Agim Deva : Mbi vëllimin poetik të Alban Balës “Puthlutja ime”

“Puthlutja ime” – Jeta e përkthyer në poezi

Mbi vëllimin poetik të Alban Balës, Botimet M&B, Tiranë, 2025

  • Një udhëtim poetik përmes dashurisë, kujtesës, mallit dhe besimit, ku përjetimet intime shndërrohen në vargje dhe fjala bëhet dëshmi e asaj që jeta lë në shpirtin e njeriut.

Nga Agim Deva

Vëllimi poetik Puthlutja ime i Alban Balës sjell një botë poetike ku dashuria, malli dhe kërkimi shpirtëror marrin kuptim përtej çastit që i lind. Disa poezi të tërheqin me bukurinë e gjuhës dhe mjeshtërinë e vargut, ndërsa të tjera fitojnë vlerë nga aftësia për të ruajtur atë që koha rrezikon të fshijë: kujtimet, ndjenjat dhe gjurmët e përvojës njerëzore. Në krijimtarinë e Balës, këto dy prirje nuk qëndrojnë të ndara; bukuria e shprehjes poetike bëhet njëkohësisht mjet për të përcjellë ndjenjën dhe për t’i dhënë asaj qëndrueshmëri përmes fjalës.

Me 268 faqet dhe rreth 190 poezitë e tij, libri ndërton një univers intim, ku dashuria, kujtesa, natyra dhe besimi ndërthuren në një ligjërim thellësisht personal. Në qendër të këtij universi qëndron gruaja, jo thjesht si objekt adhurimi apo frymëzim poetik, por si një prani që i jep formë botës, perceptimit të kohës dhe vetëdijes së poetit.

Një çelës për të kuptuar frymën e këtij libri gjendet në vetë pasthënien e autorit, ku ai shkruan: “një libër nuk shkruhet. Ai jetohet” (f. 260). Kjo shprehje përmbledh në mënyrë domethënëse filozofinë që përshkon Puthlutja ime: poezia nuk lind vetëm nga akti i të shkruarit, por mbi të gjitha nga jeta, nga përvojat e përjetuara, të ruajtura në kujtesë dhe të shndërruara në vargje.

Kjo fjali mund të lexohet si çelësi i gjithë vëllimit. Ajo shpjegon jo vetëm burimin emocional të poezive, por edhe natyrën e tyre: një përpjekje për ta shndërruar përvojën e jetuar në kujtesë poetike.

Mes puthjes dhe lutjes

Që në titull, Alban Bala na fton në një marrëdhënie të veçantë me gjuhën. Puthlutja është një fjalë e krijuar prej tij, një bashkim i puthjes me lutjen, i dashurisë njerëzore me përmasën shpirtërore të saj.

Autori e shpjegon në pasthënie se në këtë fjalë janë bashkuar dy rrugë: Lutja ime, si rrugë drejt Zotit, dhe Puthja ime, si rrugë drejt njeriut.

Por vlera e këtij neologjizmi nuk qëndron vetëm te gjetja gjuhësore. Ai përmbledh filozofinë që përshkon librin: dashuria njerëzore nuk është e ndarë nga përvoja e së shenjtës. Përkundrazi, ajo bëhet një nga mënyrat për ta njohur dhe përjetuar atë.

Në këtë kuptim, titulli nuk është thjesht emërtim i vëllimit. Është një metaforë që përpiqet të mbajë bashkë dy përvoja të mëdha njerëzore: nevojën për të dashur dhe nevojën për të besuar.

Kjo marrëdhënie shfaqet qartë te poezia “Ti vjen si një lutje” (f. 29), ku e dashura përfytyrohet si një prani që e afron njeriun me të shenjtën:

“Të të gjej në lutje është si të shkel në Parajsë”.

Edhe te “Ti ma sjell Zotin afër” (f. 32), dashuria merr përmasat e një besimi të jetuar. Nuk kemi të bëjmë me një poezi fetare në kuptimin tradicional, por me një përjetim ku Zoti dhe njeriu nuk qëndrojnë në dy botë të ndara.

Kjo është një nga veçoritë më interesante të vëllimit: Bala nuk e kërkon të shenjtën larg jetës së përditshme. Ai e gjen atë te buzëqeshja e gruas, te frymëmarrja, te përqafimi dhe te kujtesa e një çasti të zakonshëm.

Madje, te “Ungjilli pas Gjonit” (f. 228), ai shkon më tej, duke krijuar një lloj ungjilli intim të dashurisë:

“unë e ti pëshpërisim Ungjillin tonë
pavarësisht Gjonit.”

Është një nga çastet ku poezia e Balës fiton guxim të veçantë figurativ. Dashuria nuk paraqitet vetëm si dhuratë hyjnore, por edhe si një përvojë që krijon gjuhën dhe shenjtërinë e vet.

Gruaja si univers poetik

Në letërsinë shqipe, gruaja dhe dashuria kanë qenë vazhdimisht burime frymëzimi. Për këtë arsye, sfida e një poeti që i rikthehet kësaj teme nuk është të zbulojë një ndjenjë të panjohur, por të gjejë një mënyrë personale për ta shprehur atë.

Alban Bala e ndërton figurën e gruas përmes një sistemi të gjerë metaforash, ku trupi njerëzor dhe natyra shkëmbejnë vazhdimisht vetitë e tyre.

Që në poezinë hapëse, “Ku ta dija” (f. 5), e dashura shfaqet si një qenie që ndryshon rendin e natyrës:

“Ti je një stinë që e bën pranverën të skuqet.”

Nuk është më pranvera ajo që zbukuron gruan, siç ndodh shpesh në poezinë tradicionale të dashurisë. Është gruaja ajo që e bën pranverën të skuqet. Ky përmbysim i marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës është një nga mekanizmat më karakteristikë të figuracionit të Balës.

Te “Ode dashurisë” (f. 9), gruaja bëhet ajër, ujë, tokë dhe zjarr. Te “Miniaturë gruaje…” (f. 10), ajo merr trajtën e një qyteti, të një hapësire ku kujtesa dhe dëshira ndërtojnë gjeografinë e tyre. Ndërsa te “Dy portikë” (f. 7), vetullat e saj shndërrohen në harqe katedraleje dhe fytyra në një hapësirë të shenjtë.

Poezia mbyllet me një varg të thjeshtë:

“dhe unë kujtoj Zotin…”.

Në këtë kalim nga pamja fizike te përjetimi shpirtëror qëndron një pjesë e rëndësishme e poetikës së autorit.

Një vend të veçantë zë deti. Ai shfaqet herë si largësi, herë si bashkim, herë si kujtesë dhe herë si metaforë e vetë dashurisë.

Te “Nuk kam përgjigje” (f. 6), poeti pohon se pranë së dashurës bëhet më i madh se deti. Ndërsa te “Paska qenë deti” (f. 251), hapësira detare merr përmasat e një atdheu të përbashkët shpirtëror.

Deti nuk është thjesht peizazh. Është një mënyrë për të shprehur pafundësinë e ndjenjës dhe, njëkohësisht, pamundësinë për ta zotëruar plotësisht atë.

Megjithatë, poezia e Balës bëhet më bindëse kur, përtej metaforave të mëdha, ndalet te gjestet e vogla. Te “Më lër të të puth” (f. 39), dashuria nuk kërkon madhështi. Ajo shfaqet te duart e lodhura, te rrudhat e syve, te trupi mbi të cilin koha ka lënë gjurmët e saj.

Këtu dashuria nuk është më vetëm bukuri për t’u adhuruar. Është edhe përkujdesje, pranim dhe bashkëjetesë me ndryshimin.

Dashuria përballë kohës

Në pamje të parë, Puthlutja ime mund të duket si një himn i gjatë kushtuar dashurisë. Por, duke hyrë më thellë në libër, kupton se një nga personazhet e tij më të rëndësishme është koha.

Ajo është e pranishme pothuajse kudo: në kujtime, në thinjat, në fëmijërinë e largët, në pritje, në mungesë dhe në frikën e pashprehur të humbjes.

Dashuria e Balës nuk është dashuria e një çasti të vetëm. Është një ndjenjë që kërkon të mbijetojë përtej ndryshimeve të trupit dhe të jetës.

Në poezinë “Njomëz” (f. 25), poeti zbulon brenda së dashurës një ndjeshmëri që ruan diçka nga pafajësia e fëmijërisë. Fëmija nuk është vetëm kujtim i së shkuarës, por edhe një prani që vazhdon të jetojë brenda njeriut të rritur.

Në këtë poezi, dashuria bëhet aftësi për ta parë tjetrin në të gjitha moshat e tij njëkohësisht.

Po aq domethënëse është poezia “Kujtime” (f. 17), ku autori këshillon të ecim me kujdes mbi të kaluarën:

“Si të shkelësh
mbi hijen e fëmijës që ishe…”

Dhe më tej:

“Kujtimet janë trupi i përjetshëm i njeriut.
Shpirti i përket Zotit.”

Këtu Bala del përtej poezisë së dashurisë dhe prek një përmasë më universale të ekzistencës. Kujtesa bëhet forma me të cilën njeriu përpiqet t’i rezistojë zhdukjes.

Një tjetër poezi me ngarkesë të veçantë është “Është koha ta mbjellim një ulli” (f. 24). Në të, mbjellja e pemës merr kuptimin e një akti besimi te vazhdimësia e jetës.

Vargu: “U bë vonë për të shkuar e herët për t’u ndalur” përmbledh shqetësimin e njeriut që e ndien kalimin e kohës, por nuk pranon t’i dorëzohet asaj.

Ulliri, si simbol i qëndrueshmërisë dhe trashëgimisë, bëhet një përgjigje e heshtur ndaj përkohshmërisë njerëzore.

Në këtë pikë, dashuria e Balës nuk është më vetëm marrëdhënie midis dy njerëzve. Ajo shndërrohet në përgjegjësi ndaj jetës që vazhdon pas tyre.

Te “Tani është nesër” (f. 27), koha bëhet një lojë metafizike. Poeti nis me një zgjim të pamundur:

“U zgjova nesër. I hapa sytë
dhe pashë se isha njëzet e katër orë më herët.”

Poezia mbyllet me një pranim të qetë:

“…Sot më duhet ta jetoj
si mungesë…”

Këtu e ardhmja nuk është thjesht ajo që do të vijë. Ajo është edhe diçka që mungon në të tashmen, një hapësirë ku njeriu e ndien veten të shkëputur nga koha e vet.

Ndërsa te “Mosha e burrit” (f. 28), kujtimi i prindërve dhe ideja e një të ardhmeje ende të palindur e vendosin poetin përballë misterit të brezave, të trashëgimisë dhe të vazhdimësisë njerëzore.

Kur poeti zbret nga qielli në tokë

Një nga rreziqet e poezisë së dashurisë është idealizimi i pandërprerë. Kur gjithçka është dritë, bukuri dhe përjetësi, lexuesi mund të ndiejë mungesën e konfliktit, të dyshimit dhe të brishtësisë njerëzore.

Për fat, në vëllimin e Balës ka edhe një regjistër tjetër, më të përmbajtur dhe, në disa raste, më tronditës.

Te “Ty nuk të duhem” (f. 254), poeti e sheh veten me një ironi të dhimbshme:

“Jam ajo vazoja e shtrenjtë e shtëpisë
me lule të thara
brenda.”

Është një figurë e goditur, sepse e zhvendos poezinë nga idealizimi drejt vetëdijes për dobësinë njerëzore.

Poezia mbyllet me një pohim që përmbys gjithë pasigurinë e mëparshme:

“Ty nuk të duhem. Ti thjesht më do…”.

Këtu dashuria nuk mbështetet te nevoja apo dobia, por te liria për ta dashur tjetrin pa kërkuar një arsye.

Edhe te “Zëri” (f. 16), mungesa merr një formë të pazakontë. Kujtesa mund të rikthejë fytyra, vende, prekje e ngjarje, por ka diçka që i shpëton pushtetit të saj: tingullin e gjallë të pranisë njerëzore. Zëri bëhet shenjë e asaj që nuk mund të rikthehet plotësisht.

Po kështu, te “Homesick (I përmalluar për shtëpinë)” (f. 191), vargu përmbyllës:

“Në fakt asgjë nuk mungon sonte
veç unë.”

e zhvendos mallin nga mungesa e tjetrit te humbja e vetvetes.

Është një nga vargjet më të goditura të vëllimit, sepse e shpreh me thjeshtësi një përvojë të ndërlikuar: njeriu mund të jetë i rrethuar nga gjithçka që njeh dhe përsëri të ndiejë se vetë mungon nga jeta e tij.

Te “Pa humbur” (f. 31), gjetja dhe humbja bëhen pjesë e së njëjtës lëvizje emocionale. Ndërsa te “Dhjetor 2018”(f. 240), koha dhe malli ndërthuren në një përvojë personale që kërkon të kapërcejë kufijtë e çastit.

Janë pikërisht këto çaste, kur poeti pranon pasigurinë dhe dobësinë e tij, që i japin vëllimit një thellësi të veçantë njerëzore.

Në to, dashuria nuk është më vetëm premtim lumturie. Është edhe vetëdije për atë që mund të humbasim.

Poezia si muzikë e fjalës dhe e shpirtit

Në planin shprehës, poezia e Alban Balës mbështetet kryesisht te vargu i lirë, te metafora e zgjeruar dhe te përsëritja ritmike.

Muzikaliteti i saj nuk buron aq nga rima, sa nga rikthimi i fjalëve, i thirrjeve dhe i strukturave sintaksore që krijojnë efektin e një kënge të brendshme.

Nuk është rastësi që në libër ndeshim tituj si “Kantatë” dhe “Ninullë”. Muzika është pjesë e mënyrës se si poeti e koncepton ligjërimin e tij.

Përsëritjet, si ato te “Ti ma sjell Zotin afër” (f. 32), krijojnë një ritëm që herë i afrohet këngës dhe herë lutjes.

Gjuha është e pasur me imazhe, shpesh të papritura, ku sendet dhe dukuritë natyrore marrin cilësi njerëzore. Stinët flasin, deti kujton, drita bëhet frymë, ndërsa heshtja merr peshën e një pranie.

Në çastet më të mira, kjo mënyrë të shkruari krijon figura që mbeten gjatë në kujtesë.

Por pikërisht këtu qëndron edhe një nga kufizimet e vëllimit.

Në një libër kaq të gjerë, përdorimi i shpeshtë i të njëjtit fjalor poetik — deti, drita, qielli, hëna, fëmija dhe heshtja — krijon herë pas here ndjesinë e përsëritjes. Disa poezi duken sikur vazhdojnë njëra-tjetrën pa sjellë gjithmonë një përvojë të re estetike.

Ndonjëherë, dendësia e metaforave e mbulon emocionin që kërkon të shprehë. Një figurë e bukur pasohet nga një tjetër, pastaj nga një e tretë, dhe lexuesi mund të humbasë qendrën emocionale të poezisë.

Kjo nuk e zbeh vlerën e përgjithshme të librit, por ngre një pyetje të natyrshme kritike: a do të fitonte poezia e Balës më shumë forcë nëse, në disa raste, do t’i besonte më tepër thjeshtësisë dhe heshtjes?

Shembujt më të mirë të vëllimit duket se e mbështesin këtë mundësi. Poezi si “Zëri”, “Kujtime”, “Tani është nesër” dhe “Ty nuk të duhem” dëshmojnë se autori është veçanërisht bindës kur arrin ta përqendrojë ndjenjën në një figurë të vetme ose në një mendim të thënë pa teprime.

Nga ana tjetër, përsëritja mund të lexohet edhe si një zgjedhje e vetëdijshme. Dashuria e gjatë nuk përbëhet vetëm nga zbulime të reja. Ajo jeton edhe nga rikthimi te të njëjtat fjalë, gjeste dhe kujtime, të cilat marrin kuptime të ndryshme me kalimin e kohës.

Në këtë kuptim, Puthlutja ime i ngjan më shumë një ditari poetik sesa një përmbledhjeje të ndërtuar mbi kontraste të forta tematike.

Është një libër që kërkon të lexohet me ndërprerje, duke u kthyer te poezitë që na kanë prekur, më shumë sesa duke ndjekur me ngulm faqen e fundit.

Poezia si dëshmi e jetës

Në pasthënien e tij, Alban Bala ndalet te dy cilësi që i konsideron themelore për poezinë: vërtetësia dhe natyrshmëria.

Kjo zgjedhje është domethënëse. Në një kohë kur krijimi poetik shpesh kërkon të tërheqë vëmendjen përmes eksperimentit formal, ironisë apo thyerjes së qëllimshme të gjuhës, Bala zgjedh një rrugë tjetër: t’i besojë përvojës emocionale dhe fuqisë së saj për t’u shndërruar në poezi.

Kjo nuk do të thotë se sinqeriteti, në vetvete, mjafton për të krijuar letërsi të mirë. Përvoja e jetuar bëhet art vetëm kur gjen formën e duhur shprehëse.

Dhe pikërisht këtu duhet kërkuar vlera e Puthlutja ime: në çastet kur përvoja personale arrin të kapërcejë kufijtë e rrëfimit intim dhe të marrë kuptim për lexuesin.

Kur poeti flet për fëmijërinë që mbetet e fshehur në fytyrën e njeriut të dashur, për zërin që kujtesa nuk mund ta rikrijojë, për frikën e humbjes apo për dëshirën për të mbjellë një ulli përtej kohës sonë, ai nuk flet më vetëm për veten.

Ai prek përvoja që i përkasin secilit prej nesh.

Kjo është edhe arsyeja pse libri mund të lexohet përtej historisë së dashurisë që e ka frymëzuar.

Në thelb, ai shtron disa pyetje të thjeshta, por të vështira: Çfarë mbetet prej nesh në kujtesën e tjetrit? A mund ta ndryshojë dashuria mënyrën se si e përjetojmë kohën? Dhe a është poezia një përpjekje për t’i dhënë përjetësi asaj që, nga natyra e vet, është e përkohshme?

Bala nuk kërkon t’u japë përgjigje përfundimtare këtyre pyetjeve. Ai i jeton ato përmes poezisë.

Në fund, Puthlutja ime është një libër për dashurinë, por edhe për kohën që e sprovon atë; për bukurinë, por edhe për brishtësinë që e bën bukurinë të çmuar; për njeriun që kërkon Zotin dhe që, nganjëherë, e gjen më pranë se kurrë në sytë e dikujt që do.

Nuk është një vëllim që kërkon të revolucionarizojë formën poetike. Është, para së gjithash, një përpjekje për ta ruajtur të gjallë përvojën e dashurisë përmes fjalës.

Dhe ndoshta mesazhi më i qëndrueshëm i tij është pikërisht ky: dashuria nuk e ndal kohën, por mund t’i japë kuptim kalimit të saj.

Sepse, në fund të fundit, ajo që mbetet nga një jetë nuk është vetëm çfarë kemi bërë, por edhe sa kemi dashur.