BIR I BEKUAR I HISES SË DIELLIT, BEKIM! Nga Bardhyl Maliqi

Kushtuar aktorit me famë botërore, Bekim Fehmiut

 

Bekim,

bir i bekuar i një kombi të vogël,

bir i bekuar i një familje të madhe,

bir i bekuar i hises së diellit tim – Bekim!

 

Për ty kishte vlerë çdo gjë që të kujtonte

rrugicat e fëmijërisë,

ku edhe tigani i shtëpisë cingëronte shqip,

ku tringëllinte shqip dhe breshëri në dritare,

ku edhe kërcejtë e gjelbër të hardhive

përdridheshin si shkronjat e vogla të alfabetit,

ku shqiptarisht sofra shtrohej,

dhe bora në male, nderej shqiptarisht!

 

Ndaj s’qe çudi që ti s’e pranove

një emër tingëllues anglosakson,

por në Hollivud, shkurt e qartë the:

“Unë jam Be-kim Fe-hmiu, nuk mund të ripagëzohem,

pasi më tingëllon mjaft bukur emri im!”

Çuditërisht, Brankës i ndenji për shtat ky qëndrim,

ajo si Bekim të pat njohur,

e për të i bekuar do të ishe për jetë,

se ti si dielli ja mbushe ditën  plot dritë,

mes jush do të qëndronte dashuria, familja, fëmijtë!

Pa ty, oh pa ty, Beogradi,

nga qytet i bardhë,

do t’i dukej, gri, i përhimtë!

 

E bekuara juaj më kujton një Brankë tjetër Bekim,

bashkëshorten e një poetit shqiptar në Zagreb,

të shenjtëruarit Shahin Hasani Shkoza,

që ka bashkëpërkthyer në gjuhën kroate librin tim.

Branka dhe Shahini, kur ndodhte të vonoja,

merrnin në telefon të shqetësuar Shqipërinë,

Avioni erdhi, Bardhyli jo!

Branka, që më ka bërë sa herë byrekë,

mirësisht me dashurinë e saj të madhe.

Brankat tona mbase nuk njihen, Bekim,

por i solli rasti bashkë të rrinë në dashuritë e mia njerëzore,

se midis tyr qëndronit ti dhe miku im Shahin,

që të njihnin të gjithë dhe të adhuronin paqësisht.

 

Njeriu nuk duhet të fajësojë të tjerët për diçka që i ndodh

pasi njëra nga tragjeditë tona është

se ne kemi mësuar nga njëri – tjetri,

vetëm të keqen

thoshe ti për hapësirat ballkanike.

Dhe kishe të drejtë,

Ne, në shembullin tënd të bukur edhe tash,

mezi kemi mësuar të gërmëzojmë

alfabetin e dashurisë njerëzore,

të bashkëjetesës në të njejtin reliev të brishtë.

Kjo ka qenë arsyeja,

që fillimisht kam fluturuar me drojtje

mbi qiejt tanë ballkanikë,

megjithëse qielli, s’i pranon kufijtë,

nga dritarja e avionit ato dukeshin njësoj,

nga lart, kuptimi mbi shtetet tjetërsohet,

aty ka vetëm hapsira diellore, re të bardha pulpore,

dhe poshtë tokë, male, fusha të gjelbra dhe ujra,

lumenj që bredhin kaltërsisht nëpër dhera

dhe dete që s’ndahen me gjerdhe.

Prej qiellit edhe qytetet, trenat dhe uzinat

duken si lodra fëmijësh.

Ndaj gjithmonë më është kujtuar

porosia jauj profetike:

“Mësoni dashurinë!”

 

Shembullin e madh të kapërcimit të hapsirave ballkanike

e gjetjes së të mirës mes nesh, e dhe ti vetë,

ti ishe materja njerëzore e kryqëzuar,

mes genit shqiptar dhe shkollimit serb,

sa vizionar ishin ata që ta akorduan bursën,

megjithëse ti nuk dije serbokroatisht,

aktrimi yt famoz i nderoi kombet tona të vogla,

ndërsa martesa jote me Brankën vulosi një bashkëlidhje të madhe,

që pseudopatriotët nuk arrijnë dot as sot ta lexojnë denjësisht.

 

Ti prehesh në Lumbardhë të Prizrenit Bekim,

në Lumbardhë të Çamërisë ndoshta një ditë

do të mbillen si në një ëndërr eshtrat e mia,

prej humbjes tënde e mësova mirë,

se mes dy Lumbardhash shpërfaqet Shqipëria!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here