Nga Beqir SINA – UN Nju Jork
Ky është mesazhi që duhet “mbajtur e ruajtur” mirë nga Tirana e Prishtina – jo vetëm pér atë krenarin e momentit, por edhe përgjegjësia për ta justifikuar atë përmendje me veprime të mëtejshme në Kosovë e Shqipëri
UN NEW YORK : Sot, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim të gjerë para udhëheqësve botërorë.
Në një moment që tërhoqi vëmendjen e diasporës shqiptare, dhe shqiptarve kudo janë ai përmendi drejtpërdrejt Shqipërinë dhe Kosovën.
Nuk ishte një përmendje e rastësishme. Trump i renditi këto dy vende mes atyre që janë angazhuar konkretisht për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, duke ofruar trupa, forca policie ose trajnime.
Në fjalimin e tij, Presidenti amerikan falënderoi Këshillin e Sigurimit për miratimin unanim të planit 20-pikësh për paqen në Gaza dhe Bordit të Paqes. Pastaj u ndal te kontributet ndërkombëtare.
“Dua gjithashtu të falënderoj vendet që janë angazhuar të dërgojnë trupa, forca policie dhe të ofrojnë trajnime për të ndihmuar në stabilizimin e Gazës, përfshirë Indonezinë, Marokun, Shqipërinë, Kosovën, Kazakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe të tjera,” tha ai.
Kjo fjali e vendosi Shqipërinë dhe Kosovën në një listë të vogël vendesh që Uashingtoni i sheh si pjesë të zgjidhjes, jo të problemit.
E njëjta fjalë përmendi edhe konfliktin Kosovë-Serbi si një nga tetë konfliktet që Trump pretendon se i ka ndihmuar të zgjidhen ose të qetësohen gjatë mandatit të tij.
Ai e vendosi këtë çështje krah krizave të tjera të mëdha, duke e paraqitur diplomacinë amerikane si faktor që ka penguar përshkallëzimin.
Sot në mëngjes, para fjalimit, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dha intervista në televizionet amerikane, përfshirë “Today” dhe “Fox & Friends”. Rubio e paraqiti Presidentin si njeri të praktikës, jo të teorisë diplomatike, dhe tha se SHBA-ja është e hapur për bisedime edhe me Iranin në margjinat e OKB-së, por pa asnjë takim të caktuar ende.
Mesazhi i tij ishte i qartë se : Uashingtoni do të bisedojë, por Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Kjo linjë e fortë e Rubios e bën edhe më të rëndësishëm falënderimin e mëvonshëm të Trumpit.
Kur Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit flasin me një zë, përmendja e Shqipërisë e Kosovës nuk është dekor, por pjesë e axhendës amerikane.
Për shqiptarët, kjo ka një kuptim të veçantë. SHBA-ja ka qenë prej dekadash aleati kryesor i Kosovës dhe një mbështetëse e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën euroatlantike.
Përmendja e sotme tregon se dy vende të vogla ballkanike janë të gatshme të marrin përsipër përgjegjësi në skenën globale. Shqipëria dhe Kosova nuk janë fuqi të mëdha ushtarake, por kanë treguar se mund të kontribuojnë me njerëz, përvojë dhe vullnet politik.
Për diasporën në Nju Jork, kjo skenë ka edhe një dimension emocional.
Kur Presidenti i SHBA-së i përmend vendet tona në OKB, kjo ndihet si njohje e një aleance të gjatë.
Fjalët në OKB nuk zgjidhin automatikisht problemet e brendshme, porse dialogu Kosovë-Serbi mbetet i vështirë.
Por edhe një falënderim publik nga Shtëpia e Bardhë, i Sekretarit i Shtetit Marco Rubio dhe intervista në televizionet amerikane, përfshirë “Today” dhe “Fox & Friends”i shoqëruar nga linja e Shtëpisé së Bardhë sot në mëngjes, në New York, është kapital diplomatik për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai forcon pozitën e Tiranës dhe Prishtinës dhe u jep argument atyre që mbrojnë lidhjen strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Në fund, fjalimi i sotëm na kujton se vendet e vogla fitojnë rëndësi kur veprojnë. Shqipëria dhe Kosova u përmendën sepse janë angazhuar.
Ky është mesazhi që duhet “mbajtur e ruajtur” mirë nga Tirana e Prishtina jo vetëm pér atë krenarin e momentit, por edhe përgjegjësia për ta justifikuar atë përmendje me veprime të mëtejshme në Kosovë e Shqipëri .


















