Kryetari i LSHA-së, dr. Mujë Buçpapaj, priti në Tiranë zotin Adnan Mehmeti, President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë

LSHA dhe Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë forcojnë bashkëpunimin për promovimin e letërsisë shqipe

 

Kryetari i LSHA-së, dr. Mujë Buçpapaj, priti Presidentin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmetin – në fokus bashkëpunimi institucional dhe Edicioni i Pestë i Panairit të Librit Shqip në SHBA

Tiranë, 19 gusht 2026 – Në mjediset provizore të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) ne Qendren Kulturore “Nacional”, në Tiranë, Kryetari i saj, dr. Mujë Buçpapaj, priti në një takim zyrtar Adnan Mehmetin, Presidentin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, kryeredaktor i revistës Pena, organ i kësaj shoqate, si dhe themelues i Shtëpisë Botuese Adriatic Press.

Takimi u zhvillua në një frymë të hapur, institucionale dhe bashkëpunuese, duke u përqendruar në zhvillimet e jetës letrare shqiptare në diasporë, në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet institucioneve dhe organizatave të botës shqiptare të letrave, si dhe në projekte të përbashkëta me rëndësi për promovimin e letërsisë dhe kulturës shqiptare në hapësirat ndërkombëtare.

Gjatë takimit, Adnan Mehmeti i dhuroi bibliotekës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë disa prej botimeve të tij të fundit të botuara  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër të cilat edhe librin Autorë dhe vepra, kushtuar krijuesve të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, si dhe disa numra të revistës Pena. Këto botime do t’i shtohen fondit bibliotekar të LSHA-së, duke përbërë një kontribut të çmuar në pasurimin e dokumentacionit mbi krijimtarinë bashkëkohore shqiptare në diasporë.

Gjatë bisedës u vlerësua edhe roli historik i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, e themeluar në vitin 2001 me nismën e prof. dr. Gjekë Marinajt, presidentit të saj të parë. Në drejtimin e kësaj organizate kanë kontribuar ndër vite personalitete të njohura të letrave shqipe, ndër ta i ndjeri prof. Naum Prifti, Ramiz Gjini, Dalan Luzaj, Raimonda Moisiu dhe Mëhill Velaj, ndërsa aktualisht shoqata drejtohet nga  shkrimtarja e talentuar dr. Yllka Filipi.

Panairi i Librit Shqip në SHBA, një projekt me dimension kombëtar

Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua Edicionit të Pestë të Panairit të Librit Shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili pritet të zhvillohet në muajin tetor dhe ku, krahas Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, këtë vit do të jenë bashkëorganizatore edhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës.

Kryetari i LSHA-së, dr. Mujë Buçpapaj, përshëndeti këtë nismë dhe shprehu kënaqësinë që Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë do të jetë pjesë e saj, duke e konsideruar bashkëpunimin ndërmjet tri institucioneve si një hap të rëndësishëm drejt një koordinimi më të qëndrueshëm të jetës letrare shqiptare në hapësirat shqiptare dhe në diasporë.

Sipas tij, Panairi i Librit Shqip në Amerikë nuk duhet parë vetëm si një veprimtari kulturore periodike, por si një projekt me vizion afatgjatë dhe dimension strategjik, i cili, në kushtet e globalizimit dhe të transformimit të vazhdueshëm të industrisë së librit, mund të shërbejë si një platformë e rëndësishme e diplomacisë kulturore shqiptare.

Në këtë kuptim, panairi mund të shndërrohet në një hapësirë të qëndrueshme ndërveprimi ndërmjet autorëve, botuesve, përkthyesve, universiteteve, bibliotekave, mediave dhe institucioneve kulturore shqiptare e amerikane.

Libri është një nga format më jetëgjata të kujtesës kolektive dhe një nga mekanizmat më efikasë të ruajtjes dhe përcjelljes së identitetit kulturor”, u theksua gjatë bisedës, duke nënvizuar se për një komb me një diasporë të gjerë si kombi shqiptar, politika e librit nuk mund të kufizohet brenda kufijve administrativë të shtetit.

Në këtë perspektivë, diaspora shqiptare duhet të konsiderohet pjesë organike e hapësirës kulturore kombëtare dhe Panairi i Librit Shqip në SHBA të konceptohet si një institucion kulturor me perspektivë afatgjatë, e jo thjesht si një manifestim i përvitshëm.

Dr. Buçpapaj shprehu gatishmërinë e LSHA-së për të thelluar bashkëpunimin me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, në funksion të promovimit të letërsisë shqipe, gjuhës shqipe dhe vlerave të kulturës shqiptare kudo ku jetojnë dhe krijojnë shqiptarët.

Adnan Mehmeti: Bashkëpunimi institucional do të vijojë dhe do të zgjerohet

Nga ana e tij, Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Adnan Mehmeti, shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë dhe për takimin me drejtuesit e LSHA-së, duke vlerësuar veçanërisht perspektivën e bashkëpunimit të përbashkët.

Ai përgëzoi dr. Mujë Buçpapajn për zgjedhjen në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe shprehu besimin se përvoja e tij në fushën e letërsisë, studimeve, botimeve dhe veprimtarisë kulturore do të kontribuojë në riorganizimin dhe fuqizimin e kësaj organizate.

Mehmeti vlerësoi gjithashtu veprimtarinë letrare dhe akademike të dr. Buçpapajt, duke e konsideruar përvojën e tij ndërkombëtare si poet, studiues dhe botues një mundësi të rëndësishme për forcimin e rolit të LSHA-së në promovimin e letërsisë dhe artit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, diasporë dhe në hapësirat ndërkombëtare.

Ai u shpreh veçanërisht i kënaqur për përfshirjen e LSHA-së dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës si bashkëorganizatore të Edicionit të Pestë të Panairit të Librit Shqip në SHBA, duke theksuar rëndësinë e koordinimit të mëtejshëm dhe të krijimit të veprimtarive të përbashkëta ndërmjet organizatave shqiptare të shkrimtarëve në të dy anët e Atlantikut.

Vizitë në Qendrën Kulturore “Nacional”

Në kuadër të vizitës së tij në Tiranë, Adnan Mehmeti vizitoi gjithashtu Qendrën Kulturore “Nacional”, ku u njoh nga afër me veprimtarinë e Radio Nacional, redaksinë e gazetës letrare dhe kulturore Nacional, Shtëpinë Botuese Nacional dhe Institutin e Studimeve Nacional, si dhe me hapësirat e Bar-Kafes Nacional, të konceptuar si një mjedis takimi dhe komunikimi për shkrimtarët, artistët dhe gazetarët shqiptarë.

Ai vizitoi gjithashtu mjediset provizore të LSHA-së, të cilat familja Buçpapaj i ka vënë në dispozicion pa pagesë të komunitetit të shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë, si një kontribut në funksion të ringritjes dhe konsolidimit institucional të organizatës.

Gjatë vizitës, A. Mehmeti vlerësoi punën e gazetës letrare dhe kulturore Nacional, duke veçuar nivelin e saj editorial dhe rolin që ajo ka marrë në promovimin e letërsisë, artit dhe kulturës shqiptare prej gati 20 vjetesh. Ai e cilësoi gazetën si një hapësirë të rëndësishme të komunikimit kulturor dhe të afirmimit të krijimtarisë shqiptare në botë.

Vlerësime të veçanta ai shprehu edhe për Botimet Nacional, për veprimtarinë e saj në botimin dhe promovimin e autorëve shqiptarë dhe për kontributin në ruajtjen, përhapjen dhe afirmimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqiptare.

 

Dr. Buçpapaj e  vlerësoi veçanërisht edhe veprimtarinë e Adnan Mehmetit si një prej figurave të spikatura të jetës letrare shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përgjatë viteve, në drejtimin e tij vizionar dhe me një përkushtim të jashtëzakonshëm, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në mbajtjen gjallë të jetës letrare shqiptare në diasporën amerikane, në promovimin e librit shqip dhe në ruajtjen e lidhjeve të qëndrueshme të komunitetit krijues me gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ky mision është zhvilluar shpesh në kushte të vështira dhe me mjete të kufizuara, çka e bën edhe më të çmuar përkushtimin e tij institucional dhe personal. Përmes veprimtarisë së Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, revistës Pena, botimeve dhe nismave të ndryshme kulturore, Mehmeti ka kontribuar në krijimin e një hapësire të rëndësishme komunikimi, promovimi dhe afirmimi për autorët shqiptarë në SHBA. Njëkohësisht, ai është një poet, publicist dhe studiues i spikatur i letrave shqipe, me një veprimtari krijuese dhe hulumtuese që dëshmon përkushtim ndaj kulturës kombëtare dhe dialogut të saj me hapësirat letrare ndërkombëtare. Kontributi i tij përfaqëson një shembull domethënës të rolit që intelektuali dhe krijuesi shqiptar në diasporë mund të luajë në ruajtjen e kujtesës kulturore, në përhapjen e librit shqip dhe në forcimin e urave shpirtërore e kulturore ndërmjet Shqipërisë, Kosovës, trojeve shqiptare dhe diasporës.

 

Takimi dhe vizita u zhvilluan në një atmosferë të përzemërt, vëllazërore dhe njëkohësisht institucionale, duke konfirmuar vullnetin e të dyja palëve për ta shndërruar bashkëpunimin ndërmjet organizatave letrare shqiptare në një marrëdhënie të qëndrueshme, të koordinuar dhe me projekte konkrete në shërbim të letërsisë, artit, librit dhe kulturës shqiptare.