ASNJËHERË NUK KAM THËNË “PO MUNDA”. GJITHMONË KAM THËNË: “UNË E BËJ KËTË” DHE E KAM REALIZUAR
Mujo Buçpapaj: Së fundi ju keni botuar disa libra si: “Shkrime për Bytyçin”, “Portrete intelektualësh”, “Njerëz që bënë emër”, “Mozaik shkrimesh”, në të cilat vend kryesor zënë disa figura të shquara nga Malësia e Gjakovës. Cilat janë më kryesoret?
Skënder Demaliaj: Kam shkruar për Shaban Haxhinë, Komandantin e Brigadës së Shtatë të Kosovës, për Mësuesin e Popullit Rexhep Shpendi, i cili ka një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit në Kosovë, për Hysen Papën, ndërtuesin e qytetit të Bajram Currrit, për Idriz Logun, drejtuesi më i aftë e më i zoti i arsimit në Tropojë, për Profesor Bashkim Lushën, inxhinieri i talentuar i pyjeve dhe i mjedisit, për këngëtarin e Rokut, Gentian Demaliaj, i cili edhe pse nuk lindi në Tropojë, rrënjët e tij i ka nga Bytyçi i Malësisë së Gjakovës. Për Mjekun Nuredin Malaj, i palodhur dhe në shërbim të komunitetit, për Avdyl Sulën, gjuhëtar i klasit të parë edhe pse nuk pati titull shkencor, për Ibrahim Hamzën dhe Sulejman Madanin, të cilët kanë qenë në krye të punëve në Hidrocentralin e Fierzës dhe në Tropojë, për biznesmenët Ram Geci e Avni Ponari, për telekronistin Ilir Buçpapaj, Mjeshtër i Madh, për artistët e njohur në shkallë kombëtare: Instrumentistin virtuoz Ali Mulaj, valltarin fluturues, Hazir Rrustemi, për folkloristin dhe leksikologun e parë në Malësi të Gjakovës, Murat Pacin, por edhe për njerëz të thjeshtë, por me vlera si Avdyl Qerimi.
Mujo Buçpapaj: Përse kjo temë është kaq e preferuar për ju?
Skënder Demaliaj: Unë vij nga kjo trevë. Jam lindur, rritur dhe kam punuar për vite të tëra atje. E njoh shumë mirë dhe e dua shumë. Gjithashtu Malësia e Gjakovës ka nxjerrë ndër vite burra të shquar të gishtit, të dijes, të artit, fisnikë, të besës, të njohur në Shqipëri e në Kosovë. Poetët Skënder Buçpapaj, Ndoc Papleka, Hamit Aliaj janë të njohur në të gjitha trevat shqiptare, janë përkthyer në disa gjuhë dhe zënë një vend të rëndësishëm në poezinë shqipe. Po kështu piktori Nazmi Hoxha, skulptori Isa Baliaj, këngëtarët Fatime Sokoli, Gëzim Nikaj, Fatmira Breçani, kompozitorët Kolë Susaj, Skënder Dozhlani, valltarët: Xhevahire Gashi, Bubë Mici, Skënder Haklaj, Deli Metaliaj, aktorët: Petrit Malaj e Liri Lushaj etj., janë pjesë e artit gjithëshqiptar. Vallja e Tropojës ka hyrë në trashëgiminë kulturore të UNESKO-s. Vallja e Bytyçit është nga më të arrirat, një valle fisnike, elegante, që shpreh shpirtin dhe karakterin e bytyçasve.
Më kanë frymëzuar të gjithë këta dhe u jemi borxhli. I ftoj të gjithë studiuesit e kësaj treve të mos shkëputen prej saj, pavarësisht se ku jetojnë. Të shkruajnë për bukuritë e saj natyrore, për vlerat kulturore, arsimore dhe etnografike. Nga Bytyçi janë disa vajza që kanë dalë para publikut me vëllimet e tyre poetike si: Xhane Imeraj, Nafie Salihaj, Zyra Ahmetaj, Aldona Gjediaj etj.
Mujo Buçpapaj: Me që jemi te talentet e reja. Çfarë mund të bëjmë më mirë për t’i inkurajuar dhe mbështetur?
Skënder Demaliaj: Të jesh shkrimtar, poet, duhet të kesh talent, por nuk mjafton kjo. Duhet punë, 99% punë, 1% talent. Duhet të lexosh, të kesh imagjinatë, të jesh vëzhgues i hollë i njerëzve dhe i mjediseve. Mungesa e një kritike profesionale dhe e debatit shkencor për botimet e ka dëmtuar cilësinë e tyre. Kur bëhen promovime librash ka vetëm vlerësime pozitive. Nuk ka vërejtje dhe këshilla si mund të shkruhet më mirë. Ka një anekdotë për Aristofanin, i cili i kishte shumë inat dallkaukët. Një ditë një nga këta iu ngjit nga pas, duke i bërë qejfin e duke i miratuar çdo fjalë. Aristofani nuk u përmbajt dhe i tha: “Të lutem shumë më kundërshto së paku një herë që të kemi përshtypjen se jemi dy vetë.” Këta krijues të rinj duhet të zënë vend më shumë në shtypin e ditës, në mediat vizive, të mbështeten financiarisht.
Mujo Buçpapaj: Ju keni bërë edhe kërkime shkencore për Krahinën e Bytyçit. Për cilat libra bëhet fjalë?
Skënder Demaliaj: Kam shkruar librat: “Figura dhe ngjarje historike”, “Monografinë për Shaban Haxhinë”, “Studime për folklorin e Karhinës së Bytyçit”, “Kanuni i Bjeshkës së Sylbicës”. Kam përgatitur “Monografinë për Murat Pacin”. Të gjitha këto studime mbi bazën e dokumentave të reja arkivore. Para 30 viteve gjatë pushimeve të verës shkova në Pac, ku kisha prindërit. Takova një mikun tim dhe e pyeta për Kanunin e Bjeshkës së Sylbicës. Më pyeti se përse po interesohesha. I thashë se do të shkruaj një libër për të. Përgjigja e tij ishte befasuese për mua, por edhe e prerë: “Rrnofsha unë derisa ta bësh ti!” Ishte mosbesues. Unë e bëra studimin e shyqyr Zotit miku im është gjallë dhe i fortë. Kur ia dhurova librin, u gëzua shumë dhe më tha: “Paske qenë i fortë! E mbajte fjalën!”.
Mujo Buçpapaj: Ju keni botuar deri tani 27 libra. Rrallë kush ka një kolanë të tillë. Si janë pritur nga lexuesi?
Skënder Demaliaj: Kur botova librin e njëzetë bëra promovimin e tyre te Hotel Internacional Tirana, me pjesëmarrjen e qindra njerëzve. Gjej rastin të falenderoj biznesmenin Ram Geci për komoditetin që më krijoi falas. U vlerësuan nga studiues e profesorë. Shumë nga pjesëmarrësit i blenë librat. Një kolegu im duke folur për librat e mia u shpreh se u habit kur pa në vitrinë 20 libra. E dinte se kisha botime të herëpashershme, por nuk e imagjinonte si ishin bërë 20. Tani pas 15 muajsh kam botuar edhe 7 libra të tjera dhe kam edhe disa në proces.
Mujo Buçpapaj: Meqë ra fjala cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Skënder Demaliaj: Po përgatis studimin: “Historia e popullit shqiptar në këndvështrimin e psikoanalizës”, i pari i këtij lloji në vend. Do të jetë libër me shumë interes. Gjithashtu po përgatis kolanën: “Lufta Nacional Çlirimtare në Malësinë e Gjakovës”, “Për adoleshentët”, tekstin mësimor për shkollat e larta “Didaktikë e letërsisë”, për “Brigadën e Shtatë të Kosovës”, për “Konferencën e Bujanit” etj.
Mujo Buçpapaj: Ju keni vite që jetoni dhe punoni në Tiranë, jepni mësim në Universitet. Ju merr malli për Bytyçin?
Skënder Demaliaj: Shumë… Bytyçasit janë njerëz të mrekullueshëm, me humor, mikpritës, të qetë, të besës dhe jokonfliktualë. Nuk ngopesh së ndenjuri me ta. Kur unë shkrova shkrimin: “100 vjet pa vrasje në Zogaj” shumë njerëz që e lexuan në të katër anët e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut shprehën habi, si ka mundësi, bile e vunë në dyshim vërtetësinë e një fakti të tillë. Në zonat e tjera të Tropojës dhe në të Shqipërinë pati shumë vrasje dhe konflikte për pronat dhe për çështje të ndryshme ordinere. Banorët e Zogajve e ruajtën unitetin, qendruan të bashkuar, e deshën dhe e respektuan njëri-tjetrin. Janë për t’u marrë shembull nga të gjitha trevat shqiptare.
Mujo Buçpapaj: Shkolla e Mesme “Murat Paci”, në Pac shënon 50 vjtorin këtë vit. Si u prit hapja e saj nga bytyçasit?
Skënder Demaliaj: U prit me shumë gëzim dhe entuziazëm. Bytyçasit janë shumë arsimdashës. Para se të hapej shkolla e mesme nxënësit e shkollës 8-vjeçare shkonin për studime në Bajram Curr, në Tropojë, në Tiranë, Shkodër, bile edhe në Vlorë, Korçë e në Përrenjas. U erdhi në prag të derës. Përveç kësaj, kjo shkollë shërbeu si fidanishte e përgatitjes së kuadrove të lartë, veçanërisht në sektorin e bujqësisë e të blegtorisë. Nga kjo shkollë dolën nxënës të shkëlqyer si: Lefterie Mustafa, Drita Neza, Liljana Haxhiaj etj.
Mujo Buçpapaj: Ju keni qenë edhe mësues, edhe drejtor i shkollës në vitet 1977-1993. Cilat janë disa nga momentet kryesore të punës suaj, sukseset, emocionet dhe mbresat tuaja në këtë shkollë?
Skënder Demaliaj: Puna ime në atë shkollë është një vlerë e shtuar. Ishim të rinj kur dhamë mësim dhe punuam me dëshirë dhe përkushtim. Kudo që kam punuar kam qenë me fat, kam pasur rreth vetes njerëz të aftë. Mësuesit: Sadri Oruçi, Zeqine Koçi, Drita Demaliaj, Riza Aliaj, Shpres Oruçi, Feriz Hyka, Islam Lahukaj, Besim Memia, Xhemajl Hysenleka, Flora Bajraktari, Avni Avdiaj, Stavri Kordha, Luan Merxhani, Hamdi Jahelezi, Elez Sylhasani, Ferhat Ponari, Sherif Mustafa, Qemal Elezi, Mal Ismailgeci, Abedin Katana, Flora Lata, Avdi Kuçana, Medi Dule, Xhafer Hoxha, Mirash Martini, Sejdi Buçpapaj, Muharrem Kuçana, Isa Nikoçi ishin, jo vetëm krenaria e shkollës së Pacit, por edhe e arsimit në Tropojë.
Në vitin e parë, më 1976, kur u hap shkolla u regjistruan 30 nxënës me shkëputje nga puna. Në vitin pasardhës u hap edhe klasa me nxënës pa shkëputje nga puna. Në vitin 1980 doli matura e parë. 50% e nxënësve vazhduan studimet e larta. Shkolla ishte në pararojë të eksperimentimit shkencor. Në vitin 1977 u ndërtua sera diellore për kultivimin e perimeve. U ngritën parcelat eksperimentale për kultivimin e grurit dhe të misrit, ku u dallua mësuesi agronom Stavri Kordha nga Vlora. U ndërtua kopshti botanik me një numër të madh bimësh e kultivarë që deri në atë kohë nuk gjendeshin në krahinën tonë, por edhe bimë endemike, ku u dallua mësuesi i biologjisë Elez Sylhasani dhe mësuesi i agronomisë Avdi Kuçana. Kur u hap dega zooveterinari u ngrit edhe ferma e lopëve. Të gjitha këto ishin një laborator i gjallë për të zhvilluar mësimin me nxënësit në lëndët: Botanikë, Bimët e arave, Perime dhe Zootekni.
Në vitin 1984 nxënësit hynë në shkollën e re dykatëshe. Kështu u krijuan kabinetet për lëndët e: Fizikës, të Kimisë e të Letërsisë. U ngrit terreni sportiv dhe filloi puna për rrethimin e shkollës. Pas përfundimit të kësaj shkolle janë kryer restaurime të pjesëshme, janë adaptuar tualetet në mjediset e brendshme të shkollës, është futur uji i pijshëm, është rregulluar çatia. Shkolla është pajisur më sallën e informatikës dhe laborator modern, me mbështetjen e biznesmenit të kësaj krahine, zotit Ram Geci.
Në vitin 1982 me nismën e mësuesve të shkollës u organizua një sesion shkencor për luftën e bytyçasve kundër pushtuesit nazist gjerman në verën e vitit 1944, ku u dalluan mësuesit: Xhemajl Hysenleka, Riza Aliaj, Islam Lahuka, Sadri Oruçi, Shpresa Oruçi, Bajram Imeraj dhe Skënder Demaliaj. Me këtë rast u ngrit edhe Muzeu i Krahinës së Bytyçit. Po kështu në vitin 1984 u organizua edhe një sesion tjetër shkencor për luftën e bytyçasve kundër pushtuesit serbomalazez në vitet 1913-1915.
Ndërtimi i Pallatit të Kulturës me të gjitha mjediset e nevojshme: sallë shfaqesh, bibliotkë, qendër zëri, librari krijoi premisat për zhvillimin e veprimtarive kulturore-artistike, të shfaqjeve teatrale. Shkolla kishte grupin e vet artistik dhe ekipet sportive. Jepte shfaqje në fshatrat e zonës, në qendrën e punëtorëve në Kam, zhvillonte ndeshje me ekipet sportive të kooperativave të tjera dhe ndërmarrjeve shtetërore. Në olimpiada sportive dhe konkurse të grupeve artistike disa herë u vlerësua me çmime. U mblodhën fjalë të rralla, këngë folklorike të Bytyçit, u ngrit Kabineti i Folklorit, u bë historiku i shkollës. Libri im: “Studime për folklorin e Krahinës së Bytyçit”, botuar vitin e kaluar është mbështetur mbi këto këngë, të cilat i mblodha bashkë me nxënësit, kur isha mësues në Pac.
Mujo Buçpapaj: Çfarë risish sjell festimi i 50-vjetorit të shkollës së mesme të Pacit?
Skënder Demaliaj: Tashmë është krijuar një traditë e mirë dhe e pasur e festimit të përvjetorëve të shkollave. Shembuj ka plot: Gjimnazi “Asim Vokshi” Bajram Curr, Shkolla e Bujanit, Shkolla e Tropojës, ku ju zoti Mujo keni një kontribut të veçantë, Shkolla e Geghysenit etj. Ose veprimtaria në nderim të ekipit të volejbollit të shkollës së mesme Tropojë, i cili përfaqësonte rrethin e Tropojës në Kampionatin e Kategorisë së Parë për femra – ishte një vlerësim për këto vajza, që na përfaqësuan denjësisht, por edhe për drejtorin e shkollës Muharrem Kuçana dhe për trajnerin Shpend Hoxha. Ishte një moment emocional dhe veprimtari të tilla janë të dobishme e me shumë vlerë. Një nga risitë është libri që do të botojmë, dokumentari televiziv, veprimtari në Pac e në Bajrram Curr, intervista nga ish-nxënës e ish-mësues në shtypin e ditës dhe në mediat të ndryshme. Takimi final do të zhvillohet, më 21 nëntor 2026. Për kurorëzimin me sukses të këtyre veprimtarive është ngritur një komision: me përfaqësues nga shkolla, administratori i Njësisë Administrative Bytyç, nga Zyra Arsimore, nga ish-mësues dhe ish-nxënës të shkollës. Me këtë rast iu bëjmë thirrje edhe njëherë ish- mësuesve dhe ish-nxënësve të shkollës së Pacit dhe komunitetit në Pac të vijnë masivisht, më 21 nëntor, të kontribuojnë me kujtime, mbresa dhe fotografi. I bëjmë thirrje edhe biznesmenëve bytyças të na mbështesin financiarisht.
Mujo Buçpapaj: Krahina e Bytyçit ka një histori të lavdishme, A i ka marrë meritat që i takojnë?
Skënder Demaliaj: Ne nuk jemi xhelozë për të tjerët që janë vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. E meritojnë, prandaj dhe e kanë marrë. Po përse të mos i akordohet edhe Krahinës së Bytyçit?!… Dy herë u dogj nga pushtuesi gjerman, u dogj edhe nga serbomalazezët, më 1913. Masakra të mëdha janë bërë, më 1913 në Qerret të Zherkës, ku brenda pak minutave u vranë 35 veta, gra fëmijë pleq e burra, të gjithë nga tri familje. Po kështu Masakra e Stobërtës në gusht të vitit 1944, ku u zhduk familja e Binak Mehmetit ose në Zogaj, ku u dogj brenda shtëpisë familja e Musli Mehmetit. Ose rasti i foshnjës trijavëshe, e cila në djep mori 13 plumba nga nazistët gjermanë. Djepi i saj ndodhet sot në Muzeun Kombëtar. Bytyçasit masivisht morën pjesë në LANÇ. Historinë e lavdishme të Bytyçit duhet ta shkruajmë e t’ia bëjmë të ditur opinionit brenda dhe jashtë vendit djemtë e vajzat e Bytyçit e të mos merren me korrigjimin e datave, kur është çliruar Bytyçi, me ndasi sipas bindjeve politike: komunistë e nacionalistë. Të gjithë bytyçasit luftuan për një qëllim: për çlirimin e vendit, për lirinë dhe pavarësinë që e humbën, më 7 prill 1939. Bytyçasit e kanë komandantin e tyre Shaban Haxhia, dëshmorët si:, Hoxhë Zogu, Murat Paci, Haxhi Avdyli, etj. Nuk kanë nevojë të marrin hua te të tjerët. Një ditë Bytyçi do ta marrë çmimin që meriton. Jam i sigurtë, Shopenhauri thoshte se lavdia që duhet të zgjatë më shumë, vonohet më shumë. Duhet thënë e shkruar e vërteta dhe vetëm e vërteta, të mos harrojmë të kaluarën. Ta përçmosh atë është injorancë ose frikë. Në vlerësimin e ngjarjeve historike të shmangim nxitimin, paragjykimin, simpatitë ose antipatitë. Filozofi Izajeh Berlin thoshte se kundër dy njerëve mund të luftosh, por kur historia rrëmben armët kundër teje, atëherë çdo qendresë është e kotë. Nuk di çfarë presin intelektualët e Bytyçit që nuk e ndriçojnë historinë e tyre të lavdishme, virtytet më të bukura të bytyçasve. Shkrimtari i Madh, Dritëro Agolli ka një shprehje shumë të goditur: “Ky pret sa të thahet deti.” “Fjalë, fjalë imzot” – shkruante Shekspiri. Jo fjalë, por punë, punë, sepse një punë e bukur është më e dobishme se njëmijë fjalë të bukura. Të mos harrojmë këshillën e shkrimtarit rus, Leon Tolstoi: “Të gjithë mendojnë të ndryshojnë botën dhe harrojnë se ndryshimi duhet filluar nga vetja”.
Mujo Buçpapaj: Edhe një pyetje të fundit: I ke marrë vlerësimet që të takojnë për gjithë këtë punë që ke bërë e për të gjitha këto botime?
Skënder Demaliaj: I kam marrë pjesërisht… Jam “Qytetar Nderi” i Tropojës, Ambasdor i Paqes, kam marrë çmime për botimet, jam dekoruar nga puna, ftohem shpesh në Konferenca Shkencore dhe në Tryeza Shkencore, kam një vend të veçantë në media. Librat e mi përdoren si literaturë në shkollat e larta të Kosovës, citohem në botime shkencore në Shqipëri e Kosovë. Por nuk është kjo kryesorja. Kur e pyetën Nichen se çfarë kërkon si shpërblim, ai u përgjigj: “Të kërkoj shumë, do të këshilloja krenarinë”. Unë jam krenar për punën që kam bërë, për Bytyçin tim të dashur, për Tropjën, për familjen time të mrekullueshme, për rrënjët e mia. Konfuci thoshte se nëse rendni pas avantazheve të vogla, gjërat e mëdha nuk mund të përmbushen. Kjo më ka udhëhequr në punën time. Asnjëherë nuk kam thënë “Po munda”. Gjithmonë kam thënë: “Unë e bëj këtë” dhe e kam realizuar. Kam zgjedhur kohën për ta finalizuar. Të zgjedhësh kohën do të thotë ta kursesh atë. Njerëzit e mençur na mësojnë se çdo moshë ka një epope. Për njeriun epope e shkëlqyer është ajo e punës. Unë kam qenë, jam dhe do të mbetem njeri i punës deri në çastet e fundit të jetës. Presidenti amerikan, Linkoln na mëson: “Adero në qëllimin tënd dhe do të ndjehesh aq mirë si kurrë ndonjëherë! Ngjitju qëllimit tënd!” I kam përcaktuar me kohë objektivat dhe qëllimet e mia. Kam guxuar dhe ia kam dalë mbanë, sepse suksesi është gjithmonë bir i guximit, sipas Volterit. Por edhe Molieri na dha një këshillë tjetër të dobishme: “Guximi duhet të rrjedhë nga arsyeja, jo nga zemërimi që s’pyet për asgjë”.


















