Basir Bushkashi: TË MËDHENJTË E PROVINCAVE, POEZI

NË MË HARROFSH!
– Në nderim të poetit të shquar, Fatos Arapi

Në më harrofsh
Ndjehem i trishtuar:
Të kam puthur,
Të kam përqafuar,
Doemos, me dëshirë
Nën qiellin e kaltër
Të dashurisë së lirë.

Në më harrofsh
Ndjehem i trishtuar:
Se veten ke harruar…
Siç thoshte diku
Fatos Arapi,
I zjarrti poet
I engjëlluar…

MË E LARTA DEKORATË

Më e larta dekoratë
E punës time
Që e ruaj në shpirt
Si shenjtëri…
Për mua mbetet
Një orë mësimi
Kur veten e ndjeva
Si ndër magji:
Kur klasa m’mbuloi
Me duartrokitje
Kur unë po flisja
Për mësimin e ri…

TË MËDHENJTË E PROVINCAVE

Të mëdhenjtë e provincave,
Të çdo ngjyre,
Krekosen rëndë, në solemnitet…

Sikur gjithë njerëzit
Marrin frymë prej tyre,
Kujtojnë megjithmend…

NJË BUBULLIMË VERE

Një bubullimë vere
Larg, nëpër shi,
Një bubullimë malli
Ç’më ndezi për ty…

Malli fshehur thellë
Zgjohet e ulërin…
Bubullon vallë qielli,
A zemra bubullin…?!

BALONA E ËNDRRAVE

Balona e ëndrrave
E ku s’fluturon…!
Hapsirës pafund
I bie rreth e qark
E kur në tokë
Ulet, më në fund,
Vjen në vete
Dhe veten shkund…

BUZË DETIT ME KITARË

Buzë detit me kitarë,
Me aq mall këndoj për ty…
Valët vijnë radhë-radhë
Me të kaltrën melodi…

Tej, pulëbardhat hapin krahët
Sikur presin të vish ti…
Nëpër tingujt e kitarës
Shplekset floku yt i zi…

…Lehtë kridhem nëpër valë
Prehërit detit që thellë zien,
Porsi malli im i marrë
Që tek ti shkon e vjen…

Cecina, korrik 2019

MË I MADHI PIKTOR

Kaq rreze t’panumërta,
Kaq rreze të arta,
Pareshtur, çdo ditë
Derdh dielli.
Mbi tokë e dete
S’i hesht peneli…
Më i madhi piktor
A s’është, vallë, dielli?

KTHJELL ZYMTËSITË…

Asgjë e bukur
S’zë vend në shpirt,
E zymtë dita
Dhe njerëzit të zymtë…

Ngre sytë nga qielli
Për pak kaltërsi,
Për dreq dhe qielli
I errët, i zi…

Kur befas ti,
Më erdhë ndër mend,
Nën qiejt të largët,
Në tjetër vend…

Dhe shpirti zbutet
Dhe merr ca dritë:
Nga drita jote
Që kthjell zymtësitë…

NUK DUA

Nuk dua t’prish qejf me asnjeri,
Se jemi të përkohshëm: Lindim dhe vdesim…
Ndaj dua në zemra t’mbjell veç mirësi,
Që ndër kujtime njerëzor të mbetem…

Po zor se mbetesh, siç ta do zemra,
Se në jetë ndesh edhe njerëz të këqij,
Që t’bëjnë herë-herë të dalësh nga vetja,
E t’ua përplasësh në turinj…

NË AVION, PËR HERË TË PARË

Kur befas
U shkëputa nga toka,
Më dhembi koka…

Por qielli m’përkëdheli
Me duar të kaltra
E u bëra me flatra…

I dua hapsirat, kaltërsitë,
Sa shpirtin m’kanë pushtuar.
Po toka m’ngjan më e shenjtëruar…

TI S’ERDHE AQ ËMBËL

Ti s’erdhe aq ëmbël
Siç vjen një fllad:
Me pyetje lumë
Më mbyte,
Më dehe…
Aq sa dhe ndjenja
U ftoh,
U struk
Dhe iku prej teje…

SA UNË

Për shqetësimet
Që më kë sjellë:
Të keqen s’ta ndjell…

Se jam njeri,
Se jam poet:
E liga më vret…

Po në zemrën time
Dallgëtrazuar:
S’mbetesh i harruar…

Po jeta ta sjell
Për t’më kuptuar:
Diçka t’përafruar…

Dhe as më pak,
Dhe as më shumë:

KALI I HUAJ

Kali i huaj
Të le në udhë…
Po mund të të hedhë
Edhe në lumë
Po qe furtunë…

Me kalin tënd
Ecën nëpër jetë
Jelepërpjetë:
Dhe mos nguro,
Me të kalëro…

NJË KAPROLLE E ARTË
(Poezisë)

Një kaprolle e artë,
Dritë e plagë,
M’godet me brirë
Dhe nëpër natë…

E kur zgjohem,
Ndjehem i lënduar,
E rend, e rend,
Duke e kërkuar…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here