Ikja nga njerëzit. Tregim nga Ibrahim KADRIU

 

Rrëfimi në vazhdim ka të bëjë me Besartin të cilin, para një viti, e kisha takuar rastësisht  te Ura e Shenjtë, në karrigën e një tavoline  jo fort larg lumit, në hapësirën nën shelgje te restorani “Peshku i Drinit”. Emrin ia mësova duke dëgjuar llomotitjet  e njeriut, sigurisht pijanec, që ecte me luhatje përskaj tavolinave të rerstoranit, duke lënë përshtypjen se shumë shpejtë do të rrëzohej dhe disi më dukej se, vërtetë, do të rrëzohej keqas, sikur të mos mbështetej herëpasherë në ndonjë karrige. Në ecje, për largim nga ambienti i restoranit, i ndihmonte edhe kamerieri, kurse ai ndalej dhe, për pak çaste, shikonte drejt  njeriut që ishte i ulur vetëm pranë një tavoline me katër karriga përrreth. “Ai, – thoshte duke bërë me gisht andej, – ai Besarti  e di se nuk më do, sepse më tha largohu se po me pengon!… Nuk di çfarë pengese do i bëja, meqë ai asgjë nuk punonte, veç pinte birrë…Ai, Besarti, nuk më do. Edhe unë nuk e dua atë dhe ja pra, – i drejtohej kameriarit që përpiqej ta mbante për krahu…duke i thënë: – “Ec, largohu, të lutem, mos bën zhurmë!”

Ai, të cilit ia mësova emrin Besart, ishte i vetëm, veç me një shishe birre të Pejës. Nga larg  më bënte përshtypje se, ndonëse e kishte gotën mbi tavolinë, birrën e pinte me ngritje të shishes, ves ky i cili flet shumë: ia ka frikën gotës së palarë, apo i vjen më lehtë të shërbehet…

Derisa lëvizja mes tavolinave t’i afrohesha ndonjë karrige, shumica e të cilave ishin të zbrazur, më tërhoqi vetmia e tij dhe vendosa t’i afrohesha atij, pa vrarë mendjen se ndoshta do të më rrefuzonte. Iu afrova asaj tavoline  ku ishte ai i ulur, rreth të cilës tri karrige ishin të zbrazura. Kur e pyeta se a mund të ulesha, më shikoi habitshëm. Ai, në vend të përgjiges, i shikoi për rreth tavolinat e zbrazura, pastaj mori qëndrimin serioz. Me atë qëndrim më kompleksoi, ndonëse nuk tha asgjë veç më shikonte. Megjithëkëtë vazhdova të qëndroja  i heshtur dhe i bashkohesha heshtjes së tij, derisa  pritja  para se të tërhiqja karrigën, ose t’ia ktheja shpinën që të ulesha në karrigen e ndonjë tavoiline tjetër. Në çast e akuzova veten në heshtje, kurse ai vazhdonte të më shikonte:

“Më fal!”- i thashë!

Përgatita hapin të vazhdoja te ndonjë tavolinë tjetër. Ai, duke më shikuar, tërhoqi një gllënjkë birre nga shisheja duke ngritur kokën përpjetë dhe, fill sa e lëshoi shishen mbi tavolinë, u bë sikur i fshiu  buzët me dy gishta të dorës së djathtë të tij.

“Pse kërkoni falje, zotëri!?” – ma ktheu duke më shikuar drejt në sy.

“Më bëhet se ndërhyra në qetësinë tënde…”  – e arsyetova veten.

E uli kokën dhe me  gishtin tregues  të  të njëjtës dorë, domrethënë të dorës së djathtë, kruajti veshin. Më tha:

“ Sikur të ishe i vetëm, me ndërhyrje, por nejse: ulu, ulu!” – ndërkaq  kokën e ktheu drejt lumit…

E përbiu edhe një gllënjkë  të birrës duke e ulë nivelin e birrës deri afër fundit të shishes të cilën e lëshoi mbi tavolinë. Edhe pse, siç mund të kuptohej nga qëndrimi, nuk ishte i vullnetshëm për bisedë, në ndërkohë pasi e kulloti shikimin drejt siprfaqes së lumit ku laheshin disa të rinj e që, nga qeshjet e zëshme të tyre, dukej se ishin shumë të hareshëm, m’i drejtoi sytë:

“Lum si ata!”  – tha me zë të ultë.

E lëviza kokën në shenj miratimi dhe e thirra kamerierin, i thashë të ma sillte edhe mua një birrë të njëjtë, kurse kamarieri shumë shpejtë e ktheu shpinën dhe u nis drerjt banakut.

“Çuni! – iu drerjtova pasi vërejta shikimin e Besartit drejt meje, dhe ma mori mendja se do të gaboja sikur të mos e bëja porosinë edhe për një birrë për Besartin.  – Në të vërtertë sjelli dy birra,..”  – i thashë kamerierit.

“Dy birra i porosite?”  – më pyeti.

“Po, -ia ktheva, – një për veti dhe një për ty!”

“A  më pyete?”  – shikoi habitshëm.

“Jo, por… – është vullneti im! “

“Pse je aq egoist, merresh vetëm me vullnetin tënd, por jo edhe me vullnetin e tjetrit. Unë nuk dua, po të dëshiroja vetë do bëja porosinë. Qenke njeri interesant, mbase edhe i pa kuptimtë. Jam shumë i shqetësuar nga egoizmi i njerëzve. E them këtë nga përvoja ime e drejtpërdrejtë me njerëzit të cilët, për shkak të sjelljeve të tyre, i urrej…” – tha dhe vazhdoi.- “Pikërisht nga kjo arsye kam ikur nga mesi i njerëzve dhe jam vendosur në male nga ku, siç po më sheh, kam ardhur të takohem me vetveten këtu, në këtë restoran, por kthehem prapë atje ku më kënaqet shpirti. Ty të duket interesant pse kam ardhur pikërish këtu, te kjo urë e cila e ka oreolen e të shenjtës…”

“Ke të drejtë!” i thashë me qëllim që të vazhdonte biseda përmes të cilës do të njihesha me portretin e tij, meqë më dukej tip interesant, mbase edhe shumë i veçantë.

“Kjo urë, – vazhdoi, – reflekton historinë e tradhtisë, mashtrimit, pabesisë…e di ti këtë?”

“Çfarë tradhëtie”? – u shpreha duke  u mbështetur në interesimin tim për nxitjen e bisedës.

“Është legjenda, o burrë; legjenda mbi fatkeqësinë e një nëne…”

“Nuk e kam të qartë!”

“Ta qartësoj unë, sepse atë legjendë e kam në kujtesë që nga ditët e fëmijërisë. Ma ka treguar nëna ime…”

Kur tha “nëna ime” vërejta nostalgji te ai në momentin kur uli kokën dhe lente përshtypjen se do të qante.

“E di atë legjendë? “-  e pyeta që ta nxitja të fliste.

“Sigurisht se e di, por sa është e besueshme për këtë nuk mundem të dëshmoj. Për legjendën thonë se është trillim, që nuk i përngjan të vërtetës, diçka e pabesueshme, meqë rrëfimit të legjendes zakonisht i shtohen edhe gjëra të paqena…”

“Me fjalë të tjera – legjenda është rrenë, a po? “

“Vlersoje si të duash. Unë derisa e shikoj urën nga ky pozicion, ndjehem i shqetësuar, sepse ai  rrëfim për Urën e Shenjtë më ofron dhembje…”

Meqë e gjetem temën për të cilën mund të flitej më gjatë, u bëra shumë kureshtar dhe e luta të ma rrëfente legjenden. Fillimisht më shikoi habitshëm, duke mos më besuar se isha kureshtar, se, ndoshta, sipas tij, mund të isha ndonjë provokator dhe se i isha afruar me qëllim të caktuar. Më shikoi ngultas.

“Jam kureshtar të dëgjoj rrëfimin për atë legjendë…

“Përnjëmend e ke?” –  më pyeti habitshëm.

“Po, shumë përnjëmend”.

“Ani, pra, dëgjoje rrëfimin e kësaj legjende. E di përmendësh, ashtu siç më kanë treguar: Legjenda thotë se kishin qenë dikur, e një kohë, tre vëllezër që ia kishin mësy ndërtimit të  urës mbi lumin Dri në Rrafshin e Dukagjinit. Por, derisa tre vëllezërit gjithë ditën kishin muruar, gjithë natën muranat e urës dikush ua kishte rrënuar. Aty pari kishte kaluar një plak i urtë. Puna e mbarë u kishte thënë ai tre vëllezërve. Mbarë paç, o plak i urtë, por e kemi një hall e duam me ta treguar. Ne tërë ditën murojmë e dikush tërë natën muranat na i rrënon, i kishin thënë ata plakut. Duhet të bëni kurban, u ishte përgjigjur plaku tre vëllezërve. Si? Kurban! – kishte pyetur njëri prej vëllezërve.

“Po, pikërisht kurban!”

“Çfarë kurbani, ore plak?” – pyet vëllau i madh.

“Nesër, ajo nuse që do t`ua sjellë drekën, do të jetë kurban. Duhet t`a murosni të gjallë në muranat e urës! Vetëm pasi ta bëni këtë sakrificë, muranat e urës do të qëndrojnë në këmbë, ato nuk do të rrëzohen më natën dhe ura do të bëhet,…” – u kishte thënë atyre plaku dhe ishte zhdukur.

“Të tre vëllezërit, – vazhdoi ai, – ia kishin dhënë besën njëri-tjetrit se grave të tyre s`do t`u tregonin gjë lidhur me murosjen e asaj gruaje që nesër do t`ua sillte drekën atyre. Mirëpo, dy vëllezërit e mëdhenj, duke qenë të pabesë e hileqar, i kishin porositur gratë e tyre po ashtu të pabesa e hileqare, që nesër ato të mos ua sillnin atyre drekën te muranat e urës. Vetëm vëllai i vogël, duke qenë besnik e i pa hile, nuses së tij po ashtu besnike dhe të pa hile, s`i kishte thënë asgjë. Kur të nesërmen vjehrra kishte kërkuar që njëra prej nuseve t`ua çonte djemve drekën te muranat e urës, dy kunatat e mëdha ishin paraqitur si të sëmura, kurse kunata e vogël, ajo shpirtbardha, e kishte lënë djalin e saj të vogël në djep dhe kishte marrë udhë drejt muranave të urës për t`ua çuar drekën dy kunetërve dhe burrit të saj. Kur kunetërit dhe burri i kishin thënë asaj se do të murosej e gjallë në muranat e urës, ajo u ishte përgjigjur atyre: “Vetëm ura të bëhet! Por e kam një amanet, me rastin e murosjes sime: njërën dorë, njërin gji dhe njërin sy ma lini jashtë…!, që kur të më marrë malli për djalin tim të vogël, me njërën dorë t`ia përgëdheli flokët, me njërin gji t`i jap të pijë, me njërin sy ta shohë rritën e tij! “

Legjenda thotë se pas murosjes së kunatës së vogël ura vërtet ishte ndërtuar, sepse muranat e saj më nuk ishin rrënuar!

“Çfarë tragjedie!”-  ndërhyra.

“Thuaj – çfarë poshtërsie!”-  ma ktheu. “E sheh? – vazhdoi, – tragjedia e Urës së Shenjtë ka ndodhur në saje të hipokrizisë njerëzore. Për këtë arsye, po të them ty, i urrej njerëzit dhe për këtë kam arsye të plotë nga përvoja… I urrej sepse nuk janë të sinqert, sepse aktrojnë, sepse askujt nuk duhet besuar…”

Nuk ndërhyja. E lashë të fliste. Më pëlqenin mendimet që i shprehte pasi fort mirë e kuptova  se e kishte përvojën nga prania në mes njerëzve, i zhytur në vorbullën e egoizmit të tyre. E kishte zet imponimin e njerëzve me paraqitje falso. Megjithëkëtë, dhe për të qenë më saktë, duhet thënë se ai nuk kishte ikur nga njerëzit si qenie; por nga maskat e tyre, kishte ikur  për të gjetur prehje në vetminë e maleve,  ku hasi një heshtje që nuk gënjen dhe një natyrë që nuk shtiret, aty ku do shoqërohej veç me veten pa qenë i ngarkuar me hiret e të tjerëve nga të cilat shqetësohej. Këtë e mora me mend derisa e shikoja dhe ia peshoja reragimet e tij ndaj fjalëve të mia. Ai e kishte përvojën e gjatë në mesin e njerëzve, një përvojë të hidhur duke iu përshtatur të tjerëve me temena dhe duke mos gjetur rast t’i japë hapësirë të duhur vetes në mesin e njerëzve, të cilët as e kuptonmin as i kuptonte. Nga kjo arsye ishte bërë imun ndaj shqetësimeve të përditshme, prandaj, siç u tha në fillim, i zgjodhi malet të jetë vendqëndrim i mëtutjeshme  i jetës në vazhdim…

Nga një këndvështrim filozofik, zgjedhja e tij ishte një akt kërkimi  i të së vërtetës, sepse ishte ngopur me gënjeshtra në shumicën e poreve jetësore…Ishte bindur se qytetërimi shpesh e ngatërron njeriun me rolet që ai luan: përmes statusit, pushtetit, lavdisë apo interesit. Në mal këto humbasin çdo kuptim. Atje mbetet vetëm njeriu përballë vetes, përballë kohës dhe përballë natyrës. Vetmia nuk është dënim, por një pasqyrë ku shpirti sheh fytyrën e tij pa zbukurime, derisa, thënë më bindshëm, siç mendonte ai –   mali shndërrohet në simbol të lirisë dhe pastërtisë morale.  Gurët, era, pyjet dhe qielli nuk e gjykonin Besartin; ata vetëm e pranonin. Ndërsa në shoqëri, sipas përvojës që e kishte krijuar,  fjala shpesh përdoret për të fshehur të vërtetën.

Kur e arsyetonte qëndrimin e tij ndjehesha i nderuar meqë, atë heshtjen e fillimit kur i ndërruam fjalët, e tejkaloi. Heshtja ime sikur e frymëzonte dhe vazhdonte të fliste si vetmeveti, meqë as më shikonte. Prandaj përpiqesha të isha i rezrvuar, të mos i ndërhyja në fjalë, të mos e shqetësoja. Sikur t’ia bëja ndonjë pyetje, isha i bindur se do të më shikonte vëngër, dhe do të vazhdonte të fliste çka dëshiron vetë. Duke u mbështetur në këtë bindje, qëndroja i qetë, kurse ai vazhdonte:

-…Në natyrë heshtja bëhet gjuha më e sinqertë, – thoshte. – Çdo agim i kujton se jeta nuk ka nevojë për duartrokitje për të pasur vlerë, dhe çdo mbrëmje kur je në meditime  mëson se gjithçka kalon, humbet në pakthim… dhe, pastaj, njeriu mbetet me vetveten gjithnjë duke e marrë me të mirë, duke u bërë vazal i hireve të tij. Kësisoj gjen arsye t’i krijojë vetit kënaqësi që i ndihmon ta ruaj shëndetin. Për ruajtjen e shëndetit, thoshte, rëndësinë më të madhe e ka qetësia shpirtërore në vetmi e cila, në shoqëri me njerëzit, humbet dhe pastaj është vështir ta kesh mbrojtje nga ironitë që i ke përballë gjatë përditshmërisë. Megjithatë, vetmia nuk është fundi i udhëtimit. Ajo është një provë. Njeriu nuk bëhet më i mirë vetëm duke u larguar nga të tjerët; ai bëhet më i mirë kur arrin të mos e lejojë ligësinë e botës të zërë vend në zemrën e tij. Unë, tha kur vërente se e dëgjoja me interesim,  nuk kërkoj të hakmerrem ndaj shoqërisë. Kërkoj të ruajë integritetin tim, duke jetuar sipas një morali që nuk varet nga miratimi i askujt.

Nga këto parime të shënuara në rreshtat e mësipërm ai ishte bërë i veçantë dhe për mesin e njerëzve – i pa kuptimtë, siç ishte i pakuptimtë edhe për mua, sidomos kur birrën që e kisha porositur për ate, nuk e mori. Nuk e ndjeja veten mirë, por nuk i thashë ta pinte. Më tutje as që u përmend ajo shishe birre, as nga unë që në një mënyrë isha i penduar, as nga Besarti i cili as e shikoi shishen, madje kisha përshtypjen se as që e kishe  vërejtur kamarierin kur e solli mbi tavolinë.

Rrëfimi i tij për legjenden të cilën e dija, e kisha dëgjuar ku të dihet sa herë, madje edhe si fëmijë kur, në netët e gjata pa dritë, nëna fliste me ngadalë, tregonte legjenda të ndryshme derisa  neve, fëmijëve të saj, na merrte gjumi… por, derisa fliste Besarti, e  dëgjoja me vëmendje i nxitur nga kureshtja që t’i jepja shkas të fliste edhe për veten sa më shumë, meqë më dukej i veçantë dhe, sigurisht, me një biografi karakteristike. Shkas i bindjes sime për biografinë e tij ishte një lloj nihilizmi që e shprehte duke vënë në shënjestër veset njerëzore me të cilat ndeshej në përditshmëri. Me një qëndrim të tillë dukej se i pëlqente të bënte jetë asketi, prandaj e kishte zgjedhur jetën të kalonte në mal .

***

Para një viti, pra, e kisha takuar dhe nga ato fjalë që i thoshte, gjithnjë i rezervuar dhe, siç dukej asokohe, pa vullnet për bashkëbisedime. Një tip i çuditshëm me shikim që kompleksonte, me shikim  të gjatë drejt në sytë e bashkëbiseduesit, dua të them drejt meje; një  shikim me zvogëlim të syve duke i lëshuar qepallat deri afër mbylljes së syve. Në atë gjendje nganjëherë, ose më mirë të thuhet shumë herë, me thoin e gishtit tregues bëhej sikur pastronte dhëmbët e sipërme. Ai proces i pastrimit, apo i gërryerjes së dhëmbëve, zgjaste derisa, në momente, i futke gishtat e dy duarve në flokë dhe i drejtonte, ua jepte formën sikur t’i kishte krehur me krehër. Veprimin me flokë e bënte shpejt dhe e përfundonte me kruarje  pas veshi. Duke pasur parasysh tëhuajësimin e tij nga rrethi shoqëror, ma mirrte mendja se kishte arsye, dhe kjo bindje forcohej  nga kuptimi që e kishte ndaj botës, përkatësisht nga dëshpërimi ndaj rrethit i cili, sipas atyre fjalëve që i thoshte, ishte i bezdishëm. Sigurisht edhe mua më vlerësonte si të bezditshëm, prandaj disi pa pritur, befasisht, qe ngritur në këmbë dhe iu afrua banakut. Bëri pagesën dhe u nis drejt rrugicës  në përpjetëze që çonte mbi urë. Në një moment u ndal, qëndroi një çik, pastaj u kthya drejt tavolinës ku ishte dhe isha i ulur:

“Ditën e mirë, jaran”! – më tha dhe ktheu shpinën, vazhdoi të ecte. Prapë u ndal: “Paguaje birrën, jaran”! – tha dhe shpejtoi hapat tutje.