gjëmon kambanë,
sikur diçka të pistë, të vjetër
po e mbyt natës ngadalë.

Këndojnë a ngashërehen
zogjtë Kagaro mbi oqean?

Ngashërehen zogjtë Kagaro
mbi oqean,
drit ‘ e parë e agut kontinental
nxjerr kryet fshikëzës së çarē …

Zogjtë Kagaro mbi oqean …

4- KUR TË MË SHIKOSH

Kur të më shikosh që çdo ditë zvogëlohem,
mos u trishto, jam duke ikur.
Po e ndjen që me zogjtë e agimit zgjohem,
gëzo, është shenjë që festa sa ka nisur.

Mos u zemëro që rropatem burimin të gjej
atje ku mëllenja e çafka fshihen nga vapa.
Dashuria s’është siguri, është vetëm një vjegë
që punë të bekuara të lësh mbrapa.

A të kam thënë që do të mbetesh lule?
Lulja ka në thelb aromën, pjellorinë …

Sikur thellë në pus, skajit në fundajë
pafajësia kurrë s’do ta braktisë njerinë.

Nëse më shikon që çdo ditë zvogëlohem
sa një grimcëz kozmosi,
mos u tishto, jam duke ikur …

5- KUR HËNËN SHOH SI ZBEHET NËPËR MUZG …

Kur hënën shoh si zbehet nëpër muzg,
më vjen ndërmend qerpiku yt i hollë,
dhe ikja në terrin që pushton hapësirën
me kuptimin e gjërave të fshehura,
në harmoni të padukshme.

Gjithë natën pastaj jam i mikluar
nga aroma dashurish fluturake,
derisa sa bindem se zogu i agimit
ka fluturuar i lirë në botë dhembjesh,
me mënyrën e tij si përjeton universin,
duke ikur shumë larg.

A ke mbajtur ndonjëherë një pëllumb në duar,
t’ia dëgjosh zemrën se si i rreh?

Kur e shoh hënën si zbehet nëpër muzg …

6- SI NË NJË NGASJE QË NGJAU…

Kthehesha nga fushëbeteja plot gëzhoja e të vrarë,
nën shirat e dendur të natës dimërore,
(e dini: ushtarët kthehen në shtëpi, heronjtë vdesin).
Shpresat më shkaktonin dhembje,
e shkuara u jepte mendimeve forma të çuditshme.

Si në një ngasje – zigzage vetëtime që ngjau…

Pas shirave të rrëmbyer befas ndriti hëna,
pemët u drodhën e shkundën gjethet,
ky është çasti kur gjumashëve u hapen zavalle*,
të mençurit nuk besojnë alibitë e disfatës,
dhe rrugëve gjeta burra, (ishin vërtet burra?)
që peshonin më pak se fjala që thoshin.

Shirat nisën përsëri, kësaj here egërsisht.
Ndoshta ato ishin tingujt e mundësive
për të ndjekur pas imagjinatën e pambërritur.

Si në një ngasje – zigzage vetëtime që ngjau…

Krijimet origjinale i bëjnë të rinjtė. Kjo dihet.
Poezia bëhet e mërzitshme
kur ekzaminon me mikroskop.

– Zavalle* – kokëçarje, shqetësime.

7- TI JE E VETËMJAFTUESHME.

Ç’të mbjell për ty
në tokën pa kufi të metaforës,
premtime shiu apo fjalë të kripura deti
pjekur në diellin e jugut përvëlonjës.

Je shpirt lumi i rrëmbyeshëm,
damarëve të nëndheut,
ujë i kristaltë, e qeshur prilli
thellë majës së lartë,
përbrenda dëborës …

Ç’të mbjell për ty
në tokën pa kufi të metaforës …

Mbase një tufë dobësish tokësore,
të qortueshme.

Sepse ti je e vetëmjaftueshme.

8- KUAJT E TROJËS…

Kuajt e Trojës jelepërzhitur, u dogjën në flakë.
Zotat bënë be: Zjarrin e vuri Kali i drunjtë.
Sylodhur trojanët me vetime gjumi në ballë,
Besuan si naivë paqen në një jetë lufte.

Kal’ i drunjtë mbyti në gjak heronj e foshnja,
Fitimtarë të një nate më parë dhe statujat.
Lodhjet dhe lavditë e dikurshme të betejave,
Dehur në çakërdisje vere, derdhur nga kupat …

Kuajt që e sollën fitoren nga shumë larg,
Festë – ngopur krenari, një luftë e pambaruar.
Diç të kobshme parandjenë natës në grazhd,
Ra zjarr, në Trojën e Hektorit, zbutës i kuajve…

Kuajt e Trojës jelepërzhitur, u dogjën në flakë.
Zotat bënë be: Zjarrin e vuri Kali i drunjtë …

9- POEZIA IME …

Ndan sekretin me një të panjohur,
pa destinacion, tren ekspres në ikje.
Aty ku asnjëherë s’më kishin pranuar,
lehtësisht më shpie.

Shpesh si zjarr, kurm’ ëndrre zmadhuar,
çliruar frerësh, lëkurës së burrit.
Gjithçka prej shpirti, prej lëngu rrënjësh,
zbut qetësisht dhe mëritë e gurit.

Pa e ditur ku shkon, pa ditur ku fle,
natës së thellë, agimit që shkrumb.
Vizatuar me lapsa trilli e pasioni,
vjen dhe ikën, shfaqet e humb.

Aty ku asnjëherë s’më kishin pranuar,
lehtësisht poezia më shpie …

10- VETËM TI

Vetëm ti ma ke marrë mendjen …

Ç’t’i them erës që gërvisht me thonj në qelqe,
e kam humbur atë flakëzën e shpresës,
pyes germat që pemës së durimit varen …

Vetëm ti ma ke marrë mendjen …

Ëndrrat dhe udhëtimet pa ty i refuzoj,
bashkë me çmenduritë dhe fotot e kujtesës.

Gjethe pengjesh të këputura
rënë me ngut natën,
shkrime shiu në erën e çmendur
tani kushedi ku bredhin të trishtuara …

Ti, vetëm ti ma ke rrëmbyer mendjen …