KENGA, TREGIM NGA MITHAT FRASHËRI,  Stamboll, 1910

Ishin njëmbëdhjetë, ndenjur qark; në mes kishin një fron të vogël, dy qelqe me një lëng të kuq në to.Dyqani, ku ishin mbledhur këta miq, qe një dyqan i vogël, gjysmë kasapi, gjysmë zarzavatçiu: copa mishi të mëdha ishin varaur në grepat e hekurt, mish të kuq me copa dhjami të verdhë, të ngrirë pothuaj, se ish stina e veriut të ftohtë. M’anë tjetër lakra, hauçe, selino dhe të tjera barishte dhe rrënjë ishin radhitur në koshat mbërdhe a mbi dhogat. Megjithëqë plot mish dhe lakrishte, dyqani kish një pamje të pastër dhe njeriut s’i vinte ndohtë të hynte brenda.

Të njëmbëdhjetë shokët kishin ndënjur mbi frone. Midis tyre shquanin mustaqet e bardha të Meçit, burr’ i lashtë, i thatë, i paktë, po i shëndoshë, syri pishë, faqe të thata, kocka të dala, kokë dhe ballë rrumbullakë.

Edhe kënga po ziente.

– Pini edhe një, djem, edhe shëndoshë në vilajet! tha Meçi, duke mbushur kupat. Lëngu i kuq u qas në buzët dhe kupat u bënë fir përnjëherë. Një zjarr i ri ndër miqt’ e mbledhur atje, dhe kënga, që pushoi një çast, tani zuri m’e fortë dhe m’e nxehtë.

Meçi i kish ftuar këta shokë në dyqan të tij.

Ishin dhjetë, të gjithë si ay, lebër nga fshatrat e Zagorisë, të tërë punëtorë në atë kurbet.

Meçi, me gjithë të dyzetat e shkuara dhe të pesëdhjetat e afruara, po e merrte këngën: të tjerët me radhë, sicilido pas zërit që kish, po e priste dhe kështu këng’ e Labërisë po gumëzhinte në këtë dyqan të vogël në mes të të madhit Stamboll.

– Pa  merrja dhe një herë ti, or Hekur; merrja asaj kënge: Moj burbuqe!

Ay që quhej Hekur, ish një djal’ i ri, jo më tepër se njëzetepesë vjeç, sybardhë, leshverdhë, pak i vogël nga shtati.

Kënga u nis dhe dilte e shëndoshë prej mushkërivet: Bubu burbuqe, o moj burbuqe!

Hekuri po këndonte e po mejtohej. Këtë këngë e kish dëgjuar herën e parë në Sheper, kur kishin vajtur të merrnin një nuse. Ish maj ahere dhe kishin shkuar gjashtë vjet. Sa kujtim i mirë! Edhe ahere ish në kurbet, se kish dalë që më katërmbëdhjetë vjeç; kish shkuar një verë të tërë te mëmëdheu i tij, me shoqëri të mirë dhe me gaz të madh.

Po Hekuri s’u ndal shumë në këta kujtime, se n’atë çast mejtoi veten e tij, të vluarën që kish në Labëri dhe fshatin, shtëpinë, gjërinë që do t’i shihte sërish.

– Edhe në dasmë! – thirri Piti dhe ngriti kupën. Zoti na e bëftë siç ma do zëmra, edhe me gjithë të mirat!

Gjithë shikuan folësin, heshtën dhe kthyen kupat. Piti ish një burrë i thyer, pak i majmë, me sy të zez; sy ku ish një vështrim i mallëngjyer, sikur ish varur një pikë loti në të. Dalë që djalë në kurbet, kish parë Misirin, Vllahinë, Bullgarinë, Anadollin, Rumelinë dhe tani ish hedhur këtu në Stamboll, pa patur ndonjë fis, pa farë, jo vetëm në këtë qytet të moçëm që themeloi Kostandini, po pa shpresë dhe në Shqipëri.

Duke parë që u bë pak pushim, djaloshi Kiço mori kurajë dhe guxoi:

– A nuk ja marrim një herë “Për mëmëdhenë”?…

– Unë s’e di këtë këngë, tha Piti.

– As unë, s’e di, thanë Rrapoja dhe Guri.

– Un’ e di, se e dëgjova vjet në Korçë: e këndonin gjithë djemuria, tha Llambi.

– Merrjani një herë, djem, tha Meçi dhe hodhi nga dy gisht raki në fund të kupavet.

Ahere, në mes të tymit që kishin bërë cigaret, në mes të dritës së llambës, brenda n’atë dyqan të vogël, kënduar prej kraharorësh të shëndoshë, zuri dhe gjëmoi kënga:

– Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë, vraponi burra…

Kënga, meqenëse ish pa iso, të tre djaloshët q’e dinin, e morën përnjëherë: të tjerët po dëgjonin dhe ca prej tyre, sado që po e dëgjonin për herë të parë, prapë ndjenin një shije dhe një gëzim të brendshëm në këto nota shqiptare.

Kur u mbarua kënga:

– Vërtet qenka një këng’ e bukur, me zë dhe me fjalë të ndjera, tha Kiçi. Tani merrja ti Puli, edhe ti Rako mbaje!

– Rrëzë malit, rrëzë malit, një thëllëzë!

 

***

Jashtë ish errët dhe ftohtë. Ish natë janari dhe dëbora kish zënë të binte, më të perënduar dielli. Flokët binin të rrallë dhe të mëdhenj dhe afër fenerëve t’udhës dukeshin si flutura të bardha rreth dritës. Mbërdhe po shtrohej një pal’ e bardhë si pambuk i hedhur.

Rami këtë natë po ngjitej më këmbë në rrugën e përpjetë, që vete në shtëpin’ e tij. Ardhur në Stamboll gjashtë vjet më parë, tani kish mot-mot që mësonte në shkollë të drejtësisë.

Vetëm, pa ndonjë njeri në këtë kryeqytet të gjerë, bir i vetëm i një babai të pasur, Rami, i ri dhe i gazshëm, që kur kish ardhur në Stamboll, po më tepër tani në dy vjetët e fundit, po shkonte një jetë pa kurrfarë brenge, i lumtur dhe i kënaqur.

Atë natë Rami kish mbetur për darkë te një mik në Stamboll, në një shtëpi e madhe dhe të bukur në Sylejmanije. I biri i të zotit të shtëpisë ish nxënës në shkollë të drejtësisë dhe shok i Ramit dhe kështu një miqësi e lidhte te kjo shtëpi, një nga më të vjetrat e shtëpivet të Stambollit.

Pas darke, gjer më nj’orë të vonë e shkuan me kuvende. Rami kish prej natyre mendje të çelur, kërkonte të nxehte çdo gjë, donte t’i dinte të gjitha, se të tëra shfaqjet e mendjes e interesonin; kohën që i mbetej nga mësimet e shkollës, e shkonte me studime literature dhe diturake, studime që i forconte në kuvende me miq të mençëm, që i zgjidhte me kujdes në mes të shokëvet të shumtë që kish. Themi se kish shumë shokë, po miq të numëruar, se të parët gjenden lehtë dhe tekdo, por të dytët janë të rrallë. Edhe ish për çudi, që Rami këtu në Stamboll s’kish as shokë as miq shqiptarë, thotë njeriu se ai kish prerë çdo marrëdhënie me mëmëdhenë.

Në ndjenjat e tij poetike, Rami e donte këtë të sotme, këtë dëborë që hidhte palët e saj të buta dhe të ftohta. Edhe nga Stambolli u nis më këmbë për në Bejoll, ku e kish shtëpinë. Pështjellë në pallto të shëndoshë, djaloshit tonë këta të ftohtë i jepte një gaz, i dukej si një goditje mbi trup dhe mbi nervat e tij, se, sado që rritur në qytet të madh dhe me pekule, në rrëmbat e tij rridhte gjaku i malësorëve të thëllimit, i prindërve të tij.

Ura që ndan Stambollin me Gallatën, vaporrët e pirgosur m’anë të djathtë, trarët e anijeve të radhitura më të mëngjër në Haliç, kjo mëng’ e ngushtë, dritat e mëhallave të Stambollit, të Kasem Pashës dhe të Bejollit, dritat e venitura si syt’ e yjet në mes të mjegullës, sa gjëra të bukura për një njeri që ka sy e sheh, që ka zemër dhe ndjen!

Rami u ndal pak mbi urën, shikoi detin më të mëngjër dhe më të djathtë, Stambollin dhe Bejollin, prapa dhe përpara.

Një çast, Rami ndjeu të ftohtë dhe desh që t’ecte akoma më këmbë, pa shikuar as fare karocierët që e pyetnin:

– Araba istermi, bejim?

Në Gallatë, miku ynë zuri udhën e tramvajit, udhë që shkon në mes t’atyre shtëpivet të mëdha, banka, rezhija dhe kaq shoqëri, ku zien jeta ekonomike e këtij qyteti të madh.

Pa arritur te karakolli Shishhane, Rami u kthye më të djathtë, për të marrë të përpjetën, që ta shkurtonte pak rrugën. Kish ardhur tre çape për të hyrë brenda në rrugë, kur qëndroi përnjëherë.

Një zë i ndryshëm i erdhi në vesh. Në krye pandehu se ish një fotograf dhe u çudit mbi këngët që thosh. Pa vonuar shumë, Rami kuptoi që ish këngë njeriu, u kthye prapë, kapërceu udhën dhe u qas te dyqani nga dilte ky zë i nxehtë dhe i shëndoshë.

– S’ka dyshim, po këndojnë shqip, mejtoi djaloshi dhe afroi kokën në penxheren e vogël të dyqanit, që të shihte ç’po bëhej brenda; edhe pa shokët e Meçit, që po këndonin. Edhe ndënji të dëgjonte.

“Rrëzë malit një thëllëzë”! Pa dale, ku e kish dëgjuar herë tjetër këtë këngë? Që kur e kish kujtim?

Përnjëherë kujtimi iu kthjellua, mejtimi u kullua. Rami u kujtua se dhjetë vjet më parë, ahere kur ish fare djalë, në një gosti gazmore, burra të rinj dhe të hijshëm e kishin kënduar këtë këngë, në qytetin Z… ku kishin vajtur, duke kaptuar rrëke dhe duke shkuar nga shkëmbinj e  driza…

– Rrëzë malit një thëllëzë, thosh me vete të tij, duke u larguar prej dyqanit dhe me sy të mejtuar po shihte gjëra të shkuara dhe gjysmë të harruara, po që tani i ngjalleshin përpara: ata kalorës që e kishin kënduar dhjetë vjet më parë këtë këngë, edhe ata shkëmbinj, edhe arat e gjelbëra, edhe hijet e drurëvet, mbi ujë të ftohtë.

 

 

Stamboll, 10. X. 1910

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here