BEDRI MYFTARI: TASHO DERRI, tregim

Hetuesia ime u zhvillua në birucat e burgut të ri. Më lanë dy javë në qeli, pa më marrë në hetuesi.
Isha hutuar dhe nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte me mua. Ditën e gjashtëmbëdhjetë të arrestit, erdhi gardiani në qeli, më mori, më lidhi me hekura me duart mbrapa dhe më çoi te hetuesi.
Gardiani nderoi me grusht dhe u largua.
Hetuesi u çua në këmbë dhe po më vështronte duke më hedhur sytë nga koka te këmbët. Pastaj filloi të më vinte rrotull duke më parë me vëmendje, ashtu siç shikon kasapi berrin para se ta therë. Pastaj me shenjë më tregoi karriken e tavolinën dhe po me shenjë ma bëri që të ulesha.
Mbasi u ula në vendin e të pandehurit, i hodha edhe unë vështrimin: O Zot! Nuk kisha parë asnjëherë mostër si kjo që kisha përpara! Ishte një masë mishi monolite, si trung. Kishte kokë të madhe asimetrike me flokë të kuq, fytyrëgjerë e të kuqe, hundështypur e duar si kërcuj të mbuluara me qime të kuqe.
Mbasi u ula unë, ai u çua në këmbë. I ra rreth e qark dhomës së hetuesisë pastaj më erdhi pranë dhe më tha:
-Unë jam hetuesi jot, Tashua!
Tasho Dërri, më thonë. Kështu nuk ta mbush syrin. Në fillim të gjithë ata që kanë pasur të bëjnë me mua më kanë nënvlerësuar, por kur e kanë njohur mirë Tasho Dërrin, edhe natës së varrit ia kanë treguar. Unë vërtet nuk kam ndonjë shkollë specializimi për hetuesi, por Tasho Dërri ka metodat e veta që e bën të pandehurin të kujtojë edhe sa herë ka pirë gji tek e ëma. Unë jam rritur jetim. Tërë jetën kam qënë hyzmeqar në dyert e botës, duke ruajtur dhen e dhi maleve në erëra e suferina vetëm me një gunë. Kur i vija biçakun ndonjë dashi në fyt e kur niste të rridhte gjaku, unë i vija buzët në çurgun e gjakut që rridhte nga fyti i dashit dhe e pija. Kur e hapja berrin, i këpusja tëmthin dhe e kollofisja, pastaj merrja shpretkën dhe e haja të gjallë, ashtu të ngrohtë siç ishte në barkun e berrit. Prandaj unë u rrita i fortë si strall dhe s’kishte bari në ato male që ti vinte Tasho Dërrit shpatullat për tokë. Çdo gjallesë në tokë, dridhet kur me shikon mua, mbasi më ka njohur mirë. Mushkat, se mushka mbajnë barinjtë, se ato ngjiten skërkave janë noksane e kokëmushkë, siç i thonë fjalës, por njëra ishte veç të tjerave. Ishte xanxare, e pa shtruar. Psara ia thoshin emrin. Psarën, që thua ti, unë e bëra çeço, vetëm unë, Tasho Dërri. Sa më shikonte mua Psara, niste e dridhej e bënte shurrën.
Që mos ta zgjatim në ato vite u ngjit në malet e Këndrevicës, ku veronim bagëtitë e zonës. Ministri i Brendshëm, shoku Kadri , kur më pa mua si e piva gjakun e dashit dhe si e kollofita tëmthin e hëngra shpretkën e gjallë, u tha atyre të kooperativës, do e marr në Ministrinë e Brendshme këtë djalë.
Dhe ashtu u bë. Në fillim më caktuan gardian në biruca, pastaj mbasi bëra ca shkollë nate e kreva nja dy kurse, më caktuan hetues në hetuesinë e Tiranës, ku jam edhe sot e kësaj dite.
Unë, që ta marrësh vesh ti, caktohem në hetuesi të vështira. Ja në hetuesinë e grupit të Teme Sejkos, ndërmjet hetuesve më të zotë të hetuesisë tonë, u caktova edhe unë. Mua më dhanë të hetoja vetëm vllehët, çamët e tu i morën në hetuesi ustallarët, Hasznedari, që mund të them pa frikë që është hetuesi më i madh i gjithë botës, atë e kemi profesor të gjithë ne më të rinjtë. A e di si i transportoj nga Saranda në Tiranë pjesëtarët e grupit armiqësor të Teme Sejkos? –I futi në koshere bletësh, e i ngarkoi në karrocerinë e një skode. Por me Hasznedarin për hetimin e çamëve ishin edhe Kolli e Matohiti, por vinte edhe vetë Ministri ynë i Brendshëm, shoku Kadri.
Kur na mblidhte në Ministri për ti raportuar mbi ecurinë e procesit hetimor, më thoshte mua: -vetëm ty Tasho Dërri, nuk ta kam frikën!
Dhe nuk gabohej. Unë i bëra vllehët të ligjëronin si bilbila. Do ta kesh dëgjuar Nasho Gërxhon?. Ishte një burrë i madh, dy herë sa unë e s’i bënte syri tërr, ishte çelik stani, por unë e bëra t’i sillte të gjithë vllehët përpara hetuesisë. Unë, që ta marrësh vesh ti, kam metodat e mia. Unë, nuk të bëj elektroshok, por të tredh ashtu siç tridhja deshët dhe cjeptë. Ne, të sigurimit, kemi Karta Bjanka që të veprojmë si të duam me armiqtë e partisë. Unë, përveç se të tredh, por e kam të lejuar edhe të çnderoj …nënën, motrën, gruan vajzën. Ne nuk na kap ligji edhe sikur të përdhunojmë një vajzë armiku, sikur të jetë e mitur shtatë-tetë vjeçe.
Të gjitha këto, nuk t’i llomotita kot, por kur të vish nesër këtu, dua të më ligjërosh si bilbil. Dua të më tregosh për Ermion Simakun, ose Mjelmën, siç e thirrisni ju. Do të më tregosh se çfarë detyre ju ngarkoi shefi i KGB-së ne Leningrad. Ç’porosi të dha dhe për kë të rekomandoi të takoheshe në Shqipëri. Ç’farë informatash kërkonte dhe ç’veprimtari ke kryer ti gjatë kësaj kohe? Me cilët je takuar?. Do të më tregosh edhe për atë të internuarën që takove në Seman, kur shkove me shërbim?
Kur të vish para meje, nesër në orën nëntë të mëngjesit, dua të flasësh vetëm ti, e unë të shkruaj, pa të pyetur fare, se po më inatose, pastaj do e shikosh vetë se kush është Tasho Dërri. Pastaj thirri gardianin dhe i tha: -Merre!
Gardiani më lidhi dhe më çoi në birucë.
Tërë atë natë nuk vura gjumë në sy. Çfarë t’i tregoja! Shefi i KGB-së nuk më kishte dhënë asnjë porosi, përveçse të qëndroja në Leningrad. Këtë unë ia kisha thënë edhe vetë ministrit të Brendshëm, shokut Kadri. Më pyeti edhe për atë vajzën e internuar që takova në Seman. Kushedi se çdo t’i punojnë edhe asaj!
Po Vjollca! Sa u trondit kur erdhën e më morën në mes të natës. Ajo ngriu. Rrinte si e hutuar me sytë e hapur tej mase pa nxjerrë zë, kur më lidhën me pranga, duart mbrapa. Kushedi se ç’i kanë punuar. Pastaj m’u kujtuan të gjitha ato që më tha hetuesi im, “kuqua”, e mu rrëqethën mishrat.
Kur unë kisha humbur në vorbullën marramendëse e dialogoja me vetveten kërciti llozi i derës e brenda u fut gardiani. M’i lidhi duart pas e më çoi në hetuesi. Këtë radhë “kuqua”, nuk ishte vetëm në dhomën e hetimit. Aty ishin Ministri i Brendshëm, prokurori i rrethit, operativi që mbulonte sektorin e arteve për Tiranën, Hasznedari e Matohiti. Unë nuk i njihja. Hera e parë që i shikoja po siç m’i prezantoi “kuqua”.
Ministri i Brendshëm më tha: -E mo, s’deshe të merreshim vesh bashkë. Të ishe marrë vesh me mua, s’do ishe sot këtu! Por megjithatë, meqë ke qenë gazetari ynë, po të japim edhe një herë dorën. Kjo do të jetë hera e fundit që partia ta jep dorën. Po nuk pranove edhe këtë herë, paç veten në qafë!
A do biem dakord për ato që të thashë në zyrën time në Ministrinë e Brendshme?!
Unë e pashë drejt e në sy e nuk i ktheva përgjigje.
-Hë mo, si thua?, -më pyeti përsëri Ministri i Brendshëm.
-Atë që kisha për tua thënë, a nuk ua thashë njëherë?!, -iu përgjigja.
– Tasho Dërri!, -iu drejtua ministri “kuqos”,
-Urdhëroni, shoku ministër?, -iu përgjigj “kuqua”, duke u ngritur në këmbë me qëndrim gati-tu.
-Kur të vij herën tjetër, dua që ky bandill të më ligjërojë si bilbili, -i tha ministri.
-Si urdhëron shoku ministër!, -i tha “kuqua”, duke e nderuar me grusht.
Doli Ministri i Brendshëm, pas tij dolën edhe të tjerët. Në dhomën e hetuesisë mbetëm vetëm unë e “kuqua”.
Ai po më vështronte me inat, sikur donte të më hante të gjallë.
-Ore, ku e pandeh se je këtu, ti?! Ministri të foli si njeri, deshi të të ndihmonte, kurse ti i dhe përgjigje tërë kapadaillëk. Çohu, çohu në këmbë!
U çova. “Kuqua”, m’u avit si pa të keq dhe më qëlloi me grusht pa pandehur në stomak.
Mua mu zu fryma për një çast, pastaj u përkula duke mbajtur stomakun me duar.
“Kuqua”, më doli nga pas dhe më mbërtheu me të dyja duart e tij si kërcu, organet gjenitale.
Unë ia bëra oh, nga dhimbja në fillim, por ai m’i tërhoqi aq fort, sa unë nisa të bërtas me sa fuqi kisha nga dhimbja. Duket kam bërtitur aq fort sa në dhomë hynë dy-tre hetues të rinj dhe disa gardianë të shërbimit, bile erdhi edhe vetë drejtori i burgut.
“Kuqua”, më lëshoi mua dhe iu vërsul atyre që hynë në dhomë duke u gërthitur: -Përjashta!
Kaq dëgjova unë, por seç u bë më vonë, nuk mora vesh se më kishte rënë të fikët
Kur u përmenda hapa sytë dhe pashë se isha në qelinë time. Doktor Miçua, po më vinte kompresa me ujë të ftohtë në organet gjenitale. Doktor Miçua, ishte i burgosur politik. Ishte mjek i mirë, me kurajë qytetare.
Pas disa ditëve doktor Miçua më tha në vesh: -Sonte provoje njëherë, bëj një eksitim barbar dhe kur të vij unë nesër do të më tregosh reagimin.
Të nesërmen unë i tregova doktor Miços se e zbatova atë që më kishte thënë dhe çdo gjë në rregull.
Pasi më dëgjoi me vëmendje doktor Miçua, në fund më tha: -Paske shpëtuar!
Në hetuesi më morën pas një muaji.
“Kuqua”, më shikoi pa më folur fare me gojë. Pastaj m’u avit dhe më tha:
-A të erdhën mendtë?
-Përse?!, -e pyeta.
-Edhe më pyet përse, more ndyrësirë!. Tani do e marrësh vesh përse-në dhe do ta njohësh mirë Tasho Dërrin. Doli te dera dhe thirri gardianin.
Kur erdhi gardiani e urdhëroi të mi shtrëngonte hekurat, derisa të futeshin në mish.
Gardiani m’i shtrëngoi hekurat aq shumë sa më kërcyen kokërdhokët e syve përjashta.
Pastaj i tha të më lidhte edhe këmbët me hekura.
Gardiani zbatoi urdhrin.
-Tani shko merr litarin e ma lidh mirë pas hekurave të dritares.
Gardiani zbatoi sërish urdhrin.
Tani, -i tha, shko e më sill atë të qelisë numër tetëmbëdhjetë.
-Si urdhëron!, -i thotë fantazma dhe humbet në labirintin e korridoreve të errëta.
Kuqua, mi ka ngulur sytë e kuq dhe më shikon triumfator, si demon. Fytyrën e ka të kuqe rrema –rrema, sytë kuq, flokët të kuq. “O Zot! Si është krijuar kjo shëmbëlltyrë”, mendova me vete.
Tutje, nga fundi i korridoreve të ngushta e të errëta të qelive dëgjoheshin hapat e gardianit që po sillte atë të qelisë numër tetëmbëdhjetë, sipas “kuqos”.
Isha në ankth. Kush do të ishte ai i qelisë numër tetëmbëdhjetë!
Hapet dera e hetuesisë. Brenda futet gardiani me Vjollcën. Mezi e njoha! Ishe shpërfytyruar dhe vetëm sytë i kishin mbetur.
-Deni!, -thirri ajo me lot në sy.
-Vjollca!, -i fola unë.
U drodh e tëra. Asnjë shenjë nuk kishte mbetur nga hiret e saj.
“Kuqua” na shikonte pa folur, kurse ne të dy, shikonim njëri tjetrin të përmalluar. Vjollcës i rridhnin faqeve lotë.
“Kuqua”, i thotë gardianit! –Ma sill këtu afër, afër ma sill!
Gardiani e çoi Vjollcën te tavolina ku qe ulur “kuqua”.
-Tani, mund të largoheni, -i tha “kuqua” gardianit
Ai nderoi me grusht dhe u largua.
Në dhomë mbetëm vetëm ne të tre. Unë i lidhur këmbë e duar me hekura dhe me litar pas hekurave të dritares. “Kuqua” na shikonte në heshtje. Ne vazhdonim të shikonim njëri-tjetrin. “kuqua” u çua dhe e kapi Vjollcën për mjekre.
-Çoje kokën!, -e urdhëroi. Ky bandilli yt, nuk e njeh forcën tonë! -Ne, mor bir bushtre, jo vetëm që ua mbyllim gojën me plumb armiqve të Partisë, por i shfarosim me soj e sorollop, i bëjmë që edhe po të mbeten gjallë e të vegjetojnë në ndonjë skutë të humbur, kur të na kujtojnë, tu dridhet trupi dhe tu tregojnë bastardëve të tyre, se kush jemi ne, e ç’bëjmë ne për ta mbajtur Partinë të fortë.
Heshti për një çast pa na i ndarë vështrimin.
Ne me anë të vështrimeve dialogonim me njëri-tjetrin.
Ai u tërbua që ne nuk na bëhej vonë për të.
Ishte një specie, kushedi nga çfarë stepash xhunglore!
“Kuqua” u çua në këmbë. E kapi Vjollcën për beli dhe e shtriu në tavolinë.
Ajo përpëlitej duke klithur: -i poshtër!, kriminel!, lëshomë!
Ai i ndezur nga pasionet sadiste, filloi ta zhveshë duke dihatur e hungëruar si derr. U përkul që ta puthte.
Vjollca e pështyu në fytyrë, por ai nuk pyeti. E puthi me vrull në faqe, në gushë e në gjoks.
Ajo klithte.
Ai shfrynte e hungërinte i ndezur nga pasionet sadiste.
Unë përpëlitesha i lidhur këmbë e duar me hekura dhe i lidhur me litar në hekurat e dritares. Pastaj i thashë:
-Mos, për hatër të Zotit, mos. Mos e bëj këtë! Të lutem, të përgjërohem. Për çfarë ke më të shtrenjtë, mos, mos…!
Por ai nuk dëgjonte. Kishte humbur në kënaqësinë e ekstazës kanibale. Por edhe sikur të dëgjonte, ai nuk e njihte mëshirën, nuk e njihte Zotin. Komunistët nuk kanë Zot, nuk kanë nder, as besë, as atdhe, asgjë.
Pastaj, ai, i hoqi mbathjet dhe ra mbi të duke i kafshuar gjinjtë, derisa iu mbush goja me gjak.
Ajo klithte. Ai hungërinte.
Mbylla sytë për të mos parë më më tej.
Hetuesi i vuri Vjollcës duart në fyt dhe klithi nga kënaqësia.
Asaj iu var koka.
Ai u çua e nisi të vishej. Vjollca vdiq. E mbyti hetuesi i Ministrisë së Brendshme, “kuqua”
Mua më kishte rënë të fikët. kjo skenë mbeti e ngrirë në trurin tim. Një makth i kuq, përjetësisht!

*
* *

Atë vit arrestuan dhe pushkatuan Ministri i Brendshëm, kryekriminelin Kadri Hazbiu, nga fshati Mavrovë, që ishte mavri si balta e zezë e fshatit me këtë emër.
Atëherë arrestuan bashkë me shumë kriminelë e sadistë të Sigurimit të Shtetit edhe përbindëshin me flokë, sy, e fytyrë rrema-rrema të kuq, Tasho Dërrin.
Atë, për të vuajtur dënimin e sollën në Spaç. Kur zbriti nga autoburgu filloi të thërrasë: -Amani, mos më lini këtu, -iu lutej kapterëve që e shoqëronin. Ra në gjunjë dhe iu përgjërua komandantit të kampit duke i puthur çizmet, por ai i hodhi një vështrim mospërfillës dhe e gjuajti me majën e çizmes turinjve. Por “kuqua” vazhdonte të zvarritej gjunjazi duke u lutur.
-Hiqmani sysh këtë kërmill!, -urdhëroi komandanti i kampit.
Kapterët e kampit e tërhoqën zvarrë.
Ai vetëm qante dhe përgjërohej.
O Zot, -thashë me vete! Ky ishte Tasho, Dërri i tmerrshëm, sadisti i birucave. Ky qe “kuqo”, demoni që merrte shpirtra?!
Për një moment mu zhduk urrejtja dhe ndjeva neveri për këtë vemje që jargavitej.

*
* *

Kur vinte dreka, darka dhe “kuqua”merrte gjellën, dy djem të rinj tetëmbëdhjetë-nëntëmbëdhjetë vjeçarë, që e kishin pasur hetues e thërrisnin: -Hej, ti qelbësirë, eja këtu!
Ai shkonte duke mbajtur në duar pjatën me gjellë.
Ata i shurronin në pjatë dhe e urdhëronin: -Haje tani. Shpejt!
Ai rrufiste supën të përzier me urinë si i babëzitur duke ia bërë oh!, oh!, oh!, ho!ho!ho!
-A u kënaqe?, -e pyesnin ata
-U kënaqa!, -u thoshte “kuqua”duke rrahur barkun. Çunat gajaseshin së qeshuri.
Unë, kisha neveri për të, por kur e kisha pranë dhe i shikoja flokët e kuq, sytë e kuq, fytyrën rrema-rrema me gjak e dhëmbët përjashta, më kujtohej ajo natë në hetuesi. E humbja logjikën. Gjaku më binte në kokë. Thellë qenies time ndizeshin instinktet e hakmarrjes. Shtrëngoja dhëmbët, prishesha në fytyrë dhe bëhesha gati ti hidhesha në fyt. Unë që nuk vras dot një mizë, tjetërsohesha.
Një natë në vjeshtë, frynin erëra dhe mua nuk po më zinte gjumi. Si në kllapi m’u shfaq ajo skenë e asaj nate. Ai që përdhunoi e mbyti në sytë e mi njeriun tim më të shtrenjtë, flinte në një kapanon me mua. “Si duron”! më dukej sikur më fliste një zë.
Ishte zëri i brendshëm i qenies time. M’u ndezën të gjitha qelizat latente, të të parëve të mi, të trashëguara në gene brez pas brezi dhe unë u shpërfytërova.
U çova dhe shkova te krevati ku flinte ai. Ishte në shpinë. Flinte me gojëhapur dhe gërhiste. Ndenja disa çaste duke e vështruar. –Ç’qenie që krijon natyra, -mërmërita me vete. Mu duk se po ta mbysja, do ndyja duart. Mu bë si krimb. Pështyva në ajër dhe duke tundur grushtet në ajër si i luajtur, shkova dhe u shtriva në krevatin tim.
Një herë “kuqua”ishte duke lozur domino. Flokët e kuq i dukeshin sikur i kishin marrë zjarr, në sytë e tij të kuq, qarkullonin rryma gjaku. Dhëmbët i kishte nxjerrë përjashta. Ia kishte ngulur sytë kundërshtarit. Fytyra i kishte marrë pamjen e asaj nate. U turbullova, rrëmbeva një gur dhe iu avita.
Kundërshtari i tij që po luante me të, çoi kokën dhe i tha: -Ç’më shikon ashtu sikur do të më hash, ndyrësirë?! E pështyu dhe ia hodhi dominotë turinjve.
“Kuqua” ndërroi çehren në moment, vuri buzën në gaz dhe i tha: -Pse zemërohesh xhanëm!, dhe ia mori dorën e ia puthi.
M’u bë se m’u trazua nga brenda. E lëshova gurin por nuk gjeja prehje. Natën përsëri nuk më zinte gjumi. Dialogonim, unë dhe subkoishienca. -Si duron, pse nuk e vret?!, -më fliste subkoshienca.
-Më duket si zvarranik e më pështiroset, -ia ktheja unë.
-Justifikime! Ti je një frikacak. Një hiç, -më thoshte subkoshienca.
Kështu netët atje në kapanonin numër tre, të kampit të Spaçit, përsëritnin njëra-tjetrën, e unë nuk gjeja qetësi asnjë çast.
Në punë shkonim me tre turne. “kuqua” punonte si vagonist me Ali “Trompën”. E thërrisnim kështu se ai e kishte pasion muzikën dhe gjithë kohën e lirë e kalonte duke i rënë trompës. Aliu ishte minator, me vite të tëra. E kishte kaluar jetën galerive dhe nuk kishte dalë asnjëherë në sipërfaqe. Ai kishte rënë në burg, djalë i ri. Ishte i drejtë, i besës dhe shumë i fortë.
Një ditë i thashë Aliut: -A më merr mua vagonist, meqë njëri nga vagonistët e tu është i sëmurë?
-Me gjithë qejf!, -ma ktheu Aliu. Me ty bëj edhe dy pare muhabet, se je njeri i artit. Që atë natë, fillova të punoj me Alinë dhe “kuqon”
Më rrëqethej trupi kur e shikoja “kuqon”, por më duhej të bëja durim.
Një ditë kur mbetëm vetëm, pyeta Alinë. -Ç’njeri është ky “kuqua” ?
-Një ndyrësirë!. Bajgë!, -ma ktheu Aliu. Hetues ka qenë dhe thonë se ka qenë shumë i lig.
-E kam pasur unë hetues!, -i thashë.
-Ti?!
-Po, unë!
-E si të është sjellë?
Unë nuk fola.
-Hë, pra, trego, si është sjellë me ty, pse nuk flet?, -më tha Aliu
-Do ti tregoj të gjitha i thashë dhe fillova t’i tregoj skenën e asaj nate në hetuesi, në birucat e burgut të ri, në Tiranë.
Kur mbarova së treguari pashë se Aliu po dridhej. Ca lot të mëdhenj, i patën ngrirë në sy.
-I fortë je! Besa shumë i fortë, po si e duron?!, -më tha.
-Ali, ti tani duhet të më kuptosh pse kam ardhur në grupin tënd.
-E marr me mend. Po a të njohu? –më pyet ai.
-Jo, hiç fare. As nuk i vete ndër mend se kush jam. Kaq thamë dhe u kuptuam me Aliun.
Ishim turni i tretë atë natë. Frynin erëra. Dritëzat e fenerëve të minatorëve të burgosur të turnit sajonin qenie të mbi natyrshme pllajave të Spaçit. Ishte ora rreth zero dy e pas mesit të natës. Në frontin e tretë, ishim ne të tre, unë, Aliu dhe “kuqua”. Ishim ulur e po pushonim. Unë ia ngula vështrimin “kuqos” dhe nuk ia shqita. Silueta e tij po më përgjonte, ashtu e trazuar.
-Pse po më vështron ashtu?!-, më pyeti “kuqua”
Unë nuk fola.
-Ç’ka ky që më shikon kështu?!, -pyeti Aliun.
As Aliu nuk foli.
-Aman, të lutem, pse po më vështron kështu?, -më tha përsëri.
-A më njeh mua?!, -i thashë.
-Jo!, -ma ktheu.
-Pa më vështro mirë se mos vallë të kujtohem.
Ai duke më shikuar mblodhi supet dhe tha me zë të mekur, -nuk më kujtohesh.
-A të kujtohet ajo natë tetori, tek hetuesia e burgut të ri, në Tiranë? Ishte një natë tetori, me erëra, ja si kjo sonte.
Atij, siç duket iu kujtua dhe u pre në fytyrë. U bë dhé.
-Hë, tu kujtua?, -i thashë
Jo!, -belbëzoi me një zë gati të fikur. Fytyra iu tjetërsua në një masë plasteline.
Atëherë po ta kujtoj unë: – i thashë. I përsërita skenën e asaj nate. Duart më dridheshin si në ethe. Nuk dija ku ti futja.
-Ishim të poshtër, -më tha. Kur të vijë gruaja ime në takim special do të të thërras edhe ty. Do të lë të flesh me të. Mbyte po deshe dhe lahemi.
Nuk e mbajta dot veten më. U çova dhe ia vura të dyja duart në fyt. Iu zgurdulluan sytë. U lag në brekë, por nuk i dilte shpirti. Atëherë, rrëmbeva levën e minatorit dhe ia çava kokën më dysh.
Nga kafka e çarë i rrodhën trutë, as gjak nuk kishte, vetëm rrodhi një lëng me erë ku lëviznin ca si larva. Unë e kisha humbur.
Aliu, pa folur, futi levën te blloku dhe bëri shembjen. Me mijëra tonelata bakri, kromi, shkëmbinj e dhera ranë mbi kufomën e “kuqos” .
Aliu shkoi e bëri denoncimin në komandën e kampit, se në zonën e tij u bë një shembje e blloqeve dhe zuri poshtë vagonistin e tij Tasho Dërrin. Këtë ngjarje e dimë unë, Ali Trompa e Zoti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here