Keze Kozeta Zylo: Shqipëria ka nevojë për një Lidhje të Shkrimtarëve dhe Artistëve, legjitime dhe gjithëpërfshirësee

 

 

Në zemrën e një kombi jeton fjala e epërme.

Ajo lind në këngët e nënave, në legjendat e maleve, në kujtimet e historisë dhe në ëndrrat e brezave që vijnë. Shkrimtari është ai që e mbledh këtë frymë dhe e kthen në art, në poezi, në dritë për shpirtin e njerëzve. Prandaj, Shqipëria ka nevojë për një Lidhje të Shkrimtarëve, ashtu si toka ka nevojë për shiun dhe qielli për yjet.

Një lidhje e tillë nuk është thjesht një institucion. Është një vatër ku fjala shqipe merr ngrohtësi, ku mendimet bashkohen si lumenj dhe derdhen në detin e kulturës kombëtare. Aty shkrimtari nuk mbetet vetëm me heshtjen e letrës, por gjen zëra që e kuptojnë, e mbështesin dhe e frymëzojnë.

Në kohë të trazuara, kur bota vrapon dhe njerëzit harrojnë të ndalen për të lexuar shpirtin e tyre, shkrimtarët bëhen rojet e kujtesës. Ata mbajnë gjallë gjuhën, ruajnë bukurinë e saj dhe i japin zemër kombit. Një Lidhje e Shkrimtarëve do të ishte si një lis i madh, nën hijen e të cilit do të pushonin poetët, romancierët dhe ëndërrimtarët e vendit.

Ajo do të ndizte dritë tek të rinjtë, do t’i mësonte të duan librin dhe të dëgjojnë muzikën e fjalës shqipe. Sepse një popull që lexon, nuk humbet kurrë rrugën e vet.

Shkrimtarët janë fryma e kombit, zëri që ruan kujtesën dhe ndez ndërgjegjen e popullit. Ata lindin nga dhembja, shpresa dhe ëndrrat e njerëzve të tyre, duke i kthyer ato në fjalë që jetojnë përtej kohës. Me penën e tyre ndërtohen ura mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes traditës dhe idealit.

Në vargjet dhe rrëfimet e tyre rreh zemra e atdheut, këndohet gjuha amtare dhe mbrohet identiteti kombëtar. Shkrimtari nuk shkruan vetëm për të treguar histori, por për të zgjuar ndjenja, për të mbjellë dashuri për vendin dhe për të frymëzuar brezat.

Kur populli kalon kohë të vështira, fjala e shkrimtarit bëhet forcë dhe shpresë.

Në fund, Lidhja e Shkrimtarëve është më shumë se një bashkim njerëzish. Është bashkimi i zemrave që besojnë se fjala e bukur e eperme mund të ndryshojë botën. Dhe Shqipëria, me historinë, plagët dhe ëndrrat e saj, ka nevojë për këtë dritë që vetëm shkrimtarët mund ta mbajnë ndezur.

 

Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, Mjellmat po të vijnë u shpall libri më i mirë i vitit në Panairin e librit në New York, 2008, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

 

12 Maj, 2026

New York