Durim Çaça: TRIPTIK APOKALIPTIK, poezi

Durim Çaça

TRIPTIK APOKALIPTIK

LOGORI’

vetmitë e blerta të vetmive të verës
me ujërat e qeta prej qumështi ëndrrash
n’përzierje t’agut me qiell drite të re

s’e dimë ç’imazhe të brendshëm vlojn’ gjallë
n’vështrimin e paepshëm të buzëve të çelura

si një shfaqje prekëse fishekzjarresh
e përkëdheljesh në shend

njerëzimi im, paj, i vdarë
veshur me varre t’përbashkët të vrarësh pleq
të Gaza-s

kënga e mëllenjës ndihet n’korijen e mështeknave
poleni i verdhë i misrave
përndahet prej erës së lehtë

sa herë që një re ndjek një tjetër re të bardhë
një lule livandeje mbin pran’ një livandeje tjetër
sa herë një dallgë bie mbi një tjetër dallgë
ësht’ në ta ajthi i të dashuruarve të përjetshëm

njerëzimi im çnjerëzuar, ooiiii, ah,
veshur me plagët e grave t’masakruara
të Gaza-s

të ndjesh lisin në gojën e burimit
teksa altarët shikojnë njeri -tjetrin me sy
e të prehësh kokën n’blunë e re të qiellit

jam një gur, (thot’ Shalamun), shtresa e fundit e dhembjes
ajo që e ndrin hëna e jo dielli
uji avullon e vetëm vështrimi mbetet

nuk dua, jo, s’dua, t’jesh njerëzimi im

malli që i trajtëson njëjtë njëlloj
rrokjet, rimat, ujërat, ndriçimet

shtëpia ku gumëzhijn’ zërat e fëmijëve
mobiljet e hijshme, aromat e biskotave
të gatuara në shtëpi
si pamja ideale e jetës n’ashk
të bukurisë

njerëzimi im, ofsh, barbar
veshur me sytë e fëmijëve të vdekur prej urisë
të Gaza-s…

___________
*logori’, trajtë e shqipes jugore për: vajtim kolektiv, me fjalë, me ligje, me këngë, vaje të përbashkët, ngjashëm me kore tragjedish antike; sinonim me trajtën veriore: gjamë, (gjëmë).
*Gaza, toponim në arabisht, që ka kuptimin, endës pëlhurash, mjeshtëri artizanale në të cilën ishin të shquar banorët e trevës në fjalë; nga kjo fjalë e gjuhës arabe, ghaza, sipas poetes angleze, Emili Beri, vjen dhe fjala e anglishtes, (marrëdhënie mes dy gjuhëve, gjatë sundimit të protektoratit britanik, 30 vjeçar, në Palestinë, 1918 – 1948, pas Luftës I Botërore, me rënien e Perandorisë otomane, në të cilën ishte pjesë e saj dhe Lindja e Mesme), pra, rrjedh fjala: gauze, (go:z), me kuptimin: garzë, pëlhurë e endur rrallë, si rrjetë, për lidhje, “veshje” plagësh, si në frëngjisht, bander, në italisht, fasho, në shqip, napë, (rrotull nape për lidhje plagësh), etj.. Nga poetja në fjalë është marrë në këtë poezi tonë dhe metafora e “veshjes” së plagëve tona për shkak (të pëlhurës endur) të tyre dhe të plagëve të tyre, mbetur hapur, për shkakun tonë”. (poezia “Për shkakun tonë”, shqipëruar nga Smeralda Çaça, nga faqja e saj e Fb-ut, 8 qershor, 2025).

NDJESË

s’e kam vrarë un’ Cezarin
as Kenedin, Luter Kingun
se qysh ndodha
koh’ njerëzimi

po s’e kam kryqëzuar un’ Krishtin
as Ana Frankun, Rabinin
ja që ndodha
krim njerëzimi

s’e kam ekzekutuar un’ Robespierin
as Reçakun, Srebrenicën
ah, seç ndodha
frym’ njerëzimi

ooiii, s’e kam bër’ un’ plojë Gaza-n
as fëmijët e saj vdekur mijëra prej urisë
ofsh, qysh ndodha
fytyr’ njerëzimi…

NJERËZIM

prej kohësh s’po mund të ha darkë
po fëmijët në Gaza sonte
a kan’ të hanë

s’do t’arrij dhe kët’ natë të fle
grat’ e Gaza-s që shpëtuan a kan’ të shtrojnë
një mbuloj’ mbi gërmadhat e predhave

qysh s’do t’mund të vdes qetë, vallë
t’moçmit e Gaza-s a do t’arrijnë
që të vdesin pa u vrarë

prej kohësh të ha dark’ s’po mund
fëmijët n’Gaza a kan’ të hanë
a veç syt’ me lot e buzët shkrumb

dhemb njerëzimi që mbaj frymë
që mbaj ashk
dhemb me shkulm
njerëzimi që mbaj dritë
ah, që mbaj ajth…

____________
Shënim: Tragjedia e Gaza-s, e popullit të saj palestinez, që po martirizohet sot se nuk pranon të zhduket, është shfytyrimi më i tmerrshëm i humanizmit, qytetërimit tonë të shekullit XXI, që krenohet me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, (madje, dhe të kafshëve), turpi dhe njolla më e errët e monstruozitetit, në ballë të njerëzimit, që nga Lufta II Botërore, që ka vënë tashmë në pikëpyetje përngaherë kuptimin e tij, të lirisë dhe të të drejtave njerëzore. Pamjet apokaliptike të Gaza-s, kësaj enklave, getoje, shndërruar tashmë në një rrënoje gjigante, me mbi 100 mijë viktima palestineze të popullsisë civile, ku pjesa më e madhe e tyre, mbi 50 mijë gra të masakruara nga bombat e avionëve e predhat e tankeve dhe mijëra fëmijë të vdekur nga uria, prej bllokimit nga ushtria izraelite të ndihmave në ushqime, si dhe mbi 400 mijë të tjerë banorë të saj të zhdukur, (më shumë se 1/4 e popullsisë palestineze të Rripit të Gaza-s, prej rreth 2 milionë banorësh, para fillimit të konfliktit, tetor, 2023), po tronditin botën, ndërkohë që dora gjakatare e terrorit shtetëror të Izraelit, sadizmi i nazizmit të sotëm sionist, nuk po ndalet as nga protestat botërore, as nga OKB-ja, në barbarinë dhe mizorinë e tij të një ploje të përbindshme të genocidit, spastrimit etnik dhe shfarosjes së një populli tjetër semit historik, siç është ai arab palestinez, po aq i lashtë sa dhe ai semit hebre.
Dhe kjo, nga kryeministri izraelit, Netanjahu, një kriminel i çmendur, që kërkon të krijojë Izraelin e madh, mbretërinë hebreje biblike të legjendave e gojëdhënave prehistorike, (edhe me pushtimin e territorit tjetër palestinez, atë të Bregut Perëndimor, me kolonë hebrej), ndihmuar dhe nga presidenti amerikan Tramp, (një delirant me ëndrrën e tij të fantaksur të rivierës turistike të resorteve luksoze të biznesit të vet të Lindjes së Mesme, mbi gjakun dhe eshtrat e një populli autokton në tokën e vet), duke zhbërë Palestinën nga harta e botës.
Aq sa po dilet në përfundimin se nuk ka më njerëzim, se gjallojnë miliarda qenie njerëzish, por njerëzimi ka vdekur. Izraeli, me nazizmin e vet të sotëm sionist, ngjashëm me atë hitlerian të holokaustit të tij, është përgjegjës për krime ndaj njerëzimit, për genocidin e tmerrshëm, shfarosjen çnjerëzore – holokaustin ndaj një populli tjetër, në historinë moderne.