Fest 62 i RTSH-së, shpall fituesit, Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion

Juliana Prifti

TIRANE, 23 dhjetor/ATSH/ Besa Kokëdhima do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024. Me këngën “Zemrën n’dorë, Besa ka marrë besimin e publikut për të përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 68-të të Eurovizion që do të mbahet në Malmo të Suedisë.
Festivali i 62-të në RTSH shpalli mbrëmjen e djeshme fituesit.
Mal Retkoceri është fitues i çmimit të parë në Festivalin e 62 të këngës në RTSH me këngën “Çmendur”. Mes emocionesh ai u shpreh pas ngritjes së kupës së Festivalit se ndjehet shumë i vlerësuar nga çmimi.
“Këngën e kam interpretuar prej perspektivës së një personi që e dua shumë, prej nënës sime. E kam shkruar për të gjithë ata persona që janë të shkelur prej personave të tjerë dhe që i përdorin për sende personale të tyre. E mira dhe e vërteta, del”, u shpreh Retkoceri.
Çmimi i dytë i Festivalit u fitua nga Tiri Gjoci me këngën “Në ëndërr”. Pas marrjes së çmimit Gjoci deklaroi se ndihej shumë i emocionuar.
Ndërsa këngëtari Shpat Deda fitoi çmimin e tretë me këngën “S’mund të fitoj pa ty”.
Ndërsa u ngjit në skenë për të marrë çmimin, e emocionuar Besa Kokëdhima falënderoi ekipin realizues të këngës e po ashtu edhe stafin realizuar të Festivalit të 62 të Këngës në RTSH.
Fest 62, në përmbyllje të 4 netëve, ishte një spektakël me plot emocione, ku muzika, performancat, të ftuarit VIP, surprizat ishin kryefjala e tij.
Si rrallëherë, ky Festival u transmetua jo vetëm në Shqipëri, por edhe Kosovë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke dëshmuar edhe shtrirjen gjithnjë e më të madhe që po merr Festivali në mbarë trojet shqiptare.