FUNDVIT 2025. Poezi nga Shpresa Kapisyzi

KJO GRUA DIKUR…

 

Kjo grua dikur

do ketë qenë e bukur.

Ja thinjat kanë pasur tjetër ngjyrë,

sytë me këtë xixëllim të pakët

tjetër dritë, tjetër shkëlqim,

e rrudhat rreth gojës e syve

si tokë e çarë nga etja

dikur s’kanë qenë,

po veç puhizë rreth oazesh,

që dalin papritë,

ashtu magjishëm, plot jetë

në shkretëtirë…

 

 

E shoh të bukur, kështu,

me sytë e mi,

këtë grua tej mesomoshë…

Ndërsa pa më njohur,

tek presim dritën jeshile

më buzëqesh në semafor…

 

 

 

FUNDVIT 2025

 

Këtë vit

vera ish shumë e nxehtë,

u thanë gjithë lulet në ballkon,

vjeshta me shira të mërzitshëm

shumë ditë rresht, pa pushim,

na prishi shetitjet, takimet me miqtë.

Më pak libra bleva

këtë nëntor në panair,

përzgjodha botimet pa reklama

e vlerësime jurish…

Këtë vit vajza nga Parisi

ankohej se djali i vogël në shkollë

vazhdonte me prapësi,

ndërsa im bir në këtë moshë

vazhdon i lidhur me mua në kërthizë…

 

Këtë vit m’u shtua

dhe një sëmundje tjetër,

tim shoqi për zemrën

iu shtua dhe një ilaç.

Unë heshtas numëroj

të njohurit që këtë vit ikën,

që më nuk janë…

 

 

 

 

 

KJO GRUA DIKUR…

 

Kjo grua dikur

do ketë qenë e bukur.

Ja thinjat kanë pasur tjetër ngjyrë,

sytë me këtë xixëllim të pakët

tjetër dritë, tjetër shkëlqim,

e rrudhat rreth gojës e syve

si tokë e çarë nga etja

dikur s’kanë qenë,

po veç puhizë rreth oazesh,

që dalin papritë,

ashtu magjishëm, plot jetë

në shkretëtirë…

 

 

E shoh të bukur, kështu,

me sytë e mi,

këtë grua tej mesomoshë…

Ndërsa pa më njohur,

tek presim dritën jeshile

më buzëqesh në semafor…

 

 

POEZIA

 

Unë nuk ia di shtëpinë,

as nga ç’udhë vjen.

Ajo  më gjen,

kudo ku mund të jem,

në çdo kohë, në ag,

kur sapo feks dita,

apo dhe në mesnatë

nga gjumi më ngre.

Herë vjen si një vajzë e bukur,

që përkëdhelet,

gjithë teka herë -herë

ikën në çast,

si fëmijë,

gjithë inat përplas dyert,

ikën, për ku s’e di…

Veç zemra, zemra

përgjon,

hapur përherë mban dyert

kur vjen nga qiejt

ti poezi.

 

 

 

 

 

 

 

POETËT VDESIN DALËNGADALË…

 

Poetët vdesin dalëngadalë…

Vetmuar, përhënshëm

me hapa fërfërimë të lehtë,

hapësirave, ku enden, pa anë..

Askush nuk i ndjen…

 

Vonë kujtohen

për ishullin e shpirtit të tyre.

Mashtrojnë veten,

duke hedhur varka letre

në detin e errët e të thellë

si dikur fëmijë…

(gjithë jetën naivë)

Tulipanë të bardhë tej

u duket se mbijnë.

 

Vdesin nga pak, dalëngadalë…

Pengohen,

në dashuritë e humbura, bijen.

 

Lodhur nga dhimbja

vdesin poetët…

Kur dhe qyteti,

që aq tepër e deshën,

dalëngadalë bëhet i huaj…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ЁNDËRR A ZHGJËNDËRR?!

 

Dje kalova

nga rrugica e vjetër e fëmijërisë

dhe qava.

Pashë gardhin,

ku nëna nderte ndërresat e mija,

manin ku ulej mbi bar

e gji më jepte të pija,

minderin, djepin që tundej,

në dhomën e vogël,

përherë me dritë në skaj.

Dëgjova të qarën time

ditën e lindjes

e qava përsëri…

-Nënë, do të vij,

atje, ku je,

mbamë brenda teje,

si dikur, tek prisja dritën

që unë veҫ të qesh, të qesh…

 

 

 

 

 

 

 

VJESHTË

 

Si një vajzë e bukur

zhvishet vjeshta.

Aromë, zjarre

digjen, fërgëllojnë

brenda saj.

 

Nga dashuria

zverdhet, skuqet.

Tek hedh veshjet, këmishën

turpërohet,

shtrirë…

Fërgëllon në lojën e çmendur

të gjetheve

si vajzë e bukur

në natën e pare

të martesës.

 

 

 

 

 

 

PAK KOHË…

 

Dikur kisha pak plane

e shumë andrra.

Vrapoja mbas tyre

si mbas fluturave.

Shumë kohë humba,

shumë kohë.

U tretën mjegullash

plot dhimbë.

Tash kam

pak, fare pak andrra

e shumë plane në kry.

Më ka mbetë pak,

fare pak kohë,

e s’di a mund të realizoj ndonji…

 

 

 

 

TI GRUA QË HESHTAS QAN NETËVE…

 

Ti grua me një gji silikoni

që heshtas qan netëve

në shtrat me lot të nxehtë,

trishtuar për trupin tënd të bukur,

mbas një dimri të rreptë,

a e di:

është degë peme ajo shenjë,

ku buluan gonxhe të bardha,

lulëzuan dikur,

morën jetë në trupin tënd,

me trillin marramendës

të gjithë pranverave.

Është e bukur ajo shenjë

me atë gugatje,

gugatje pëllumbash,

a e ndien, e ndieeen?

 

 

 

PEIZAZH                             

Arinj polarë rëndë-rëndë

pushtuan qiejt,

e lart akullnajë, veç akullnajë…

 

Rrënqethur nga dhimbja,

hapësirat,

mbi fushën e ngrirë,

dënesnin gjithë vaj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

I KAM THËNË MOTRËS SË VOGËL

 

 

Tani më ndodh

të harroj fjalë,

të harroj fytyra të njohurish

në vitet e largët,

të mos kujtoj emra,

e gjithë ditën

deri sa t’i gjej

me veten të grindem.

 

 

Po motrës më të vogël,

që me përralla e mahnisja,

e vjersha i mësoja dikur,

(Si me kukullën luaja çdo ditë)

“Tinzash, – i kam thënë-,

mos ta dëgjojnë të tjerë,

më thuaj apo ma bëj me shenjë

po të flas ndonji marri…”

 

 

 

 

 

 

 

 

Kur ti vjen nga larg

 

 

Kur ti vjen nga larg

nuk e kuptoj

ç’lojë bën dashuria.

Zemra nuk troket më si tokmak,

qetëson rrahjet,

nuk përfytyroj më rrugën

nga do vish.

Je këtu, ja,

ta ndiej frymëmarrjen,

ҫtendosen muskujt,

tërë trupi,

gjaku ndër dej

qetas si lumi në fushë

gurgullon

mbas shkapetjes ndër shkëmbenj.

Si ylber mbas shiut

krahët në qafë t’i hedh,

e në përqafim bëhemi një.

Dhe s’e kuptoj

këtë lojë që bën dashuria,

ndërsa të prisja

apo kur pranë meje ishe

rritej, luante apo kurthe

na ngrinte?!