- Ikonat e këngës popullore e qytetare, Liri Rasha, Silva Gunbardhi, Altin Sulku, Fatjon Dervishi, Mentor Topuzi, etj, ia rritën madhështinë festës së artit e kulturës dibrane që mblodhi qindra artdashës në sheshin para pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli”, Peshkopi, me protagonist këngëtarin famoz Bledar Kaca
Sheshi para Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi, mbrëmjen e 25 gushtit 2026 ishte i mbushur si asnjëherë tjetër me qindra artdashës dibranë. Ndonëse mbrëmje vere me temperaturë jo të zakonshme të kësaj stine, ata ju përgjigjën ftesës së këngëtarit tashmë të mirënjohur Bledar Kaca për të ndjekur koncertin e tij recital, vetëm pak çaste pas dekorimit me titullin “Qytetar Nderi” i Dibrës.
Ky titull i lartë ju dha atij në një ceremoni solemne, në një nga mjediset e kësaj bashkie, nga kryebashkiaku i Dibrës Rahim Spahiu, në prani edhe të familjarëve të artistit dibran, drejtorit të Pallatit të Kulturës “Haki Skërmilli” Peshkopi, Z. Igli Tomçini dhe të kryetarit të Federatës së Paqes Universale Shqipëri, Z. Defrim Methasani.
Qoftë edhe vetë motivacioni: “Për kontribut të spikatur në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë artistike e kulturore dibrane si artist dhe këngëtar i talentuar, për përkushtim të vazhdueshëm në pasurimin dhe përcjelljen ndër breza të folklorit dhe identitetit kulturor të Dibrës, si dhe për përfaqësimin me dinjitet të vlerave të saj në hapësirën mbarëshqiptare” dëshmon talentin dhe performacën e rrallë artistike që Bledar Kaca ka shfaqur në dhjetra koncerte, në skenat shqiptare e të botës si dhe disa ekrane televizionesh.
Pikërisht këto vlera të spikatura do të transmetonte për artdashësit dibranë edhe në koncertin e tij recital, me pjesëmarrjen edhe të mbretëreshës së këngës dibrane Liri Rasha dhe ikonës së këngës qytetare vlonjate e mbarëshqiptare Silva Gunbardhi. Kjo e fundit nuk e fshehu krenarinë si bashkëshorte e një dibrani nga nga fisi Derti i fshatit Blliçe – Nderi i Kombit” dhe në duet me Liri Rashën – pasaportën artistike të Dibrës, do të ngrinin peshë zemrat e ardashësve, me performancën e shkëlqyer në intepretimin e një kolazhi me këngë popullore dibrane, të këngës me titullin “Kunadhe” e të saj “Të ka lali shpirt”.
Prania në këtë koncert edhe e emrave të njohur të këngës popullore si Altin Siulku, Ftajon Dervishi, Vis Meçi, Gjuran Daci, Ganimete Dibra, Mentor Topuzi e Gentian Dervishi, me interpretime brilante të disa këngëve nga repertori i tyre, ia rriti madhështinë këtij koncerti festiv. Ndërkohë prezenca e tyre dëshmon edhe bashkëpunimin e frytshëm që ka protagonisti i kësaj mbrëmje festive, jo vetëm me artistë dibranë, por edhe me të rretheve tjera të vendit, si me këngëtarët Xhesilda Përshqefa e Mirgen Zela, apo edhe me grupin e valltarëve “Tradita Popullore-Folk Albania” që drejtohet nga Antoneta Tafa, të cilët me performancën e tyre e bënë më të këndshme këtë mbremje ndër më mbresëlënëset, nën ritmin e të cilëve qindra të rinj e të reja vallzonin në atë pjesë të bulevardit të bukur të blirëve, para pallatit të kulturës “Haki Stërmilli”.
Çast vërtetë emocionues qe edhe “ridhënia” e Medaljes me Titullin “Qytetar Nderi” i Dibrës, artistit Bledar Kaca, nga bukuroshja nga Kastrioti, Grejsi Hasi, shoqëruese e Mis Universe Albania.
BLEDAR KACA, KËNGËTAR I TRADITËS
Protagonisti i këtij koncerti festiv Bledar Kaca, si edhe herë tjera, padyshim që do ta niste programin e tij me këngën hit “Mos harro se je dibran”, vargjet e së cilës janë simboli historik i Dibrës dhe dibranëve në shekuj, i mendjemprehtësisë dhe urtësisë së tyre. Refreni i kësaj kënge (teksti i së cilës është shkruar nga poeti i mirënjohur Munir Dali Hoxha nga Kalaja e Dodës): “Dhe stërgjyshi amanet/ Brez pas brezi na e ka lanë/ Edhe sikur të bëhët mbret/ Mos harro se je dibran..”, si edhe në koncertet tjera u këndua masivisht edhe nga pjesëmarrësit e shumtë.
Me këtë këngë, Bledar Kaca prezantohet si këngëtar virtuoz që ngre peshë zemrat e dibranëve, kudo që ndodhen në hapësirën mbarëshqiptare në botë.
Në këtë mjedis artistësh e artdashësish, miku e kolegu ynë Defrim Methasani, ndër moderatorët më të mirë në rang kombëtar – ikonë e gazetarisë sportive dhe mjeshtër i dokumentarit televiziv, pa dyshim që do ta moderonte mjeshtërisht këtë koncert recital të këngëtarit Bledar Kaca, i cili në dy orë mori përmasat e një spektakli show. Ky koncert tejet madhështor u organizua nën drejtimin me kompetencë e profesionalizëm nga Drejtori i Pallatit të Kulturës Peshkopi, Igli Tomçini, pasues i denjë i babait të tij, kompozitorit të famshëm në rang kombëtar, të të paharruarit Përparim Tomçini, që ka lënë si trashëgimi në fondin e artë të muzikës shqiptare dhjetra këngë të kompozuara prej tij e që këndohen nga këngëtarët më të mirë dibranë e të rretheve të tjera…
Bledari do të duartrokitej fuqishëm edhe gjatë interpretimit të këngëve të tij: “Moj Bulqizë, unazë floriri”, “Kolazh këngësh dasme”, “Sofra e Veriut”, si dhe në duetet me këngëtaret Ganimete Dibra e Xhesilda Përshqefa, të këngëve “Halli i martesës” e “Ty t’ka fal Zoti për mu”. Performanca artistike në interpretimin e këtyre këngëve do ta identifikonin Bledar Kacën si këngëtar të traditës së shkëlqyer i cili ecën besnikërisht në gjurmët e ikonave të Ansamblit “Kuvendi” të Dardhës në vite: Hazis Ndreu – Nderi i Kombit, Liri Rasha, dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Caje Poleshit e Sherif Dervishit (edhe këta të dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh”, etj. Këta ikona, si dhe kompozitori i tangos shqiptare Muharrem Xhediku dhe aktori, regjisori e këngëtari i mirënjohur Skënder Cala – Mjeshtër i Madh, që kanë frymëzuar e frymëzojnë edhe artistin Bledar Kaca, do t’i evidentonte me veneracion moderatori Defrim Methasani edhe në këtë koncert recital. Ashtu siç do të promovonte edhe vlerat që bart e transmeton tek publiku edhe poeti i këngës Munir Hoxha, i cili pohon se në repertorin e Bledar Kacës janë 18 këngë me tekstet e shkruara prej tij (ndër ta edhe “Sofra e Veriut” me refrenin kumbues: “Për Lezhën e lashtësisë/ Ku u lidh besa e shqiptarisë/ Ku u shkruajt Lahuta e Malcis/ Kryevepra e letersisë…”
Këto këngë të interpretuara mjaftë bukur dhe të shoqëruara nga grupi i valleve, qenë mbresëlënësë për qindra pjesëmarrësit që ndoqën këtë koncert festiv.
PAK NGA KARIERA ARTISTIKE E BLEDAR KACËS
Bledar Kaca, ky zë i bukur dhe melodioz i këngës dibrane dhe shqiptare, në koncertin recital të tij është prezantuar si i tillë edhe në telereportazhin e pregatitur me mjeshtri të rrallë artistike nga moderatori Defrim Methasani.
Ai ka lindur dhe është rritur në fshatin piktoreskt Tartaj të Zall-Dardhës, që ngjan si një ballkon i një vendi që malet i ka si kapele, ndërsa poshtë në këmbët e tij vërshon lumin Drin i Zi. Aty ai kreu shkollën fillore, ndërsa 8- vjeçaren e mbaroi në Lashkizë, të mesmen në qytetin e Durrësit dhe së fundmi është diplomuar në Universitetin e Tiranës për mësues muzike për shkollat e mesme.
Në vitin 2001, kur ishte vetëm 13 vjeç, Bledari nisi karierën si muzikant, duke marrë pjesë në disa gëzime familjare, me daulle e tupan, por që këngën gjithmonë e ka patur pasion dhe ëndërr të tij edhe pse nuk kishte provuar kurrë të dalë në skenë para publikut.
Nga telereportazhi ku jepeshin edhe pamje filmike të veprimtarive publike, qindra pjesëmarrësit që ndoqën koncertin e tij recital, mësuan se nuk kaloi shumë kohë dhe pas tre viteve, pra në 2004, Bledari filloi të këndojë me një grup orkestre në Dibër, në gëzime dhe evente familjare. Dhe paralelisht asokohe ai angazhohet edhe me grupin folklorik të vendlindjes, me drejtues artistik z. Xhelal Çerpja, ku mori pjesë në disa koncerte, jo vetëm në skenën e Shtëpisë së Kulturës Zall Dardhë, por edhe në Peshkopi, Burrel, etj.
Pas dy vitesh, në 2006-tën Bledari shpërngulet nga Zall Dardha për në Sukth të Durrësit, ku përsëri aty u angazhua me një tjetër grup muzikor.
Siç promovohet në këtë telereportazh, tashmë, zëri dhe performanca e tij përmes këngës, i japin tjetër emër Bledar Kacës, duke marrë pjesë edhe jashtë shtetit në koncerte e çdo gëzim familjar, si në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali, Gjermani, Francë, Suedi, Hollandë, Angli, etj.
Dhe jo vetëm si artist, por Bledari është dhe një familjar i denjë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë, një vajzë e quajtur Melisa dhe djalin Klevisi, ndërkohë që lidhja e tij është shumë e fortë me prindërit, babain Shefqetin e nënën Lirien, si dhe me vëllain Taulantin dhe dy motrat Adriana dhe Elidona. Dhe teksa këndonte këngwn “Moj Bulqizë unazë floriri”, në skenë pranë prezantohet si dritë shkëlqimtare edhe bashkshortja Donika, me krenarinë e të qënit bijë e kësaj krahine lavdiplote dhe si mbështetëse e fuqishme dhe frymëzuese e Bledarit në rrugëtimin e tij të suksesshëm artistik.
Në karrierën e tij artistike Bledar Kaca ka patur bashkpunime të frytshme me artistë të spikatur, me të cilët ka lënë gjurmë në skenë dhe ekrane televizive, konkretisht me këngëtarët Vida Kunora, Elvira Fierza, Perlat Sheqeri, Afërdita Lala, Elma Halili, Ganimete Dibra, Xhesilda Përshtjefa, Leonard Islami, Ramadan Topuzi Topuzi, Gentjan Dervishi, Mirgen Zela, Artjol Sulejmansi dhe Visi Meçi.
Bledari edhe sot është pjesë e Ansamblit “Kuvendi” të Zall Dardhës me president z. Neshat Ndreu, ansambël ky që vetëm para pak ditës (me 1 e 2 gusht 2026) do të ishte pjesë vitale e Festivalit Kombëtar, me titullin sinjifikativ “O mirë se na erdhe” në Zall Dardhë.
Ky artist numeron mbi 50 këngë në repertorin e tij, por kënga që e bëri shumë të njohur Bledarin ishte në vitin 2016, titulluar “Mos harro se je dibran” me tekst të poetit te njohur Munir Dali Hoxha, ndërsa ka patur bashkpunime në karrierën e tij edhe me autore të tjerë tekstesh, si Gjovalin Dushaj dhe Mentor Topuzi.
Koncerti recital që u realizua në bulevardin e blirëve të qytetit të Peshkopisë kishte edhe një arsye madhore, sepse përkoi me ditën e bukur dhe emocionuese të dekorimit të tij me titullin më të lartë “Qytetar Nderi”, nga Këshilli i Bashkisë Dibër, titull ky që i jep më shumë vlerë, jo vetëm Bledarit, por edhe familjes së tij, vendlindjes që njihet si djep i artit, Zall – Dardhës dhe familjes artistike me të cilën ai ka bashkëpunuar në disa dekada. Ndaj dhe nga artdashës të shumtë dibranë, ai mori urimin e përzemërt, që suksesi të jetë bashkudhetar i rrugëtimit artistik dhe i jetës së tij.


















