Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dr. Mujë Buçpapaj, mori pjesë dhe pershendeti Festivalin e Dhjetë Kombëtar të Poezisë “Muza Poetike Budiane”, Mat

Mbahet me shumë sukses Festivali i Dhjetë Kombëtar i Poezisë “Muza poetike budiane”
Më 5 shtator 2026, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dr. Mujë Buçpapaj, mori pjesë në Festivalin e Dhjetë Kombëtar të Poezisë “Muza poetike budiane”, zhvilluar në qytetin e Burrelit, Mat.
Edicioni jubilar i këtij festivali mblodhi në Mat dhjetëra poetë nga të gjitha hapësirat shqiptare, anëtarë të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, si dhe fitues të çmimeve të edicioneve të mëparshme, duke e shndërruar këtë veprimtari në një nga takimet e rëndësishme poetike të vitit.
Festivali u organizua nga Klubi Letrar “Pjetër Budi” Mat, nën drejtimin e kryetarit të tij, Hamdi Hysuka, poet, studiues i letërsisë dhe publicist i mirënjohur.
Një vlerësim i veçantë i takon kryetarit të Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat, Hamdi Hysukës, për punën e tij të palodhur, meritore dhe në një masë të konsiderueshme individuale, në organizimin dhe mbajtjen gjallë të këtij institucioni të rëndësishëm të jetës letrare në Mat. Me përkushtim të vazhdueshëm, vizion kulturor dhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie ndaj letërsisë shqipe, Hysuka ka arritur ta mbajë për dhjetë vjet radhazi “Muzën poetike budiane” si një prej festivaleve poetike më serioze, më të qëndrueshme dhe më përfaqësuese në hapësirat shqiptare. Përtej vështirësive të njohura që shoqërojnë organizimin e veprimtarive letrare, puna e tij dëshmon se vullneti individual, pasioni për poezinë dhe përkushtimi ndaj kulturës mund të krijojnë institucione të qëndrueshme të kujtesës dhe të komunikimit letrar. Për këtë kontribut, Hamdi Hysuka meriton vlerësim të veçantë nga komuniteti i shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë.
Veprimtaria nisi me homazhe pranë bustit të poetit të madh Pjetër Budi, ku poetët pjesëmarrës nderuan figurën dhe veprën e njërit prej personaliteteve themelore të letërsisë së vjetër shqipe, si dhe realizuan një fotografi të përbashkët.
Në fillim u shfaq një dokumentar kushtuar historisë dhjetëvjeçare të Klubit Letrar “Pjetër Budi”, duke sjellë në vëmendje veprimtarinë, kontributet dhe rrugëtimin e tij në jetën letrare e kulturore të Matit.
Veprimtarinë e hapi kryetari i Klubit, Hamdi Hysuka, i cili u uroi mirëseardhjen poetëve dhe të ftuarve dhe vlerësoi rëndësinë e Festivalit “Muza poetike budiane” si një hapësirë të rëndësishme të komunikimit poetik dhe të promovimit të letërsisë shqipe.
Një kumtesë të veçantë mbajti dr. Behar Gjoka, poet dhe studiues i mirënjohur i letërsisë, i cili foli për 460-vjetorin e lindjes së Pjetër Budit, duke u ndalur në figurën, veprën dhe vendin që zë ky autor në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqipe.
Në vijim, nënkryetarja e Klubit Letrar “Pjetër Budi”, Lindita Doda, ftoi nënkryetaren e Bashkisë Mat për të përshëndetur pjesëmarrësit. Më pas, ajo ftoi për një përshëndetje edhe kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prof. dr. Shyqri Galica, i cili përcolli urimet e tij për këtë veprimtari jubilare.
Fjalën përshëndetëse e mbajti edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, dr. Mujë Buçpapaj, poet, studiues dhe autor me veprimtari të njohur ndërkombëtare. Në fjalën e tij, ai vlerësoi punën e Klubit Letrar “Pjetër Budi”, rolin e festivaleve poetike në gjallërimin e jetës letrare dhe rëndësinë e ruajtjes së traditës kulturore të Matit.
Pershendeti edhe zoti Adnan Meheti, president I Shoqtes se Shkimtarvee shqiptare ne SHBA.
Programi vijoi me promovimin e disa veprave të reja letrare. U prezantuan “Shtegu i mbramë”, vëllimi i parë poetik i autores matjane Liljana Ceni; “Shtigjet e përgjakura”, i autorit Ali Daci nga Rozhaja, Mali i Zi; “Udhët e mërgimit”, i autores Trandafile Molla (Baja); si dhe “Zëri i mërgimtarit”, me autorësi nga Novara, Itali.
Një nga momentet qendrore të festivalit ishte leximi i poezive. 37 poetët pjesëmarrës, të renditur sipas rendit alfabetik të titujve të poezive, interpretuan krijimet e tyre përpara publikut. Krijimet u ndoqën dhe u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga Hamdi Hysuka, dr. Behar Gjoka dhe poeti Basir Bushkashi.
Në këtë edicion jubilar, organizatorët vendosën që të ndanin “Çmimin Letrar Jubilar”, si një vlerësim të përbashkët për poetët pjesëmarrës, ndryshe nga edicionet e mëparshme, kur ndaheshin çmime në kategori të ndryshme.
Një tjetër moment i veçantë ishte njoftimi për shpalljen e anëtarëve të nderit të Klubit Letrar “Pjetër Budi”. Kryetari Hamdi Hysuka bëri të ditur se ndër personalitetet e nderuara të Klubit janë edhe poetja Flora Brovina dhe poeti Mujë Buçpapaj, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në letërsinë shqipe dhe në jetën kulturore.
Në përfundim, Hamdi Hysuka njoftoi se edhe poezitë e poetëve pjesëmarrës që nuk u përzgjodhën për interpretim gjatë festivalit do të përfshihen në vëllimin e ri poetik të Festivalit të Dhjetë Kombëtar Jubilar “Muza poetike budiane”, duke i dhënë kështu një dimension më të gjerë dokumentues dhe përfaqësues këtij edicioni.
Festivali u mbyll me një drekë të veçantë të shtruar nga Klubi Letrar “Pjetër Budi” për poetët dhe të ftuarit, në një atmosferë miqësore, duke përmbyllur një ditë të rëndësishme për poezinë, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Mat.
Gazeta Nacional
FJALË PËRSHËNDETËSE E DR. MUJË BUÇPAPAJ NË FESTIVALIN E DHJETË KOMBËTAR TË POEZISË “MUZA POETIKE BUDIANE”
Burrel, 5 shtator 2026
Të nderuar organizatorë të Festivalit të Dhjetë Kombëtar të Poezisë “Muza poetike budiane”,
I nderuar zoti Hamdi Hysuka, themelues dhe drejtues i Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat,
I nderuar Prof. Dr. Shyqri Galica, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarve të Kosoves, poet, shkrimtar i mirenjohur kritike dhe studiues i letersise,
I nderuar Adnan Mehmeti, President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, poet dhe veprimtar i njohur i letërsisë shqiptare në Diasporë,
Të dashur poetë, studiues, artistë dhe miq të letërsisë,
Është një nder dhe një kënaqësi e veçantë për mua, si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, të jem sot në Burrel, në këtë vatër të rëndësishme të kulturës shqiptare, në edicionin jubilar të Festivalit të Dhjetë Kombëtar të Poezisë “Muza poetike budiane”.
Dhjetë edicione përbëjnë një dëshmi të qëndrueshmërisë së një ideje, të përkushtimit ndaj poezisë dhe të një pune të pandërprerë në shërbim të kulturës kombëtare.
Prandaj, urimi i parë shkon për Klubin Letrar “Pjetër Budi” Mat, për drejtuesin e tij, poetin, studiuesin dhe publicistin e mirënjohur Hamdi Hysuka, si dhe për të gjithë ata që ndër vite kanë kontribuar që kjo veprimtari të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme të kalendarit letrar shqiptar.
Mati – një trevë ku historia dhe poezia bashkëjetojnë
Nuk është e rastësishme që kjo festë e poezisë zhvillohet pikërisht këtu, në Mat.
Mati është një prej trevave të mëdha të historisë dhe kulturës shqiptare; është një truall ku kujtesa kombëtare dhe krijimtaria letrare kanë gjetur njëra-tjetrën.
Këtu qëndron figura madhore e Pjetër Budit, një nga personalitetet themelore të kulturës së hershme shqiptare, klerik, shkrimtar, përkthyes dhe një prej zërave të parë të fuqishëm të poezisë shqipe.
Por Mati është edhe një hapësirë me një trashëgimi të gjerë historike e kombëtare, që lidhet me figura të rëndësishme të shtetit dhe të historisë shqiptare, ndër të cilat edhe Mbreti Zog, vendlindja e të cilit është kjo trevë.
Kështu, në Mat, historia dhe letërsia nuk janë dy rrjedha të ndara. Ato takohen në të njëjtin truall, në të njëjtën kujtesë dhe në të njëjtin identitet.
Dhe më e rëndësishmja: kjo traditë nuk i përket vetëm së kaluarës. Ajo vazhdon të jetojë sot përmes poetëve, shkrimtarëve, studiuesve dhe intelektualëve të shumtë që kjo trevë i ka dhënë kulturës shqiptare.
Në këtë kuptim, “Muza poetike budiane” është një vazhdimësi kulturore, një dialog ndërmjet trashëgimisë dhe krijimtarisë bashkëkohore, ndërmjet kujtesës dhe së ardhmes.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve – një hapësirë bashkimi
Në këtë moment të rëndësishëm të jetës kulturore shqiptare, dëshiroj të përcjell edhe një mesazh nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Pas një periudhe të gjatë mosfunkionimi, ne jemi angazhuar për riorganizimin e degëve të Lidhjes në të gjithë vendin dhe funksionalizimin e strukturave të saj drejtuese, duke synuar krijimin e një organizimi bashkëkohor, pluralist, përfaqësues dhe të hapur ndaj të gjithë krijuesve.
Ne besojmë se një institucion kombëtar i shkrimtarëve dhe artistëve nuk mund të jetë i përqendruar vetëm në Tiranë.
Letërsia shqiptare është shumë më e gjerë se një kryeqytet.
Ajo jeton në Shkodër e në Gjirokastër, në Korçë e në Vlorë, në Mat e në Tropojë, në Prishtinë e në Tetovë, në Ulqin, në Shkup, e në diasporën shqiptare kudo në botë.
Për këtë arsye, Lidhja do të mbështesë degët e saj, klubet letrare dhe artistike dhe çdo nismë serioze që synon të gjallërojë jetën kulturore në qytetet dhe trevat shqiptare.
Sepse një letërsi e madhe ndërtohet nga shumë zëra, shumë qendra dhe shumë breza.
Në këtë kontekst dëshiroj të shpreh një mirënjohje të veçantë për Prof. Dr. Shyqri Galicën, për kontributin e tij të çmuar në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e letërsisë shqipe, si dhe për bashkëpunimin e tij të vazhdueshëm me klubet letrare në të gjitha hapësirat shqiptare.
Nisma e tij për të ndërtuar një Union të përbashkët të lidhjeve dhe shoqatave të shkrimtarëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe në Diasporë, është një ide që shkon përtej një organizimi institucional.
Ajo është një ide kulturore dhe kombëtare.
Ne, si krijues, duhet ta shohim hapësirën shqiptare jo si një mozaik të ndarë, por si një hapësirë të përbashkët të gjuhës, kujtesës dhe krijimtarisë.
Dhe unë besoj se shumë shpejt do ta përmbyllim këtë nismë të rëndësishme.
Sepse letërsia shqiptare është një njësi unike nacionale.
Kufijtë politikë mund të ndryshojnë, institucionet mund të jenë të ndryshme, por gjuha shqipe, kujtesa kulturore dhe krijimtaria letrare janë një.
Dua të ndalem veçanërisht edhe te prania sot mes nesh e poetit dhe veprimtarit të njohur Adnan Mehmeti, President i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Vetëm një ditë më parë, në Tiranë, patëm kënaqësinë të ishim së bashku në përurimin e librit të tij të ri me shënime, “Simfonia e udhëtimeve”, një vepër që dëshmon edhe një herë se udhëtimi, në letërsi, nuk është vetëm lëvizje në hapësirë, por edhe udhëtim drejt kujtesës, njerëzve, kulturave dhe vetvetes.
Por sot dua ta falënderoj Adnan Mehmetin edhe përtej krijimtarisë së tij letrare.
Dua ta falënderoj për një nismë me rëndësi të veçantë kombëtare: për organizimin e Panairit të Librit Shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ftesën që ai u ka bërë, si bashkëorganizatore, Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Ky është një gjest që meriton vlerësim.
Sepse kultura nuk duhet të na ndajë në institucione, por të na bashkojë në projekte.
Një panair i librit shqip në Amerikë, ku bashkohen krijuesit dhe institucionet letrare shqiptare nga Shqipëria, Kosova, rajoni dhe Diaspora, është pikërisht një prej atyre urave që letërsia mund dhe duhet të ndërtojë.
Për këtë nismë, unë dhe Prof. Dr. Shyqri Galica e kemi shprehur tashmë mirënjohjen tonë, por besoj se sot, në këtë sallë, këtë mirënjohje e ndajmë me të gjithë shkrimtarët dhe poetët shqiptarë.
Faleminderit, Adnan, për këtë vizion bashkues!
Sepse libri shqip në Amerikë nuk është vetëm një ngjarje kulturore. Është një mënyrë për ta mbajtur gjallë gjuhën, kujtesën dhe identitetin shqiptar larg atdheut.
Dhe kur letërsia bëhet urë ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Diasporës, ajo merr një dimension edhe më të madh: bëhet ambasadore e kulturës kombëtare.
Të dashur poetë,
Sot, në këtë festival jubilar, ju sillni këtu jo vetëm poezitë tuaja, por edhe botët tuaja shpirtërore.
Nga krijimet e ardhura për festival janë përzgjedhur 37 poezi për interpretim, ndërsa krijimet e tjera do të përfshihen në vëllimin e ri poetik të këtij edicioni jubilar.Kjo është një dëshmi e pasurisë dhe e larmisë së poezisë sonë bashkëkohore.Çdo poezi është një zë. Çdo zë është një përvojë.
Dhe të gjithë këta zëra, së bashku, përbëjnë polifoninë e letërsisë shqiptare të kohës sonë.Ju uroj të gjithëve sukses, frymëzim dhe një rrugëtim sa më të gjatë në botën e librit.
Uroj që “Muza poetike budiane” të vazhdojë të rritet, të pasurohet dhe të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga festat e mëdha të poezisë shqiptare. Le të vazhdojë Mati të jetë një nga vatrat e gjalla të poezisë sonë.
Le të vazhdojë Pjetër Budi të jetë një emër që na kujton se një komb jeton jo vetëm në historinë që ka shkruar, por edhe në gjuhën dhe letërsinë që vazhdon të krijojë.
Me këtë besim, ju përshëndes të gjithëve dhe ju uroj:
Gëzuar Festivalin e Dhjetë Jubilar “Muza poetike budiane”! Urime Klubit Letrar “Pjetër Budi” Mat! Urime të gjithë poetëve pjesëmarrës!
Dhe mbi të gjitha:
Rroftë poezia shqipe! Rroftë letërsia shqiptare!
Rroftë gjuha shqipe, kjo shtëpi e përbashkët e të gjithë krijuesve shqiptarë!
Rroftë Shqipëria e bashkuar !
Ju faleminderit