Nga Gjergji Mima –
TIRANË, 9 korrik /ATSH/ Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë arritur sot dakordësi për pr/rezolutën ndaj Greqisë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, mazhoranca mbështet pr/rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim”.
Në një prononcim për mediet në përfundim të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ministrja Spiropali u shpreh se, “qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje me qeverinë greke për abrogimin e ligjit të luftës që është një ligj absurd, krejt i panevojshëm dhe i dalë kohe”.
“Jo vetëm në përpjekjet tona dypalëshe, jo vetëm deklaratat e ministrave të jashtëm të Greqisë ndër vite , si deklaratat e z. Kotsias që e quan ligjin “një budallallëk historik”, apo deklarata e z. Dendias, ish-ministri i jashtëm që e quan “një atavizëm i panevojshëm”, por edhe në takimet më të afërta me homologët tanë dhe me qeverinë greke ne e kemi prezente qëndrimin tonë”, tha Spiropali.
“Sigurisht, shtoi ministrja, deklarata e propozuar, uroj dhe besoj do të marrë mbështetjen e të gjithë parlamentit të Shqipërisë për t’u miratuar, sepse Greqia është një shtet mik, është një aleat strategjik i Shqipërisë. Ne e kemi firmosur dhe më pas e kemi vënë në funksion Traktatin e Paqes, Mirëkuptimit, Bashkëpunimit dhe Sigurisë me Greqinë që në vitin 1996 dhe më pas në 1998-ën është ratifikuar. Jemi anëtarë të NATO-s, jemi në Këshillin e Evropës së bashku, në OSBE dhe kudo Greqia është një aleat i vendosur i Shqipërisë edhe për integrimin në BE ndër vite dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe diskutimi në Kuvend nuk i bën keq askujt, përkundrazi e ngre peshën e përgjegjësisë së qeverisë shqiptare, por edhe të qeverisë greke në një nivel të ri, për t’iu përgjigjur vullnetit të sovranit, popullit tonë që përfaqësohet përmes deputetëve për të abroguar këtë ligj, i cili nuk reflekton as marrëdhëniet miqësore mes dy shteteve, as marrëdhëniet miqësore mes dy qeverive dhe as marrëdhëniet miqësore mes dy popujve tanë”.
Sekretarja e Përgjithshme e PDIU, Mesila Doda, u shpreh për mediet se, ligji i luftës me Greqinë është absurd dhe duhet të hiqet nga vendi fqinj.
Doda tha se, të dy vendet janë në NATO dhe sipas saj, është një absurd historik dhe juridik qëndrimi në fuqi i këtij ligji.
“PDIU kërkon forcimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe kërkesën për Parlamentin e Greqisë për abrogimin e ligjit të luftës të 84 viteve më parë të vitit 1940. Kjo do të futet në seancën e datës 18 korrik”, tha ajo.
“Është një ligj që rrjedh nga një absurd historik dhe ku është ndërtuar tashmë një absurd juridik. Qëndrimi i gjithë kolegëve të mi në Konferencën e Kryetarëve ishte pozitiv. Janë të gjithë të bindur që është një absurditet dhe që duhet të punojmë të gjithë për rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, theksoi Doda.
“Të mos harrojmë që kemi të bëjmë me një akt që shkon në favor të gjithë shqiptarëve dhe ngritjen e rolit të Parlamentit. Kalimi i kësaj deklarate ka një rëndësi të jashtëzakonshme, pasi pas kaq shumë vitesh merret një hap politik dhe një pozicionim lidhur me këtë absurd që ekziston ende mes dy vendeve tona”, u shpreh Doda.
“Të dy vendet janë anëtarë të NATO-s, kemi një traktat miqësie i cili presupozon edhe krijimin e grupeve parlamentare mikse që të krijojnë mundësinë për abrogimin e këtij ligji dhe të gjitha pasojave juridike që pasojnë nga ky ligj. Kemi shumë kohë që punojmë, kemi punuar me specialistë. Nuk duhet të fusim çështje të ditës. Të ngatërrosh një personazh si Beleri në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe me një ligj absurd, mendoj se nuk i bëjmë mirë dy vendeve”, tha Doda.
Projektrezoluta iu propozua Kuvendit nga grupi parlamentar “Demokraci dhe Integrim”.
Me anë të kësaj pr/rezolute i kërkohet Këshillit të Ministrave të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës nga Greqia dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
Kreu i këtij grupi, Shpëtim Idrizi, u shpreh para disa ditësh në një konferencë për shtyp në sallën e konferencave në Kryesinë e Kuvendit se, “pr/rezoluta i kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë NATO dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështjeje të bartur nga e kaluara”.
Konferenca e Kryetarëve diskutoi për ta futur pr/ligjin në rendin e ditën në seancat parlamentare.
Kuvendit i kërkohet që t’i bëjë një ftesë parlamentit grek që ta fusë heqjen e ligjit në diskutimet e tyre parlamentare.
Gjithashtu i kërkohet edhe Këshillit të Ministrave që ta ketë në fokus këtë çështje.
Konferenca e Kryetarëve vendosi sot që seanca e së hënës, datë 15.07.2024 të zhvillohet në orën 10:00, ku do të bëhen raportimet e pesë institucioneve të drejtësisë dhe në orën 17:00 do të vazhdojnë diskutimet për problematikat e zgjedhësve.